Poezi nga Brunilda Ternova

0
1829
Brunilda Ternova

19 shkurt 2017AtunisPoetry.com

Poezi nga Brunilda Ternova

Brunilda Ternova është poete, shkrimtare, gazetare, ndërmjetëse kulturore dhe përkthyese për gjuhët: Shqip, Anglisht dhe Italisht. Merret me përkthimin e artikujve dhe librave nga italishtja në shqip dhe anasjelltas, dhe ka botuar në Shqipëri dhe Itali artikuj të tematikave të ndryshme. Në fushën e teatrit ka bashkëpunuar me shoqërinë teatrale “Teatri di Vita” të qytetit të Bolonjës.

Banor i kohës

N’fund të kohës kemi me qenë veç pluhun,
dhe galaksitë kanë me i ushqy’ kujtimet prej nesh,
duke përshëndetë çdo grimcë tonën yjore,
në nderim të nji epoke t’pavdekshme.
Dhe prapë, si përherë,
do t’jetë sikur t’mos kishim ekzistu’ kurrë,
t’përjetsuem nga ligji i Njishit
tu jetu’ n’kujtime tjera,
në nji shumësi dimensionesh, që kurrë s’i kemi përjetu’
tu pësu tingullin e kohës dhe t’muzgut,
prapë, mund të jemi si përherë,
t’vetmit banorë të kohë … si nji demiurg yjor.

I tejdukshëm asht thelbi

Ke pasë fatin për me qëndru n’kët botë,
dhe asht shumë serioze mënyra si i jepesh jetës,
tu kthy’ fjalë, o tu nxjerrë prej fundit,
t’ndërgjegjes tande që s’asht ma e qetë.
Asht e ditun që diskutimi asht i lodhshëm e shterpë.
ndërkohë që vrojtimi i nji mbretnie ma t’mirë shpesh prin,
kujt i trembet dielli kur shkëlqen dhe përpëlitet?
Dhe çfarë asht që dielli don, kur era e përhap qetësisht?
Nëse ylli viziror i gjymtyrëve tona do t’ish e çdo qelizë
mbi fizikun e shpeshtë nji parajsë e re që lind,
ç’kuptim kemi me i dhanë kohës sonë që përzgjatet?
Ndoshta nji hapësinë me kapsulë t’zbrazët,
me litarët e kohës t’ankoruem, t’shtrimë dhe t’përdredhun,
ndoshta thelbi i ftohtë dhe i tejdukshëm i mendjes sonë.
Perspektiva ma ban t’arsyeshme kët’ tokë qiellore
e, përgjatë cikleve t’modifikimeve t’thella
identifikimi im si nji kozmonaut në tokë
m’ban pjesë t’konfiguracioneve t’reja.

E papërshkrueshme

Asht kaq e rrallë që kam mund’ me të gjetë ty,
n’mes duhmës së ekzistencës sime t’ngrohtë dhe t’paqëndrueshme,
në nji të kryeme të tejshkueme përvëluese,
tu i shprehë gjanat ndërkohë që lufton kundër kufijve,
secilit prej atyne që i ekspozon në diell, lakuriq dhe kalimtarë.

Asht kaq e veçantë që kam mund’ me t’taku ty,
tu ngritë dallgë, tu shkatërru’ bregun me forcë e me djersë,
në nji të tashme që duhet rregullu’,
me shpirtin e tejmbushun duke shpërnda urrejtje dhe dashni,
në nji kohë t’papërcaktueme, ndërkohë që përballesh me diçka t’naltë.

Asht kaq e pazakontë që kam mund’ me t’zhvarrosun ty,
e ndalun dhe e habitun, eklektikisht pranë meje,
në nji rizbulim t’ndrojtun i gjithi për me u kuptu,
ndërkohë ajo gjaja e naltë të merrte në gji t’saj,
duke u ba forcë e natyrës në nji përjetësi t’madhnishme.

Asht kaq e çuditshme që s’kam mund’ me pasë qasje n’ty,
që kërkon vërtet me u ba, ç’ka intimisht je,
në nji t’ardhme që duhemi me e ba sërish,
në diçka t’naltë që të tjerët i tejkalon,
si psikostazë e shumëfishtë për atë që ecë solemnisht.

Apo(e)teoza e nji dite

Vjen nji ditë e lartësohesh fatale,
dhe palat e mendimeve t’tërheqin,
për mos me t’lanë qetësi n’vetminë tande t’zhurmshme,
tu intonu’ frekuenca t’ndryshme n’mënyrë supersticioze.

T’u thithë energjitë e botës që ishte dhe nuk asht ma,
dhe t’u e ndjekë veten nëpër rrugët e braktisuna t’qytetit tim,
nji ditë kam me e fundosë n’asgja jetën teme t’improvizueme,
t’u të sjellë ngadalë nji mllef mashtrues.

Asgjaja dhe gjithçkaja kanë me më folë për lot nji ditë,
tu e pranu’ dhe mohu’ si zakonisht t’kundërtën e përsosun,
e dashunueme n’pasqyrën time t’magjepsun do t’i kërkoj që të flasë për mue,
duke e çliru’ mllefin tand n’fluturimet e mia pindarike.

Si shaman i shpirtit n’trupin tand t’panjohun,
dhe gjithmonë pranë për t’u zhytë nji ditë e zhveshun prej energjive,
në relievin e gjoksit tand të drejtë e të paprekun,
kam me mbështetë padepërtueshëm dashninë teme të fshehtë.

Duhet me të dashtë sërish nji ditë,
dhe a e di, duhet delikatisht me mësu’ me të dashtë sërish,
me të tregu’ me shikime naive dhe t’qeshuna përvëluese,
ndjenjat e reja, që i ndeshim rastësisht.

T’u peshku pyetësorët e moshës sime t’ambël,
e nëse ti kishe me pasë, kishe me mund’, me qenë edhe ti nji Parsifal i ri,
n’kërkim t’sendeve pa vlerë dhe të kupës sime t’shenjtë,
atëherë po, kisha me pasë, kisha me mund’, kisha me qenë… nji ditë.

Përshtati në gegnisht Orjela Apolloni