“Bardhësitë e atdheut”, dëshmi, dokument dhe argument i gjallë i atdheut

0
1323

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Enciklopedia gjithëkombëtare “Bardhësitë e atdheut” vazhdon jehonën dhe sukseset. Për këtë vepër madhore tashmë kanë folur e shkruar dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë edhe më tej dhjetëra intelektualë, personalitete të jetës publike, akademike dhe njerëz të mirënjohur në hapësirat mbarëshqiptare.

Autori, publicist dhe veteran i UÇK-së, Afrim Mustafa, ka treguar për medie këto ditë se deri tash ka dërguar mbi 60 kërkesa tek institucionet tona lokale dhe qendrore në Republikën e Kosovës por, deri tash, madje as edhe një përgjigje të vetme nuk e ka marrë nga këto institucione… Financimin e enciklopedisë gjithëkombëtare këto ditë e kanë kërkuar edhe: përfaqësuesi i familjes emblematike, Jashari nga Prekazi, Rifat Jashari dhe kryetari i OVL të UÇK-së, Hysni Ngucati, të cilët patën edhe takime të drejtpërdrejta me autorin e enciklopedisë “Bardhësitë e atdheut”, Afrim Mustafën…

Publikisht, ftohet kryetari Svarça që ta kryejë obligimin ndaj enciklopedisë kombëtare “Bardhësitë e atdheut” dhe ndaj autorit, e që janë tre mijë euro të ndara nga ish-kryetari, veprimtari i çmuar, Agim Aliu, por që deri më tash asnjëherë nuk u paguan…

Është shkruar dhe folur dhjetëra herë, madje edhe qindra herë për botimin e librit enciklopedik me 2 500 dëshmorët e luftërave të UÇK-së të të gjitha trojeve shqiptare “Bardhësitë e atdheut” me autor reporterin dhe veteranin e UÇK-së, Afrim Mustafën, madje libri i përmasave mbarëkombëtare, po vazhdon sukseset dhe jehonën. Por, kjo vepër madhore gjithëpërfshirëse, e cila tash ka 1813 faqe dhe është promovuar 106 herë nëpër vende, ambiente, qytete dhe kryeqytete të ndryshme, ende nuk ka marrë asnjë financim nga institucionet e shtetit të Republikës së Kosovës, qofshin ato lokale, apo edhe ato qendrore… Këtë e pohon edhe vetë autori Afrim Mustafa, i cili për medie këto ditë ka treguar se deri tash ka dërguar dhjetëra kërkesa tek institucionet tona për financimin e botimit të tërësishëm, por edhe për ribotimin me ngjyra dhe përkthimin e kësaj vepre madhore gjithëpërfshirëse.

Autori i enciklopedisë më gjithëprezantuese me 2 500 dëshmorët e luftërave të UÇK-së: Në Kosovë, Kosovë Lindore dhe në Maqedoni, ka rrëfyer se 60 kërkesa ai ua ka dërguar institucioneve tona, si: Qeverisë së Republikës së Kosovës, ministrive përkatëse, por edhe organizmave të ndryshëm komunalë të shtetit tonë… Por, deri tash këto institucione asnjëherë nuk dhanë asnjë cent për enciklopedinë e përmasave gjithëkombëtare, madje, duke mos i kthyer as edhe ndonjë përgjigje autorit dhe librit enciklopedik! Në anën tjetër, autori, publicisti i njohur, reporteri dhe veterani i luftës, vazhdon sukseset në botimet, qofshin ato në ekzemplarë të kufizuar të enciklopedisë gjithëkombëtare, “Bardhësitë e atdheut”, duke arritur që herë pas here, me angazhim dhe mund të madh ta prezantojë edhe punën e tij madhore, veçmas para medieve dhe para opinionit të gjerë mbarëshqiptar, por edhe më gjerë…

Rifat Jashari: “Bardhësitë e atdheut” është pasuri e jona gjithëkombëtare dhe duhet të financohet urgjentisht nga shteti i Kosovës…

Mustafa këto ditë ka folur për disa media të Maqedonisë për të cilat ka treguar për përpjekjet e tij të pandalshme për ta gjetur ndonjë donator, për t’ia nisur edhe përkthimit të “Bardhësitë e atdheut” edhe në gjuhët e ndryshme të botës, e posaçërisht në anglisht dhe në gjermanisht… Por Mustafa ka thënë se përkthimi i kësaj vepre gjithprezantuese është i domosdoshëm edhe në gjuhët e tjera të botës, si në italisht, frëngjisht, sllovenisht, turqisht, arabisht, kroatisht, rusisht, por edhe në serbisht, për çfarë duhen mjete të konsiderueshme financiare… Ndërsa, përkthimi i librit në anglisht është mbase domosdoshmëria urgjente, e që duhej të ndodhte sa më parë… Siç ka treguar, autori Mustafa, libri tashmë ka arritur një vlerë prej 1 814 faqesh dhe me një punim shumë të duhur dhe me një dizajn të veçantë grafik, përfshirë edhe ballinën, e cila ka emblemat e të tri lavdive çlirimtare të hapësirave gjithëshqiptare: UÇK, UÇPMB dhe UÇK…

Duhet përmendur, gjithashtu se, kohë më parë, Afrim Mustafa, u prit dhe nga përfaqësuesi i familjes emblematike Jashari në Prekazi, Rifat Jashari, i cili gjatë mirëpritjes, e ka vlerësuar jashtëzakonisht madhore punën shumëvjeçare të autorit Mustafa dhe librin e tij enciklopedik “Bardhësitë e atdheut”… Kështu, vëllai dhe djali i kolosëve të Kosovës dhe shqiptarisë: Adem dhe Hamzë Jasharit, por edhe djalë i babë Shabanit, bacë Rifat Jashari, përveç krenarisë së thellë për botimin e enciklopedisë gjithëkombëtare, ka shfaqur edhe habinë dhe çudinë se si institucionet tona qendrore deri tash nuk e kanë përkrahur këtë libër, e as autorin me asnjë cent!… Në mirëpritje në Kullën e Jasharëve legjendarë, baca Rifat Jashari ka kërkuar publikisht që libri “Bardhësitë e atdheut”, si pasuri jona kombëtare gjithëshqiptare, të financohet urgjentisht dhe i njëjti edhe të përkthehet në anglisht…

Të njëjtën kërkesë, ditë më parë e ka bërë edhe kryetari aktual i OVL të UÇK-së, Hysni Ngucati, i cili po ashtu e ka mirëpritur Mustafën në një takim dhe të njëjtit i ka premtuar angazhim konkret për të gjetur donatorë nga institucionet tona të Republikës së Kosovës për këtë vepër aq madhore dhe gjithëshqiptare…

Kërkohet nga kryetari aktual i Ferizajt, Svarça, që ta shlyejë borxhin për librin “Bardhësitë e atdheut”

Autori Mustafa, gjatë prezantimit për disa media, publikisht ka kërkuar nga Komuna e Ferizajt dhe kryetari Svarça që t’ia kryejë obligimin në vlerë prej tremijë eurosh, të cilat ia kishte ndarë ish-kryetari Agim Aliu në nëntor të vitit 2013, por që kurrë nuk i janë paguar! “Edhe pse kam vendimin e këtij minidonacioni për këto të holla, të njëjtat, asnjëherë që tri vjet nuk i kam marrë. Kryetari aktual Svarça, si për ‘inat’, apo nga ‘ngarkesa’ e tij që këto mjete i ndau ish kryetari Agim Aliu, ai nuk po i paguan dhe nuk di se pse! Kjo është turp dhe poshtërsi… Prandaj e lus publikisht që obligimin që ka ndaj librit, ky njeri, apo ky kryetar, ta kryejë sa më parë, sepse i kemi borxh në një shtypshkronjë”, ka theksuar Mustafa për mediet elektronike të Shkupit këto ditë.

Në anën tjetër, dy ish- kryetarët, Bajrush Xhemaili dhe Agim Aliu, e kanë promovuar masivisht enciklopedinë gjithëkombëtare me 2 500 dëshmorët ”Bardhësitë e atdheut”, kurse kryetari aktual, Svarça, asnjëherë nuk ka treguar interesim për një veprim të tillë, e që do t’i bënte nder atij së pari dhe të gjithë qytetarëve ferizajas dhe të gjithë shqiptarëve… Në anën tjetër, autori, me vullnet të thellë dhe pandalshmërisht po vazhdon botimet, edhe pse në ekzemplarë të kufizuar, përparimet, por edhe promovimet e enciklopedisë së përmasave gjithëkombëtare. “Kam edhe një falënderim dhe nderim, të cilin dua ta them… Është ish-profesori im, veteran i arsimit nga Ferizaj, profesori shumë i nderuar, Sahit Salihu, i cili ndonëse në moshën 79-vjeçare, nuk ndalet së lexuari dhe së vepruari…

Profesori i veprimeve dhe përpjekjeve atdhetare, por edhe i përndjekjeve për shumë vjet nga ish-regjimi sllavist, kërkoi me ngulm që të solidarizohet me mua dhe enciklopedinë gjithëkombëtare, duke shfaqur dëshirë dhe vullnet që të mos ia falë, por ta blejë një ekzemplar… Po ashtu profesor Sahit Salihu, i cili ka një fond prej qindra librash në bibliotekën e vet personale e familjare, ka kërkuar nga kryetari aktual Svarça dhe Komuna që ai drejton, që të ‘bëhet burrë’ dhe ta kryejë urgjentisht obligimin ndaj meje dhe librit”, ka thënë Mustafa. Ndërsa profesor Salihu ishte shprehur: “Ndaj kësaj vlere madhore, që na ka sjellë autori shumë i nderuar, duhet të sillemi me respekt dhe me përgjegjësi, e jo me fjalë të thata e me mospërkrahje. Me këtë vepër gjithëkombëtare, krenohemi dhe nderohemi të gjithë dhe të njëjtën duhet ta ketë çdo shtëpi shqiptare kudo në shqiptari”.

Sukseset dhe jehona e enciklopedisë gjithëkombëtare, “Bardhësitë e atdheut”, me autor reporterin dhe veteranin e luftërave të UÇK-së, Afrim Mustafën, vazhdon dhe nuk do të ndalet.