AKADEMI PËRKUJTIMORE PËR TË RËNËT E JANARIT, NË LUDWIGSHAFEN

0
1483
LDK logo

Skena ballore e Akademisë Përkujtimore, në Ludwigshafen

SHKRUAN: IDRIZ ZEQIRAJ

Nëndega e LDK-së, në Rheinland Pfalz, e drejtuar, përtej një dekade, nga Idriz Zeqiraj dhe i pasuar nga veprimtari Fazli Hajdaraj, është shquar për parimësi rugoviane, udhëheqje dhe vendim-marrje kolegjiale. Debati, konkurrenca e, mbi të gjitha, votimi i fshehtë dhe demokratik, kanë qenë parimet bazë, norma që ka prcaktuar veprimtarinë e suksesshme. Nëndega e LDK-së në Rheinland Pfalz, është pjesë e të gjitha aksioneve humanitare, për në Shqipësi dhe Kosovë si dhe begatimin e fondeve legale dhe grumbullimin e mjeteve materiale, deri në blerjen e makinave, në ndihmë të demokracisë shqiptare, si dhe të kamionëve, deri në përmasën e 40 tonëve, për transporte në shërbim përgjatë luftës. Kryesia aktuale, e përbërë nga: Fazli Hajdaraj -kryetar, Xhevat Berisha dhe Riza Zeqiraj – nënkryetarë, Lush Cana – sekretar, Nexhmedin Syla – arkatar, Sherif Haxhijaj, Rshid Nikçi, Nezir Gjonbalaj, Fazli Ahmetaj, Feriz Lukaj, Brahim Rexhaj, Alush Zeqiraj, Shaban Nikçi . anëtarë të kryesisë, kanë një bashkëpunim të shkëlqyer.

Nga kjo Nëndegë u aktivizuan luftëtarët për liri si dhe kuadrot për Emërgjencn aktive, deri në përfundim të luftës. Ishte Nëndega e parë, e cila denoncoi klanët dhe devijimet, deri në anashkalimin flagrant të vijës rugoviane, duke larguar, inatshëm, edhe vetë kuadrot e devotshëm të Presidentit Rugova. Kjo Nëndegë ka qenë dhe mbetët mbrojtëse e pakompromis e parimeve të shenjëta të thmeluesit të LDK-së dhe të shtetit të Kosovës, Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova.

Intonimi i Hymnit Kombëtar dhe minuti i heshtjes, ngriti në këmbë të pranishmit e shumtë. Moderatorja e talentuar, rinorja Labinotë Syla, hapi Akademinë Përkujtimore, me përshëndetjen e të pranishmëve. Dhe, vazhdoi: “Në kuadrin e veprimtarive të saj, në bashkëpunim me Degën e LDK-së, në Gjermani, Nëndega e LDK-së në Rheiland Pfalz, organizon Akademinë Përkujtimore, në qytetin e Ludwigshafenit, kushtuar disa figurave historike si dhe të dëshmorëve, të rënë përgjatë janarëve të përgjakur. Kësaj radhe u përzgjodhën: Gjerjg Kastrioti – Skënderbeu, Presidenti Rugova, Vëllezërit Gërvalla e Kadri Zeka, Smajl Hajdaraj, Kolonel Tahir Zemaj si dhe vëllezërit Kosovë dhe Albert Zeqiraj”.

Moderatorja ftoi në skenë, për një fjalë rasti dhe përshëndetjen e mysafirëve dhe të të gjithë të pranishmëve në sallë, kryetarin e Nëndegës të LDK-së, në Rheinland Pflalz, Fazli Hajdaraj:

Kryetari Hajdaraj, veç tjerash, tha se “jemi bashkuar sot, këtu, për të përkujtuar, me respekt dhe admirim të madh, dy nga figurat më të ndritura të kombit shqiptar: Gjergj Kastriotin – Skënderbeun dhe babain e pavarësisë dhe të shtetit të Kosovës, Presidentin e përjetshëm, Dr. Ibrahim Rugovën. Në këtë Akademi, përkujtojmë sot edhe dëshmorët e rënë përgjatë janarëve. Vrasjet e tyre vazhdojnë të rëndojnë në ndërgjegjën e kombit, sepse, jo vetëm që nuk janë zbuluar ekzekutorët, por, edhe për vet faktin cinik se projektuesit, urdhërdhënësit, për ekzekutimin e tyre, vazhdojnë të jenë në kupolë dhe shtetit dhe të pushtetit!!”

Kryetari Fazli Hajdaraj përshëndeti Familjet e pranishme të Dëshmorëve: Rugova, Gërvallaj, Çekaj, Hajdaraj, Ukëhaxhaj, Zeqiraj; Invalidët e luftës, luftëtarët e lirisë dhe të burgosurit plolitikë; kryetaren e Degës të LDK-së, në Gjermani, veprimtaren më të shquar në Evropë dhe botë, Donikë Gërvallën; Degën e LDK-së në Beneluks, me kryetar Bahtir Kastratin, e përfaqësuar këtu nga anëtari i Kryesisë, Ibish Lipaj; Nëndegën e LDK-së në Badenwürtemberg, e kryesuar nga kryetari Abaz Imeri; Nëndegën e LDK-së në Hessen, e kryesuar nga Kadri Krasniqi; Shoqatën “Kadri Zeka”, e përfaqësuar nga Kryetari i Nderit, Xhafer Leci; Shoqatën “Dardania”, me kryetar Naser Hoxha, e përfaqësuar këtu nga anëtari i Kryesisië Tefik Ramadani; “Kuvendi i Arbërit”, me kryetar Nikollë Shabani; “Lidhjen e Krijuesëve në Gjermani”, e përfaqësuar nga poeti Mentor Thaqi; “Shoqatën Familjare”, në Koblencë, e përfaqësuar nga Sherif Haxhijaj; Studjuesin dhe botuesin e suksesshëm Ali Berisha; Gazetarin dhe kameromanin e talentuar të televizionit të RTK-së dhe të Rrokum-it, njëherësh, veprimtar i palodhur dhe i kudondodhur i Mërgatës shqiptare, Halil Rrustemaj.

Gjithashtu, përshëndetje meritojnë aktivistët e hershëm, të shquar në veprimtari të gjithanëshme në Mërgatë dhe kontribues për Kosovën: Beqir Lajçi, Shaban Sadikaj, Rashid Nikçi, Ali Lutolli, Brahim Ukëhaxhaj, Enrush Çekaj, Halil Çoçaj, Sefer Zeqiraj, Hajdar Ademaj, Ahmet Gorçaj, Krist Kçira, Ragip Prepashtica, Ali Sujlejmani, Vëllezërit Gaxherri, bisnismenë të suksesshëm e fisnikë dhe të tjerët, që në këto raste edhe mund të harrohen pa u përmendur. Përshëndetje dhe falenderime për të gjithë të pranishmit si dhe për pronarin e sallës, në Frankenthall, Nehat Ranadani, i cili ndihmoi shumë me përgaditjen teknike, për mbarëvajtjen e kësaj Akademie Përkujtimore, duke shërbyer edhe me një drekë të begatë. Dhe, kjo obligon, reciprokisht, për bashkëpunim dhe përfitim të ndërsjelltë, në dobi edhe të komunitetit numerikë shqiptar të kësaj zone.

Kryetarja e Degës të LDK-së, në Gjermani, Donikë Gërvalla

Fazli Hajdaraj: Çdo shtëpi ka një zot shtëpie. Edhe ne e kemi zot shtëpie dhe ajo është kryetarja e Degës të LDK-së, në Gjermani, Donikë Gërvalla, të cilën e ftoj në tribunë, për një bashkëbisedim me ju:

Ju përshëndes të gjithë një nga një në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Degës të saj në Gjermani.
Të mbledhur në janar, për të përkujtuar disa nga figurat të shqiptarëve në Kosovë dhe jashtë saj, si në çdo janar nuk mund të na hiqet ndjenja që fillimi i vitit për ne, shqiptarët, gjithmonë ka qenë i hidhur.
Në janar përkujtojmë Kryezotin e shqiptarëve, Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, i cili si askush tjetër na jep krenarinë e të qenit shqiptar, shqiptar evropian, shqiptar anëtar i botës së civilizuar dhe moderne. Ndoshta nuk është rastësi që pikërisht më 17 janar 1982, biseda e fundit që kam pasur si vajzë dhjetëvjeçare me Babin tim, ka qenë biseda për Skënderbeun në ditën e vdekjes së tij dhe porosia që i jep Gjonit të vogël, për të qenë gjithnjë të bashkuar.

Në janar 2006 ndahet nga jeta kryetari i parë i zgjedhur me vota të të gjithë shqiptarëve në Kosovë, Presidenti Ibrahim Rugova. Themeluesi i shtetit, figura më dinjitoze e rezistencës, jo paqësore, e rezistencës civile të shqiptarëve në Kosovë. I butë në fjalët që zgjidhte, Presidenti Rugova ka qenë këmbëngulës dhe kokëfortë në qëndrimet e tij politike, në vizionet e tij politike, për një Kosovë të pavarur, të lirë dhe demokratike. Trefjalëshi liri-pavarësi-demokraci është ai, i cili duhet të na përcjellë deri në realizimin dinjitoz edhe të kësaj të fundit, një Kosovë të lirë, të pavarur por edhe demokratike.

Nuk kam pasur rastin ta takoj asnjë herë deputetin Hajdaraj, por figura e tij dhe zgjedhja pikërisht e asaj date të kobshme, 17 janarin e vitit 2002, pikërisht njëzet vjet pas atentatit të trefishtë në Gjermani, nuk është rastësi, por dëshmia më e saktë se ata që vranë pas lufte, ishin po ata që me dekada të tëra punonin kundër interesit të shqiptarëve në Kosovë. E kam përjetuar vetë atmosferën e 17 janarit 2002 sepse ndodhesha në Kosovë, për të përgatitur kthimin e eshtrave të Babit në vendlindje. Zymtësia e atyre ditëve, kur banditë dhe kriminelë, të veshur me petkun e „patriotëve dhe komandantëve“ vrisnin e prisnin, si ua donte qejfi, vështirë të përshkruhet me fjalë. Vrasja e deputetit Hajdaraj, e Kosovës, Albertit, e Tahir Zemajt, vrasja e të gjitha figurave të shquara dhe me autoritet të LDK-së, nuk kishte si synim vetëm largimin e tyre nga jeta, por që Presidentit Rugova t’i priteshin të dy krahët, Presidentin Rugova ta linte vetëm, mes njerëzish të paaftë, për t’i qëndruar besnik rrugës dhe vizionit të tij.

Ndoshta i përkas një gjenerate të bekuar, që të gjithë këta burra, të cilët po i përkujtojmë sot, me përjashtim të deputetit Hajdaraj, të kem pasur rastin të bisedoj dhe të ecim së bashku një copë udhë drejt lirisë së Kosovës. Kësaj gjenerate i përkas së bashku me shumë prej jush. Por, kjo na bën që të kemi një detyrim të posaçëm. Kemi një detyrim që krahas përkujtimit të figurave tona, krahas shikimit prapa në histori dhe mbushjen me vullnet dhe krenari nga figurat tona të shquara kombëtare, të mos harrojmë që kemi një detyrë.

Gjatë bisedave të mia të vazhdueshme me përfaqësues të politikës dhe të mediave gjermane dhe atyre evropiane, por sidomos gjatë 10 ditëve të fundit, ndihem e detyruar që edhe në një rast të tillë, si ky i sotmi, në të cilin në rrethana më të mira për Kosovën, do të duhej të kufizoheshim në përkujtimin, në evokimin e kujtimeve ose në atë që kemi për të thënë për këta burra, duke mos harruar që çfarëdo që ne themi për këto figura të rëndësishme të ndërdijes tonë kombëtare, nuk na shkarkon nga detyrimi ynë, që të realizojmë atë për të cilën ata kanë punuar, kanë luftuar dhe në fund, shumicës së tyre edhe u është marrë jeta pas shpine.

Prandaj, në një ditë si kjo, kur Serbia përsëri të ngrejë mitin e viktimës (me siguri e keni dëgjuar deklaratën e përfaqësuesit të Serbisë në Kosovë, Gjuriq, i cili thotë se Prishtina ka përgatitur masakër në Veri) dhe thirrjet e Serbisë për luftë, mobilizimi i ushtrisë në këto ditë secilin nga ne duhet ta sensibilizojë rreth faktit që ka ardhur një kohë, që këtu ku jemi, në rrethanat në të cilat jetojmë dhe punojmë, asnjëri nga ne nuk mund ta shkarkojë veten nga detyrimi për të ngritur zërin, për të lidhur kontakte të reja, për të forcuar kontaktet ekzistuese dhe për t’u përpjekur që miqësinë, të cilën e kemi konsumuar bukur shumë gjatë viteve të fundit përmes një politike jo të denjë që bëhet në Kosovë, përmes krimit të organizuar dhe korrupsionit në krye të shtetit tonë të ri dhe të brishtë.

Miqësia duhet riforcuar sepse, dhe kjo është porosia ime sot: Nga bisedat e mia të ditëve të fundit, mesazhi i keq që kam marrë është se askush në Evropën Perëndimore nuk do të hyjë përsëri në luftë me Serbinë, për të na shpëtuar ne. Nëse dikush ka iluzione rreth kësaj, e lus që shpejt të ndahet prej tyre. Ndërhyrja për të shpëtuar shqiptarët në Kosovë ka qenë një rast unik. Realiteti i sotëm ky është. Askush nuk do të hyjë në konflikt të armatosur me Rusinë dhe Serbinë, për të na shpëtuar ne. Do të varet nga ne, nga mençuria jonë, nga takti ynë, se si do të dalim nga kjo situatë. Nevojë për improvizime nuk ka. I kemi të qarta vizionet, porositë e Presidentit Rugova dhe, nëse iu përmbahemi atyre, atëherë nuk do të mund të gabojmë.

Pamje e pjesëshme e sallës

Moderatorja Labinotë Syla: Arbëria është shquar në Mesjetë. Ajo lindi Gjergjin tonë, për ta rimëkëmbur principatën e Kastriotëve si dhe mbrojtjen e Evropës kristiane. Afro pesë shekuj më vonë, lavdia do të përsëritet. Ibrahim Rugova, me urtësinë dhe mençurinë e Tij, bëhet lidër shpirtëror i shqiptarëve të Kosovës. Për dy figurat unike të shqiptarëve, referon para jush, shoku i klasës dhe i rinisë i Ibrahim Rugovës, kryetari i Nëndegës të LDK-së, në Bavari, Idriz Zeqiraj:

GJERGJ KASTRIORI – SKËNDERBEU, KRENARIA GJITHËSHQIPTARE

Gjergji ishte fëmija i vogël, i Gjonit dhe Vojsavës, nga 9 (nëntë) fëmijë që ata kishin. Thuhet se lindi më 6 maj 1405 në Dibër. Si të mitur, turqit e marrin peng, jeniqer, për ta dërguar në oborrin e Sulltanit në Adrianopojë. Ishte i zgjuar dhe i shkathtë, andaj u dërgua në shkollën e komandantëve.

Si zakonisht, turqit edhe tani ua ndërrojnë emrat, sidomos, mbiemrat, të gjithë atyre që marrin shtetësinë turke. Andaj, Gjergjin e quajtën Iskender dhe ne e shqiptarizuam në Skënder. U shqua për zotësi e trimëri në detyrat ushtarak në Ballkan dhe në Azinë e Vogël, duke marrë titullin “bej”.

Atdheun, Shqipërinë nuk e harroi asnjëherë. Nga viti 1426-1438 shërbeu në Shqipëri dhe donte ta pasonte të atin në sundim, por Sulltani e emëron -sanxhakbej- larg tokave shqiptare.

Ushtria turke, nën komandën e bejlerbeut të Rumelisë, niset kundër Janosh Huniadit hungarez. Më 3 nëntor 1443, në afërsi të Nishit, u ndeshën dy ushtritë. Ushtria turke u mund keqas.

Humbja e turqëve favorizoi Skënderbeun, i cili, me 300 kalorës shqiptarë, si dhe me nipin Hamza Kastriotin, kthehet në Dibër, i pritur nga dibranët si çlirimtar dhe prej andej arriti në Krujë.

Shfrytëzoi një ferman, vendim, të rremë, vuri garnizonin ushtarak të qytetit nën komandë dhe më 28 nëntor 1443, shpalli rimëkëmbjen e principatës të Kastriotëve.

Në Kështjellën e Krujës u ngrit Flamuri Kombëtar. Fjalimi i zjarrtë i Skënderbeut frymëzoi kryengritësit shqiptarë, duke sulmuar kështjellat në Shqipërinë e Mesme dhe në Veri, duke çliruar e pastruar vendin nga ushtria osmane. Ekspedita kundra-turke filloi me 12.000 luftëtarë të armatosur dhe disa kështjella u dorëzuan pa rezistencë.
Skënderbeu organizoi – Kuvendin e Arbërit – në Lezhë më 1443 dhe zgjidhet prijës i shqiptarëve.

Skënderbeu ishte i lindur për beteja dhe shumë solidar për t`i ndihmuar të tjerët: si Mbretin e Hungarisë. Shprehu gadishmëri për ta ndihmar edhe bullgarin Vladisllav, por nuk lëshoi rrugën depoti serb, të cilit iu hakmorr me pushtimin e Jugut të Serbisë. Marrëdhëniet me Venecian ishin më të komplikuara, nga frika e ushtrisë numerike të Skënderbeut. Por Papa dhe mbretërit tjerë, kishin shumë besim dhe bazoheshin në forcën ushtarake të Skënderbeut.

Sulltani i mundur, i këkoi paqe Skënderbeut, por pas një viti sulmoi pabesisht Krujën. Sulltan Murati ndërmorri dy ekspedita radhazi, të parën me 150 mijë ushtarë dhe të dytën me 160 mijë ushtarë, me topa dhe armë me gjuajtje të rënda. Skënderbeu me forcat e veta taktikoi, duke lëshuar Kështjellën e Krujës, por duk u pozicionuar në periferitë anësore, deri sa imponoi tërheqjen dëshpëruese të Sulltan Muratit.

Ekspedita më numerike, prej 200 mijë ushtarësh do të ishte ajo e Muhamed Pushtuesit, djali i Muratit. Por, strategjia luftarake e Skendërbeut e mundi dhe u detyrua ta braktisë rrethimin e Krujës.

Janë të njohura të 25 betejat fitimtare të Skënderbeut, i cili hyri dhe mbeti në historinë evropiane dhe atë botërore si: luftëtar, si gjeneral, njeri me principe dhe më ideale liridashëse.

Gjergj Kastrioti ishte personaliteti më i madh politik dhe ushtarak i kohës së tij. Ai u njoh si Komandant i të gjitha fiseve shqiptare dhe mbrojtës i Kristianizmit.

Skënderbeu, vërtet, mbrojti Kristianizmin evropian, por, kur Venecianët i kërkuan pjesë nga tokat e Shqipëris, ai u ndesh me armë edhe me ata, edhe pse të dy palët ishin të krishterë. Pra, parësia e tij ishte kombi dhe jo feja.

Venecianët nuk i rezistuan ushtrisë të Skënderbeut, andaj bënë paqe afatgjatë si dhe marrëdhënie speciale. Venecianët e emëruan Skënderbeun: Qytetar i Demokracisë Veneciane dhe Kryekomandant të Shqipërisë.

Skënderbeu, djalin e tij, Gjonin dhe vendin, Shqipërinë, i la në mbrojtjen e Venecias, duke e konsideruar si të vetmen forcë të aftë, për ta mbtojtur vendin, deri sa të rritej djali, Gjoni.

Në janar të vitit 1468, Skënderbeu sëmurët, duke qenë në një Kuvend me princat shqiptarë. Më 17 janar 1468 pushon se rrahuri zemra e tij e madhe. Varroset, me aureolën e lavdisë. në tempullin e Shën Ndout, në Lezhë, pikërisht aty ku sot është Muzeu i Skënderbeut. Në muret e brendshme të Muzeut, janë të varura 25 stenda, të cilat simbolizojnë 25 betejat e bëra dhe të fituara nga Skënderbeu dhe trimat e tij shqiptarë.
Lekë Dukagjini do ta vajtonte Gjergj Kastriotin, sipas zakoneve të Malësisë, duke i shkulur flokët e tij, në shenjë të gjëmës së madhe mortore, për burrin dhe trimin e madh të Shqipërisë.

Me vdekjen e Skënderbeut u mbyll edhe kapitulli i pavarësisë të Shqipërisë, për t`u rihapur sërishmi pas afro pesë shekujsh.

IBRAHIM RUGOVA DHE ROLI I TIJ HISTORIK

Pavarësisht largësisë në kohë, ka një ndërlidhje në programet përcaktuese të Skënderbeut dhe të Rugovës. Studjuesi Vehbi Mifzari, por edhe të tjerët, janë të një mendjeje se Rugova e kishte ndërtuar filozofinë e tij politike përmbi dy paradigma të mëdha humane: programin mesjetar evropian të Skënderbeut dhe vlerat morale, të përfaqësuara nga Nënë Tereza. Dhe, këto dy paradigma i shëndërroi në premisa për program politik.

Ibrahim Rugova ishte trim i mençur. Kyçjen në politikë e bëri në vitin 1967, si student i vitit të parë, kur do të vinte enkas nga Prishtina, në Mbledhjen zgjedhore të rinisë komunale të Istogut. Kërkesat politike, të bëra në atë mbledhje, për herë të parë kërkesa legale, pas Vrellës, si: Lirimin e Demaçit me shokë, Flamurin Kombëtar, Universitetin, Kosovës t´i jipet statusi i Republikës, barazinë me Rpublikat tjera jugosllave, studenti Ibrahim Rugova, do t`ua përcillte, për dijeni, shokëve studentë, të cilët do t`i aprovonin, duke i bërë edhe kërkesa të tyre.

Ibrahim Rugova kishte edukatë supreme, i urtë dhe me sjellje të avancuara të kohës. Por, Ai kishte parime strikte dhe nuk ishte i lakueshëm. Dhe, kjo është konsideruar si “kryeneqësi brilante e Ibrahim Rugovës”. Ai u shqua qysh në fillim të studimeve dhe Këshilli studentor ia besoi drejtimin e shtypit të Universitetit si: Gazetën “Bota e re”, revistën letrare “Plejada” dhe revistën shkencore “Dituria”. Shprehja e mendimit të lirë dhe demokratik, në kushtet e monizmit, nuk mund të kalonte pa kundërshtinë e pushtetit të kohës. “Plejada” u ndalua që në numrin e dytë të botimit. Reagimi i Ibrahimit me shokë ishte i fuqishëm. Shtypi i tyre bënte opozitën e kohës.

Studenti Rugovë kishte një faqe të rezervuar të gazetës javore “Fjala”. Shkrimet e tij letrare dalloheshin për mjeshtëri dhe guxim. Pati edhe reagime e ndërhyrje të pushtetarëve qendrorë, deri në tërheqjen e një numri të gazetës “Fjala” nga shitja.

Ibrahim Rugova studimet specializuese për estetikë dhe kritikë letrare do t`i vazhdonte në Pariz, ke profesori i njohur Barthes.
Përgjatë studimeve ka punuar mësues në komunën e Obiliqit, ndërsa pas studimeve në Institutin e Historisë dhe të Gjuhësisë, madje ka qenë edhe Kryeredaktor i revistës “Studime Albanalogjike”.

Që nga kryesimi i krijuesëve të Kosovës, në Kongresin e Lidhjes të Shkrimtarëve të Jugosllavavisë në Novi Sad, në dabatin e nxehtë, kur thotë se “jam këtu për ta mbrojtur popullin tim”, Rugova konsiderohet si përfaqësues i mendimit kulturor, intelektual e politik i shqiptarëve. Fakti që u desh të pritej nga muaji shtator deri në muajin dhjetor, -po-ja e Ibrahim Rugovës, për ta udhëhequr Lidhjen Demokratike të Kosovës, dëshmon se zgjedhja eTij nuk ishte as short dhe as rastësi, por rrjedhojë logjike e dimensionit intelektual dhe të veprimtarisë atdhetare në vijimësi. Ai ishte emër i veçantë në Kosovën e viteve `90-a dhe si i tillë do të hyjë dhe do të mbetet në historinë më të re shqiptare.

Nisma e Ibrahim Rugovës, për krijimin e institucioneve paralele, është unike në rrethanat e një sistemi të centralizuar monist. Deklarata e Pavarësisë , e pasuar nga Kushtetuta e Kaçanikut, zgjedhjet Parlamentare, Referendumi dhe zgjedhja e Presidentit, janë veprime e vendime mençurie dhe guximi të Rugovës me shokë.

Rugova ishte President i përgjegjshëm dhe nuk ra në grackën e aventurierëve të papërgjegjshën. I thanë t`i bashkohet opozitës serbe për rrëzimin e Millosheviçit! Presidenti Rugova tha prerazi: “Nuk përzihemi në punët e një shteti tjetër”. Bota e lexoi mesazhin qartë. “Ndarja me Serbinë është e pakthyeshme”. Ndërkohë që dikush tjetër ofronte pazare me Serbinë! I thanë të dërgojë rininë ushtarake në luftë përkrah Kroacisë, kundër Serbisë! -“Jo, tha Presidenti Rugova, nuk kemi mish për top. Djemtë dhe burrat e Kosovës duhet të përgaditën për mbrojtjen dhe lirinë e Kosovës”. I thanë nise luftën kur e nisen Kroacia dhe Bosnja. -“Jo, tha Presidenti Rugova.

Ende duhet të punohet dhe të shoh bota se kush është Serbia. E quajtën të dështuar politikn e Rugovës në pazarët e pista të Dejtonit. Rugova u gjegj: “Nuk duam zgjidhje gjysmake, siç po ndodhë me Bosnjen”. Në vjeshtën e 97-ës, kur provokimet u shtuan, Presidenti Rugova lëshoi kushtrimin: “Të mbrohet pragu i shtëpisë”. Dhe, kulmore, kur të tjerët kishin larguar familjarët me “kuc e me mic”, – siç thonë shkodranët, Presidenti Rugova kishte vendosur edhe të kurbanizohet, madje me familje, në Velaninë e Prishtinës, për të mbajtur të gjallë shpresën e shqiptarërve të Kosovës, në vazhdimin e jetës në trojet e Dardanisë Antike, madje duke i ringjallur simbolet kombëtare të Dardanisë së Vjetër.

Dr. Rugova ka qenë njeri i shkencës, i artit, i librit dhe i hyri politikës jo nën tutelën e pushtuesit, por jashtë saj, madje duke bërë shkëputjen e prerë, me mosbindjen qytetare në masën 92 % të popillsisë të Kosovës, rast unikal në historinë botërore. Një ministër francez, i habitur me rastin faktik të Kosovës, do të thoshte se “edhe në Francën kontemporane, qendër e dinjitetit dhe të kulturës botërore, Hitleri gjeti francezë, për të krijuar një qeveri kukullë. Ndërsa në Kosovën e malësorit Ibrahim Rugova, Millosheviçi nuk arriti t`i bashkojë as 10 njerëz, për ta bërë një qeveri për vete!”

A ishte paqësore organizimi i mbrojtjes të popullsisë në nivel fshatrash dhe të komunave? Krijimi i Ministrisë të Mbrojtjes dhe të Shërbimit Informativ të Kosovës? Dërgimi i djemëve të Kosovës në Shqipëri, për ushtrime ushtarake, me marrëveshjen e presidentëve Rugova dhe Ramiz Alia. Evidenca dhe organizimi i oficërve të karrierës jashtë Kosovës, për të qenë në gadishmëri, për luftën e pritshme. Me rastin e një sulmi të radhës në Familjen e Shaban Jasharit në Prekaz, Rugova jipte porosinë-kushtrim: “Të mbrohet pragu i shtëpisë”. Dhe, pas dështimit të unifikimit, bashkimi të faktorit ushtarak, rrjedhimisht, edhe të Marrëveshjes të Osllos, oficerët e vijës institucionale, që njihnin Presidentin Rugova për Komandant të Përgjithshëm, provokoheshin me rrezikim jete, nga kundërshtarët plolitikë dhe urdhërim për largim nga Shqipria, nga zyrtarët social-komunistë të Tiranës. Ata kërkuan të takohen me Presidentin Rugova, duke i bërë pyetjen-dilemë: Ç`të bëjmë?!” Dhe, përgjigja e prerë ishte: “Ju jeni profesionistë dhe e dini çfarë bëni. Kthim prapa nuk ka!”

Bota akademike shqiptare, por edhe të tjerë, mendojnë dhe ngulmojnë se po të frymonte sot Presidenti Rugova, nuk do të kishim Asociacionin, Bashkësinë e komunave serbe dhe as Demarkacionin, shënimin vijës kufitare aktuale me Malin e Zi. Dr. Rugova, njësoj si Presidenti çekosllovak, Vaclav Havel, dikur, kurrë nuk e ka gënjyer dhe as zhgënjyer popullin. Ai ka qenë i hapur, i sinqertë me popullin, shumë i saktë dhe fort i përgjegjshëm, në veprime dhe deklarime publike dhe private, larg konspiracioneve, që pasuesit e tij i kanë për zemër.

Kryeneqësia e Dr. Rugovës në mbrojtje të qendrimeve të Tij, në mbrojtjen e parimeve, është proverbiale. Bernard Kushner, në krye prestigjiozen “Le Mond”, shkruan për Presidentin Rugova: “Pa atë “kokëfortësinë” e tij elegante, madje edhe pa refuzimin e tij të përhershëm, sot nuk do të kishte as Kosovë dhe as shpresë për liri për këtë provincë të Serbisë”.

Presidenti Klinton ka thenë: “Kam pasur nderin ta mbështesë Rugovën, luftën e tij dhe të popullit të saj. E kam dashur dhe e kam admiruar Presidentin Rugova. Ai inspiroi botën për liri, barazi dhe paqe”.

Lutja e Dr. Rugovës kryeministrit Blear: “Shpëtoje popullin tim që po rrezikohet me asgjësim. Mendo si për popullin Tënd”, – ishte prekëse dhe mori përgjigje aprovuese nga kryeministri britanik: “Mbretëria e Bashkuar, do ta ndihmojë Kosovën, në rrugën drejt lirisë”. Dhe, premtimin e mbajti si burrë.

Dikur Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli, ishin kritikues të rreptë të Rugovës. Por, më vonë kërkuan falje të sinqertë. Agolli hapi edhe të pame për vdekjen e Presidentit Rugova: “Unë dhe bashkëshortja ime Sadija, po presim ngushëllime në shtëpinë tonë”.

Kadareja: “Gabova që kritikoja Rugovën. Rugova mbetet lideri më i madh i shekullit”.

Ndërsa lideri i demokracisë dhe i të Djathtës Shqiptare, Prof. Dr. Sali Berisha vlerëson se “Ibrahim Rugova nuk ka ndërmjetës në histori, që nga epoka e Skënderbeut”.

Pamje e pjesëshme e sallës

Moderatorja Labinotë, fton në skenë poetin e talentuar, Mentor Thaqi, për ta recituar krijimin e tij poetik. Mjeshtri Thaqi punon, krijon dhe jeton në Gjermani. Shoqata e krijuesëve shqiptarë në Gjermani është shumë aktive dhe zhvillon veprimtari të bujshme artistike. Ai ka realizuar poemën, enkas për këtë Akademi Përkujtimore:

KALLNORÇE

Prej para Gjergj Kastriotit
nuk na u nda mordja e dhimbja,
e ftohtë si akulli i kallnorëve,
sa nga hataja, sa nga “uzdaja” e sa nga mortaja!

Morti pat krisë n´Krujë e jehona shkoi Atdheut
me gjamë prej dheut
dhe t´shpatës së Skënderbeut!
– 2 –
Edhe sot e përmot
Behoci jem që fllad pranvere bjen
m´solli edhe kushtrim, lum v´llau, lum miku,
aty edhe kanjushat t´verdha mbesin,
n´ato oxhaqe Duboviku!

Ev, po si m´shkoi mendja pramë
t´ia theri pak n´bisht lahute
për shtatë brezat e gërvallëve …
Bardhosh Dinë e Isuf Bardhosh e Bardh mbas Bardhi
si rrjedhë Lumëbardhi …
e jo qe besa, me elegji nuk do merrem!

Po çou o Bardh bre bacë,
na ka ardhë n´konak Kadri Zeka
n´emen t´krejt Karadakut,
nderë me i dhanë pragut!
– 3 –
N´za fyelli e ngjofta, ai mekam Rugove
e kanga majekrahu!

– E kom djalin, tha Nana Sofë, e kom Ibren tem,
Ai ruan emen e nderë,
Ai shtetësisë i hap derë!

I rregulloi lidhcë e marhamë
e drejt si Lokemadhja e Mal´sisë,
nuk kjau burrin as vjehrrin, ia kish v´nu synin Qiellit,
do ta rris´ si Driten e Diellit
se vendi e kuvendi, e dojn për Prijës, e dojn Presidentin!
– 4 –
Ev Dukagjin, ev … mirëmjesi të thash në atë tymnajë
me shpresë e besë se e mira do t´vjen!

Një ditë u rreshtuam në Loxhë,
nuk e di a na quajten apo e quajtëm veten
Brigada “Mërgimi” … me syrin për identifikim?!

Po sa herë duhet ba betimin
o gjaku im i m´piksur në vena
e sa herë të rishkruhen kapituj nderi
kur prinë Kolonel Tahir Zemaj,
e Loxha ishte në ballë prej veri?!

Më kanë mbetur pa i thanë nja dy fjalë:
Burrnia e trimnia nuk nalen
me t´ftohtë as me t´valë,
se nderi ashtë vlerë, kur vlera asht nderë!
-5-
Një ditë prej Burgu, fjalë çoi Arif Reku,
se mendja e hollë vret sa dyfeku!

O djem´të e mi, pashë emnin e Sak Faslisë,
të Jakup Ferrit e Çelë Shabanit,
mane mend mirë:
Bora e bardhë n´pikë vere rrin sall në naltësi
si shalli dhe Plisi mbi kry!

Eh, të ecësh vertikal, ashtë sakrificë o baca Smajl
se mal´sorët ndryshe nuk dijnë,
sall pip n´kambë, si Lisa me Plisa, t´bimë!
E Rugova si Kosova, don t´mbanë atë fjalë
o baca Smajl,
ia ruan emnin vetit me djem´të e Arif Rekut,
që n´dekada e shekuj, ecë … ecë n´hap me Dishepuj!

-6-
Guximi ka emen, i thonë sakrifikim
dhe ka çmim jete, o Albert, i tha Kosova,
qëndresen kazamateve t´bac´s Idriz e t´bac´s Alush,
jo jo, qe besa, s´e koritë kush!

Për Atdhe, ka sall një emër, i thonë heroizëm,
se fundja, jeta luftë ashtë, e pavdekësia paqe,
e ne duhet të ecim drejt … o me nderë, o pa vlerë!

Po po, për ty Atdhe, k´tu jemi sot ne,
për Lavdinë tënde të re!

Ah, Kallnor, o gjaku im i ngrimë në dej Arbnorë,
Lirisë, Shtetësisë … dritë e kunorë!

Lavdi dhe nderim të Përjetshëm!

Kryetari i Nëndegës të LDK-së, në Rheinland Pfalz, Fazli Hajdaraj

Moderatorja Labinotë: Poeti, artisti e ka fort të zhvilluar ndjenjen e lirisë. Të tillë ishin heronjtë e Untergruppenbach-ut, në Gjermani: Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka. Ftojmë kryetarin e Nëndegës të LDK-së, Fazli Hajdaraj, për të folur për Heronjtë në fjalë:

VËLLEZËRIT GËRVALLA E KADRI ZEKA DHE PËRKUSHTIMI I TYRE PËR LIRI

Emigracioni politik shqiptar zë fill qysh pas mbetjes të trojeve shqiptare jashtë Shqipërisë londineze. Ishin provokimet zyrtare të sajesës shtetërore të Mbretërisë serbo-kroate-sllovene dhe ato private, sidomos, përgjatë kolonizimit, i praktikuar dhunshëm nga Jugosllavia e Vjetër. Këto provokime sillnin edhe reagimin e ligjshëm të shqiptarëve autokton, deri në vrasje të ndërsjellta. Dhe, duke qenë se pushteti, ishte, kryesisht, serbo-sllavëve, e vetmja rrugë shpëtimi ishte arratisja , kryesisht, në Shqipëri, por, edhe në Turqi.

Lufta konspirative, më efikase në pengimin e organizimit të emigracioonit politik shqiptar, ishte përçarja në mes të emigracionit. Pushtetet komuniste në Jugosllavi e Shqipëri, duke qenë fort të lidhura me dogmën ideologjike të komunizmit, pavarësisht, zenkave të jashtme, Sigurimet e tyre informative, bashkëpunonin pandërprerë. UDB-a jugosllave dërgoi emisarët e vetë, për ta kontrolluar dhe pëçarë emigracionin, madje jo vetëm atë shqiptar.

Në këtë gjendje të përçarë e gjetën emigracionin shqiptar në Perëndim, si Gjermani, Zvicër dhe gjetkë, Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zekja. Duke qenë djemë të shkolluar dhe me bazë atdhetare familjare, ata nuk mund të ishin spektatorë të thjeshtë. Përkundrazi, pa humbur kohë, filluan nga puna me Mërgatën e re dhe të vjetër shqiptare, të vetëdijshme se do të jenë mbikëqyrur në lëvizjet dhe vepimet e tyre.

Mendjet e ndritura kanë vezhguar dhe janë bindur se një gazetë, mund të ngrejë në këmbë një popull të fjetur, një popull, pothuaj, të vdekur politikisht. Dhe, qoftë, Vëllezërit Gërvalla, në Gjermani, qoftë Kadri Zeka, në Zvicër, filluan botimet e gazetave, përkatëse, “Zëri i Kosovës” dhe “Liria”.

Para jush, po shpalosim prvijime bisografike, të veprimtarve, luftëtarëve në Atdhe e Mërgatë: Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla:

Jusuf Gërvalla u lind më 1 tetor 1945 në Dubovik, komuna e Deçanit. Kur bri 6 vjet i vdiq i ati. Filloren e mbaroi në Prapaçan.
Më 1959 familja e tij shpërngulet për në Slloveni, ndërsa ai mbetet në Kosovë, te daja i tij në Pejë për të mbaruar shkollimin. Mungesa e familjes, do t`i trazonte ndjenjat e djaloshit rinor. Kjo është shprehur edhe në poezitë e tij:

E kam braktis vendlindjen
E kam braktis shtëpinë
Shkrepave tuaja të larta
Peng ua lashë fëmijërinë.

Pas mbarimit të shkollës së mesme në Pejë, vazhdon fakultetin në Prishtinë. Ndërkohë, punon si pëshpëritës në Teatrin e Kosovës.

Më 1971 punësohet në Shkup si përkthyes, në “Flakën e Vëllazërimit”.
Më 1972-1973 shkon në shërbimin ushtarak.
Më 1973 fillon të punojë në Rilindje dhe më vonë, më 1978, bëhet redaktor në Radio-Televizionin e Prishtinës.

Jusuf Gërvalla u bë këngëtar me emër në estradën e Kosovës, ku kishte incizuar rreth 200 këngë. Në kujtesën e dëgjuesve kanë mbetur akoma këngët:
“Fluturimi i kondorit dhe Balada për Jan Pallahun”, heroin e Pragës, që u dogj i gjallë në shenjë revolte për pushtimin e Çekosllovakisë nga Rusia.
Botimet e para, me një ndjeshmëri dashurie dhe malli për fshatin e lënë, shprehen në botimet e para, si “Fluturojnë e bien” më 1975; pastaj “Kanjushë e verdhë”, më 1978.
Ndërkaq romanin e parë “Dy florinj të një dashurie” e shkroi më 1975, por nuk u botua kurrë. Edhe romani tjetër “Rrotull” u botua vetëm pasi e vranë…
Gjithashtu pas vdekjes u botua edhe drama “Procesi”.
Familja Gërvalla, që ka plot dy shekuj histori atdhetare, do të goditej e tëra në vitet `80-a. Me burgjet dhe dënimet do të përballën edhe vëllai i madh Hyseni dhe vëllai i vogël Avdyl Gërvalla.

Më 17 janar 1980, familja e ngushtë e Jusufit, nusja Suzanë, fëmijtë: Premtoni, Donika dhe Ergoni, bashkohen me kryefamiljarin e tyre në Gjermani.
E gjithë jeta e tij përmblidhet në një frazë të shkruar nga ai vetë, në një shkrim-kushtrim: “Në ballë të këtij populli dhe te këmbët e këtij populli, flijimi dhe vdekja për realizimin e aspiratave të tij, do të na vijnë si përjetimi më i bukur e më fisnik në gjithë jetën. Dhe s’do të ketë forcë që do të na ndalë në rrugën tonë të ndritshme”.

Kadri Zeka u lind më 25. 04. 1953 në katundin Poliçkë, Malësia e Dardanës (Kamenicë).
Shkollën fillore e mbaroi në Desivojcë. Meqë më 1968 familja e tij u shpërngul në Gjilan, këtu mbaroi shkollën e mesme.
Më 1972 regjistrohet në Fakultetin Jurdik, në Prishtinë, dega e gazetarisë.
Më 1973 Kadri Zeka hynë në radhët e organizatës të “Grupit revolucionar”. Ishte në një celulë me Rexhep Malën, Hilmi Ramadanin dhe Hydajet Hysenin.

Më 1975 Kadriu kooptohet në Komitetin Drejtues (që ishte organi më i lartë i Organizatës), në këtë cilësi ka qenë deri në fund të jetës së tij.

Ndërkohë, punon si gazetar në Radio Prishtinë, në sektorin e mërgatës së “përkohëshme”.
Kadri Zeka ka qenë shumë i zellshëm në zgjërimin e radhëve dhe për këtë qëllim ka shkuar të punojë e të jetojë një kohë në Malësi të Gollakut, mësues në Gmicë të Dardanës.

Pas përgjimeve sistematike të UDB-së, në mars i vitit 1978, hetohet veprimtaria e tij dhe e Hydajet Hysenit. Nga rreziku i arrestimit, Kadri Zeka arratiset në Zvicër, në qytetin Sent Gallen, me ç´rast ndihmohet nga shokët Hasan Mala dhe Kadri Abdullahu.

Në Zvicër Kadriu fillon një aktivitet të dendur, vihet në kontakt me organizatat shqiptare në mërgim, krijon lidhje me simpatizantë të çështjes shqiptare në Zvicër e Gjermani dhe mban lidhje të rregullta me përfaqësitë e Shqipërisë jashtë.

Krahas kësaj, përgatiti botimin dhe shkroi vetë shumë artikuj për gazetën “Liria”. Veç organit të Organizatës që i takonte ai përgatiti e botoi edhe publikime të tjera, siç ishin “Këngët e lirisë”, një përmbledhje me poezi, që u bënë kushtrim kolektiv i djalërisë kosovare. Kontribuoi në hartimin dhe shpërndarjen e “Tezave rreth Frontit Popullor për Republikën e Kosovës”. Me përkujdesjen e drejtpërdrejtë të tij, mijëra ekzemplarë të këtyre publikimeve u futën dhe u shpërndanë në Kosovë.

Kadri Zeka, edhe pse shumë i ri, ishte një djalë i pjekur, që iu imponua mërgatës shqiptare me thjeshtësinë dhe seriozitetin e tij, me kompetencën dhe me vendosmërinë, për çdo flijim e sakrificë, për ta zgjidhur çështjen shqiptare.

Në fjalimet e tij para mërgimtarëve, Kadri Zeka ishte konkret dhe imponues:
“Të luftoni parreshtur e me të gjitha forcat, derisa të realizohen të gjitha të drejtat e popullit tonë;
Të zbuloni dhe të demaskoni pamëshirë ata elementë të shitur, që bëjnë punën e armikut, që mbjellin panik e konfuzion në radhët tuaja…
Të formoni klube e shoqëri tuajat, të pavarura kulturore, artistike e sportive”.

Bardhosh Gërvalla u lind më 1951, në Dubovik. Ishte tetëvjeçar, kur familja, bashkë me të, mërgoi në Slloveni. Atje mbaroi shkollën fillore dhe të mesme në gjuhën sllovene. Mandej u kthye në Kosovë dhe u regjistrua në Universitetin e Prishtinës, ku studjoi anglishten.
Gjatë kohës së studimeve ai këndoi e komponoi këngë bashkë me të vëllanë, Jusufin.
Më 1974 shkoi në Gjermani, ku u punësua si punëtor social në Ludwigsburg. Aty pati rastin të takojë dhe të njohë shumë mërgimtarë nga Kosova, të cilëve vazhdimisht u doli në ndihmë, duke u bërë këshilltar e mbrojtës i tyre.

Me daljen e Jusufit jashtë, ai u bë krah i djathtë i tij. E vuri atë në kontakt me mediat dhe institucionet gjermane, i ndihmoi në sigurimin e mjeteve teknike për radhitjen dhe botimin e gazetave.
Organizoi e udhëheqi një mori tubimesh e manifestimesh të mërgimtarëve, që kishin për synim zgjërimin e Lëvizjes për Pavarësi dhe sensibilizimin e opinionit të huaj, lidhur me çështjen e Kosovës.

Ishte i mbrujtur me një kulturë të mirëfilltë perëndimore, gjë që i mundësonte të komunikojë me të huajtë e të gjitha rangjeve shpengueshëm dhe me shumë kompetencë.
Ishte organizator i shkathtë, njeri i vendosur dhe i guximshëm.
Disa herë rresht është përballur edhe fizikisht me konsujt jugosllavë, kur këta të fundit fotografonin demonstruesit ose përpiqeshin, në mes të Evropës, t’i pengojnë edhe me grushte aktivistët e Lëvizjes gjatë veprimtarisë së tyre.
Shtëpia e tij në Gjermani ishte sofra dhe streha i të gjithë hallëxhinjve dhe njerëzve që kishin vendosur t’i dalin shtetit serb përballë.
Pas vetës la tre fëmijë, krejt të njomë, të cilët aktualisht jetojnë në Gjenevë.

Jusuf Gërvalla ishte intelektual i kompletuar, shkrimtar dhe atdhetar i shquar, luftëtar i llojit të veçantë për liri. Vërtet, pati një fëmijëri të trazuar, por një rini të bujshme, me angazhime enorme, për moshën. Nga muzika, kompozimi, kënga, kitara, natyrshëm, do ta thellonte artin në poezi, prozë, dramë, roman.
Jusuf Gërvalla ishte i pari që hetoi hipokrizinë e Shqipërisë zyrtare. Të ashtuquajturit diplomatë, vinin nga Sigurimi Sekret Shqiptar. Shqipëria donte një Kosovë të bindur ndaj Serbisë, Jugosllavisë. Këtë më së miri e shprehë kryeministri shqiptar i kohës, Fatos Nano, kur pas takimit me Millosheviçin, deklaron hapur se “Kryeqyteti i Kosovës është Beogradi”.

Në vitet `80-a, Shqipëria, për ta përçarë e sabotuar, çfarëdo organiziimi jashtë ideologjisë komuniste, sllaviste, mori përsipër “pajtimin” e grupeve, të cilat kundërshtonin njëri-tjetrin. U caktuan dy baza bisedimesh: Vjena dhe Stambolli. Dhe, çfarë pajtimi bënë? Ambasadori në Vjenë i thoshste krahut kundërshtar të Jusuf Gërvallës: “Ju jeni në rrugë të drejtë, mos i lëshoni pe krahut tjetër”. Të njëjtën “këshillë” (në thonjëza), ia jipnin përfaqësuesit të Jusuf Gërvallës, në Stanboll! Dhe, ky fakt, nuk ka nevojë për koment.

Letërkëmbimi i pakët i Jusuf Gërvallës me Enver Hoxhën, ishte një përballje, sa interesante, aq edhe domëthënëse. “Çështja e Kosovës do të zgjidhet me fitoren e Revolucionit Proletar, në shkallë botërore”, – përrallisë Enver Hoxha. “Po sikur ky Revolucion të mos vijë kurrë”, – gjegjet dyshueshëm në Revolucionin e Hoxhës të Tiranës Jusuf Gërvalla. Dhe, këtë kundërshti nuk do t`ia falte kurrë filosllavi Enver Hoxha.

Koordinimi konspirativ shqiptaro-jugosllav, dëshmohet me heshtjen e demonstratave të vitit 1968 në Kosovë, nga pala shqiptare dhe heshtja për 38 ditë e demonstratave të vitit 1981, po nga Tirana zyrtare komuniste!

Ndërmjetësimi “vëllazëror” (në thonjëza), i Shqipërisë për pajtim dështoi, ashtu siç e kishte planifikuar Tirana zyrtare. Atëherë, intelektuali dhe atdhetari Jusuf Gërvalla, i prkrahur nga vëllai gjenetik dhe shok ideali, Bardhosh Gërvalla, menduan nismën për takime e bisedime pa ndërmjetës, me grupin kundërshtar ideologjik, i cili ishte i dyzuar, fort i varur nga “diplomatët” hafije shqiptarë. Në këtë kuadër u vendos takimi Vëllezërit Gërvalla e Kadri Zeka, të cilët prfaqësonin shumësinë e Mërgatës shqiptare.

Kadriu ka gjetur tek vëllezërit Gërvalla shokët e idealit, të luftës e të përpjekjeve. Ata rreth një vit do të veprojnë bashkë. Përkundër intrigave të UDB-së, ata nuk do të përçahen, por do të punojnë për fuqizimin e Lëvizjes për Pavarësi dhe për krijimin, përmes veprimeve të përditshme, të një organizate të vetme në shkallë kombëtare; të strukturuar dhe të përgatitur për t’u përballë me kërkesat dhe sfidat e kohës.
Prandaj nuk është e rastit pse ata nuk i ndau as vdekja”, – thotë ish i burgosuri plitik Hydajet Hyseni.
Lavdi jetës dhe veprs të lavdishme: Jusuf Gërvalls, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës – Heronj të Kosovës!

Pamje e pjesëshme e sallës

Moderatorja Labinotë: Heroi Smajl Hajdaraj, me veprën jetësore të begatë: arsimimin i brezave, drejtues i ekonomisë, komandant lufte, deputet i Parlamentit të Kosovës. Kur Smajli u vra, miku i tij, Avdyl Gërvalla, tha: “Smajli mund të vritej dy javë, disa ditë më përpara apo pas 17 janarit, por u vra në të njëjtën ditë dhe orë, kur u vranë Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka. Prandaj kjo tregon se Smajli ishte i madh”. Për veprën dhe jetën e tij fjalën e ka Alush Zeqiraj:

Rugovasit gjithmonë ishin në ballë gjatë ngjarjeve të mëdha të historisë kombëtare.
Ata ishin në Lidhjen e Prizrenit, ishin në Vlorën historike, ishin në Lëvizjen Kaçake,
ishin në luftërat përkrah vëllezërve tanë të Plavës dhe Gusisë dhe deri në Pazarin e Ri.
Ishin pjesëmarrës në luftën e Dytë Botërore, ishin aktiv gjatë rezistencës të viteve
50-ta, 68-tën, Demonstratat e vitit 1981. Ishin mjaft të zëshëm në kundërshtimin e
ndrrimit të Kushtetutës nga serbo-sllavët, ishin mjaft aktiv në vitet e Rezistencës
Kombëtare të viteve të 90-ta.

Smajl Hajdaraj, u lind dhe u rrit në konakun e Arif Rekës, ish i burgosur politik 9 vite në burgun më famëkeq në Goli Otok.
Nga kjo familje regjimi mbretëror jugosllav kishte pushkatuar 4 mëshkuj shtëpie: Gjyshin Rekën me gjithë vëllanë Adem Smajlin si dhe familjarët Hajdarin e Bajramin, të cilet muarën pjesë në Kuvendin e Junikut, krahas burrave më të mëdhenj të Kosovës.
Në këtë familje me traditë Smajli mori një edukatë të lartë morale dhe atdhetare.

Qysh si gjimnazist u dallua me disa veprime, siç ishin sigurimi dhe shpërndarja e literaturës kunder pushtuesit.
Smajl Hajdarai ishte mësimdhënës në Shkollën Teknike “Shaban Spahija” ne Pejë, gjatë viteve 77-79. Pastaj punoi në KEK, shef i Distribucionit.
Në vitin 1990 ishte një ndër të parët që përjashtohet nga puna.
Ishte anëtar i LDK-së që nga themelimi,
– Kryetar i Aktivit në Vendlindje,
– Sekretar i Nëndegës së LDK-së për Rugovë deri 97,
– Kryetar i Nëndegës së LDK së për Rugovë,
– Komandant i Shtabit Rajonal të Rugovës,
– Kryeshef i Operativës në “Brigadën 136 Rugova.”

Smajl Hajdaraj, Ishte admirues dhe zbatues i Institucioneve të Kosovës dhe njihte për Komandant të forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, Presidentin Historik, Dr. Ibrahim Rugovën.
Pas Luftës i kthehet profesionit të vet Inxhinier si dhe merret me aktivitete politike dhe ndërtimin e vendit.
Në zgjidhjet e para pas luftës zgjidhet Deputet në Parlamentin e Kosovës, mandati i parë.

Familja Hajdaraj, për një shekull ka rezistuar dhe është përgjakur, duke dëshmuar atdhedashurinë dhe trimërinë e pashoqe.
Edhe Smajli vazhdoi traditën familjare duke u shquar në punë dhe në luftë.
Atëherë shtrohet pytja: Pse duhej vrarë kuadri i LDK së, Komandanti Ushtarak i Rugovës dhe Deputeti i Parlamentit të Kosovës, Smajl Hajdaraj?! Dhe, kjo pyetje vazhdon të përsëritet për 15 vjet radhazi! Bastardët e kombit, dje vranë dhe sot sundojnë, duke fshehur pas pushtetit, fshehin edhe krimet e tyre makabre.

Vrasja e Komandantit dhe e Deputetit Smajl Hajdaraj ishte paralajmëruar, kur një eksponent i krimit i vuri pistoletën në dritarën e makinës, duke i thënë ose hiq dorë nga LDK-ja, ose plumbin kokës! Dhe, megjithatë, trimi Smajl Hajdaraj nuk u tremb: “Pushka top! Unë do të vazhdoj punën time, ndërsa ju vazhdoni me krimet!”

Plumbat e tradhtisë e shuan vetëm fizikisht malësorin të Rugovës. Por, ai mbetet i gjalllë, i përjetshëm në mendjet dhe zemrat e popullit, në panteonin e burrave të shquar të kombit, si hero i punës, i luftës dhe i politikës. Jeta dhe vepra e artë e Smajl Hajdaraj, do të kujtohet brez pas brezi, krahas martirëve të tjerë kombëtarë.

Moderatorja Labinotë: Koloneli Tahir Zemaj pjesëmarrës aktiv në të gjitha levizjet më karakter kombëtar. Komandant i Zonës Operative të Dukagjinit. Udhëhoqi betejen e Loxhës, që krahas më luftën e Kosharës, ishte beteja më e lavdishme. Në rrugëtimin e tij pati shumë pengesa, por kurr nuk u gjunjëzua.”Për shqiptar unë nuk kam plumba”, – do të thoshte Koloneli. Për kolonelin Tahir Zemaj do të flasë bashkushtaraku i tij, Shpend Shala:

Loxha e Kolonelit, sinonim i fitores

Janari, mund të quhet edhe si muaji i lotëve! Sepse në këtë muaj Kosova dhe shqiptarët kanë përcjellë bijtë e saj më të devotshëm. Në janar vdiq i madhi dhe i paharrueshmi Skënderbeu. Në janar u vranë Vëllezërit Gërvalla e Kadri Zeka, Smajl Hajdarajdhe të tjerë. Në janar të vitit 2006 ndërroi jetë edhe Presidenti i parë i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova. Kurse, në këtë janar, vdiq Profesor Zekiria Cana, mik i madh i Kolonelit dhe përkrahësi më i madh i vijës institucionale dhe, në veçanti, i eprorëve ushtarakë.

Në janar, nga një apo më shumë duar kriminelësh u vra edhe Kolonel Tahir Zemaj, me djalin e tij Enisin dhe kushëririn Hasanin, aktivist i dalluar i LDK-së, i Lëvizjes Politike e Patriotike për Çlirimin e Kosovës. Pas vetes, Tahir Zemaj la një veprimtari të suksesshme ushtarake e politike, i cili njihej si komandant i shquar, jo vetëm në Rrafshin e Dukagjinit por edhe më gjerë: “Në Rrafshin e Dukagjinit unë mund të them se, ndoshta kam qenë emër i njohur për shumëkënd, por Salih Çekaj kishte emër edhe më të madh”, kishte thënë, në një dokumentar për Salihun, i madhi Tahir Zemaj.

Pse e bënte ai tjetrin më të madh se vetën?! Sepse i madh ishte edhe vet Koloneli. Ai nuk thoshte kurrë se, kam bërë këtë apo atë trimëri për çlirimin e Kosovës. “Ne jemi munduar”, – thoshte ai. “Pastaj na ndihmoi edhe NATO-ja dhe Amerika”, me të cilët kishte kontakte të vazhdueshme edhe pas çlirimit të Kosovës.

Kolonel Ahmet Krasniqi, në krye të Ministrisë të Mbrojtjes, me bashkëpunëtorët e tij, Agim Mehmetin, Hilmi Nebihun, Ismet Ibrahimin, Shaban Shkrelin, Burhan Jahiun, bënë disa takime dhe konsultime në Stuttgart , Zürich dhe Shatfo. Takimin e parë e zhvillojmë në Cyrih të Zvicrës, e të nesërmen menjëherë udhëtojmë me Ahmet Krasniqin për në Shqipëri. Në Zvicër u morën vendimet e para, që të gjithë oficerët dhe eprorët ushtarakë shqiptarë të njoftohen ndërmjet veti dhe brenda një kohë të shkurtër të udhëtojnë për Shqipëri. Aty ishte vendosur edhe Shtabi Suprem i Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës.

Në fshatin Viçidol, afër Tropojës, ka qenë e formuar një bazë e Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, ku punonte Zenun Idrizaj me disa ushtarë. Bazën e parë, për stërvitjen e njësiteve dhe trupave, e kemi formuar në Papaj, kemi bërë renovimin e objektit dhe aty janë formuar tri brigadat e para, tri bërthamat e para të njësiteve operative të Ministrisë së Mbrojtjes. Janë formuar brigadat: 131, 133 dhe 134. Prej Rrafshit të Dukagjinit aso kohe na kanë ardhur 80 vullnetarë. Më 21 qershor të vitit 1998, në fshatin Papaj, në bazën stërvitore, është bërë betimi i brigadës 134 dhe i dy bërthamave të brigadave të tjera. „Pas dhënies së betimit, ku ishte prezent edhe Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Kolonel Ahmet Krasniqi, ai solli vendimin për marsh.

Kujton Kolonel Tahir Zemaj: “Fillojmë marshin. Kemi arrit në fshatin Jasiq. Aty janë vendosë njësitet tona. Kanë ndodhë disa fërkimeve në Jasiq. Falë gjakftohtësisë tonë, kemi kaluar dhe kemi arritur në fshatin Isniq. Aty po na priste Salih Çekaj dhe Rrustem Bruqi, ku është bërë vendosja e njësiteve dhe komandës. Pas dy ditëve, më 6 korrik 1998, mora lajmin se, Loxha ishte sulmuar në orët e mëngjesit nga forcat serbe. E emërova Nazif Ramabajën, komandant të njësisë me dy eprorë, Esat Ademaj dhe Fahrush Xhemajlin. Nga Nazif Ramabaja më vjen lajmi që sa më parë t’i marr masat dhe t’i dërgoj trupat freskuese për vazhdimin e luftimeve. Vijmë në fshatin Isniq, ku ishin të vendosura njësitet.

Kam dhënë urdhër për rreshtimin e trupave. E bëjmë armatosjen e tyre, sepse nuk kishte armatim të mjaftueshëm gjatë atyre ditëve. Ishte mobilizimi i djemve dhe vajzave të Rrafshit të Dukagjinit dhe me ndihmën e ushtarëve të Mbrojtjes Territoriale të fshatrave Prapaqan, Isniq, Strellc, Strellc i Ultë, Bërliq, Dubovikë e të tjerëve. Pjesa e të plagosurve që u tërhoq nga Loxha, iu nënshtrua trajtimit mjekësor në strehimoren e Prapaqanit. Prej asaj strehimoreje kam vënë kontaktet e para, përmes Hajdar Bajraktarit, me z. Hollbruk dhe kam kërkuar që me autoritetin e tij të ndikojë tek serbët që ti ndërpresin sulmet ajrore për shkak se në këtë pjesë të Dukagjinit gjendeshin diku mbi 60 mijë civilë të pa mbrojtur”.

Më në fund Kosova u çlirua nga trupat e NATO-s dhe falë angazhimit ndërkombëtar ne morëm frymë lirisht. Kolonel Zemaj i erdhi në ndihmë Presidentit Rugova. Kudo ishte me Të, gjatë tubimeve promovuese në zgjedhjet lokale dhe nacionale. I vizitoi shumicën e Komunave të Kosovës. Në disa komuna pati edhe fërkime kundër tij, por ai nuk merrej me to, sepse edhe ai kishte hise në çlirimin e Kosovës. Por ku donin të dinin për këtë kriminelë? I vranë ata që donin të vrisnin Kosovën dhe bijtë më të mirë të saj, siç vranë: Enver Malokun, Xhemail Mustafën, Komandant Drinin, Ukë Bytyqin, Smajl Hajdarajn, Ismet Rracin etj. E vranë ata që gjithmonë kanë dashur ta vrasin Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës!

Tash, vallë, a janë të lirë kriminelët? A janë ata të gëzuar? A do të mërdhezën në këtë përvjetor të Kolonel Tahir Zemajt si dikur në natën e vrasjes? A do t’u mëshojnë sirenave si për dasmë? Sepse vrasjen e Kolonelit e patën quajtur “dasmë”?! A do ta marrin fjalën në ndonjë tubim? A do t`i ndezin makinat e tyre, të bëjnë zhurmë nëpër Rrafshin e Dukagjinit, se Koloneli nuk është më? A do të thërrasin e gërvallën me njëri tjetrin dhe me bashkëpunëtorët e tyre? Apo do të zënë vend në ndonjë restorant luksoz e do të drejtojnë armët në patriotët tjerë?

Kosova është vendi më i pasigurtë, këtë e ndjejnë të gjithë, secili qytetar i ndërgjegjshëm. Patriotët e vërtetë po e ngritin zërin e tyre të ndërgjegjes. Po ku lejohet të dëgjohet zëri i patriotëve, sepse shpirtërat e viktimave nuk i lanë të qetë as në rrugë, as në shtëpi, as në restorante dhe mbase as në foltoret e Parlamentit!
Mirëpo, ne, të paktën do ta ngritim zërin tonë të ndërgjegjes kundër dhunës, kundër vrasjeve “enigmatike”. Dhe, pa prangosjen e tyre Kosova kurrë nuk do ta gëzon lirinë e saj!
Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe heronjëve të Kosovës.

Moderatorja Labinotë: Për djemtë, Vëllezërit Zeqiraj, Kosovën dhe Albertin, flet drejtoresha e shkollës së lartë gjermane, në Ludwigshafen, Furtunë Berisha.

Si tani e 15 vjet më parë, pikërisht, ditën e hapjes të Senancës të Parë të Parlamentit Kosovës, duke qenë në shoqërim, për sigurinë e kryetarit të komunës të Istogut, Fadil Ferati, në Prishtinë, duke e lënë atë në shtëpi, në Gjurrakoc, ata, djemtë vazhduan rrugën për në famijle në Banjë. Një pusi mirë e organizuar, në errësirën e asaj mbremjeje, banda e krimit politik, atentatoi, në oborrin e shtëpisë, djemtë e Familjes Zeqiraj, Kosovën dhe Benin.

Për shkak të qëndrimit mospajtues dhe kundërshtues karshi pushtuesit serbo-sllav, Familja Zeqiraj u rreshtua me forcat nacionaliste, në mbrojtje të kufijve veriorë të Kosovës. Kjo dëshmohet me dëshmorët e rënë të kësaj Familjeje, më 1944 dhe luftëtarët pjesëmarrës të mbijetuar nga ajo luftë. Për rrjedhojë, Familja Zeqirj filloi burgjet politike në vitin 1945, për të përfunduar me lirimin e anëtarit të fundit të Familjes tonë më 1992! Me këtë frymë kundërshtie dhe dëshirë lirie u frymëzuan edhe djemtë: Kosova dhe Beni.

Çlirimi i Kosovës nga NATO-Pakti dhe liria e shumëpritur, ishin një dhurim Perëndie. Por, shqipfolës të shitur, vegla të Serbisë, me vrasjet e organizuara politike, i ngrinë buzëqeshjen popullit të shumëvuajtur të Kosovës.

Kanë kaluar 15 vite nga atentatimi i djemëve të Familjes Zeqiraj, Kosovës dhe Benit. 15 vjet kërkesë, në vijimësi, pranë organeve kompetente, për zbulimin dhe ndëshkimin e vrastarëve. Megjithatë, përgjigja nga organet përkatëse ka qenë klishe, e njëjtë, e përsëritur: “Vrasjet politike në Kosovë janë të shumëta. Pjesë e këtyre vrasjeve janë edhe djemtë tuaj. Ato janë në hetim dhe do të zbulohen në mënyrë zinxhirore, sepse vrasjet janë bërë të organizuara dhe me komandë”. Kështu thonë ndërkombëtarët, dje UNMIK-u dhe sot EULEX-i. Të njëjtën përgjigje e japin edhe organet përkatëse vendore.

Ndërsa vrasjet brenda llojit, pra, nga radhët e strukturave të krimit, pjesë e së majtës ekstreme, të partive-banda, janë bërë me plumb prapa kokës, duke qenë në shoqërim miqësor me ata. Për eliminimin e dëshmitarëve, veç plumbave, janë përdorë edhe aksidentët e kurdisura.

15 vjet ankthi dhe pritjeje nuk janë pak, kur dihet se krimi i organizuar vrastar, në Kosovë, ka qenë një e fshehtë publike, gjysmë legale. Sepse në ekzekutimin e 1.820 ushtarakëve dhe veprimtarëve të LDK-së të Ibrahim Rugovës, kanë marrë pjesë një duzinë banditësh, për një vrasje.

Familja Zeqiraj, fort e goditur nga krimi i organizuar politik, apelojnë që drejtësia të lirohet nga tutela klienteliste, për të zbuluar dhe ndëshkuar kriminelët serikë vrastarë. Dhe, në rastin konkret, autorët e listimit, urdhër-dhënësit si dhe dorasit.

Përndryshe, çdo neglizhencë dhe zvarritje e mëtejme, për të zbuluar organizatorët dhe aktorët e vrasjes, do të turpëronte, madje, me fund, organet ndërkombëtare, të ngarkuar me sigurinë në Kosovë dhe vet shtetin e Kosovës.

E përsërisim, vrasja e djemëve Zeqiraj, Kosovës dhe Benit, ashtu si dhe qindra vrasje tjera në Kosovë, janë lehtësisht të zbulueshme, sepse pjesëmarrja në vrasje, ka qenë me banda masive, të dirigjuara nga “komandantët” dhe “gjeneralët” e vetemëruar dhe të vetëgraduar, për çka ka gjurmë të shkruara: lista emërore të viktimave të përzgjedhura, në pritje për t`i ekzekutuar.

Familja Zeqiraj, kërkon, madje, ngulmërisht, rihapjen e hetimeve, të cilat u mbyllën, sa papritur, po aq edhe dyshueshëm.

Labinotë Syla recitoi poezinë “Anës Lumejve” të Fan Nolit, e cilat u pëlqye shumë nga të prnishmit.

Akademia Përkujtimore u mbyll me dokumentarin – reportazh, të përgaditur mjeshtërisht nga gazetari dhe kameromani i mirënjohur, Halil Rrustemaj, kushtuar heronjëve të amëshuar dhe të vrarë, përgjatë janarëve të përgjkur shqiptarë.