UKSHIN KOVAÇICA – HERO I PAEPUR NË MBROTJE TË TËRËSISË TOKËSORE TË TROJEVE ARBËRORE

1
3179
Ukshin Kovaçica

UKSHIN KOVAÇICA – HERO I KOMBIT

Xhemail Peci

Në 70 vjetorin e rënies heroike të Ukshin Kovaçicës, më 20 shkurt 1947, së bashku me të birin Hashimin, si dhe me bashkëluftëtarin trim e besnik Smajl Svarça, në mbrotjte të lirisë së mëmëdheut e të tërësisë tokësore të trojeve arbërore

Prelud

Ideali përfton lirinë. Lirija e bjen të bukur jetën, e ban të kandshme vdekjen.

Ideali asht themeli i zhvillimit shpirtnuer, shoqenuer, politik, ekonomik i njëj populli. Për atë që s’ka ideal, flamuri s’asht tjetër veçse nji pece e preme me gershanë, froni për te s’asht tjetër veçse nji kolltuk të mdhajsh, arma kombëtare nji peshë, kufini nji kercenim, gjuha nji trajtë konvencjonale tregtije, populli nji turmë e ndryshme të pasunish e të papasunish, gjithska nji botë salvimtarësh e të salvuemish. Pra ideali nuk asht nji djep ku përkundet fantazija e poetëvet, por nji lamë kur lufton i urti e vdes i forti.

Me shumë arsye popujt e qytetnuem i kujtojnë me sheje triumfi ata fatosa, qi n’sy t’idealit kombëtar vunë në rrezik pasuni e jetë, e a ranë dëshmorë për dhe, a shkrinë jetën mbas nji ideje kombëtare. Po të mos kishim edhe na me qinda e qinda ksi fatosash, mirë kishte për t’na u përshtatë ajo namë: Rrezikzi, kush len shqiptar. Por kemi dëshmorë e kemi veteranë. Ndryshim i pakët ndër ta. Të parët vdesin nji herë, të dytit dy herë, të parët i mbytë nji shprazje gjaku e hovshme, të dytëve u pikon zemra gjak nga pak, të parët brejnë dhe të dytët brejnë hekur, të parët i mbron i hueji, të dytët i harron i veti.

Qe Dedë Gjo Luli, dëshmor ideali i Malcis, qe Zef Harapi, dëshmor ideal i djelmnis shkodrane. Qe Plaku i Kosovës: Bajram Curri. Qe ftyra e veteranit të Shkodrës Luigj Gurakuqit. Kanë vdekë, por me vdekjen e tyne s’asht varrosë ideali.

(Ndre Zadeja: Ideali kombëtar)

E pra nuk asht zakonisht lufta qi përfton drejtësin, por asht drejtësia që përfton paqen…
(Ndre Zadeja, Mysticizmi kombëtar)

Pak popuj kanë pasë nji të shkueme aq të madhnueshme sa kombi pellazg ilir shqyptar.
Ty, djelmëni, të përket me i qitë poshtë fjalët e atij të zemruemit qi tha: Rrezikzi kush len shqyptar, i pa dije idear!

Ty, djelmëni, ardhmëninë qi asht e jotja, m’u ba kunorë e deje rreth lterëve tonë, ku pushojnë eshtnat e lumtun të dëshmorve të Fes, por edhe sogje nderit rreth varreve të dëshmorëve t’Atdheut.

E dini se aty mbrendë, n’at varr gjinden vllaznisht të përziem edhe eshtnat e dëshmorëve të shtypit. Gjaku i dejeve i të parëve e gjaku i të dytëve mbi atë lter e mbi at varr ka per t’u lanë nji mësim, një qortim, një kujtim të përjetshëm:

Në ket shkurticë kohe
nierin kur e drejton e randë detyra
jeta s’kushton sa deka.

(Ndre Zadeja Dita e shtypit botnor)

I

Ukshin Kovaçica – Udhërrëfyes i Breznive Orëmira

Ukshin Kovaçica është një emër i nderuar i cili e ka lartësuar krenarinë e të qenunit shqiptar e bir shqiptari. Ai është një emër të cilin breznitë orëmira e kanë aq shumë për zemër, një shembëlltyrë fisnike sa dhe epike, një atdhetar zemërzjarrtë e një luftëtar sypatrembur, një malësor besnik e një njeri bujar, një flamurtar i paepur e një legjendë e gjallë, një strateg ushtarak dhe një komandant vizionar, një flakë e pashuar e bërjes së Shqipërisë së Bashkuar me hir o me pahir.

Ukshin Kovaçica është udhërrëfyes brezash, një figurë e shquar e cila ka frymëzuar dhe ka për të frymëzuar sot e mot. Ai është koka kryengritëse e Mitrovicës së pamposhtur. Ai është flaka e maleve e kushtrimi i brezave, ai është flatra e shqiponjës në mbrojtje të Kosovës dhe të lirisë së saj, ai është prushi i ndezur luftërave dhe kryengritjeve të pandërprera, ai është njeriu i fjalës dhe i bukës, i besës dhe i sofrës, ai është tribuni popullor i cili me pushkë në dorë u doli zot fateve të atdheut, ai është luftëtari i përbetuar – i rreshtuar nën flamurin e Gjergj Kastriotit-Skëndërbeut, të cilit ashtu siç do të shkruante Pashko Vasa: urdhrat e ndërgjegjës kombëtare do t’i vinin për prijës, dhe do ta bindnin si ushtar të atdheut.

Ai është flamurtari i lirisë, ai është pishtar i gjallë i kullave kreshnike, ai është flakadan me shtatin prej kreshniku, sa herë që në Ballkan fryjnë stuhi e rrebeshe, sa herë që sulen lubitë në lukintë e tyre të çmendura.

Ukshin Kovaçica është kalorës i lirisë e Vilhelm Teli i Shalës së Bajgorës. Ai është malësori trim i brumosur me idealin e shenjtë të atdhedashurisë, të trashëguar brez pas brezi. Ai është një përmendore e gjallë në zemër të çdo shqiptari atdhetar. Me ballin prej kreshniku e me plisin e bardhë si një raketë me rreze të gjata veprimi, me grykën e pushkës së tij si rrufe prej Zotit, Ukshin Kovaçica është kalorës i përjetshëm i lirisë.

Ai është Kalorës i Kryefatosit të Kombit, Kalorës i Gjergj Kastriotit-Skëndërbeut, kryekomandantit të përjetshëm të forcave të armatosura shqiptare.

I lindur më 1904 dhe i rritur në fshatin Kovaçicë (Ukshinaj), ai është pinjoll i një familje atdhetare e cila nuk e ka pushuar kurrë luftën e saj heroike, si kundër pushtuesve turq ashtu edhe kundër atyre serbë. I biri i Nuhë Bajgorës, luftëtarit të paepur kundër pushtuesve turq dhe serbë, i cili ishte vrarë duke mbrojtur tokën e të parëve nga forcat okupatore serbe (përderisa i vëllai Shahini ishte vrarë duke luftuar me ushtarët turq, të cilët me urdhër të beut të Vushtrrisë më 1907 kishin shkuar për t’ua marrë taksat), Ukshin Kovaçica do të bëhej digë e pakapërcyeshme për brigadat partizano-çetnike, të cilat me dhunë e me terror, me gjak e me lak, po digjnin dhe po piqnin çdo gjë që gjenin përpara, duke shkretuar vatrat tona e duke djegur tokat tona.

Ukshin Kovaçica është vigani i kullës kreshnike e prijës i Forcave të Rezistencës vullnetare, i cili si në epikën legjendare, si vetë Nuhë e Shahin Bajgora, për 9 ditë dhe për 9 netë rresht luftoi si dragua kundër forcave pushtuese sllavo-çetniko-komuniste, duke ua kthyer potkojtë prej hëne: 27 partizanëve.

Ukshin Kovaçica
Kalorës i Lirisë e Kalorës i Gjergj Kastriotit-Skëndërbeut

Shtatë ditë e shtatë netë, pushtuesit e tokave tona i kanë bartur kufomat e tyre me lese e me saja, pas luftimeve të përgjakshme me heronjtë e kullës kreshnike, në epopenë e 27 janarit të vitit 1945, pas rrethimit të hekurt të Kovaçicës e të kullës së kapedanit trim të Malësisë së Shalës.

I frymëzuar nga betejat e parreshtura që u kurorëzuan me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, bashkudhëtar dhe bashkëluftëtar i tribunit popullor Shaban Polluzhës, i Ahmet Selacit, Imer Selacit, Mehmet Selacit, Rizah Selacit, Ajet Selacit, Bajram Selacit (axhutanti i tij), i Bislim e Sadri Bajgorës, i Adem Vocës, i Isuf e Faik Boletinit, Sherif Tërstenës, Haradin Vidishiqit, Xhemë Asllanit, Xhemë Zhazhës, Ali Demë Pozharit e Ali Smajlit, Ukshin Kovaçica do të mbetej i patundur në shërbim të idealit të shqiptarizmit dhe luftëtar i përbetuar kundër boleshevizmit e komunizmit, kundër brigadave dhe divizioneve serbo-çetnike, të cilat po e fusnin Kosovën në darën e tyre të hekurt.

Komandant i xhandarmërisë në Bare, në Koraçë të Vushtrrisë, në Gojbullë e në Sllatinë, komandant i grupit të tretë të Divizionit të Ibrit, anëtar i Shtabit Suprem të Forcave Ushtarake të Lëvizjes për Çlirimin dhe Bashkimin Kombëtar – rreshtuar nën komandën e strategut legjendar e të burrit të rrallë të Kosovës martire e të shqiptarizmës – Shaban Polluzhës, anëtar i Komitetit Nacional Demokratik Shqiptar për Shalë të Bajgorës (së bashku me Ahmet Selacin, Bislim Bajgorën, Xhemën Zhazhën, Faik Boletinin etj.), anëtar i Shtabit të Ahmet Selacit (Shtabit numër 4, e ku bënte pjesë edhe Faik Boletini), Ukshin Kovaçica do të vihej me mish e me shpirt në ballë të qëndresës vullnetare e të luftës atdhetare.

Ukshin Kovaçica do të shquhej jo vetëm duke u vënë në ballë të batalioneve të qëndresës kombëtare shqiptare, por ai do të shquhej edhe në logun e burrave e në ballë të odave, në kuvendet e besa-besës si ai i Bares (shtator 1944) dhe Kuvendi i Kovaçicës (tetor 1944), në Kuvendin e Mrizishtës (mes Kovaçicës e Vesekofcit) – më 11 gusht 1946.

Ai do të shquhej për luftën e tij heroike, për trimërinë dhe guximin e tij, për bujarinë dhe besnikërinë e tij, për fisnikërinë dhe për mençurinë e tij.

Në Vesekovc, në Kërsh të Vllahisë e në Konaqet e saj, në Firishte, në Barel të Bajgorës, te Reka e Kovaçicës, te Guri i Sokolit, në Batahir, në malet e Murgullës, me sulmet çlirimtare në drejtim të Gojbulës e të Vushtrrisë, duke ua pre hovin hordave sllave të cilat i turreshin kufirit në Shalë e në Llap, ai do të tregonte heroizëm të paparë, një heroizëm të cilin e kishte për fis dhe për farë.

Kulla fortesë e Ukshin Kovaçicës u bë tempull lirie, ku burra dhe gra luftonin krah për krah: vëllezërit Ukshini, Abdyli dhe Rrahimi (i vrarë me pabesi në konakun e Rizah Koraçës), si dhe Zaha e Qama, të cilat ndihmonin me municione.

Oda e kësaj kulle kreshnike u bë çerdhe e rrahjes së mendimeve dhe e marrjes së vendimeve të shumta, ku shquhej me trimërinë, mençurinë dhe urtinë e tij kushëriri i Ukshin Kovaçicës, Bajram Shahini – Bajram Ymeri (Kovaçica), i cili veç tjerash, për më shumë se një javë rresht sa ishte e rrethuar Kulla e Ukshin Kovaçicës, nuk iu nda kurrë kreshnikut të maleve tona liridashëse.

Se sa shumë e donte populli tribunin e vet dhe luftëtarin e papepur të lirisë, dëshmon edhe përballja e Hajdin Bajgorës (Ukës|) – gjyshit të martirit të lirisë e të pavarësisë së Kosovës Mehë Ukës, me Rasim Çerkezin (Raskun) kur ky i fundit e kishte pyetur se a dinte ku ndodhej Ukshin Kovaçica: “O po bali jem, veç sa i kum dhanë bukë Ukshin Kovaçicës. Nuk ka as ni sahat kohë që e kum pa. Une e di se ku asht’ Ukshini, veç me m’pre e me m’gri nuk t’kallxoj se ku asht!.”

Edhe sot e kësaj dite, të gjithë ata që flasin për të, në mënyrë të veçantë ata të cilët e mbajnë mend, shprehin gjithë respektin dhe adhurimin e tyre për Ukshin Kovaçicën. Duke folur për të, ata sikur e kanë përpara syve viganin e lirisë, sikur e përkëdhelin, sikur e përqafojnë me mall e sikur e puthin në ballë për të gjallë. I tillë është edhe rrëfimi që bën Sadri Peci, i cili me t’u përmendur emri i Ukshin Kovaçicës, ngritet brof në këmbë, dhe duke marrë forcë e duke u pertërirë nga adhurimi për kreshnikun e kreshtave të Shalës, përkujton me kënaqësi dhe me krenari të rrallë: “Ukshin Kovaçica, pa e pshtetë pushkën në faqe, e qëllojke shejën! Ukshini o kanë shejtar i lindun!”

II

Dimri i egër dhe i përgjakshëm i vitit 1947

OZN-a famëkeqe, e pasuar nga UDB-ja vrastare e kriminale, po e ndiqte jo vetëm Ukshin Kovaçicën, por edhe të gjithë familjen e tij, me të vetmin qëllim: për t’i zhdukur.

Në njërën anë qëndronin pinjojtë e devotshëm të breznive orëmira, profesor Ymer Berisha, Ajet Gërguri, Ibrahim Lutfiu, Shaban Polluzha, Mehmet Gradica, Ahmet Selaci e Ukshin Kovaçica, Kadri Bistrica, Rexhep e Rifat Dedija, me trimat e tyre.

E në anën tjetër dhunuesit e lirisë sonë, pushtuesit e tokave tona stërgjyshore, me lakejtë e tyre të cilët u shërbenin verbërisht e qenërisht, bandat gjakatare serbo-çetniko-malazeze të ndihmuara nga serbofilia – divizionet e komunistëve shqiptarë të Shqipërisë dhe të Kosovës, si: Milenko Gjuroviqi, Spasoje Gjakoviqi, Gojko Medenica, Milija Kovaqeviqi, Desimir Joviqi, Bora Radulloviqi, Mija Miletoviqi, Vojo Jankoviqi, Petar Brajeviqi, Pavle Joviqeviqi, Dushan Mugosha-Duçi, Milladin Popoviqi, Svetozar Vukmanoviq-Tempo, Peko Dapqeviqi e Peko Tepavqeviqi, Zhika Markoviqi, Mashan Gjuraviqi, Kosta Millovanoviqi, Kosta Peçanci, Millan Peçanci (i biri), Vojisllav Vukaqeviqi, Çedo Topllaoviqi, Fadil Hoxha, Ali Shukriu, Rasim Çerkezi (Rasku), Kadri Reufi, Zufer Musiqi, Gani Kaçaniku, Bislim Popova, Abit Dedija, Riza Voca, Qazim Bajgora, Hysen Sedllari…

Forcat pushtuese gjakatare të mareshalit gjakpirës Jospi Broz Tito, i cili ka vrarë në mënyrën më mizore shumë më shumë shqiptarë se sa pasardhësi i mizorive të tij Sllobodan Millosheviqi, thërrisnin Lenin e Stalin, Millovan e Radovan, Stojan e Millan, Koloshin e Vukashin!

Ndërkaq, e rrethuar me një darë të hekurt ushtarake, e gjendur mes Scillës dhe Haridbës, mes kudhrës dhe çeknait, mes thonjve të pasardhësve të Car Dushanit e të Car Llazarit, mes lukunisë së çmendur të divizioneve partizano-komuniste të Titojës dhe të bandave çetnike të Drazha Mihajlloviqit, e përgjakur dhe e lebetitur, e torturuar dhe e masakruar, Kosova martire, Malësia liridashëse e Shalës së Bajgorës, malet dhe fushat, gurët dhe shkrepat, brigjet dhe kodrat, krojet dhe lumenjtë, lisat dhe shkëmbinjtë, sofra arbërore dhe votra stërgjyshore, thërriste me gjithë fuqinë që kishte:

UKSHIN!

I ndjekur këmba-këmbëz nga OZN-a famëkeqe, Ukish Kovaçica më 19 shkurt 1947 plagoset në fshatin Vllahi, por nuk dorëzohet. Ai lufton edhe në fishekun e fundit, duke vrarë 7 armiq, dhe si Vilhelm Teli me një plumb e vret edhe Vojo Jankoviqin – Vojo kapetanin (kryeçetnikun e Kollashainit) me Tush tradhtarin.

Muaji shkrut ishte sa i përgjakshëm po aq edhe i gjatë, tepër i gjatë për breznitë orëmira. Në altarin e lirisë ranë duke luftuar heroikisht: Bislim Bajgora, vëllezërit Isuf e Faik Boletini, Ukshin Kovaçica me të birin Hashimin, vigajtë e Selacit: Ahmet, Mehmet, Qazim, Hetem, Hajrullah, Bajram e Imer Selaci (i pushkatuar në Prishtinë), Smajl Sfarça (atdhetar i dëshmuar e sekretar politik në Çetën e Ukshin Kovaçicës), Imer Poturi (nga fshati Bistricë), Feriz Gashi (i pushkatuar në Prishtinë), ndërsa gjithashtu u pushkatuan pa gjyq Xhemë Zhazha dhe Rizah Rexhep Selaci, në të njëjtën ditë – më 21 shkurt 1947, nga dora gjakatare e Desimir Jovanoviqit.

Më 20 shkurt 1947, në fshatin Vllahi të Shalës, tek vendi i quajtur Shpella e Vllahisë, Ukshin Kovaçica do të bie heroikisht me të birin Hashimin, si dhe me bashkëluftëtarin e tij të pandarë, Smajl Sfarçën. Pa dyshim, një akt i lartë flijimi e martirizimi, një akt therorizimi në altarin e lirisë së mëmëdheut, pikërisht ashtu siç do të shkruante poeti kombëtar Gjergj Fishta:

Ma mirë dek nen dhe m’u kja,
Se për t’gjallë me mbetë nën shkja!

Ashtu siç do të shkruante edhe Ernest Koliqi:

nji grusht Mirdit’ qi don t’i knohet kanga,
se zbret në vorr për mos m’u lidh’ me pranga

Pushtuesit dhe tradhtarët e atdheut, do t’i ekspozonin trupat e martirëve të kombit, së pari në Mitrovicë (para postës) e pastaj edhe në Vushtrri (përpara Shtëpisë së Kulturës “Partizani”), duke i varrosur tek Ura e Gurit, sepse siç do të shprehej poeti i madh romantik anglez, Xhorxh Gordon Bajroni: “Kur thehet graniti e heshtin librat”, liria e një populli fillon të nëpërkëmbet.

III

Mitrovica – koka kryengritëse e çështjes shqiptare

Historikisht, Mitrovica është ngritur në këmbë sa herë që këtë ia ka kërkuar Trumpeta e Krujës. Bijtë dhe bijat e saj, i janë përgjigjur gjithmonë zërit të atdheut. Me pushkë dhe me penë, Mitrovica ka gjakuar gjithmonë për liri, për dritë dhe për dituri. Toka dhe nëntoka e saj, historikisht janë bërë pre e orekseve grabitçare. Pasuritë e saj të shumta tokësore e nëntokësore, e bëjnë atë një prej nyjeve kryesore të zgjidhjes së drejtë dhe përfundimtare të çështjes shqiptare në Ballkan. Jo rrallë, Mitrovica është bërë barometri i ekuilibrave politike dhe ushtarake në rajon. Miniera e Trepçës, galeritë e saj, pasuritë e saj, mrekullitë e saj, ari dhe argjendi, plumbi dhe zinku, e bëjnë Mitrovicën dhe gjithë Kosovën, halë në sy të të gjithë atyre që nuk mund ta shtiejnë më në dorë. Për historinë dhe gjeografinë e Mitrovicës, është folur në Stamboll e në Vjenë, në Londër e në Paris, në Washington e në Moskë. Po flitet edhe sot, po flitet për galeritë nëntokësore të Trepçës e për Liqenin e Ujëmanit.

Sot po flitet për dy Mitrovica, ate të veriut dhe të jugut! Po flitet, sespe Ura e Ibrit është metafora e lirisë së shqiptarëve! Është koka e prerë e shqiponjës! Sepse nga pjesa e saj veriore – pra nga trojet e tyre stërgjyshore janë shpërngulur përmbi 10,000 shqiptarë me dhunë, dhe se këtyre shqiptarëve të shpërngulur me dhunë, nuk u lejohet kthimi në shtëpitë e tyre, në vatrat e tyre! Ndërkaq, po flitet për “liberalizim të vizave”, pra po flitet se si t’u mundësohet shqiptarëve të lëvizin lirshëm në Europë, në ndërkohë që në Europën e shekullit XXI, shqiptarëve nuk u lejohet që të shkojnë lirshëm në shtëpitë e tyre, në tokat e tyre?!

Po flitet aq shumë edhe për Asociacionin e për Demarkacionin! Pra për një pykë që mund ta shqyejë shtetin e Kosovës, ashtu siç e shqyen pyka lisin. Kurse, çështja e demarkacionit nuk ka se si të mos na e kujtojë çështjen e përcaktimit të kufirit jugor të Shqipërisë së vitit 1913-të, por jo vetëm të atij kufiri. Një analogji mes shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 1912, dhe shpalljes së Pavarësisë së Kosovës më 2008, po ngjet! Qe shpallur Pavarësia e Shqipërisë, por nuk qe siguruar dot tërësia e saj tokësore! Historia sikur po përsëritet në rrethin e saj vicioz!?

Po flitet për “shkëmbim territoresh”!? E sërish në shënjestër është prapë Mitrovica, sepse Serbia po kërkon që t’i fus hundët qoftë edhe vetëm pak, mjafton që hundët të zgjaten pastaj tek caku i saj final: Trepça. Jepja Serbisë sot veriun e Mitrovicës, nesër ajo ta kërkon jugun, pasnesër Liqenin e Ujmanit, e një ditë, pse jo: edhe ëndrrën shekullore, daljen në det! Pra, po shtrohet zgjidhja e çështjes shqiptare, jashta shtratit të saj të natyrshëm: bashkimit dhe jo ndërrimit të territoreve! Kjo qasje, nuk e ndihmon, por përkundrazi e komplikon, madje jashtëzakonisht shumë zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare, sepse po shihet qartë se as Serbisë, e as Malit të Zi, madje as Maqedonisë, nuk u ka mjaftuar shtrirja e tyre shtetërore nëpër territore shqiptare, në tokat që ua dha peshqesh Kongresi i Berlinit e Konferenca e Ambasadorëve në Londër!?

Nuk ka dyshim se gjendja sot, ma kujton poetin Ndre Zadeja, i quajtur me të drejtë Poet i ëmbëlsisë, poet dhe prift shkodran, “Poeti lirik e gojtari në za”, Martir i Demokracisë e i Lirisë së Shqipërisë, njeriu që “e vulosi me gjak të vet dashuninë për Shqypni”, i pushkatuar nga diktatura komuniste, i cili në traktatin e tij prej polemisti, të titulluar Letër e hapun: At Fulvi Cordignanos, me të drejtë do të shpaloste zemër-klithjen e tij :

Dëshmitare, ty të thërras,
o e tepruemja duresë shqiptare,
ti që vuen pa za,
e bren pa ndie, e kjan pa ankim,
e therr pa vra…

Po shtrohen ide e teori, po bëhen analiza e debate të shumta, se si të arrihet paqja e qëndrueshme, dhe po thuhet se një nga këto mundësi është kompromisi, e kompromisi na qenka: shkëmbimi i territoreve ?!

E përsëri, pena e Ndre Zadesë:

Nuk mundem me besue se i asht tha trungu e trishkujt kanë mbetë të njomë. Prandaj ju zana t’Rumis, të Vermoshit, të Sharrit e të Tomorrit me ëngjuj të bjeshkës, me shtojzovalle të hijeve, me motra të fushës, të detit e të lumenjve e me thoperka të shpellave, fluturoni këtu rreth meje e në mbani në mend gja për Shqypni t’uej, m’i thoni në vesh nji mbas nji…

Ndërkaq, në melodramën Ora e Shqypnisë, ai do të shkruante :

E n’kje se n’at krahinë n’ato gërmadhe
Ku i foli botës nji Dodonë zamadhe
Tingllat e pyllës hyjnore kanë heshtue;
Po Ora e Shqypnis nuk ka marue!;
Ku Didona Europës s’hutueme
i mbulonte ajo fatin e vet;
ku gjaku s’di m’u ba ujë, pse a gjak Ilirësh,
e gjaku i asaj Shqipes pellazge, e cila dikur:
Flatrat e veta i rrifte
kur as Athina e as Roma nuk u njifte!

Mjerisht, Mitrovica po bëhet si Ifigjenia e Euripidit! Mitrovica e Heronjve të Termopileve Shqiptare: Mitrovica e Isa Boletinit, Mitrovica e Isuf Boletinit, Mitrovica e Faik Boletinit, Mitrovica e Asllan Boletinit, Mitrovica e Pajazit Boletinit, Mitrovica e Adem Boletinit, Mitrovica e Jusuf Boletinit, Mitrovica e Ismet Boletinit, Mitrovica e Tafil Boletinit; Mitrovica e Ahmet Selacit, Mitrovica e Mehmet Selacit, Mitrovica e Riza Rexhep Selacit, Mitrovica e Imer Tahir Selacit, Mitrovica e Bajram Mehmet Selacit, Mitrovica e Nuhë Kovaçicës, Mitrovica e Shahin Kovaçicës, Mitrovica e Abdyl Kovaçicës, Mitrovica e Rrahim Kovaçicës, Mitrovica e Bajram Kovaçicës, Mitrovica e Hashim Kovaçicës; Mitrovica e Bislim Bajgorës, Mitrovica e Sadri Bajgorës, Mitrovica e Sherif Tërstenës, Mitrovica e Adem Vocës, Mitrovica e Hetem Vocës, Mitrovica e Mulla Mustafës, Mitrovica e Kadri Bistricës, Mitrovica e Rexhep Dedisë, Mitrovica e Rifat Dedisë, Mitrovica e Haradin Vidishiqit, Mitrovica e Qerim Shupkovcit, Mitrovica e Ibrahim Shupkovcit, Mitrovica e Shaban Mujanit, Mitrovica e Ibrahim Lutfiut, Mitrovica e Ago Agajt, Mitrovica e Xhafer Devës, Mitrovica e Rexhep Mitrovicës, Mitrovica e Xhelal Mitrovicës, Mitrovica e Ali Dragës, Mitrovica e Ferat Dragës, Mitrovica e Bedri Gjinajt, Mitrovica e Sinan Mehmet Vllahisë, Mitrovica e Hajrullah Vllahisë, Mitrovica e Xhemë Zhazhës, Mitrovica e Mehmet Trepçës, Mitrovica e Emin Fazlisë-Kastriotit, Mitrovica e Xhevat Jusufit, Mitrovica e Fatime Hetemit, Mitrovica e Breznive Orëmira, Mitrovica e Minatorëve Trima të Trepçës, Mitrovica e Vëllazërisë së Gjakut Gjithëshqiptar, Mitrovica e Sofrës së Amës së Përbashkët, Mitrovica e Heronjve të Tokës dhe e Heronjve të Nëntokës së saj argjend e flori!…

Është pikërisht Mitrovica, ajo që na përkujton se Konfederata e Zvicrës në themelet e saj ka idenë e bashkimit, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, se Italia e Bashkuar e Mazinit dhe Garibaldit, se Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe, se Gjermania e Bashkuar, se Europa e Bashkuar, kanë në themel të tyre fiozofinë politike të arsyes, pra filozofinë politike të filozofëve gjenialë të saj, filozofinë e Rene Dekartit, të Volterit, të Hegelit e të Kantit, filozofinë e urave dhe jo ate të mureve, filozofinë e bashkimit dhe jo ate të ndërrimit të territoreve, filozofinë e mbretërisë së lirisë (siç e ka pagëzuar atë Hegeli), të paqes së përjetshme (siç e ka pagëzuar ate Kanti) si dhe të mirëkuptimit mes popujve.

Është pikërisht Mitrovica, ajo që na shtynë të besojmë se edhe filozofia politike e Frashëllinjve, edhe vizioni dhe misioni i tyre historik, pra vizioni i Abdyl, Naim, Sami e Mithat Frashërit, do të triumfojë. Do të triumfojë sepse ideja e bashkimit është ide e natyrshme, është ide gjeniale e etërve që themeluan Shtetet e Bashkuara të Amerikës: Uashingtoni, Xhefersoni, Adamsi, Madisoni; që e forcuan ate: Abraham Linkolni e Udrou Uilsoni, dhe që e çuan ate më tej, si: Uilliam Xheferson Bill Klintoni…

Ideja e bashkimit shqiptar është vetë e drejta e gjakut që ka një komb, i cili flet një gjuhë dhe të cilin e lidhë një kulturë e njëjtë shpirtërore dhe mendore, prandaj nuk është se kemi të bëjmë me një gogol të quajtur qëllimisht Shqipëria e Madhe, por me një të vërtetë të madhe e të mohuar padrejtësisht, kemi të bëjmë me Shqipërinë Natyrale. Përfundimisht, nuk është se po bashkohet Toka me Marsin apo me Jupiterin! Kemi të bëjmë me një Shqipëri të Bashkuar, përkatësisht me një Shqipëri të Ri-Bashkuar, e cila në radhë të parë do të jetë në të mirën e fqinjëve të saj, ashtu siç është edhe Gjermania e Bashkuar, edhe Britania e Bashkuar, edhe Europa e Bashkuar, edhe Amerika e Bashkuar, si kusht dhe parakusht për paqen dhe stabilitetin botëror!…

IV

Selatin Ymeri – pinjoll i breznive orëmira

Tek porta e derës së madhe atdhetare, gjithmonë na pret e përcjellë Baci Ramë. Takimi me të është një takim me historinë e gjallë të kësaj familje të paepur atdhetare. Një votër që sot e mot shtron po të njëjtën sofër, me bukë e kripë e zemër. Një derë bujare e një derë fisinike ku biseda rrjedh e merr shtat, ku flitet me krenari të ligjshme për luftërat dhe qëndresën shekullore, për lirinë dhe për diturinë. E në ndërkohë, gotat e çajit ia shtojnë hijeshinë një bisede të tillë, bisedë për historinë, për lirinë, për filozofinë, për politikën, e gjithsesi edhe për letërsinë, për artin dhe kulturën tonë kombëtare. Emrat dalin nga zemrat: Nuhë, Shahin, Ukshin, Abdyl, Rrahim, Hashim, Bajram Kovaçica, Bislim Bajgora, deri tek Mehë Uka.

E fjala vjen, duke u frymëzuar nga ngjarje dhe data, në përkujtim të personaliteteve kombëtare, me syrin vrojtues prej shkrimtari, profesor Bedri Tahiri në një shkrim përkujtimor për martirin e lirisë Mehë Uka, me të drejtë e ka quajtur atë: “ky burrë i madh i kombit”.

Ndërkaq, një emblemë urtësie dhe një pinjoll i denjë atdhedashurie, i dalë nga njëra prej portave të mëdha të familjeve të mëdha që e bënë Shqipërinë me hir o me pahir, një njeri sa i urtë po aq edhe fisnik, sa bujar po aq edhe pishtar drite e diturie (si një gjakim dhe përjetim i përhershëm e i denjë në dashurinë për diturinë – për filozofinë), pa dyshim se është Selatin Ymeri, i cili bashkë me veteranin e arsimit Bedri Shyti, me pedagogun e zellshëm dhe historianin e pasionuar Galip Avdiu, si dhe me profesorin e përkushtuar Bedri Tahiri, kishin shkuar për të nderuar tribunin liberator, Mehë Ukën.

Selatin Ymeri jo rrallë e përshkon me bisedën e tij të projshme e me fjalën e tij të mençur dhe me peshë historinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Jo rrallë, ai e përshkon edhe gjeografinë e Shqipërisë. Atë e gjenë sa në Picel e sa te Kulla e Azem Bejtës, sa në Skromë e sa në Vllahi, sa në Krujë e sa në Shkodër, sa në Valbonë e sa në Bajram Curr, sa te Kalaja e Rozafës e sa tek Monumenti i Çerçiz Topullit (tek Gjirokastra në një brinjë që lindi dhe rriti Bajon e Çerçiznë, Koto Hoxhin e Pandelinë); sa në Butrint e sa tek Syri i Kaltër, sa në Durrës e sa në Vlorën e Isamil Qemalit, dhe sërish sa tek rrjedha e Drinit të Bardhë (në Radavc të Pejës) e sa në Bajgorë, aty ku ka aq shumë dëshirë të çmallet (dimër e verë) me idilen e bukur e të pafund, për të cilën është shprehur aq bukur e mu nga palca e zemrës: “Natyra di të qëndisë bukur!”

Duke qenë i dashuruar në filozofinë dhe i pasionuar për socilogjinë, që nga bankat e shkollës së mesme, e nën ndikmin e drejtpërdrejtë që pati në formimin tonë intelektual profesori i nderuar Ismet Ferizi (të cilit sot e mot i shprehim ndjenjën e respektit të thellë dhe të mirënjohjes sonë pa kufi), Selatin Ymeri mbeti ithtar i parimit të madh të Konfuqit, se: “Vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit nuk maten kurrë”.

Duke qenë kështu ithtar i mendimit të Anatol Fransit se: “Arti i dhënies mësim së pari është art për të zgjuar kureshtjen e të riut e pastaj për ta kënaqur atë”, si dhe duke qenë ithtar i parimit të madh të Erik Fromit për të verpuar gjithmonë në harmoni me ndërgjegjën, Selatin Ymeri është një shok i rrallë, të cilin sa është kënaqësi për ta pasur bashkudhëtar, po aq është edhe privilegj për ta pasur bashkëmendimtar, i cili e çmon të bukurën dhe e adhuron të madhërishmen.

Kronisti i kohëve kreshnike Bedri Tahiri, e ka shpalosur portretin e bashkudhëtarit me pak fjalë: “Makina e Selatinit nxitonte vetëtimthi atyre zigzakeve malore si me krahë. Ngasësit të saj mbase edhe i takonte një gjë e tillë, ishte djalë i Kovaçicës, kishte qenë shok i Mehë Ukës dhe një kohë kishte punuar në atë shkollë.”

Pra është historia ajo që vazhdimisht e frymëzon shkrimtarin, prandaj ai nuk kursehet për ta shpalosur atë në plotninë e saj:

“Nuk nguteshim shumë ngase ishim herët dhe dëshironim t’i shijonim ato bukuri të rralla të mëmës natyrë. Tej, në një kodër përplot fier e ahishta lëkurëlëmuara, ndaluam edhe ia hodhëm një sy truallit të trimit të madh të kësaj ane Ukshin Kovaçicës, themelet e kullës së tij ende gjallonin në anën karshi nesh…”

Duke e shpalosur kështu pjesëmarrjen e “pinjollëve të Ukshin Kovaçicës, Avdi, Avdyl e Selatin Ymerit”, edhe në marshimin e madhërishëm mbarëkombëtar – në njëqind vjetorin e çlirimit të Shkupit, shkrimtari dhe intelektuali Bedri Tahiri ka nderuar breznitë orëmira, e përmbi çdo gjë ka nderuar dhe lartësuar luftëtarin e paepur e komandantin zemërzjarrtë, fatosin e maleve kreshnike e tribunin e odës shqiptare, burrin e madh të qëndresës kombëtare, levendin e lirisë së tërësisë tokësore të Shqipërisë, Ukshin Kovaçicën, opingat e të cilit çajnë shtigje lirie, duke i dhënë të drejtë kështu për të satën herë mendimit të Mihal Gramenos se: “Shqipërinë do ta bëjë opinga!”

Selatin Ymeri në krah të Mehë Ukës

Ndërkaq, gjakimi për lirinë mishërohet vetvetiu në gjakimin për diturinë. Pushka dhe pena bashkëjetojnë si një gërshetë e lidhur përgjatë gjithë historisë: Ukshin Kovaçica – një levend i lirisë së Shqipërisë. Mehë Uka – një burrë i madh i kombit, një revolucionar i paepur e militant i orëve të para. Selatin Ymeri, pinjoll i derës së atdhedashurisë, i dritës dhe diturisë, profesor në Gjimnazin “Eqrem Çabej” të Vushtrrisë, dhe edukator i brezave, i cili dashurinë e tij për atdheun dhe për diturinë e ka mishëruar edhe duke i pagëzuar pinjojtë e breznive orëmira me emrat aq domethënës: Ideal dhe Ardit.

Gjithmonë gati për të pi ujë në gurrën e frymëzimeve atdhetare të Ukshin Kovaçicës:
NJË KRUA QË KA RRJEDHË, KA PËR TË RRJEDHË GJITHMONË

V

Dëshmor i ati, theror i biri: Kështu vdes vetëm iliri!

Familja atdhetare e Ukshin Kovaçicës është një nga familjet e mëdha që u shkrinë për lirinë e mëmëdheut në tre breza: gjyshi, babai, dhe i biri. Sakrificat e parreshtura të kësaj familjeje atdhetare, ma përkujtojnë gjithë mallëngjim në këto ditë shkurti, vargun epik të qëndresës heroike të kombit shqiptar në luftë me bandat e andartëve grekë, në mbrotjte të kufijve të shenjtë të atdheut tonë; vargun nga më domethënësit në gjithë historinë e luftërave dhe të përpjekjeve të parreshtura të kombit shqiptar për liri dhe mëvehtësi kombëtare, për përparim kombëtar e shoqëror, ma përkujtojnë kryveargun e historisë sonë shumëshekullore: Dëshmor i ati, theror i biri: Kështu vdes vetëm iliri!

Familja atdhetare e Ukshin Kovaçicës, e në mënyrë të veçantë akti i tij heroik i flijimit për lirinë e shenjtë të mëmëdheut – së bashku me të birin Hashimin, ka frymëzuar brezat. Duke pasur për krah të armës e të idealit Xhemë Zhazhën, Ukshin Kovaçica ka frymëzuar në veprimtarinë e tyre atdhetare edhe Ali Xhemë Pecin e Çerkin Hajdar Pecin. Jemi rritur dhe edukuar me shembëlltyrën heroike të Ukshin Kovaçicës, dhe se figura e tij prej kreshniku së bashku me tiparet e fisnikërisë dhe virtytet e bujarisë, do të mbetet gjithmonë një figurë kaq e dashur dhe kaq e adhuruar për ne. Përmasa epike dhe heroike e Ukshin Kovaçicës, na ka bërë dhe do të na bënë që të ndihemi gjithmonë krenarë, sepse dashurinë dhe adhurimin për Ukshin Kovaçicën, në zemrat tona dhe në mendjet tona, na i kanë lënë trashëgim: Xhemë Zhazha dhe Haxhi Hajdar Zhazha. Prandaj, në këtë përvjetor arbëror e në përkujtim të aktit trimëror, kam nderin dhe krenarinë e veçantë për të shpalosur idenë që:

1. Të ngritet pllaka përkujtimore në Vllahi, aty tek Shpella e Vllahisë, ku u vranë Ukshin Kovaçica me të birin Hashimin, dhe bashkëluftëtarin Smajl Svarça.
2. Të restaurohet Kulla Kreshnike e Ukshin Kovaçicës – të ngritet Memoriali Përkujtimor për Ukshin Kovaçicën.
3. Të ngritet Shtatorja e Ukshin Kovaçicës.
4. Rruga nga Miniera e Trepçës e deri në Picel, të pagëzohet: Rruga e Ukshin Kovaçicës dhe Bislim Bajgorës.
5. Të botohen materialet arkivore dhe të botohet një monografi e re e gjithëpërfshirëse për Ukshin Kovaçicën, sepse kështu dhe vetëm kështu dëshmojmë se dimë të nderojmë: prandaj edhe e meritojmë lirinë tonë të shenjtë!

Lavdi e përjetshme Ukshin Kovaçicës!
Lavdi e përjetshme pinjojve të breznive orëmira: Nuhë, Shahin, Avdyl, Rrahim, Ukshin e Hashim Kovaçicës!
Lavdi djepit që i lindi!
Lavdi sofrës që i rriti!
Lavdi kullës që i ngriti!
Lavdi tokës bujare të gjakut që i nxori nga gjiri i saj!
Qoftë i përjetshëm kujtimi dhe nderimi për ta!
Qoftë gjithmonë e bardhë dita e idealeve të tyre!
Lavdi martirëve të kombit shqiptar!
Lavdi e përjetshme, levendëve të lirisë së Shqipërisë!

1 KOMENT

Komentet janë mbyllur.