KOHË TË LIGA

0
831
Nikoll Ulndreaj

Nikoll N. Ulndreaj

KOHË TË LIGA

Dhe erdhi një kohë e ligshtë që fytyra jote dhe fytyra ime
Të mësohen
Me zjarrvënie lotësh, dhimbjesh e dashurish
Që u lidhën me një rrem drite
Me yjet
Dhe ranë në dashuri
Por që i përcollën xhadesë pikëlluar
Që s’kish të sosur
Duke harruar buzët të kthehen tek puthja…
Këto stinë që pikojnë dhimbje shkretëtirave të gjelbra
Shtangën
Buzë bregut të dhimbjes
Kur rrokulliset nata nëpër raftet e bukës
Si nëpër rrathët e ferrit…
Edhe valët e detit të zgjojnë trishtim në shpirt
Brigjeve të vetmisë
Duke kënduar himnin e eksodit
Mbrëmje për mbrëmje kurë muzgu zbret mbi valë
Rrugëve të shkreta endet fati ynë
Pa mundur të ringjallet
As sa zgjatë zëri i jehonës të një gruaje shtatëzanë
Që lutet me sytë e mbushur me lot
Teksa varka po i afrohet bregut të vendit huaj…

* * *

Thellë në kockën e thyer nga fukarallëku
Shpresa e njerëzve të thjeshtë kërkon azil
Rënkon në heshtje
Oazave të shkretëtirës humb pamundur të ndez një kandil…

Tiranë me dt. 16.02.2017