PËR TY, ATDHE

0
2622
Zymer Mehani, portret

Poezi: Zymer Mehani

PËR TY, ATDHE

A
O Atdhe, emër i shenjtë, sa s’ka më të dua
Dashuri mbi çdo dashuri vetëm Ty të kam
Ar edhe thesar je përherë për mua
Të mbaj n’zemrën time, të mbaj n’timin xhan

B
Botën anembanë mua po t’ma falin
Kurrë, Atdhe i dashur me askë s’të ndërroj
Për mua ke peshë më t’rëndë se planeti
Veç në Ty jetoj, veç në Ty gëzoj

C
Cegmë edhe stuhi, i dashur Atdhe
Kaluan mbi Ty gjatë shekujsh të gjatë
Në shpinë t’ u vërsulën shumë perandori
Të të shtypnin donin me hushtë e me shpatë

Ç
Çdoherë bijtë e Tu, o Adhe i shtrenjtë
Me gjokse dhe grushta t’mbrojtën me çdo çmim
Dritë e diell të patëm, të kemi dhe sot
Je ar dhe thesar, të duam pa mbarim

D
Dashuria jote-e madhe sa deti
Ajo gjuhë e jotja- e ëmbël si mjaltë
Asnjëherë s’të mposhti furtuna, rrebeshi
Gjithmonë në beteja dole fitimtar

DH
Dhëmbë edhe dhëmballë prore ua theve
Bishës aziatike, t’Karpateve hiena
Gjokse bijsh e bijash mburojë përherë pate
Para çdo shtrëngate kala me bedena

E
Emri Yt, Atdhe, t’fluturoj më bën
Porsi shqipe mali mbi Alpet Shqiptare
E Flamuri Yt shpirtin ma galdon
Kur lirshëm valvitet-vlera jonë e madhe

Ë
Është një vend diku, ku lulëkuqet rriten
Harlisen dhe kokën e lartësojnë drejt qiellit
Simbol uniteti-krerët e Shqiponjës
Ngjyrat kuq e zi- si rrezet e diellit

F
Fitore përherë gjatë historisë korre
Saherë t’u vërsulën hordhitë me taborre
Ty të të ngulfasin u munduan prore
Me tmerr e me turp i dëbove, i shporre

G
Gurët, shkrepat Tua, o imi Atdhe
Ar dhe diamant janë gjithmonë për ne
Çdo pëllëmbë tokën tënde me gjak e ujitëm
Pushtuesit radhë-radhë me plumba i pritëm

GJ
Gjatë shekujsh mbi ty kaluan me radhë
Karvanet e krimit, t’dhunës, t’mizorisë
Me kreni kujtojmë atë Motin e Madh
Kur Gjergj Kastrioti i dha vulë trimërisë

H
Hazër n’paqe, n’luftë, hazër në çdo rast
Si ditën, dhe natën, bijtë e tu qëndrojnë
Për Ty kur betohen, fjala s’ka kthim pas
Kur jepet kushtrimi, të mbrojnë në çdo çast

I
I ashpër si kreshtat dhe i butë-pambuk
Shqiptari përherë ka qenë në këtë jetë
Për mikun besnik, për armikun ujk
Besa jonë shqiptare është e artë,vërtet

J
Jeta n’Ty Atdhe ka vlerë, është e bukur
E me vepra t’mira ne Ty do t’lartësojmë
Kultivojmë virtyte e vese do t’zhdukim
Veç me punë të mbara Ty do të nderojmë

K
Kala me bedene që i bën ballë furtunës
Janë tujat themele, i shtrenjti Atdhe
Ballin Tënd t’kulluar, porsi ujtë e Bunës
Dua të ta puth me gaz dhe hare

L
Lavdi jetë e mot bijve e bijave Tua
Që gjatë historisë të mbrojtën me gjak
Prore t’i ujitën themelet e tua
Mbrojtën vlerat tua, gjuhë edhe bajrak

LL
Llahtarinë ç’e gjetën të egrat hordhi
Nëpër malet tua, fushat e paanë
Krajla dhe despotër, mbretër e sulltanë
Këtu i kanë lënë kokat, varret këtu i kanë

M
Madhështor je, Atdhe, Ty t’kam fe dhe Zot
Edhe gjithçka tjetër, o Atdhe t’kam Ty
Që kur hodha hapin e parë në këtë botë
I shtrenjtë je për mua, pasha k’ta dy sy

N
Nënë edhe baba, Atdhe Ty të kam
Ti je zemra ime, je vetë shpirti im
Vetëm n’ty Atdhe unë i lumtur jam
Që nga mituria e gjer në amshim

NJ
Një ëndërr e kam dhe një shpresë për Ty
Që të të madhëroj veç me punë, Atdhe
Kahdo nëpër botë brodha, s’pash si Ty
Si bukuritë Tua, Atdhe, o atdhe

O
O Atdhe i shtrenjtë, e zemrës dashuri
Ti o gjuhë amtare, flamur kuq e zi
M’bëni t’jem krenar, me krahë t’fluturoj
Prore n’vargje t’miat për ju do t’këndoj

P
Si fëmijë i buzëqeshur në krahët e nënës
Ashtu, Ti, Atdhe je në timen zemër
Si ngrohtësi e diellit, si ndriçim i hënës
Je, Atdhe i dashur, o i shtrenjti emër

Q
Qëndove përherë, kurrë nuk u përule
Në stuhi, tufane përgjatë historisë
Armiqtë i dëbove, tej detesh i hudhe
N’lahutë për Ty këndohen këngët e lavdisë

R
Re, atdhe i dashur, por kurrë s’u nënshtrove
Kundër gjakatarit, kundër pabesisë
Me shpirt kryengritës grushtin lart e çove
Me guxim i shkëpute prangat e robërisë

RR
Rrugët e tua t’gjata, i dashur Atdhe
Shpesh gjatë historisë- të shtruara me ferra
Por bijtë tu besnikë, si ai Promethe
T’ shkruajtën historinë me bëma të vlera

S
S’mund t’i harrojmë kohërat të errëta, mynxyrë
Nëpër t’cilat dole kokëlartë, kurrë shpinë-kërrusur
Në stuhi, furtunë, cegmë e suferinë
Përherë triumfove armiqtë duke i mundur

SH
Shqipet fluturojnë, Atdhe n’qiellin tënd
Mbi kodra dhe kreshta, male edhe dete
Vërtiten ngado e n’Flamur pushojnë
Atdhe, Ti m’ia shton vlerën kësaj jete

T
Të dua atdhe, pa i nda’ të dua
Sa të shtrenjta janë ngado viset tua
Në t’bardhat agime vesa kur veson
E n’mbrëmje t’kuqërremta shpirti im të don

TH
Themelet e Tua janë t’forta, Atdhe
Me guxim i ngriti yni Skënderbe
I mbrojti në Vlorë Ismail Qemali
E n’Prekaz i skuqi Adem legjendari

U
Uratë them n’çdo çast për Ty, atdheu im
Që prore t’lartësohesh, Zoti t’dhashtë bekim
S’ka askund në botë si viset e tua
Je parajsa vetë, o Atdhe për mua

V
Vitet po kalojnë, po vjen kohë e re
Ti, atdhe po rritesh madhështor gjer në re
Drejt suksesesh t’reja me hapa po rend
Të dua, Atdhe, përherë t’kam ndërmend

X
Xixë stralli për mua Ti je, o Atdhe
Vetëm emri yt jetës m’i jep vlerë
N’vuajtje e n’gëzime me Ty dua t’jem
N’beharin me lule e n’dimrin e nderë

XH
Xhani më gëzohet, zemra më buçet
Për viset e tua, kodër, mal e det
Për Ty shpirt e zemër m’dridhen si tërmet
Në Ty, Atdhe i shtrenjtë jam princ edhe mbret

Y
Yjet vezullues shkëlqejnë n’tëndin qiell
Dhe hëna ndriçon, nxen i ngrohti diell
Ah, atdhe i dashur, më i bukuri m’ je
Je më i miri n’botë, Atdhe, o Atdhe

Z
Zot i Madh, të lutem, lartëso atdheun tim
Begatoje prore dhe silli lulëzim
O atdhe i dashur, je parajsë për mua
Sido që të jesh, kurrë s’do resht të të dua

ZH
Zhgjëndër edhe ëndër veç për Ty mendoj
Për Ty, atdhe i shtrenjtë punoj dhe jetoj
Asnjë vend i botës si Ti s’ka hijeshi
Në çdo cep të globit, në këtë rrokulli
Rrofsh, Atdhe i dashur-imja dashuri!