FALEMINDERIT, KOMUNA E VUSHTRRISË, NË REPUBLIKËN E KOSOVËS!

0
1013

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues (*)

1.
Këto ditë, përmes Internetit, poetja e re Ermira R. Jusufi, me banim në Komunën e Vushtrrisë, në Republikën e Kosovës, njoftonte se do të vinte në kryeqytetin tonë, bashkë me studiuesin nga Prishtina, Xheladin Mjeku, për të marrë pjesë në një veprimtari letrare. Në fakt, nuk është rasti i parë, që ata ndodhen këtu, si kur ka patur ngjarje të tilla, por dhe në Panairet vjetore të Librit ose në ngjarje tjera kulturore. Sigurisht, kjo do të ishte kënaqësi tjetër për ne, miq e dashamirë të tyre.

Për t’u takuar me miqtë tanë krijues nga Kosova, morën lajm disa krijues dhe miq të përbashkët të tyre. Pa dyshim, secili ka planet e detyrimet e veta, aq më tepër se ishte ditë e diel, pra kohë pushimi. Megjithatë, disa nga ata shprehën gatishmërinë dhe u tubuam në mjediset e lokalit “Migena”, në qendër të Tiranës.

Përveç meje, në atë takim miqësor, për kafe me E.Jusufin e Xh.Mjekun dhe për biseda të këndëshme ndërmjet krijuesish, ishin: Studiuesi e autor i disa botimeve, Isa Halilaj,”Mësues i merituar”; drejtuesja e njohur e arsimit në kryeqytetin tonë dhe veprimtare e dalluar, Lumturi Vladi; autori i një numri të madh librash të bukur e publicisti Viron Kona; arsimtarja dhe autore e mjaft librave me tamatikë të lamishme, Zyba Hysa dhe drejtori i një shkolle jopublike e studiuesi, Sejdo Harka.

Në fillim, shkëmbyem përshëndetjet e rastit dhe bëmë disa biseda të ngrohta, për familjet, por dhe për krijimet e librat tanë. GJithashtu, folëm për një kujdes e vlerësim më të madh ndaj krijuesve, për botimin e librave të tyre, me mbështetjen e organeve shtetërore përgjegjëse, por dhe të sponsorëve të ndryshëm…

2.
Në një çast qetësie, fjalën e kërkoi poetja dhe kryetarja e Klubit Letrar “Latif Berisha”, në Vushtrri të Kosovës, Ermira R.Jusufi. Ajo shprehu kënaqësinë, që ndodheshin ndërmjet nesh dhe se kishte ardhur me një lajm të mirë, kryesisht në adresën time. Kështu, me këtë rast, më dorëzoi dy “Mirënjohje’, pikërisht nga Komuna e Vushtrrisë. I pari, ishte nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, në atë Komunë dhe që ishte nënshkruar nga drejtoresha, Shpresa Rama. Ndërsa “Mirënjohja” tjetër ishte nga Klubi Letrar “Latif Berisha” i asaj Komuneje dhe firmosur nga kryetarja, Ermira R.Jusufi. Në këtë të fundit thuhej: “Prof. Murat Gecaj: Në shenjë përkrahjeje dhe bashkëpunimi kulturor, me krijuesit vushtrrias dhe paraqitjen e tyre”.

Sigurisht. ky ishte nje nder i veçantë dhe vlerësim i punës e bashkëpunimit tim edhe me krijues të Komunës së Vushtrrisë, si në redaktimin e botimin, sidomos të poezive të tyre dhe publikimin, herë pas here, në shtyp dhe në rrjetet e ndryshme sociale. Prandaj, në atë ceremoni të thjeshtë dhe tani përmes këtyre radhëve, shprehi falënderimin dhe mirënjohjen time, për drejtorinë e Kulturës, në Komunën e Vushtrrisë, e cila drejtohet nga Shpresa Rama dhe kryesinë e Klubit Letrar “Latif Berisha”, që kryesohet nga Ermira R.Jusufi.
Pjesë e këtij takimi ishte edhe shkëmbimi i disa botmeve tona. Kështu, Ermira Jusufi u dhuroi të pranishjmëve librin e saj me poezi, “Sonte, zemra ime frymon…”. Ndërsa Zyba Hysa i dhuroi asaj romanin e parë, “Rrjedha”.

Unë u dhurova atyre e për miq të tjerë në Kosovë, si për motrat Qendresa dhe Edona Gashi e poeten Shadije Hotnjani, kopje të librave të mi, kushtuar rreth 150 poeteve e shkrimtareve dhe artisteve e veprimtareve të njohura, me titujt: “Për ju, krijuese…”(Tiranë, 2015) dhe “Kur flasin zemrat…” (Tiranë, 2016). Përmes këtyre dy miqëve krjues, i dërgova katër libra me poezi për fëmijë, vogëlushes Jora, në shkollën Hasan Prishtina” të Prishtinës, e cila u çertifikua këto ditë, “Lexuesja më e rregullt”…Kënaqësi për mua ishte edhe botimi i parë i poetes së re, Liridona Gajtani, “Në zemër trokiste…”. Atë ma solli dhuratë Xheladini, prandaj për këtë libër e uroj dhe e falënderoj, përzemërsisht, autoren e tij!

3.
Sigurisht, këto dy “Mirënjohje” dhe takimi i organizuar sot, e shtojnë përgjegjësinë tone, pra për të dyja palët, që këtë bashkëpunim ta vazhdojmë edhe në të ardhmen. Sepse, kështu do të ndihmojmë, që krijuesit e rinj të nxiten dhe të mbështeten, sa më mirë dhe me të gjitha mundësitë, pra edhe financiare. Kjo gjë do të arrihet, sidomos, duke i botuar e publikuar poezitë ose prozat e tyre, në mënyra e forma sa më të përshtatshme.

Shtoj këtu, se edhe kolegët e miqtë, që ishin të pranishëm në këtë takim, të cilët i falënderoj nga zemra, shprehën kënaqësinë për këtë veprim domethënës të drejtuesve të kulturës e letërsisë, në Komunën e Vushtrrisë, të Republikës së Kosovës.
Para se të ndaheshim, në mjediset e jashtme të atij lokali, ne bëmë disa fotografi tjera të përbashkëta, si kujtim nga ai takim i bukur, domethënës dhe mbresëlënës.

Tiranë, 12 shkurt 2017


*) M.Gecaj: Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë dhe përgjegjës seksioni, në Institutin e Integrimit të Kulturës Shqiptare-Tiranë.