Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues
1.
Raimonda Moisiu, me origjinë nga Korça, është poete, shkrimtare, publiciste dhe veprimtare e njohur, në Bashkësinë Shqiptare të Nju Jorkut, në SHBA. Ajo kryen aty edhe detyrën shoqërore, kryetare e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë.
Tashmë, lexuesit e interesuar janë të njohur me disa botime të saj, të cilët shquhen jo vetëm për vlerat letrare e publicistike, por dhe për ato atdhetare, pra për dashurinë e respektin për vendlindjen, për Shqipërinë.
Po të hapësh skedarin e Bibliotekës Kombatare, në kryeqytetin tonë, por dhe po të kërkosh në librari e biblioteka, do të gjesh disa botime me vlera të disaanshme, që mbajnë emrin e autores Raimonda Moisiu. Pr të shumtë janë dhe titujt e librave, që ajo ua ka dhuruar me dashamirësi, për bibliotekat familjare: të afërmve, kolegve e miqëve dhe lexuesve të tjerë.
Duke kërkuar ndjesë, nëqoftëse nuk është e hedhur në skenadrë ndonjë nga librat e saj,(shkrimi shoqërohet me ballinat e librave të Raimonda Moisiut), po i përmendim ata, sipas viteve të botimit:
1.“Jeta mes dy dashurive”(publicistikë, tregime e proza tjera), Tiranë, 2006;
2.”Dashuria nuk ka emër”(poezi), Tiranë, 2007;
3.”Pafajësia e Evës”(roman),Tiranë, 2009;
4.”Sikur s’më ke puthur kurrë!”(poezi), Tiranë, 2009;
5.”Letrat shqip, këtej e përtej Atllantikut (Intervista), Tiranë, 2010;
6.”Maska e intelektit”(Esse, shkrime publicistike), Tiranë, 2011;
7.”Lulëkuqja e egër”(poezi), Tiranë, 2011;
8.”Gjëmimi i moshave”(tregime), 2011.
Gjithashtu, Raimonda është bashkautore, në disa libra të tjerë.
Këto ditë, na ka tërhequr vëmendjen edhe botimi i një shkrimi të Raimonda Moisiut, në nderim e kujtim të shkrimtarit tonë të madh, Dritëro Agolli, i cili është publikuar, në shtyp dhe në faqe të ndryshme të Internetit.
E urojmë dhe e përgëzojmë këtë kolege dhe mike bashkatdhetare, për të gjitha botimet e saj, si dhe për veprimtaritë e palodhura, që zhvillon në Amerikë, por dhe kur kthehet në vendlindje, në Atdhe.
Me këtë rast, po ribotojmë një shkrim të pak viteve më parë, i cili flet, shkurtimisht, për tre libra të Raimonda Moisiut.
Tiranë, 10 shkurt 2017
2.
“Pak ditë më parë, ishte në Tiranë, në Korçë…Por, si papritmas, ajo iku dhe u duk, se “u zhduk”!?…Por, vetëm sa kapërceu Oqeanin Atllantik, pra jo shumë larg apo jo? (ha,ha) Se donte të ishte nën qiellin e kaltër të një pjese tjetër të madhe të botës. Ndërsa, la pas siluetën e saj buzagase, la në vendlindje e në Atdhe, dashamirësinë e sinqeritetin e vetë. Po na la edhe diçka tjetër. Dikush, mund të pyesë: “Pa, na thuaj, çfarë la më tjetër, në Tiranë, Monda jonë?” Atë dhuratë e morën disa veta, kolegë të saj. Por atë e kam edhe unë. Ja, me që ndonjëri është më tepër kureshtar, po e them që në krye: Janë tre libra të rinj, janë tre ylbërë, në“qiellin” e krijimeve të pasura dhe të bukura të Raimonda Moisiut.
Që lexuesi i këtyre radhëve të krijojë një përfytyrim sa më të plotë, është mire, që ato të paraqiten me anën e shkrimeve të veçanta. Pra, të tregohet përmbajtja, të jepen pasazhe e nuanca të freskëta të tyre.Të flitet edhe për përmbajtjen, gjuhën e figurat e përdorura, për skalitejn e frazës e të vargut. Të ndalemi në vlerat atdhetare, edukative, artistike, shoqërore etj. Mirëpo, a e dini se unë, kësaj here, nuk e bëj dot këtë gjë? Prandaj, vetëm sa po i përmendi titujt e këtyre librave të rinj dhe po them, shkurt, diçka për to.
Po ia nisi me radhë, me tre libra, njëri më i arrirë se tjetri dhe me emra të zgjedhur.
1. Libri i parë
Autorja ose botuesi, i kanë zgjedhur këta vargje, që i kanë venë në kopertinën e fundit:
…Dikush po na përgjon,
si puthemi ne të dy
dhe shkruan pa na thënë:
Asgjë mua, asgjë ty!
Dikush përgjon, si puthet,
një vajzë me një djalë…
Vajza, ardhur nga Hëna;
Djali, nga Parajsa ka dalë…
Është libri i tretë i kësaj autoreje, në poezi, pas atyre: “Dashuria ka një emër” dhe “Sikur s’më ke puthur kurrë”, bashkë me katër libra të tjerë, ku është bashkautore. Për ato, Monda ka marrë çmim të pare, në “Netët Ballkanike” dhe çmim të pare, nga redaksia e Gazetës “Nositi”.
Në përmbledhjen e re, në 190 faqe, janë publikuar 42 poezi shqip, 15 anglisht, 5 italisht e 2 greqisht. Në mbyllje janë vendosur vlerësimet e krijimeve në poezi, të R.Moisiut, nga: Fatmir Terziu, Pëllumb Gorica, Vangjush Ziko e Arqile Gjata.
2. Libri i dytë
Duke provuar gjininë e tregimit, përsëri R.Moisiu ka në epiqendër dashurinë, këtë ndjenjë të bukur dhe të përhershme njerëzore. Në ballë të tyre prinë tregimi, aq i njohur për ne, ”Kali i Princeshës”. Pastaj vijnë, me radhë, tregime interesante: “Gjëmimi i moshave”, “Fustani i bardhë”, “Sytë e Anës”, “Nepsi i epshit”, “Puthja e fundit”, “Dashuria e Evrehesë”, “Ekstazë mbi Oqean”, “E virgjër, në tjetër botën e saj”, “Përdhunimi” e të tjerë. Disi “fshehur”, mes titujve të tregimeve, është dhe skica aq e frymëzuar, shkruar me dhimbje për humbjen e mbesës së Mondës,”Luajmë bashkë, Greisa!”. Por janë dhe shkrimet rreth krijimeve e botimeve të Fatmir Terziut, Mëhill Velajt, Petraq Zotos, Ivzi Çipurit, Irena Gjonit, Remzi Bashës, Artan Mullajt e Monika Cepës.
Libri mbyllet me shënimin e Jorgo Telos për poemën e R.Moisiut “Në aeroportin e vetëm të Atdheut” dhe me një intervistë të Fatime Kullit, përmes të cilës zbulojmë anë të ndyshme të jetës dhe personalitetit artistik e krijues të Raimonda Moisiut.
3. Libri i tretë
Në librin e tretë, janë botuar mjaft ese dhe shkrime publicistikë. Se të gjithë ne e njohim R.Moisiun, për shkrimet e saj të zhdërvjellta, me gjuhë të pasur, me prekje në “telat e zemrës” së personazheve të saj etj. Janë 33 shkrime të tillë, në një libër me 180 faqe. Aty flitet edhe për ngjarje e krijues të njohur shqiptarë, në Amerikë. Të tillë janë: Fan Noli, Vlash Fili, Kostaq Duka, Mëhill Velaj, Riza Lahi e Roland Gjoza e Kozeta Zavalani.
Na tërheqin vëmendjen dhe shkrimet e frymëzuara të saj, gjatë vizitave në Atdhe, si për “parlamentarët e Fterrës”, për “Netët poetike korçare”, për kantautorin korçar Nonda Kajno dhe artisten Jorgjeta Lalzi, që “e lë Korçën pa gjumë”. Por, syrit dhe penës të kësaj publicisteje të talentuar nuk i kanë shpëtuar as nënat e gratë shqiptare, disa nga të cilat u martirizuan nga shteti monist në Shqipëri, ndër të cilat ishte dhe Musine Kokalari. Në reportazhet e autores preken dhe çështje të ndryshme shoqërore etj.
Në përfundim të këtij libri janë shkrimi i Erget Cenollit, për publicistikën e R. Moisiut dhe i Justin Stock (anglisht).
…Në mbyllje të këtyre shënimeve, për tre libra të Raimonda Moisiut (sepse ajo ka dhe mjaft të tjerë), koleges e mikes sonë të mirë, por dhe shkrimtares dhe poetes së njohur, po shënoj dhe një “sekret” të saj. Ajo, së shpejti, do të publikojë në Tiranë dhe librin me mjaft intervista të shkrimtarëve, poetëve e publicistëve, me titullin domethënës “Letrat shqipe, këtej & përtej Atllantikut”.
Sigurisht, atë e pres me kënaqësi të veçantë, pasi aty është dhe një intervistë, që ajo më mori, pak kohë më parë. Por Monda ka shënuar në faqen e kopertinës së fundit dhe titullin e një romani, “Pafajësia e Evës”.
Pra, le të presim, që t’i kemi sa më parë në dorë dhe këto krijime të bukura të saj. Ndërsa, në përgjithësi, e urojmë dhe e përgëzojmë atë, si për këta libra e tërë krijimtarinë e saj dhe dëshirojmë që Raimonda Moisiu të vijojë pa u ndalur në udhën e krijimit, duke mbetur e pakapshme, në “qiellin” letrar shqiptar!”
(Nga libri, me autor Murat Gecaj, “Për ju, krijuese…”, faqe 149-151, Tiranë, 2015)