LETËR E HAPUR, DREJTUAR PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË FRANCËS, SHKËLQESISË SË TIJ FRANSUA HOLLAND

0
4755

APELOJ!

Xhemail Peci

RAMUSH HARADINAJ
NË KOHË LUFTE – SI LAOKONTI MES GJARPRINJVE
NË KOHË PAQEJE- SI PROMETHEU I LIDHUR!

RAMUSH HARADINAJ
PROMETHEU I LIDHUR I KOSOVËS MARTIRE
DHE
HIJA E ALFRED DRAJFUSIT, E CILA PO RISHFAQET
MBI FRANCË!

Shkëlqesi,
Zhvillimet e fundit politike në Kosovë, me të drejtë kanë ngjallur shqetësim tek opinion kombëtar shqiptar, si dhe tek ai ndërkombëtar.
Në mënyrë të veçantë, arrestimi dhe ndalimi i kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, zotit Ramush Haradinaj, ka shkaktuar indinjatë të thellë tek populli shqiptar, brenda dhe jashtë atdheut të tij.

Duke qenë një personalitet i veçantë, një Hero i dyfishtë, në luftë dhe në paqe, Ramush Haradinaj është bërë simbol i aspiratës shekullore për lirinë e një populli të shumëvuajtur.

Shkëlqesi,
Duke përkujtuar fjalët e zotit Bernard Kushner ish-kryeadministratorit të UNMIK-ut në Kosovë, për martirizimin e Jasharajve, se: “Sikur të ekzistonte ndonjë çmim Nobel për liri, pa dyshim se ai do t’i takonte Adem Jasharit”, shpreosj se do t’më lejohet që përmes një paraqitjeje të shkurtër, të përkujtoj se krahas familjes Jashari, edhe familja Haradinaj është një familje emblemë e lirisë dhe e pavarësisë së Kosovës:

Ramush Haradinaj e kishte braktisur Zvicrën në vitin 1997 pas një qëndrimi dhjetëvjeçar atje, dhe ishte vënë në shërbim të luftës për liri. Muzgu i 6 majit 1997, do ta gjente në misionin e kryerjes së detyrave ndaj atdheut, në bartje të armatimit nga Shqipëria në Kosovë, ku edhe i vritet i vëllai Luan Haradinaj, nga forcat pushtuese serbe.

Ramush Haradinaj do të plagosej aty edhe vetë, por duke marrë forcë si Anteu i mitologjisë antike nga toka nënë, ai do ta barte mbi supe vëllaun e tij të vrarë, martirin e lirisë së shumëpritur.
Mëngjesi i 24 marsit të vitit 1988, e gjeti atë dhe familjen Haradinaj, të rrethuar në vatrën e tyre stërgjyshore në Gllogjan të Deçanit, nga forca të shumta pushtuese serbe.

Në një luftë për jetë a vdekje, e cila zgjati për 9 orë rrjesht, kjo familje atdhetarësh çau rrethimin e hekurt dhe u rreshtua edhe më fort në shërbim të idealeve më të larta, duke besuar në atë që e ka thënë Napoleon Bonaparta se liria është nëna e fitores, dhe duke besuar njëkohësisht në pagëzimin aq të bukur dhe po aq domethënës që Ezhen Delakroa i bëri jo vetëm njërës prej kryeveprave të tij, por gjithsesi edhe njërës prej kryeveprave të pikturës botërore, se: Liria i prinë popullit!

Nën zjarrin e artilerisë së rëndë e nën grykat e tankeve serbe, do të gjendeshin jo vetëm të rriturit, por edhe fëmijët: Shqipdoni – 2 vjeç, Vetoni – 6 vjeç, Antigona – 7 vjeçare, dhe Valbona – 11 vjeçare!

Në këtë betejë krejtësisht të pabarbartë, krahas vëllezërve, do të luftonte edhe e motra Mejreme Haradinaj, pa dyshim një Zhan D’Arkë shqiptare, e cila sa do t’i mbushte armët me fishekë babait Hilmiut, po aq do të mbronte vëllezërit e saj duke hapur zjarr nga automatiku, ndonëse ishte vetëm 20 vjeçare!

Po në këtë betejë, do t’u jepte zemër e do të bekonte të bijtë dhe bijat e saj, edhe Nëna Heroinë-Rukë Haradinaj, e cila ashtu sikurse Ajkuna në eposin shqiptar të kreshnikëve, do të qëndronte stoike dhe se për të tre djemtë e saj të vrarë, nuk ia pa kush asnjë pikë loti!

Djali tjetër i saj, komandanti Shkëlzen Haradinaj, do të vritej në moshën 28 vjeçare, më 16 prill 1999, duke mbrojtur popullsinë civile nga forcat vrastare serbe. Ndërkaq, më 15 prill të vitit 2005, në vigjile të përkujtimit të rënies heroike të Shkëlzen Haradinajt, vritet në pritë në një fshat të Pejës edhe djali tjetër Enver Haradinaj, në moshën 22 vjeçare.

Nëna Heroinë Rukë Haradinaj, nuk derdhi asnjë pikë loti, sespe ashtu siç besonte tek Zoti, ashtu besonte edhe në parimin e madh se sakrificat më sublime njerëzore: lirinë e bëjnë edhe më hyjnore!

Në këtë frymë, në frymën e lirisë, të vëllazërisë dhe të barazisë, prindërit Hilmi dhe Rukë Haradinaj, rritën dhe edukuan të dhjetë fëmijët e tyre: Ramushin, Shkëlzenin, Luanin, Mejremin, Dautin, Enverin, Frashërin, Valbonën, Antigonën dhe Vetonin.

Shkëlqesi,
Aspiratat kombëtare të shqiptarëve për liri e pavarësi, përgjatë historisë e tyre janë frymëzuar edhe nga idetë e iluminizmit francez – si pishtar shpirtëror i Revolucionit Francez, me përfaqësuesit dritërrëfyes të tij, si Volteri, Monteskie, Ruso, Didëro, Holbah e D’Alembert.

Njëri prej këtyre të frymëzuerve ka qenë edhe poeti kombëtar shqiptar Naim Frashëri, i cili para më shumë se një shekulli e tha hapur se për shqiptarët dielli lind andej nga perëndon! Ndërsa, në poemën e tij Dëshirë e vërtetë e shqiptarëve, ai do të lëshonte zemër-klithjen e vet kundër padrejtësive dhe intrigave të bëra nga diplomacia e asaj kohe:

Solomon, mos ma prej foshnjën, mos e prej, n’emër t’Zotit,
le të mbetet pjella ime e paprekur, pa cënuar!
Dhe ju, perëndi të qiellit, ju o perëndi të paqes,
jepjani mollën e sherrit drjtësisht, kujt i takon.

Mjerisht, historia po përsëritet në rajonin e trazuar nga luftërat dhe se pellgu i gjakut mbetet një rajon për të cilin Ferdinand Schevill në esenë e tij “Ballkani, historia dhe qytetërimi”, mes tjerash ka theksuar se: “Hapësira ballkanike është një shkretëtirë e populluar, e ashpër, malore, e rrëpirët, e nxehtë dhe e ftohtë, e lagur me lotët e kripur të detërave, e rrahur nga shqotat e luftërave e cingërima e maleve, e pikëlluar nga gjaku e dhembjet, e plagosur për vdekje dhe e mbushur sërish me jetë.”

Kundruar nga po ky prizëm, para fjalimit të fituesit të Çmimit Nobel për Letërsi më 1961, G. Liljestrand, anëtar i Akademisë Mbretërore të Shkencave të Suedisë, duke iu drejtuar shkrimtarit serb – laureatit Ivo Andriq, shprehte shpresën se vepra e tij do të shërbente “si ura mbi Drinë, që bashkoi Lindjen dhe Perëndimin”.

Fatkeqësisht, ky paraashikim nuk doli i saktë! Vetë Ivo Andriqi hartoi elaborate për shpërnguljen dhe shfarosjen e shqiptarëve. Pa dyshim, një rast i pashembullt për një nobelist të letërsisë!

Pikërisht, ura mbi Drinë u bë metafora e një kaspahane të paparë në Jugosllavinë e fundshekullit të XX-të. Ndërkaq, që Serbia e Avo Andriqit, edhe sot ditën flet për ura e natën ndërton mure mesjetare! Serbia, në vend që ta zë trenin e saj të fundit për në Europë, ajo po dërgon trena me ikona mesjetare në Kosovë! Në Bruksel, serbët po flasin për paqe, e në Beograd po bëhen gati për luftë! Në Bruksel po shtrëngohen duart e në Mitrovicë po ndahen urat! Po prishet një mur e po bëhet gati një mur tjetër, kurse mbi lidershipin shqiptar të Kosovës po bëhet një trysni e paparë! Brukseli po premton paqe, ndërkaq Beogradi po kërkon sa më shumë avantazhe! Koka të nxehta në Beograd po trumpetojnë sërish për Kosovën si djep të Serbisë e si Jerusalemi serb!

Të tri pushtetet, ai shpirtëror (kishtar), ai mendor (Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Serbisë), si dhe ai shtetëror (policia, ushtria e diplomacia serbe) e kanë ushqyer këtë mit në vazhdimësi, kurse thirrjet nacional-shoveniste se “Kosova është Serbi”, me ikonat mesjetare si Car Dushani e Car Llazari që bëjnë me duar kah Kosova, nuk janë gjë tjetër veçse thirrje të hapura për luftë!

Ndërkaq, historia e ka dëshmuar se miti mesjetar serb për Kosovën si djep të saj, në të vërtetë është bërë vetë varri i saj. Sepse e vërteta është se për Serbinë Jerusalemi serb është miniera e Trepçës e Liqeni i Ujmanit, janë pasuritë e shumta të tokës dhe të nëntokës së Kosovës, e Kosova nuk është vendi i miteve mesjetare serbe, por është shtylla vertebrale e qëndresës shqiptare.

Serbia ka bërë luftë të vazhdueshme me fqinjët e saj! Serbia ka kryer gjenocid mbi fqinjët e saj! Në mënyrë të veçantë, Serbia ka kryer sisstematikisht, gjenocid ndaj shqiptarëve, përgjatë gjithë historisë!

Krimet makabre të kryera ndaj popullsisë së pafajshme e të pambrojtur shqiptare, ndaj burrave dhe grave, ndaj pleqve dhe fëmijëve, krimet e dhunimet sistematike me mbytje në bunarë, me nxerrje sysh e me koka të prera, pa dyshim që tejkalojnë krimet e bëra nga thonjtë e varrmihësve e të magjistricave të tragjedive të Shekspirit.

Pamjet e Luftës së Ftohtë, mjerisht po rishfaqen sërish mbi qiellin e Europës, si metastazat e kancerit. Situata në rajonin e Ballkanit po karakterizohet nga tensione të vazhdueshme në rritje e sipër. Po shpalosen idetë të cilat i kanë shkaktuar të gjitha luftërat dhe tragjeditë në Ballkan, idetë për shkëmbimin e territoreve!? E në Bruksel, po rishfaqet sërish buzëqeshja enigmatike e Mona Lizës!

Zonja e nderuar Federika Mogerini, Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, e njëkohësisht edhe bashkatdhetarja e Xhuzepe Mazinit (ideologut të Italisë së bashkuar) si dhe e Xhuzepe Garibaldit (e luftëtarit të paepur për Italinë e bashkuar), po shtron dreka dhe darka në Bruksel, por në Urën e lumit Ibër në Mitrovicë, Serbia po shtron beton dhe hekur!

Kontinenti po rri i ndarë në dy pjesë: Mesjeta në pjesën veriore, dhe ëndrra europiane – në pjesën jugore. Pikërisht, ashtu siç ka shkruar shkrimtari Ismail Kadare për Betejën e Kosovës më 1389, kur “Gadishulli i madh u gdhi Europë, e u nrys Azi!”

Shtetit më të ri në botë, e me moshën e banorëve më të re në Europë, po i vihen barriera vizash, dhe se për ta Europa – kontinenti mëmë, ku ata do të dëshiornin të udhëtonin lirshëm, po bëhet një planet i paarritshëm!

Kosova po kalon sfidat më të rënda që nga shpallja e pavarësisë së saj. Ndonëse, me historinë, me kulturën, me gjuhën dhe me qytetërimin e saj, me historinë dhe me gjeografinë e saj, Kosova është pjesë e Europës, ajo po vihet padrejtësisht në Shtratin e Prokrustit! Kosova po kalon mes Scillës dhe Haridbës, mes kudhrës dhe çekanit! Kosovës sërish po i kërkohet që t’i zhvasin llokma të majme nga toka e saj bujare e gjakut! Pos Urës së ndarë mbi lumin Ibër, po ndahet me një mur përforcues e po betoznizohet edhe më tej ndarja në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës, pa dyshim një barometër i ekuilibrave të paqes jo vetëm në Kosovë por edhe në krejt Ballkanin.

Prandaj, duke përkujtuar paralajmërimin e ish-diplomatit amerikan Riçard Hollbrukut se “Ura e Ibrit është pika më eksplozive në Europë”, shtrojmë pyetjen: Vallë, çfarë do të bënte Europa, sikur ndonjëri nga qytetet europiane të ndahej me beton dhe me hekur? Vallë çfarë do të bënte Franca, sikur cilado pjesë e urave mbi lumin Sena, të ndahej qoftë edhe me një mur prej trëndafilash?!

Paralajmërimet e diplomatëve amerikanë si Xhorxh Fred Uillimasi, të Xhorxh Kenannit, e të Henri Kisinxherit lidhur me real-politikën, paralajmërimet e shkrimtarit austriak Stefan Cvajg për mititn rus, si dhe të zonjës Edith Durham për ngaterrësat ballkanike, sërish po rezultojnë të kenë qenë të sakta dhe tejet aktuale.

Rrjedhimisht, ëndrra e kahmotshme e Serbisë për të dalë në Detin Adriatik, sikurse edhe ëndrra e përhershme e Rusisë për të dalë në Detin Mesdhe, paraqet sa një obsesion të përhershëm po aq edhe një aventurë të paparashikuar.

Prandaj, nëse vërtet synohet paqja dhe stabiliteti afatgjatë në rajonin e Ballkanit, bashkësia ndërkombëtare duhet ta dijë se ata që historikisht kanë qenë të obsesuar me ide të tilla, nuk janë të përkëdhelurit e fatit, ashtu sikundër nuk janë as shqiptarët, të mallkuarit e historisë!

Rajoni i Ballkanit, më shumë se kurrë ka nevojë për perspektiva të reja, sepse fjala vjen, është paradoksale që në shekullin XXI, bashkatdhetarëve të Gjergj Kastriotit-Skëndërbeut, të Shenjtores Terezë, të Aleksandër Moisiut e të Ismail Kadaresë, të Rexhep Mitrovicës (të Riut) e të Rita Orës, nuk po u lejohet të qarkullojnë lirshëm nëpër Europë, në kontinentin mëmë!

Këtyre bashkatdhetarëve, u janë vënë kushte të cilat nuk u janë vënë askujt tjetër: Demarkacioni i kufiit me Malin e Zi dhe krijimi i Asociacionit të Komunave Serbe!

Pa dyshim se për një gjë të tillë, shkrimtari i madh Nikolai Vasileviç Gogoli, në fund të “Revizorit” e tij, do të shkruante: “S’ka skenë!?…”

Ndërkaq, në ndërkohë një bashkatdhetar tjetër, është ndaluar sipas një fletë-arresti të lëshuar nga Serbia dhe po mbahet peng i paragrafeve të “drejtësisë” serbe, ndonëse dy herë nga drejtësia ndërkombëtare në Hagë, ky bashkatdhetar e ky Hero i Lirisë-Ramush Haradinaj, u shpall i pafajshëm dhe u lirua.

Zonja e nderuar Elisabeth Guigou, Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme të Asamblesë së Përgjithshme të Francës, u përgjigj se arrestimi i zotit Ramush Haradinaj nuk ka dimension politik, por juridik?! Vallë, për çfarë drejtësie mund të bëhet fjalë?! Për drejtësinë e cila thirret në një urdhër të Interpolit bazuar në fletë-arrestin e lëshuar nga Serbia, një shtet që pretendon të hyjë në Bashkimin Europian por që mes tjerash, akoma strehon vrasësit e tre shtatetasve shqiptaro-amerikanë, Vëllezërve Bytyçi?! Një shtet që akoma nuk ua kthen kufomat familjarëve të tyre, ndonëse edhe në mitologjitë antike, përdhosja e kufomës ka qenë e ndaluar, kurse trupat e të vrarëve u janë dhënë familjarëve për t’i varosur. Por kjo e drejtë natyrore dhe themelore për shqiptarët e Kosovës, edhe pse në epokën moderne e në gjrin e Europës, nuk është ende e mundur?!

Nuk është e mundur sepse paragrafet e “drejtësisë” serbe nxjerrin avull nga trupat e djegur të shqiptarëve nëpër furrënaltat e Maçkaticës dhe të Suboticës!

“Drejtësia” e këtillë serbe, nuk ka se si të mos na e kujtojë një përshkrim që Volteri në veprën e tij “Karli i XII-të, Mbreti i Suedisë” i kishte bërë Rusisë cariste të Pjetër Aleksejeviçit (Pjetri i Madh): “Bënin rrëfim, por vetëm kur kryenin krime të rënda: atëherë u dukej e domosdoshme falja e mëkatit, por jo pendimi…Kështu që, pa brejtje ndërgjegjeje, kalonin nga rrëfimi te vjedhja e vrasja.”

“Drejtësia” e këtillë serbe, nuk ka se si të mos na e kujtojë thënien e njohur të poetit anglez Xhon Milton, autorit të kryeveprës “Parajsa e Humbur”, se: “Krimi nuk fillon aty ku derdhet gjaku, por aty ku vritet arsyeja!”

Shkëlqesi,
Apeloj që Franca e Heroinës Zhan D’Ark, Franca e Napoleonit dhe Franca e Dantonit (për të cilin poeti shqiptar Lasgush Poradeci, ka shkruar: “Kur ushtima e topave gjermane dëgjohej në Paris, shokët për ta shpëtuar, i thanë Dantonit: shko në Angli. Dhe ai u përgjigj: po a e marr dot Francën, La douce France, me shuajt e këpucëve të mia? Dhe nuk iku. Dhe u vra, duke e ditur që do të vritej.”), Franca e Lui Pasterit, Franca e vëllezërve Lumiere, Franca e Mishel Montenjit, Franca e Pjer dë Ronsarit (“princi i poetëve”), Franca e Zhan Rasinit, Franca e Pjer Kornejit, Franca e Fransua Mary Arue Volterit (“Njeriut universal të shekullit të vet” “kampionit të tolerancës”, dhe “birit të shekullit të dritës”), Franca e Viktor Hygosë, Franca e Honore de Balzakut, Franca e Zhan Baptist Pokëlen Lily-Molierit, Franca e Aleksandër Dymas, Franca e Zhyl Vernit, Franca e Zherar de Nervalit, Franca e Alfons de Lamartinit, Franca e Zhan Zhak Rusosë, Franca e Emil Zolës, Franca e Gijom Apolinerit, e Franca e Sharl Bodlerit, Franca e Ajnri Bel-Stendalit, Franca e Teofil Gotjesë, Franca e Lui Aragonit, Franca e nobelistëve të saj: Franca e Sally Prudomit, Franca e Anatol Fransit, Franca e Frederik Mistralit, Franca e Romen Rolanit, Franca e Henri Bergsonit, Franca e Rozhe dy Garit, Franca e Fransua Moriakut, Franca e Andrea Zhidit, Franca e Klod Simonit, Franca e Seint-Xhon Persit, Franca e Zhan Pol Startërit, Franca e Albert Kamysë; Franca e Dr. Bernard Benedettit (i cili botës i tha hapur se “në Kosovë ka pasur helmim dhe jo kriza histerike”) dhe Franca e Dr. Bernard Koushnerit, të mos e mbajë edhe më tutje si peng Ramush Haradinajn, si peng të një aktakuze të sajuar dhe të motivuar thellësisht politikisht!

Apeloj dhe shpreh shpresën se Franca moderne, shteti modern francez dhe drejtësia franceze, nuk do të përsërisin atë që Franca e së kaluarës bëri me heroin shqiptar, Themistokli Gërmenjin (kur Këshilli i Luftës së Armatës së Lindjes, me urdhër të gjeneralit Hanri Sal e dënoi me pushkatim në Selanik më 9 nëntor 1917, ndonëse fjalët e fundit të Heroit shqiptar ishin: “Rroftë Franca! Edhe pas vdekje sime, rroftë Franca!”), si dhe me heroin tjetër të kombit shqiptar, Avni Rrustemin (duke e burgosur atë për 6 muaj rrjesht, sepse kishte bërë atentat me 13 qershor 1920 në Paris ndaj tradhtarit me damkë Esad Pashë Toptanit, i cili donte që Serbisë t’i shitej toka e Shqipërisë).

Apeloj, që Franca e Zhan Zhak Rusosë (i cili jo vetëm Francën por edhe gjithë njerëzimin e ftoi që të kthehej nga arsyeja), Franca e Volterit (i cili kur u strehua në Angli, tha se Anglia ishte “një vend i shenjtë bekuar prej Zotit, një tokë ku arsyeja është e lirë”), Franca e Emil Zolës (i cili gjithashtu u strehua në Angli pasi shkroi letrën e famshme: Akuzoj!, drejtuar Presidentit të Francës Felix Fause e duke i bërë thirrje arsyes), si dhe Franca e Romen Rolanit (të cilin me të drejtë shkrimtari i madh austriak Stefan Cvajg e ka quajtur “ndërgjegje morale e Europës”) ta dëgjojë zërin e arsyes dhe jo të aktakuzave të sajuara nga Serbia mbi baza politike kundër Ramush Haradinajt-Alfred Drajfusit të kohës moderne, në ndërkohë që e thënë simbolikisht, Ferdinand Walsin Esterhazy ndodhet në Beograd!

Apeloj, që Franca e Dantonit t’ia kthej Kosovës, Heroin e Lirisë së saj!
Apeloj, që Franca e Sharl de Golit t’ia kthejë Kosovës De Golin e vet!
Apeloj, që Franca ta lirojë Heroin e Lirisë, të paktën për hir të motos së Frederik Mistralit, e cila u bë edhe moto e poetëve provansalë: “Lo souleu me fai canta” (“Dielli më bën të këndoj”).

Apeloj, që Franca ta lirojë Heroin e Lirisë, për hir të mendimit të madh të Viktor Hygosë: “Unë në art jam për të madhen e kundër të voglës, ndërsa në politikë jam për të voglin e kundër të madhit.”, pra në mënyrë të veçantë, Apeloj që Franca ta lirojë Heroin e Lirisë për hir të profecisë së Viktor Hygoit:

Jetojnë vetëm ata që luftojnë, vetëm ata,
që shpirt e mendje mbushur nga një qëllim i kanë, ata,
që fati i ngre të ngjiten në shkëmbinj të thepisun,
që ecin t’munduar e mbërthyer nga një mendim i ndritur,
duke u rrëzëllyer në sy, çdo cast, ditë dhe natë:
o ndonjë mendim i shenjtë, o ndonjë dashuri e lartë.

Apeloj, që Franca ta lirojë Heroin e Lirisë, të paktën për hir të mendimit të shprehur nga albanologu në zë Lui Benloeu (në Dizhon, më 19 mars 1877): “Admironi megjithatë forcën e gjakut që ngadhënjen madje dhe mbi urrejtjen fetare dhe mëson tolerancë për të gjithë anëtarët e së njëjtës racë.”

Apeloj, që Franca ta lirojë Heroin e Lirisë, për hir të Ajkunës shqiptare, Nënës Heroinë-Rukë Haradinaj!

Apeloj, që Franca ta lirojë Heroin e Lirisë, të paktën për hir të Zhan D’Arkës shqiptare, për të cilën gazeta franceze Le Petit Journal, e ditës së dielë, e datës 28 maj 1911, shkruante – për Janica Martinin: “Dhe Zhan d’Arka shqiptare, njëzet e dy vjeçare u vërvit mbi armikun” dhe se “udhëheq operacionte luftarake me guxim të pashoq.”

Apeloj, në mënyrë të veçantë, që drejtësia franceze, ta shkruajë vendimin e saj, ashtu siç u kishte kërkuar ligjvënësve anglezë, poeti i madh romantik anglez Xhorxh Gordon Bajroni, në mbrotje të të drejtave të punëtorëve anglezë, duke thënë: “Dhe shkruajeni drejtësinë tuaj, ashtu siç e shkruanin ligjvënësit e Athinës së lashtë, jo me bojën tuaj, por me ngjyrën e gjakut tuaj!”

Apeloj, që Franca ta lirojë Heroin e Lirisë, për shkak të paqes dhe stabilitetit në rajonin e trazuar nga luftërat e shumta, sepse ta ekstradosh Ramush Haradinajn në Serbi do të thotë që paqen e dalë nga Konferenca e Rambujesë ta dorëzosh në Bastijat e Beogradit, një kryeqytet i cili mu për shkak të faktit se aty janë planifikuar dhe urdhëruar krime të panumërta, ma kujton thënien e njohur të Volterit, se nganjëherë epiteti është armik i emrit.

Apeloj, që Franca ta lirojë Heroin e Lirisë, sepse Franca është ndër shtetet e para e cila e ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës, pavarësinë e shtetit të Heroit të Lirisë, prandaj ta ekstradosh Ramush Haradinajn në duart e shtetit serb, do të thotë ta prangosësh shpresën për paqe në Ballkanin e lodhur nga luftërat dhe nga pellgu i gjakut.

Apeloj, që Franca ta lirojë Heroin e Lirisë, sepse Franca e ka dëshmuar përkushtimin e saj për Europën e Bashkuar, prandaj ta ekstradosh Ramush Haradinajn në Serbi do të thotë ta ekstradosh njërën prej pjesëve më vitale të Europës së Bashkuar: paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit.

Apeloj, që Franca ta lirojë Heroin e Lirisë, sepse ta ekstradosh Ramush Haradinajn në Serbi, do të thotë që ta mohosh luftën që ka bërë ai jo vetëm në mbrojtje të lirisë dhe të pavarësisë së atdheut të tij, por në radhë të parë, në mbrojtje të qytetërimit dhe vlerave euro-perëndimore, kundë dhunuesve të këtyre vlerave.

Apeloj, që Franca ta lirojë Heroin e Lirisë, sepse ta ekstradosh Ramush Hardinajn në Serbi do të thotë ta hapësh Kutinë e Pandorës në Ballkan, do të thotë të hapësh rrugë për tragjedi të reja, tragjedi jo si “Andromaka” e Rasinit, por tragjedi ku për protagoniste shumë më e dhembshme se sa Andromaka sërish do të ishte Paqja, Paqja aq shumë e dëshiruar, dhe e arritur me aq shumë sakrifica, mund e investime nga bashkësia ndërkombëtare!

Apeloj, që Franca ta lirojë Heroin e Lirisë, sepse ta ekstradosh Ramush Haradinajn në Serbi do të thotë se tensionet e shfaqura mbi qiellin e ngrysur të Ballkanit, mund të marrin flakë e të përhapen me shpejtësinë e erërarve, pikërisht ashtu siç ka ndodhur në tragjeditë antike të Euripidit (“Ifigjenia në Aulidë” dhe “Ifigjenia në Tauridë”); do të thotë të mohosh shfaqjen e një rreziku potencial për një rajon të tërë, në të cilin pa dyshim se tragjeditë e përjetuara me detëra vuajtjesh dhe me male kufomash, i tejkalojnë tragjeditë e shkruara, madje shumëfish!

Apeloj, që Franca ta lirojë Heroin e Lirisë, sepse ta ekstradosh Ramush Haradinajn në Serbi, do të thotë ta ekspozosh para një padrejtësie të paprecedent jo vetëm fatin individual të Heroit të Lirisë, por edhe fatin kolektiv të kombit të tij!

Shkëlqesi,
Duke lexuar fjalën prezentuese për laureatin e parë të Çmimit Nobel për Letërsi – shkrimtarin francez Salli Prudom (Rene François Armand Prudhomme), C. D. Wirsen, Sekretar i Përhershëm i Akademisë Suedeze, më 10 dhjetor 1901, e quajti letërsinë “lulja më e bukur e qytetërimit, mbase më e bukura”, e ku nuk ka dyshim se letërsia franceze zë një vend ballor.

Nderimin që Alfons de Lamartini i bëri shkrimtarit arbëresh Jeronim de Radës, e njëkohësisht edhe letërsisë sonë, duke i shkruar më 1844 se: “Poezia ka ardhur nga brigjet tuaja dhe duhet të kthehet aty. Nuk kam pasur meritë tjetër veç asaj që e kam parandjerë, duke bërë urimet paraprake për lirinë dhe ringjalljen e Shqipërisë.”, nderimin që shprehu Lui Benloeu për De Radën, duke i shkruar nga Parisi më 1 shkurt 1881: “Pres ditën t’ju shtrëngoj dorën”, si dhe nderimin që i bëri Frederik Mistrali Jeronim De Radës, këtij pararendësi të madh të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, duke i shkruar më 16 maj 1885, se: “Krijimet tuaja plot hijeshi, freski e qetësi ungjillore” janë “tablo plot shije që kanë parfumin e idileve biblike”, Ju e çuat më tej.

Duke nderuar shkrimtarin e madh shqiptar Ismail Kadare me titullin “Komandant i Legjionit të Nderit”, Ju nderuat letërsinë dhe kulturën shqiptare, Ju nderuat kombin shqiptar, për çka ky komb dhe kjo kulturë, shpreh respektin dhe mirënjohjen më të thellë.

Ky nderim, kaq i veçantë dhe kaq domethënës, filloi mes tjerash, me vlerësimin e madh që Robert Eskarpit, eseist e shkrimtar i shquar, Kalorës i Legjionit të Nderit, i bëri shkrimtarit tonë të madh si dhe atdheut tonë: “Çdo vend ka të paktën dy fytyra, atë të legjendës dhe atë të vërtetësisë. Shqipëria ka fytyrën që i japin sytë që e vështrojnë, por kjo fytyrë është përherë edhe vërtetësi, edhe legjendë. Jep përherë pak më tepër, shumë më tepër se ç’i kërkohet.” (Një shqiptar përmban gjithë Shqipërinë), me vlerësimin që i bëri Alan Boske letërsisë shqipe, duke shkruar se: “Shpirti i Shqipërisë gjendet në poezitë e saj.”, si dhe me vlerësimin që bëri Erik Faye, i cili duke shkruar për veprën e Kadaresë “Daullet e Shiut”, në librin e tij “Ismail Kadare, Promete zjarrsjellës” me të drejtë tha se: “Pikat e shiut bëhen personazhe kryesorë në fillim të kronikës.”

Shkëlqesi,
Një shkrimtar tjetër i madh francez – Anatol Frans, në Fjalën e tij në banketin e Nobelit, në Grand Hotel të Stokholmit, më 10 dhjetor 1921, mes tjerash tha:

“Mbase do të më lejohet të them se, sipas mendimit tim, ju keni nderuar tek Brantingu, një burrështetas të pasionuar për drejtësi. Ah, sikur fatet e popujve të ishin udhëhequr nga burra të tillë. Edhe lufta më e tmerrshme është pasuar me marrëveshje paqësore që nuk ka qenë marrëveshje paqeje, por vazhdim i luftës. Nëse logjika e shëndoshë më në fund nuk gjen vendin e vet në dhomat e Këshillit të Ministrave, Europa do të shkatërrohet. Nëse njeriu nuk mund të shpresojë me arsye të mirë për triumfin e bashkimit dhe harmonisë midis vendeve të Europës, do të dëshiroja, tek e fundja, të besoja, zotërinj, se nën ndikimin e njerëzve trima, të drejtë dhe besnikë, si ju, se vullneti i mirë nganjëherë ngadhënjen.”

Shkëlqesi,
Apeloj që vullneti i mirë të ngadhënjen dhe që Franca ta lirojë Heroin e Lirisë, sepse të lirosh nga prangat e padrejtësisë një Hero të Lirisë, do të thotë të nderosh gjakimin shekullor që ka bërë një komb nga më të lashtët e Gadishullit të Ballkanit për lirinë dhe pavarësinë e tij.

Apeloj, që Franca ta lirojë Heroin e Lirisë, sepse jo gjithkujt historia e njerëzimit mund t’ia japë një privilegj të tillë të dyfishtë, privilegjin për të nderuar një shkrimtar, një Promethe zjarrsjellës – në Universin e Letërsisë, dhe privilegjin për të liruar edhe një Promethe tjetër – në Universin e Lirisë, prandaj të nderosh lirinë e një kombi do të thotë të nderosh vetë lirinë e njerëzimit.

Me shpresën se fjalët lapidare të Anatol Fransit do të vlejnë si për burrështetasit (që priren nga vullneti jo vetëm për ta bërë por edhe për ta ruajtur paqen në Europë), ashtu edhe për njerëzit trima, për njerëzit trima të lirisë por gjithsesi edhe për njerëzit trima të drejtësisë, dhe se duke qenë njëkohësisht ithtar i parimit të madh të filozofit gjenial gjerman Imanuel Kantit për Paqen e Përjetshme, jo vetëm në Europë – në Kontinentin Mëmë të Lirisë dhe të Arteve, por edhe në gjithë botën, kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë, që të lus Shkëlqesinë Tuaj, që të pranonin shprehjen e konsideratave më të larta, me të cilat kam nderin të jem,

Xhemail Peci
Shkrimtar
5 shkurt 2017
Republika e Letrave Shqipe