Së bashku në Kishën Shqiptare në Romë

0
1090
Papa Francesco - Vatikan

Dergoi për publikim Gjin Musa, gazetar.

Në Kishën “San Giovanni della Malva in Trastevere” (Shën Gjoni i Malvës) në Romë, pas meshës në gjuhën shqipe të mbajtur nga i ftuari, ipeshkvi maltez, me mision në Tiranë, Georg Frendo, ku kumbuan dhe këngët kishtare shqip, të shoqëruara me organo dhe kitarë, salla e mbushur plot me shqiptarë, arbëreshë dhe italianë ndoqi veprimtarinë kulturore të organizuar nga Ambasada e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë dhe Urdhërit të Maltës në nderim të një vjetorit të vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri dhe të 12 vjetorit të lumturimit ë Nënë Terezës. Në krye ishin vendosur flamujt e mëdhenj, ai shqiptar dhe pranë tij ai i Vatikanit.

Të pranishmit ishin të moshave të ndryshme dhe të profesioneve të ndryshme, të rinj studentë, fëmijë dhe të moshuar, profesorë, gazetarë, motra të Nënë Terezës, nga Sant Egidio, drejtues shoqatash, diplomatë nga amabasadat e Shqipërisë dhe të Kosovës në Romë, etj. Takimin e hapi rektori i kishave shqiptare në Itali, Don Pasquale Ferraro dhe e monitoroi Don Gjovalin Sukaj. Për vizitën e Papa Françeskut në Tiranë të një viti më parë foli gazetarja e Radio-Vatikanit, Klaudja Bumçi, e cila pati fatin, siç tha dhe vetë, ta ndiqte nga afër, të ishte pjesë e kësaj vizite. Shenjtëria e tij do ta kujtonte vazhdimisht këtë vizitë, të parën në Europë, pra aq sa la mbresa, po aq dhe mori…

Për Nënë Terezën në vitin e 12-të të lumturimit të saj, mbajti kumtesën I Ngarkuari me Punë i Ambasadës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, Visar Zhiti. Gruan më të njohur të planetit, misionaren e dashurisë për më të varfërit e më të varfërve të botës, e nxori nga gjiri i vet populli shqiptar dhe bëmat e saj, porositë, misioni vazhdimisht sjellin dritë dhe paqe, u theksua në kumtesë. I shoqëruar nga meloditë e violinës së Tonin Xhanxhafilit, aktori i njohur i teatrit dhe kinemasë shqiptare Mirush Kabashi interpretoi një kolazh me thënie e porosi të Papa Françeskut në Tiranë dhe nga lutjet-poezi të Nënë Terezës me dashurinë për vendin.

Kur u arrit në himnizimin e shqiponjës në Flamurin Kombëtar e të popullit shqiptar nga Shenjtëria e Tij, si popull martir e me qendresë, “shqiponja shkon lart, por nuk e harron folenë… mos i harroni plagët…”, kumbonte zëri në kishë, të pranishmit në sallë u ngritën në këmbë me duartrokitje e brohërima për atdheun. Në fund të gjithë së bashku kaluan pranë tryezave me gatime shqiptare, petulla, byrek, ëmbëlsira, etj, të sjella nga Ambasada e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë dhe nga familjet e veprimtarëve të Kishës së “Shën Gjonit”. Të pranishmit shprehnin kënaqësinë që u mblodhën kaq shumë së bashku, teksa në bisedat e tyre shpalosnin mall dhe krenari për vendin dhe për personalitetet që ka nxjerrë, për virtytet si popull…