NDIKIMI I FOLKLORIT NË LIRIKËN E ZEF SEREMBES

0
2255

Përgatiti prof. Zymer Mehani

Lidhjet e poezisë së Zef Serembes me poezinë popullore janë më të gjera dhe më të shumëllojshme se që janë lidhjet e dëshmuara përmes melodisë si zotëruese e në sërë vjershash të tij. Në krijimtarinë e tij nuk janë të pakta vargjet që lidhjet me këngët popullore i dëshmojnë në radhë të parë me situatat e paraqitura.

Kështu, p.sh., e ngjashme në tërësi me situatat e kënduara në këngët popullore është situata e kënduar në vjershën “Për lirinë e Venetisë” kur burrat kthehen nga lufta, kurse vajzat u hidhnin lule prej ballkonesh:

Edhe vashat lozonjare
vënë perdet në dritare
në katund të armatosur
Shtjemë kuajt e krekosur.
Nga dritaret çdo kopile
Na hedh neve trëndafile…

Prej këtyre vargjeve mund të shihet se si lirizmi i theksuar në vjershat e Zef Serembes, shpesh është një lloj lirizëm i halëzuar, ashtu sikundër është aq shpesh i kallëzuar lirizmi edhe në vargjet popullore.

‟Artin e Serembes e dallon një spontanitet i veçantë që lidhet me ndikimin e thellë krijues të poetit nga folklori dhe që i ka dhënë freskinë të pakrahasueshme lirikës së tij.‟ Në vargjet e vjershës “Kënkë malli”, përmes shprehjesh të spikatshme lirike, Zef Serembe tregon për vajzën e dashur duke i theksuar mallin dhe dhembjen që ndien për të. Megjithëse për nga ndërtimi i rrokjeve nuk janë vargje karakteristike për poezinë popullore, me lirizmin e tyre të kallëzuar ato, pothuaj e përkujtojnë poezinë popullore.

Në përgjithësi lidhjet e vargjeve të Zef Serembes me vargjet popullore janë aq të ngushta, aq të nduarduarshme, më në fund aq thelbësore, sa që duket se bota e paraqitur prej tij në pjesën më të madhe të rasteve është një botë, përvetësimin e së cilës e përcaktojnë plotësisht botëkuptimi dhe ndjeshmëria, që e cilësojnë poezinë popullore.

Vargjet e Zef Serembes u përafrohen vargjeve popullore, sidomos me epitetet, me krahasimet, me metaforat dhe, më në fund me simbolet e përdorura. Sikundër këngëtarët popullorë dhe Zef Serembe thotë se vajza që dashuron është me shall, buzëkorale, syzezë, flokëgjatë e të tjera: ose: e bardhë si bora, ecën sorkadhe, e lehtë si flutur, ka faqet si mollë, syrin e zi etj., të ngjashme.

Porsi këngëtarët popullorë edhe ai do të thotë se burrat, në luftë lëshohen si rrufeja, kurse goditjet e tyre bien si breshëri.
Imagjinatën popullore ai e përkujton edhe me metaforat që krijon.

Kështu, fjala vjen, porsi këngëtarët popullorë për vajzën që dashuron do të thotë se është mollë e ëmbël, ose gozhdë ari, kurse për burrin trim, në këtë mes për Garibaldin, se është trim me fletë.

Me ndryshim prej bashkëkohësve të tij, Naim Frashërit dhe, sidomos, Ndre Mjedjes, që përdorin më tepër simbole, Zef Serembe nuk është poeti i simboleve e aq më pak poet që kërkon simbole të rralla. Vargjet e tij nuk mund të quhen vargje që për nga ndërtimi imitojnë vargjet popullore për arsye se në kornizën e rrokjeve me prejardhje folklorike sjellin lëvizje të reja ritmike.

As për nga ndërtimi figurativ vargjet e tij nuk mund të quhen vargje që imitojnë vargjet popullore për arsye se me figura të prejardhjes folklorike sjellin parafytyrime, situata, ndjenja dhe vendime të përshkruara prej një ndjeshmërie të re për kohën në të cilën shkruhen. Përvoja poetike popullore e shprehur në vargjet e Zef Serembes është një përvojë e vënë në shërbimin e përpjekjeve për një shprehje të natyrshme, të thjeshtë, të qartë, kumtuse dhe të ngjyrosur emocionalisht si edhe në poezinë popullore.

Për këtë arsye mund të thuhet se përvoja krijuese popullore, e shprehur në vjershat e Zef Serembes, nuk i detyrohet imitimit të përvojës së krijuesit popullor, por pikënisjes së njëjtë krijuese të të dyve.

Për traditën poetike popullore Zef Serembe do të interesohet gjatë gjithë jetës. Lidhjet e krijimtarisë së tij poetike me krijimtarinë poetike popullore, ndërkaq, janë më të dukshme në vjershat, që shkruan para mërgimit të parë në Amerikë, se sa në vjershat e mëvonshme, që shkruan pas kthimit prej mërgimit.

VEÇORI DHE KARAKTERISTIKA TË LIRIKËS SË SEREMBES

Serembe e kapërceu arkaizmin në formë e në gjuhë, që karakterizohet me letërsinë arbëreshe para tij. Disa nga elementet që përdori poeti, në krijimtarinë e tij janë: ideja patriotike dhe demokratike, motivet e dhembjes e të dëshpërimit nga fatkeqësia e jetës personale e vetë poetit, motive i vetmisë…

Poezia e Serembes hapi një udhë të re, të palëruar në letërsinë arbëreshe, edhe në trajtimin e temës së dashurisë.

Poezia e tij është pasqyra e kontradiktave, poezi e revoltës spontane kundër shoqërisë. Krijimtaria poetike e Serembes karakterizohet nga spontaniteti, i cili shkrihet me një origjinalitet të tematikës, problematikës dhe formave. Serembe gjeti shprehje edhe në stilin patetiko-oratorik, për lirikën patriotike, motivet e zhgënjimit, të vetmisë, konflikti me shoqërinë, gjeti shprehje në stilin lirik-introspekiv, i cili harmonizohet më thellë me veçoritë e individualitetit krijues të poetit. Karakteristikë për të është edhe thellimi psikologjik.

Intospeksioni është një element i ri në letërsinë arbëreshe dhe pikërisht ky element është karakteristik për erotikën e Serembes. Ai e lëvroi elegjinë dhe tingëllimën, ndërsa lirizmi është tipari themelor i poezisë së tij. Serembe e kapërceu arkaizmin në formë e në gjuhë, që karakterizohet me letërsinë arbëreshe para tij. Disa nga elementet që përdori poeti, në krijimtarinë e tij janë: ideja patriotike dhe demokratike, motivet e dhembjes e të dëshpërimit nga fatkeqësia e jetës personale e vetë poetit, motive i vetmisë…

Poezia e tij dallohet me: motivet e pakënaqësisë dhe të revoltës; figuracionin e pasur dhe spontan, muzikalitetin dhe larminë, pasurinë ritmike të vargut; ndjenjën e deziluzinoit nga jeta, që jo gjithmonë vishet me pesimizëm.

Megjithatë, në poezinë e tij ka edhe nota optimiste. Madje shumë shkrimtarë e quajnë poezinë e tij poezi të kontrastit. Kontrasti është figura më e fuqishme poetike.“Vlera më e madhe e vargut dhe lirikës së Serembes është ngrohtësia e ndjenjës së ndërthurur në të”.“Në një forcë të rrallë kontrastin e vë ballë për ballë të kaluarën me të sotmen”. Ndaj dhe prirja e tij për antitezat, shpjegohet me natyrën e romantizmit të tij, ku janë të shpeshta kontradiktat.

Krijimtaria e Serembes përfaqëson një etapë të veçantë, një moment të ri në zhvillimin e letërsisë arbëreshe. Ajo përbën një fenomen origjinal në gjirin e romantizmit. Individualiteti krijues i Serembes dallohet për forcën përshkruese, si në vizatimin e portreteve, ashtu dhe në përshkrimin e peizazheve. Portretet e tij kanë një plasticitet të veçantë, ndërsa peizazhet kanë një ngjyrim të theksuar emocional. Ai shquhet për dinamikën e pasqyrimit të realitetit.

Në poezinë e tij dallojmë shtatë dhe njëmbëdhjetërrokshin në strofa gjashtëshe dhe tetëshe. Serembe merr nga folklori arbëresh ndjenjën, figurën, si dhe motive, duke e shmangur pak a shumë përdorimin e vargut popullor. Serembe është poet i dhimbjes individuale, poet i sëmurë e pesimist, ku brendinë e krijimit e formojnë përjetimet e veta shpirtërore. Poezia është absolute, kurse leximi dhe interpretimi është gjithnjë relativ. Krahasimi i vjershave të tij me vjershat e romantikëve tanë tregon se ai është një poet i vetvetishëm, i natyrshëm, i cili kryesisht shkruan që të shpreh botën e vet, e jo që të krijojë botë të re.

Zef Serembe do të kultivojë një trajtë të re poetike, që vetë e quan këngë elegji, vjersha shqipe dhe tingëllima, si dhe vjershën-rrëfim, vjershën-bashkëbisedim (nënkuptohet këtu, bashkëbisedimi i brendshëm; një trajtë e tillë realizohet ndërmjet subjektit poetik dhe subjektit të paramenduar) e vjershën-portret. Serembe, ndryshe nga poetët e tjerë romantikë evropianë, i shmanget ndërtimit të vjershave me subjekt.

Përshtypjet dhe pamjet ndërtohen mbi temën e dashurisë, mbi temën e atdheut dhe mbi temën e mendimit. Disa vjersha Serembe i krijoi në procesin e këngës, siç janë: “Kënga e mallit të parë”, “Malli”, “Këngëtari dhe bilbili”. Bota poetike e Serembes shpeshherë shëmbëllen me botën poetike të poetëve të mëdhenj romantikë, si Petrarkës, Aligerit e Leopardit. Të gjithë këto emra të mëdhenj kanë shërbyer si burim frymëzimi për Seremben.

Kështu, idealizmin e dashurisë dhe qëndrimin ndaj gruas e huazoi nga Aligeri, jetëshkrimin e tij si njeri dhe si poet tragjik e huazoi nga Petrarka, ndërsa dhimbjen e pikëllimin mendor nga Leopardi.

Poezia e Serembes tregon lidhje e ngjashmëri edhe me poezinë franceze. Poezia “Kujtim” ta përkujton vjershën “Liqeni” të Lamartinit. Ai ka ngjashmëri edhe me poezinë e Korneut, si dhe me poezinë e Bajronit.