15 futbollistë me rrënjë shqiptare në superligën zvicerane

0
1560

Bazuar në statistikat e klubeve edhe në këtë Kampionat për ekipet më të mira të Zvicrës, me gjasa të mëdha për të luajtur në njëmbëdhjetëshin e parë janë pesëmbëdhjetë futbollistë me origjinë shqiptare.

Pas një pushimi prej gati dy muajsh sot dhe nesër dhjetë skuadrat më të mira të Raiffeisen Super League të Zvicrës, nisin edicionin pranveror të Kampionatit të 36-të në futboll.

Taulant Xhaka

FC Basel 1893 kampion i shumëfishtë i këtij vendi edhe këtë vit ka gjasa reale që të përsërisë sukseset e shënuara të viteve të më hershme. Aktualisht kjo skuadër me nam ka arritur të krijojë 12 pikë epërsi ndaj skuadrës së plasuar në vendin e dytë BSC Young Boys.

Në dhjetë vjetët e fundit jemi mësuar që në radhët e FC Basel 1893 të shohim të paktën tre-katër futbollistë me origjinë shqiptare. Kësaj radhe ka të ngjarë të jetë më ndryshe sepse në njëmbëdhjetëshin e kësaj skuadre si duket nga shqiptaro-zviceranët do të jetë i aktivizuar vetëm Taulant Xhaka.

Taulant Seferi

BSC Young Boys i Bernës, do të bëjë përpjekje maksimale që kampionatin ta përfundojë si nënkampion. Shpresojmë që pas sanimit të një lëndimi të gjatë dhe serioz dijet e tij para simpatizuesve të shumtë të BSC Young Boys, është koha që t’i tregojë edhe i riu mjaft perspektiv nga Kumanova e Maqedonisë, Taulant Seferi.

FC Sion edhe pse gjatë këtij mini- afati kalimtar ka mbetur pa dhjetë futbollistë cilësorë prapë ka potencial të mjaftueshëm për të luftuar për një nga vendet që çojnë në Ligat e Kampionatit evropian.

Skuadra e Luzern-it e gjendur në vendin e katërt me gjithsej 29 pikë të arkëtuara do të ishte tejet e kënaqur sikur fundi i kampionatit ta gjente në këtë pozitë.

Me gjithë paralajmërimet se mesfushori shqiptar i kësaj ekipe Jahmir Hyka, do të kalojë përtej Atlantikut, tani për tani nuk ka asgjë konkrete. Sipas të gjitha gjasave Hyka, do të mbetet tek FC Luzern, së paku deri në përfundim të këtij sezoni..

Jahmir Hyka

Hekuran Kryeziu

Lojtari tjetër me origjinë shqiptare në këtë skuadër Hekuran Kryeziu, i aktivizuar në 15 ndeshje duhet të punojë më me shumë seriozitet, në mënyrë që t’i krijojë vetes vend në ekipin e parë, ngase konkurrencën në pozitën që ai luan e ka shtuar dukshëm ardhja e Qëndrim Kamberajt, nga ekipi i juniorëve. Njohësit e futbollit Kamberajn 18 vjeçar e vlerësojnë si një talent të rrallë.

FC Grasshopper po vërehet se sivjet nuk është as hija e atij të dikurshmit.

Kjo skuadër e Cyrihut në të kaluarën ka dhënë shumë futbollistë cilësorë dhe çdoherë ua ka prishur llogaritë ekipeve të konsideruara si favorite. Qëkur nga ky ekip janë larguar sulmuesit e shkathtë dhe energjik Shani Tarashaj dhe Florian Kamberaj, reparti i sulmit ka shënuar rënie të ndjeshme.

Mirëpo trajneri i FC Grasshopper, Pierluigi Tami, si njëri nga strategët më të mirë të futbollit në Zvicër, do të arrijë që me tri-katër përtëritjet e reja ta stabilizojë skuadrën duke e ngjitur në pjesën e sipërme të tabelës së klasifikimit.

Alban Pnishi

Nedim Bajrami

Përveç mbrojtësit Alban Pnishi dhe sulmuesit Mërgim Brahimi, që të shumtën e herëve janë titullarë në FC Grasshopper, gjasa për të qenë me më të mirët e kësaj skuadre kanë edhe kadetët me prejardhje shqiptare Nedim Bajrami, Arjan Qollaku dhe Granit Haliti, të formuar brenda këtij klubi të njohur.

FC ST. Gallen me vetëm pesë pikë më tepër se i fundit FC Vaduz, nuk mund ta ndjejë veten edhe aq rehat, kur dihet se nga radhët e tij këto ditë janë larguar pesë-gjashtë futbollistë.

Në mesin e të larguarve është edhe sulmuesi Albert Bunjaku, i cili ka kaluar në skuadrën FC. Erzgebirge Aue, anëtare e Bundesligës së Dytë gjermane.

Albian Ajeti

Suksesi i FC St. Gallen gjatë këtij stinori do të varet shumë nga disponimi për lojë i sulmuesit Albian Ajeti, i cili gjatë vjeshtës tregoi formë të shkëlqyer.

Ai deri me tani ka shënuar pesë gola, dhe si takim i paharruar për te do t’i mbetet ai ndërmjet FC St. Gallen –FC Sion 2:1 .

Në minutat shtesë të lojës Ajeti pati përmbysur rezultatin me shënim të dyfishtë duke i sjellë skuadrës së tij tre pikë të çmuara.

FC Lugano si skuadër e vetme e Zvicrës, italiane në këtë rang garash gjithçka do të orientojë në luftë për mbijetesë. Zaten kjo edhe ka bërë që në krye të ekipit të angazhohet trajneri Paolo Tramezzani , ish ndihmës selektori në kombëtaren e Shqipërisë.

Armando Sadiku

Shpresat e kësaj ekipe për mbetje në këtë Ligë, shtohen edhe më tepër kur dihet se gjatë këtyre ditëve në FC Lugano, ka kaluar edhe reprezentuesi i spikatur i Shqipërisë, Armando Sadiku,.

Sadiku i ambientuar me atmosferën e krijuar nga tiçinezët tek FC Lugano, është huazuar nga FC. Zurich vetëm për gjashtë muaj.

Në FC Lugano Sadiku do të ketë mundësi që të krijojë tandem të rrezikshëm me bashkombësin e tij Ezgjan Alioski .

Falë lojës së bukur të Alioskit , dhe shënimit të nëntë golave nga ana e tij FC Lugano, ka ruajtur shpresat për të vazhduar shoqërimin me dhjetë ekipet elitare të Zvicrës.

Ezgjan Alioski

Nëse Ezgjan Alioski ruan formën e deritashme jemi të sigurt se me të përfunduar kampionati zviceran, ai do të marrë oferta të shumta nga klube të njohura të Spanjës, Anglisë, Gjermanisë dhe Italisë.

Për tri skuadrat e renditura në pjesën e poshtme të tabelës nuk mund të prognozohet diçka konkrete dhe e saktë. Sheshazi vërehet që FC. Vaduz, FC. Lausanne dhe FC. Thun, janë me cilësi të përafërta.

Albion Ajeti

Andaj, këto tri ekipe duhet të tregohen të vëmendshme në çdo përballje me kundërshtarët e tyre të radhës ,sepse çdo dështim mund t’u sjellë të papritura.

Duhet përkujtuar lexuesve tanë të nderuar se tek FC Lausanne në pozitën e mbrojtësit të djathtë luan Benjamin Kollolli, njëherësh ai këtë pozitë e ushtron edhe në përfaqësuesen e Kosovës.

Në anën tjetër Albion Avdiaj, po ashtu i natyralizuar në Zvicër po hyn në vitin e dytë të qëndrimit të tij tek FC Vaduz, i Principatës së Lihtenshtajnit .

Avdijaj 23 vjeç gjatë sezonit vjeshtor ka qenë i angazhuar në radhët e FC Vaduz vetëm pesë herë.

A ka qenë jashtë formës së duhur apo ka pësuar ndonjë lëndim nuk dimë.

Prandaj derisa nuk kemi mundur të kontaktojmë drejtpërsëdrejti me këtë lojtar çfarëdo që të thuhet më tepër rreth tij konsiderohet si spekulim.

Bazuar në statistikat e ofruara nga autoritetet zyrtare të klubeve të cituara edhe në këtë Kampionat për ekipet më të mira të Zvicrës, me gjasa të mëdha për të luajtur në njëmbëdhjetëshin e parë janë edhe pesëmbëdhjetë futbollistë me origjinë shqiptare.

Ky fakt na bën që me këta të rinj të ndihemi të lumtur dhe krenarë të gjithë !

E, pa asnjë mëdyshje dihet që Zvicra ,është më e merituara për aftësimin e këtyre talenteve, që në një të ardhme me të drejtë mund të llogariten edhe si zëvendësim i denjë i Xherdan Shaqirit , Granit Xhakës, Blerim Xhemailit, Admir Mehmedit , Valon Behramit etj.