Me poetin Tonin Nikolli

0
874
Tonin Nikolli

Tonin Nikolli

HIJA E VETES TIME

Në hise të diellit tim,
mbi një pëllëmbë tokë të ëmbël,
kam lënë harruar,
hijen time,
fosil ëndrre…
Në përmasa të gjyshit,
formë të babës,
në buzëqeshje të Dadës,
në lavdi të fisit…
E përshurrin qentë,
e përpushin përditë,
pulat e rrugës
Dikush,
egër gërmon,
prej vendit ta shkulë…
Pa ditur,
se hija ime,
është prej diellit.
prej dashurisë,
që më lindi
e më bëri burrë…
Sot,
jam hija e vetes time,
kopja e saj,
ikës nëpër botë….
Origjinalja,
fosil ka mbetur,
ngulur thellë,
Gjadrit tim,
në tokë…
Pirografi malli,
gërryer,
bërë gropë…

PIKA E VLIMIT

S’kena si me u dashte ma!
Kemi mrri n’pikën ma t’vlueme t’dashnisë.
Ma përtej,
edhe vetë zoti….
… e prishë

MBRËMË…

Ishtë mjegull mbrëmë, gjithkund.
Rridhnin strehët pik,pik.pik…
Asnjë valë t’na lidhte s’mund,
në distancën, që bën…frikë…
Qielli ndarë ishte në dysh,
si një hënë këputur në mes…
Ndrinte pritja ndezur sysh,
nxinte mosardhja, për dreq…
Ishte terr, mbrëmë, ishte terr.
Dritat fikur, gjithandej…
Horizontit sytë i shterr,
fjalë nate të përkthej…
Por së largu, tek kufinjtë,
vënë për trill, pakuptuar,
vajshëm tingëllonin fyejtë,
melodi të përmalluar…
Ishte mjegull, mbrëmë, e dendur,
mbyta sytë hapësirës hirtë…
Si një zog, tejet i trembur,
kur folenë ia rrëzojnë stuhitë…

DEGRADIM

Në ngatërrim datash,
emocionet shterrin,
si vijë uji në verë,
hapur në tokë
ranore…
Nihilizmi shpirtëror,
then brigjet,
në ndajshtime thinjash
foljore…
Gjuha e thartuar,
thërmon,
vret…
…si uthulla,
veç,
thyen enën
e vet…

Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar