SHKRIM PËR LULËKUQEN E KOSOVËS, DËSHMOREN E KOMBIT YLFETE HUMOLLI

0
2155
Ylfete Humolli

Me rastin e përvjetorit të rënies

Shkruan Zymer MEHANI

Sot 27 vjet më parë iu fik jeta nga makineria vrastare policoro-ushtarake serbo-jugosllave, dëshmores së kombit, Ylfete Humolli. I vetmi faj i Ylfetes, si i gjithë popullit tonë në përgjithësi ishte, pse ajo dhe ne ishim shqiptarë dhe pse Ylfetja dhe populli ynë kërkonin Lirinë e Kombit tonë.

Në këtë botë nuk ka njësi matëse për ta peshuar rënien për liri? Ylfetja u lind dhe u mëkua nga prindërit e saj me heroizmin, urtësinë, edukatën familjare e atdhedashurinë e përcjellë brez pas brezi.

E ne poetët ndjehemi të priviligjuar dhe të veçantë, ndjehemi ndryshe, kur flasim për njerëzit siç ishe ti, Dëshmore Ylfete Humolli. Ishe një vashë e re, përplot guxim atdhetar, që koha do të të mbajë mend, do të kujtohesh si dëshmore, që u flijove për lirinë e atdheut. U linde në një familje nga e cila gjithmonë buroi patriotizmi.U rrite në frymë atdhedashurie.

Të dërgoi Zoti pikërisht për kohën kur Kosova kishte shumë nevojë për njerëz si Ju. Ti vazhdove një amanet të nisur vite e shekuj më parë, amanetin për mbrojtjen e të drejtave të një populli. Ne poetët dhe artistët do të flasim për ty Ylfete Humolli, do të shkruajmë për ty, ashtu si flitet e shkruhet për njerëzit e mëdhenj. E dimë që për ty nuk mjafton as fjala, as piktura as poezia, as romani.

Por, se do të mbetesh krenaria e e Kombit ndër shekuj, nuk ka dyshim.

Lavdi Dëshmores Ylfete Humolli!
Lavdi atyre që ranë për liri!

1.
KËNGË PËR YLFETEN

(Motiv popullor)

– A e dini çfarë ka ngjarë?
Një vashë t’re e paskan vrarë!
E kanë vrarë armiqtë e zi,
Se kërkonte barazi.
Krisi pushka, ushtoi mali,
Zogu i Shqipes këngën e ndali!
Se Ylfeten plumbat kanë rrokë,
E kanë shtri trimen përtokë.
Moj Ylfete, Shqipe Mali,
Kishe pasur zemër djali,
Se kërkove porsi burri
Që i lirë t’valojë flamuri!
Moj Ylfete, ndrit si rrezja,
Në çdo zemër Ti ke hy,
Heroinë si Ganimetja
Do të mbetesh n’histori.
Gra e burra, pleq e t’ri
E kujtojnë me krenari,
E kujtojnë Ylfete Humollin,
Që me gjak e skuqi trollin.

2.
KRENARIA E LLAPIT…

(YLFETES)

Krenari e Llapit…
Dhe e tërë Kosovës
Përjetësisht ke mbetur
O bijë i Nënëlokes
Ylfete, s’ke vdekur
Je prore e gjallë
Krenarë i përulemi
Tëndit lapidar
Lumë nëna që t’lindi
Lumë Atdheu që t’pat
N’ Flamur u lartësove
Lart edhe më lart
Lapidari Yt
Qëndron madhështor
E stolis Flamuri
Lulet me kurorë
Në krahët e Shqipes
Emrin Tënd ta shkruajmë
Nderim dhe respekt
Përherë për ty ruajmë
T’qoftë lavdi, o trime
Ty o bijë shqiptari
Mos t’u harroftë emri
Kurrë, moj Shqipe Mali

3.
NJË VASHË

(Ylfete Humollit)

Një vashë
Ngrihet,
Këndon.
Era
E ndjek,
S’e ledhaton.
Mbi tokë
E tendos.
Përdhe
E plandos.
Në këtë botë
Lakuriqe,
Kjo vashëz
Aguliçe,
Bie nga era,
E mekur.
Kurrë
Për të mos vdekur.

4.
SYSHQIPES

(Dëshmores Ylfete Humollit)

Flokët ia ledhatonte e freskët një erë
Kur plagët e kombit lëngonin pa ndërprerë
Përherë gati ishte kushtrimi kur jepej
Ngrihej për Kosovën asnjëherë nuk stepej
Seç e ngriti zërin për t’lirin ATDHE
Kërkonte LIRI dhe një jetë të re
Porse gjakatarët me t’bishës tërbim
E këputën LULËKUQEN hiq pa hezitim
Ia prenë ëndërrimet shpersat ia këputën
Por, jo, jo barbarët SHQIPEN dot s’e mundën
Gjer në përjetësi trimëresha u ngrit
Për Kosovën nënë kurrë s’lu’jti qerpik
Sot te lapidari – plot lule dhe kurorë Lavdi t’qoftë
YLFETE bijë e DHEUT ARBËROR

5.
PO TË MOS ISHIT JU

(MOTËR E VËLLA DËSHMORË, YLFETE E MENTOR HUMOLLI)

A do të ishim kaq të lirë
Po të mos ishit Ju
A do ta gëzonim sot lirinë
Po të mos qëndronit Ju
A do të ishte KOSOVA shtet
Po të mos flijoheshit Ju
Gjaku Juaj u bë dritë –
E jona liri
Lumë si nëna që Ju lindi
Për ne – KRENARI
Si dy Shqipe fluturuat
Përjetësinë fituat.