Prof. Dr. Bardhosh Gaçe
Në gati 50 vite jetë shkrimore për letërsinë artistike, folklorin, letërsinë historike dhe llojet e tjera të saj, kurrë nuk më ka ndodhur që një opinion apo qëndrim kritiko-studimor ta nis me nevojën komentuese të një poezie, si në rastin me librin antologjik të poetit Rrustem Geci të titulluar “Poezia, një shok udhe” I cili merr një rol të rëndësishëm, gati si të jetë e gjithë “etnologjia” e një antologjie të rëndësishme. Ndoshta libri i fundit i autorit është më i kompletuari në përzgjedhjen që një autor i bën poezisë së tij që. Libri, “Poezia, një shok udhe”, është një libër që kërkon të përmbushë gjithë ato gjëra në një shtrirje kohore të gjatë, si një mision që nuk përmbushet kurrë. Në këto kushte, poeti Rustem Geci duket se ka bërë një “bilanc” të çuditshëm, por të qëmtuar mirë në formë dhe në përmbajtje.
Jam fije bari i bimur n´këto troje
jam gjuha shqipe e dheut amtar
në zemër kam të dashurën Kosovë
në shpirt e kam të lashtën Çamëri…
Poezia e parë që bie në syrin e lexuesit është një poezi emblematike, e cila tungëllon me një fuqi të çuditshme në një antologji të kësaj natyre, e cila përbën një udhëtim jo vetëm në jetën e poetit, por dhe të kombit përmes këndvështrimit dhe motiveve të poetit. Është një poezi që të motivon dhe që ka një thelb të thellë poetik, pavarësisht një lloj marrëdhënie komunikuese në strukturën e saj të rrëfimit.“Kam pakënaqësi në kraharor/ do duhej të isha më i lumtur/ të mos aventuroja aq shumë/ në kreshtat e përpjeta të artit… / kam një mërzitje në kraharor / më mungon zhurma e atdheut / dhe gjuha e nënës nëpër rrugë… ( shprehet tek poezia Dardani” ).
Poeti është një kalë i çmendur
që i jep gjak frymës së lodhur
sa herë lufta e kërcënon paqen
dhe stuhia i shkundullon fletët…
Siç shihet, është tekst i “mbjellë” me nyjëtime të fjalorit psikologjik historik, artistik, shpirtëror dhe estetik që nga kraharor, pakënaqësi, aventuroj, mërzitje, heshtja, fryma tragjike, gjuha e nënës, kreshtat, e përpjeta e artit etj. Natyrisht perceptimi real i poezisë do të niset pikërisht nga këto qendra kuptimore dhe stilistikore. Bie në sy një përdorim në dy tre raste i një afër- refreni “kam pakënaqësi në kraharor” dhe fjala “kraharor” merr funksione të rëndësishme në poezinë me katër strofa, si në masën më të madhe të librit “Poezia, një shok udhe”.
Poezia siç dhe kuptohet në një lexim të drejtpërdrejtë është ngritur mbi një lloj dialogu të nënshtresuar dhe një monologu të dukshëm. Ky përkëmbim i jep një lloj ritmi marrëdhënieve që ndërton poeti me veten dhe me kohën. Po ashtu në një lexim më të thelle artistikisht mes rrëfimit dhe përshkrimit simbolik, të një numri të konsideruar sintagmash, ato kanë fituar vlerësimin simboloik në pjesën më të madhe të lexuesit të poezisë shqiptare. Në pamje të parë, duket se kemi të bëjmë me një rrëfim për veten, por kontekstualisht dhe gati metonimikisht është një rrëfim dhe për të tjerët. Duket se kemi të bëjmë me një lloj pakënaqësie të poetit, një pakënaqësi që ka të bëjë me çështje bazike jo vetëm të unit të tij, por në një simbolikë historike të subjektit lirik për Dardaninë.
Poezia është një udhëtim i largët i meditimit dhe përftesës poetike të poetit. Pakënaqësia është një prelud i një lloj vuajtje të njohur, e cila çlirohet përmes një dhimbje të thellë dhe të qëndrueshme. Kraharori, si zona më e konsiderueshme e dhimbjes, gëzimit, vuajtjes, triumfit, burrërimit dhe paburrërimit zë një perceptim të rëndësishëm në rrugëtimin e leximit të poezisë së titulluar emblematikisht “Dardania” të poetit Rustem Geci.
Sintagma “gjuha e nënës” përveçse është një leksemë e mrekullueshme, e përdorur shumë në letërsinë shqiptare, por në poezinë “Dardania” ka një peshë të madhe, ndërkohë është dhe një element historik identifikues dhe një dalje nga uni poetik (vetja) për të komunikuar me të tjerët dhe me kohën. Marrëdhëniet që ndërton “gjuha e nënës” me objektin titullor të poezisë Dardaninë, nuk ka nevojë për të interpretuar shtrirjen në kohë të poezisë dhe qëllimin e poetit, i cili vjen përmes një uni të dukshëm të tij.
Një element tjetër që bie në sy në këtë poezi është një lloj kundërvënie emocionale rrëfimtare me kënaqësinë dhe pakënaqësinë, që lëvrijnë brenda shpirtit dhe ndjesisë së poetit, një realitet i brendshëm, i cili nuk është vetëm i tij, por dhe i të tjerëve, por që në frymën e poezisë ka të bëjë gjithashtu dhe me një gjendje ekzistenciale të raportit real të autorit me artin. Ky lloj komunkimi, i realizuar pikërisht përmes artit, duket se e mbush dhe e justifikon sakrificën e poetit po përmes artit të poezisë, si një “arkiv” i rëndësishem në jetën e tij dhe të popullit, për shkakun e thjeshtë se dhe arti rrugën e njeriut ka bërë, të cilën e nëntekston në dy raste dhe poeti Rustem Geci kur thotë në strofën hyrëse “në kreshtat e përpjeta të artit” dhe në strofën mbyllëse “e pafolur; fryma tragjike e artit”, ku kuptohet më së shumti dhe detyra e tij.
Siç kam shënuar në fillim të këtyre shënimeve mbi poezitë e Rustem Gecit, poezia “Dardania” është dhe preludi i librit, duke ndërtuar dhe metaforën e tij, pavarësisht vendit që zënë poezitë e kësaj natyre, por i gjithë perceptimi i poetit në një hapësirë të konsiderueshme poetike është e një Dardani, siç është dhe Rustem Geci.Ndryshe traditës së librave të kësaj natyre, ku ka një kujdes të veçantë për të gjithë elementët e jashtëm librorë, ato të paraqitjes së tij, Rustem Geci e ka kërkuar vetë këtë lloj kujdesi, përkundrazi ai ka shfaqur dhe një lloj “refuzimi” kohe, që zakonisht përbën një tregues të rëndësishëm në librat antologjik të kësaj natyre. Është një element domethënës, në librin “Poezia, një shok udhe”, mungesa e datave në fund të çdo poezie apo krijimi të përfshirë në këtë libër “të jetës”, me ç’rast, siç kuptohet, poeti Geci nuk ka dashur ta fragmentizojë komunikimin e poezisë së tij me elementin kohorë me kohën e krijimit.
Qasje të tilla që bien në sy janë të rralla jo vetëm në përvojën e poezisë shqiptare, por dhe në atë botërore. Dëshira për të komunikuar posaçërisht me poezinë dhe atë që ajo realizon në një komunikim elitar të kësaj natyre, duket një marrëdhënie e rëndësishme për autorin e antologjisë “Poezia, një shok udhe”. Ne duhet ta respektojmë vullnetin e tij, por gjithësesi, kjo qasje kërkon një lloj interpretimi, pasi përbën një element të rëndësishëm të kësaj poezie për rrethanat, për profilin e poetit dhe për raportin që kjo poezi ndërton me leximin e saj, interpretimin e saj dhe qasjen estetike që realizon përmes këtij “truku” interesant.
Parë në aspektin e parë të nevojës dhe qëllimit pse një poezi del nga shpirti i poetit e shndërrohet në vargje, duke u memorizuar dhe bërë “objekt” social, nevoja dhe arsyeja për të komunikuar me njerëzit, kohën, fenomenet sociale, zhvillimet sociale, gjendjet emocionale dhe aktorë të tjerë të ndjeshëm, poeti Rustem Geci, i propozon poezisë një qëndrim të ndërtuar mbi domethëniet që ajo ka në vetvete. Natyrisht kjo është një ndërmarrje e vështirë, që ta mbështesësh poezinë në elementët e vet të brendshëm dhe kohën ta “fshehësh” brenda saj, me arsyen fondamentale të leximit dhe të perceptimit të leximit klasik të saj. Pa mëdyshjen më të vogël, libri i Gecit i propozon lexuesit një lexim klasik të poezisë, të pakushtëzuar nga kufinjtë kohorë, që zakonisht e krijon koha e krijimit të saj.
Poeti Rustem Geci e beson poezinë si një shenjt, duke i dhënë asaj një efekt të përjetshëm (natyrisht jo natyrën e plotë të demiurgut) dhe të gjithkohshëm. Ndoshta një mënyrë e tillë me të cilën poeti e ka propozuar për lexuesin kryelibrin e tij, në të ardhmen do të përbëjë ndonjë fenomen letrar, për shkakun e thjeshtë të misionit dhe fuqisë që letërsia artistike ka në vetevete, aq më tepër poezia, si një “parcelë” e vogël e mbjellë me bimë të çuditshme, e cila mbin vazhdimisht në mënyrë të pavdekshme.
Për arsye të njohura që nga “Iliada” dhe “Odiseja”, në të gjithë prerjet kohore poezia dhe letërsia janë interpretuar bashkë me rrethanat kohore, historike dhe drejtimet letrare, por në këtë sitë kohore ka mbetur një fundament i rëndësishëm i letërsisë dhe poezisë, i cili e ka kapërcyer kufizimin e kohës, ideologjisë së kohës dhe raporteve që krijohen në rrethana të caktuara të zhvillimit. Pavarësisht se shumë poetë dhe vepra të mrekullueshme të tyre, përkatësisht çertefikatës si “kryevepra”, kanë bashkëngjitur dhe kohën historike, në të vërtetë ata e kanë kapërcyer kohën e tyre të lindjes, duke siguruar udhëtimin e tyre përmes një lloj metafore universale mbi të cilën janë ngritur.
A është kjo një domethënie që bie në sy në antologjinë e gjerësishme të Rustem Gecit? Për shkakun e një numri të konsiderueshëm të poezive, të cilat poeti Rustem Geci i ka përfshirë në librin e tij antologjik, një studim ezaurues është i vështirë, mekanizmi për të depërtuar në fondamentin e poezisë së tij në përgjithësi ka të bëjë me një raport të fortë dhe rezistent me vendin e tij në të gjithë hapësirat kohore, të cilat arrijnë të biskojnë dhe të marrin diell dhe në krijime të natyrës lirike dhe të një tematike krejtësisht sociale. Rustem Geci i beson shumë misionit të poezisë, ai e konsideron atë një “armë” që gjithmonë është në front, gjithmonë është në betejë në të gjithë kuptimet, jo vetëm atë të luftës në llogore.
Një njohje të jashtëzakonshme që ai ka për dardanët dhe Dardaninë, një tingëllim i mrekullueshëm në kontekstet kohore që shpalon libri dhe shqisa poetike e Gecit, është mishëruar mrekullueshëm në çdo mundësi që atij i është krijuar. Kam shënuar dhe më lart, libri antologjik, pavarësisht hapësirës, larmisë, “ujëmbledhjes” për t’u bërë lumë dhe det pastaj, duket se është njësuar si një libër më vete. Kjo mundësi nuk ia fshin autorit të kaluarën, përkundrazi e kaluara e ka sjellë në këtë pod të dukshëm dhe të rëndësishëm. Në këtë lloj marrëdhënie që libri krijon me lexuesin, unë kam konsideruar si të rëndësishëm komunikimin tekstor përmes poezive që përbëjnë një fondament të rëndësishëm mbi të cilin ngrihet gjithe struktura rrëfimtare dhe komunkuese e librit antologjik të Rustem Gecit. Interpretimet tekstore të poezive të natyrës si “Shqiponja”, “Flamuri shqiptar”, “Babai”,”Fjala e Adem Jasharit’, “Hijet e ajrit” dhe ndonjë tjetër, përbëjnë një shqisë të gjithë kontekstit të librit në fjalë.
Në poezinë “Shqiponja”, Rrustem Geci i shmanget deklarativizmit simbolik, që zakonisht ka shqiponja në poezinë tradicionale shqiptare. Poeti e ka ndërtuar marrëdhënien e tij me të në një formë krejtësisht të veçantë. Si një zhvillim i veçantë.Poezia nis me motivin e fluturimit, një imitim i shpendit të lartësive “Mblodha veten të fluturoj” thotë poeti. Duket se kemi preludin e një dite pranvere, me qiell të pastër , si një element i dëshiruar për qiellin shqiptar dhe vetë shpendin e kaltërsive. Vetë poezia, në harmoni me kumtin që përçon vetë metafora e shqiponjës, ka të bëjë me një sentiment guximi, dëshira që mali, lartësitë ku zakonisht jeton, lind të vegjelit dhe zotëron ç’i sheh syri, kërkon të shohë fushën, si një përgjithësim i rëndësishëm i poezisë në fjalë. Poeti përdor një grim të vogël, një thyerje të vogël, kur thotë se “dielli qesh”, në një ditë pranvere, motive të ripërtritjes dhe të mundësisë për të fluturuar shpendi i lartësive, simboli i popullit të lashtë ilirik e të sotëm të poetit.
Pothuajse në çdo poezi të librit, Rustem Geci ka një shkakësi për të “debatuar” mbi emblematikën e popullit të tij të lashtë. Ai nuk mjaftohet me preludin e shqiponjës në qiellin e vendit të vet, në male dhe fusha, por nuk mund të lërë pa kujtuar korbin, një simbol i njohur dhe ky në mitologjinë dhe estetikën e poetikën shqiptare. Një kumt i keq dhe i hidhur. Është e vetmja pikë që e lidh këtë poezi me tokën. Korbi në shkëmbinj, atje ku zakonisht e ka shtëpinë shpendi i lartësive. Në pranverë, pikërisht në kohën kur në folenë e shqiponjës o kanë lindur të vegjelit e saj, apo ajo ka lëshura vezët për t’u shumuar. Nuk ka moment më të lig, kur korbi përgjon fluturimin e shqiponjës, për t’i shkretuar folenë dhe të ardhmen. Një ironi e mrekullueshme, të cilën poeti arrin ta shfrytëzojë me një thjeshtësi të mrekullueshme.
Shkëmbinjët janë element i rëndësishëm i pranisë së shqiponjës, ndërsa korbi simbolika e të keqes dhe përgjimit të së keqes. E ashtu, siç ndodh gjithmonë, korbi kurrë nuk e ka zotëruar asnjë moment qoftë dhe dobësinë e shqiponjës, që lidhet me fluturimin e saj në ditët me diell dhe kaltërsi. Poeti ndërton një “kundërvënie” të bukur në strofën që pason, si një gjendje tjetër në një ditë të kaltër, kur thotë se “era fryente në frymë- mjalti”, nënkupton natyrën me lulet dhe “një shi i bukur, shi i verës”, një natyrë në përtëritje, si një vazhdimësi, kur ylberi njofton se qielli pin ujë në burimet e tokës dhe të natyrës, një lidhje e fortë mes tyre.
Siç kuptohet në vetë kapërcimet e natyrshme, që mundësojnë simbolikat e poezisë, kemi të bëjmë me një “supozim” të natyrshëm. Poeti ka një natyrë të guximshme kur thotë “mblodha veten të fluturoj”, që përbën dhe preludin e mishërimit të shpendit të lirisë në shpirtin e tij, i cili është njëri nga viset e shqiponjës, ku ajo ka folenë, fluturon dhe vigjëlon përmes instinktit të saj të përjetshëm. Poezia duket se ka një simbiozë të pranueshme për shkakun e shndërrimit të simbolit të shpendit në një tipar të kohëve dhe të njerëzve, gati deri në njëjtësim. Rustem Geci nuk harron kurrë gjithësinë shqiptare, që i quan vise të tija. Vargu “përmbi qiejt e vendit tim” e realizon mirë këtë komunikim poetik që mëton poezia “Shqiponja”.
“Babai”: “Asnjë kohë se patëm të lehtë/ udhës patëm shumë luftë/ luftë bëmë me dy perandori/ udhës shumë u zvogëluam / o mbesa e vogël e pellazgëve/ kalimet ishin me luftëra/ e para, e dyta… E dyzeta…Është një poezi e thjeshtë në dukje, por me një nëntekst të thellë për shkakun e natyrës inversive mbi të cilën është ndërtuar rrëfimi dhe komunikimi. Gati në çdo fillim strofe kemi një refren të thjeshtë dëftorë “asnjë kohë s’e patëm të lehtë”, me ç’rast kemi të bëjmë me natyrën rrëfimtare jo të poetit por të një luftëtari. Kush është ky luftëtar? Poeti apo babai i tij, i cili tregon nga vijmë dhe se nuk e kemi pasur të lehtë, se jemi zvogëluar, se kemi pasur gjuhë gjaku etj.
Në poezi shquhen qendërsi kuptimore të thjeshta në dukje, nga fjalori përditsor, por që krijojnë jehona dhe polivalenca kuptimesh në mjediset kuptimore dhe kohore, në të cilat i ka vendosur poeti Rustem Geci. Kështu fjalët “kohë, të lehtë, mbesa e vogël, kalimet kohore, e para, e dyta,… E dyzeta, të lirë, gjuhën, gjakun, të folmen, Shqipëri, shumë luftë, mynxyrë, etj” e bëjnë të konturuar hapësirën komunikuese të babait me poetin dhe të poetit me këshillimin dhe rrëfimin e babait.
Në këtë poezi, poeti Geci, ka një informim të lashtë, kuptimisht e thënë përmes sintagmës “shumë luftë”, “u zvogluam” që kthehen në konvencione historike të historisë shqiptare, pastaj një shtrirje e konsiderueshme përmes kontekstit që qerthullon thirrja atërore “o mbesa e vogël”, që siç duket ka të bëjë me Shqipërinë apo Kosovën, si mbesa e pellazgëve, që është zvogëluar aq shumë nga trysnitë kohore, pasi “asnjë kohë se patëm të lehtë” siç është dhe gati- refreni i fillimit të bisedës baba- biri i tij.
“Asnjë kohë” thuhet në tre raste, por në çdo strofë e varg, kjo “asnjë kohë” mbushet me ngjarje të vazhdueshme, pasi kalimet nga njëra epokë tek tjetra “ishin me luftëra”, të folmen e kishim me gjuhë gjaku (porosi luftëtarësh që binin në beteja), e përveçse flitet për dy perandori, poeti porosit se kemi bërë mbi dyzet luftëra, që nënkuptojnë epoka historike, shekuj apo kundërshtarë. Poezia është një zgjatim i historisë dhe brezave, i mishëruar tek babai, si lidhja më e afërt e edukimit dhe “detyrimit” të fëmijës. Dialogu me babain është një përgjithësim i marrëdhënies së realitetit të poetit me kohën dhe epokën e vendit të tij.
Në poezinë, “Fjala e Adem Jasharit”:“Toka, as qielli s’kanë gjumë/ unë sot i shpalla luftë Serbisë/ të mbjellat kudo na thërrasin/ që t’i dalim vet zot këtij vendi (I) Lirinë s’mund ta lëmë në fund/ Adem, më pagëzuan prindërit/ jam lindë në ditën e flamurit/ Kosovë e Shqipëri i kam atdhe/ (II) Trimat kanë duar të bukura/ duart e tyre i thyejnë prangat/ Kosovë, bjeri pushtuesit tënd/ Kosovë, qëllo nga vjen plumbi (III) Fol Kosova ime e përgjakur/ përrenjtë shtyhen të bëhen lumë/ shqiptarët sot kanë një detyrë/ tokën e tyre ta bëjnë të lirë (IV)”
Është një poezi emblematike, e cila nyjëton ndoshta gjithë metaforën e librit poetik të poetit Rustem Geci. Poeti merr përgjegjësinë të flasë me ligjëratën e Adem Jasharit, heroit më të njohur dhe më të rëndësishëm të epokës moderne, që ndërtoi dhe bëri efektiv modelin e lirisë së popullit të vet po përmes luftës, si një vazhdim historik të mbijetesës së shqiptarëve përmes luftës dhe në kushtet kur Redi i Ri Botërorë mëton të mos ketë luftëra.
Është një poezi e ndërtuar përmes përjetimit dhe mbingritjes së luftëtarit përmes motivit të luftës. Luftëtari thotë “unë sot i shpalla luftë Serbisë” një armiku të identifikuar. Qendërsitë kuptimore dhe orientuese të leximit të poezisë janë të konsiderueshme që nga “Toka as qielli, shpalla luftë, të mbjellat na thërrasin, lirinë s’mund ta lëmë në fund, lindë ditën e flamurit, trimat kanë duar të bukura, duart e tyre i thyejnë prangat, Fol Kosova ime e përgjakur, përrojet shtyhen të bëhen lumë” etj, që kërkojnë të “evidentojnë” preludin e një luftëtari të njohur.
Poeti ka zgjedhur një ligjërim të shtruar, që i afrohet komunikimit, për t’i bërë më tokësor dhe më afër njerëzve heronjtë, pasi pa ata “përrenjtë” nuk mund të bëhen “lumi”. Përrrenjtë dhe lumi, kuptohet, janë “matricat” e forcës dhe fuqisë njerëzore për të bërë lirinë. Zakonisht poezitë e kësaj natyre kanë një temp kushtrimtar, por Rustem Geci ka zgjedhur një qasje racionale të komunikimit rrafsh, përveç një figuracioni të veçantë, siç është fillimi i poezisë përmes një metafore të qartë “Toka as qielli s’kanë gjumë”.
Unifikimi i tokës me qiellin përbëjnë një kumt të rëndësishëm, një marrëdhënie funksionale, dhe e pashmangëshme, a thua e din dhe qielli që toka nuk mundet me duruar më. Heroi i Kosovës Adem Jashari ka një argument të fortë për t’iu drejtuar njerëzve dhe Kosovës, së pari ai ka pranuar martirizimin e tij për ta shpallur këtë luftë kundër një armiku të njohur “sot i shpalla luftë Serbisë”, por që e ndjek një logjikë historike dhe bindëse, kur thotë se “të mbjellat kudo na thërrasin”. Metafora në këtë rast është e një natyre të çuditshme dhe gjithëpërfshirëse, që mban fuksione kohore historike dhe aktuale, që siç thuhet ndryshe në gjuhësi, është sinkronike dhe diakronike apo vertikale dhe horizontale. Vullneti dhe motivi i fitores së lirisë përmes luftës është një produkt i njohur historik, por në kushtet e thirrjes së heroit, ky motiv ka përfshirë çdo pëllëmbë të tokës së Kosovës.
Poeti ndjek përshkallëzimin e logjikës së heroit, për të përmbushur motivet e thirrjes burrërore të tij. Ka një “koincidencë” thuajse hyjnore në jetën e Adem Jasharit dhe këtë poeti e përmend si një gjetje fuksionale. Unifikimi i luftëtarit me flamurin, simbolin e qenësisë dhe motivit për të luftuar arrin rol të rëndësishëm në poezinë “Fjala e Adem Jasharit”, pasi shqiptaret kanë një atdhe, një komb dhe një simbol, rreth të cilit mblidhen dhe duan njëri- tjetrin, siç është flamuri.
Ndoshta pjesa më e bukur në poezi, që rrallë është thënë në poezinë shqiptare, por jo në këtë mënyrë, siç është ajo që këndohet për Jakup Ferrin “hije m’ka maja e lisit”, është vargu emblematik që qendërzon dhe e kthen tragjizmin e liftës në bukuri njerëzore siç është vargu “Trimat kanë duar të bukura/ duart e tyre i thyejnë prangat”, që përthyhet mrekullisht në raportin e lirisë së atdheut me bukurinë e luftëtarit, përmes simbolit të thyerjes së prangave, që nënkupton robërinë. Pavarësisht nëntekstimit që ka poezia, ka një motiv që vijon arsyetimin artistik dhe motivor të poezisë, përmes një të vërtete historike dhe njerëzore; luftëtari e ndjen lirinë, ai është i sigurtë se ajo po vjen, duke mohuar veten bën thirrjen e hapur “Kosovë, bjeri pushtuesit tënd!”
Poezia ka një shtresë të hollë psikologjike, e cila ka të bëjë me motivet e brendshme të heroit, si një lloj ndërgjegje e nevojshme në krijime të kësaj natyre. Ai e kupton mirë psikologjinë e luftëtarit, kur ai thotë “përrenjtë shtyhen të bëhen lumë”, pasi ajo është një luftë që e kanë ruajtur në kujtesën e saj historia. Heronjtë dhe luftëtarët kanë intuitën dhe aftësinë për ta diktuar dhe kuptuar psikologjinë e luftëtarëve dhe popujve të tyre. Prej kësa natyre buron arsyetimi i rëndësishëm se lufta është bërë detyrë, liria ka një çmim të rëndë, ka gjak dhe të rënë. Luftëtari e din këtë dhe poeti e thotë bukur në poezinë, “Fjala e Adem Jasharit”. Poeti Rustem Geci është një poet brilant që i flet kohës dhe njerëzve me frymëzim të thellë poetik.
Prof. dr. Bardhosh Gaçe – Vlorë, tetor 2016