JO! Xhamia e sulltan Mehmet Fetihut/Pushtuesit në kalanë Rozafat të Shkodrës

0
1828
Paul Tedeschini

Me dorëzimin e kalasë së Shkodrës në janar 1479, sulltani turk-osman Mehemeti i II Fetihu/Pushtuesi dha urdhen që katedralja katolike (dhe të gjitha kishat e tjera) të këthehet në xhami me emnin “Xhamia e Mehmet Fetihut/Pushtuesit”.

Me datën 23.11.2005, Prof. Pëllumb Xhufi ban nji shkrim ku nder të tjera shkruen si vijon:

…Mendojmë se ishte e domosdoshme kjo skicë historike e kryetempullit të dikurshëm katolik të Shkodrës, për t’u përfshirë në një debat gati ireal, që është hapur së fundi mbi përkatësinë fetare të tij. Askujt ndër ata që kam pyetur nuk i ka pëlqyer toni i vrazhdë, gadi-gadi kërcënues i Myftiut të Shkodrës (që për fat të mirë nuk është bërë më i gjallë), kur nga valët televizive paralajmëroi “ngjarje të paparashikueshme”, në rast se do të vihej në zbatim një projekt i Institutit të Monumenteve të Kulturës për restaurimin e pjesshëm të kishës (apo ish-kishës) së Shën Stefanit. E cila, sipas Myftiut, duhet konsideruar si objekt kulti musliman, ngaqë e mbylli jetën e saj pikërisht si xhami. Në të kundërtën, nga ato që parashtruam shpejt e shpejt më sipër, ne gjykojmë se vlera e këtij objekti, historia dhe vetë “fryma” që ai mbart, e lidhin atë me të kaluarën paraislame të historisë sonë të përbashkët.

Me kohën kur ajo përbënte një element unik, bariqendrën e jetës shpirtërore, ekonomike, sociale e politike të qytetit të Shkodrës, e jo me periudhën pasardhëse, pas shek. XV, kur u transformua në një objekt të çfarëdoshëm kulti, të veçuar e të paaritshëm nga besimtarët muslimanë shkodranë, për të cilët, ashtu si për bashkqytetarët katolikë të tyre, kalaja e Rozafës bashkë me kishën-xhami, ishte kthyer tashmë në një simbol të pushtetit osman. Me kishën lidhet historia dhe kultura e mbarë popullit të Shkodrës, të krishterë e muslimanë. Me xhaminë lidhet vetëm historia e panjohur e një garnizoni të huaj e të izoluar nga jeta e qytetit, që tashmë po zhvillohej jashtë mureve të kalasë.

As shekuj të tërë të sundimit osman, as koha e gjatë e konvertimit të saj në një xhami në përdorim të garnizonit të vogël të kalasë, nuk e kanë ndryshuar pamjen fillestare të ish kishës katedrale të Shën Stefanit. Mjafton të kqyren planimetria, mbetjet e qemerit të kryqëzuar gotik, harqet gjithashtu gotike të tij apo mbeturinat e afreskeve të kah-hershëm. Në një rast të tillë si ai i kishës së Shën Stefanit, kur diskutohet vetë identiteti i monumentit, nuk vlen sigurisht rregulli i “jus primae noctis”. Ka ndodhur kudo që objekte të një kulti të caktuar, në rrethana historike të ndryshuara të jenë përshtatur për ushtrimin e një kulti tjetër. Kjo nuk ndalon aspak që vizitorët të admirojnë format apo mbetjet artistike që trashëgohen nga kohë kur kisha ishte xhami, apo xhamia kishë…”.

Me datën 14.12.2005 gazetarja A. Dushi publikoi në gazeten SHEKULLI intervisten e imzot Monsinjor Massafra me titull: “Nuk e kemi kërkuar Shën Shtjefnin”, ku nder të tjera Masafra deklaroi se:
…kisha katolike është përfshirë në këtë çështje kundër vullnetit të saj dhe është informuar përmes mediave” dhe “Kisha katolike nuk ka kërkuar asnjëherë që kisha e Shën Shtjefnit, që ndodhet në kalanë Rozafa t’i kthehet asaj si një kishë edhe pse mund të ishte funksionale për shërbime të rregullta fetare”. Është e vërtetë se aty kremtohet Mesha çdo vit më 26 dhjetor (kur nuk bie shi), pikërisht në ditën kur kisha katolike e kujton Shën Shtjefnin. Kjo bën pjesë në traditën që i ka rrënjët në shumë vite më parë dhe nuk fsheh asnjë qëllim tjetër. Sipas Massafras askush nuk është ankuar kurrë për këtë. Ai theksoi se duhet kuptuar mirë dallimi mes restaurimit dhe rindërtimit, pasi në projektin e Institutit të Monumenteve të Kulturës parashikohet financimi nga qeveria e SHBA-ve e një vlere 30.000 $.

“Ndiej keqardhje që për një monument kulture që në shekujt e kaluar ka funksionuar si kishë, e që u shndërrua në xhami gjatë pushtimit osman, të mund të krijojë keqkuptime si dhe ka ndodhur, shteti nuk na ka paraqitur ndonjë projekt”. Ai ka shtuar se nëse shteti vendos për restaurim, atëherë objekti duhet të mbetet një monument historik kulture, duke ruajtur strukturën e tanishme ku dallohen qartë qoftë gjurmët e kishës, qoftë gjurmët e xhamisë. “Sot të dy komunitetet duhet ta kemi për nder që të kaluarën tona tua besojmë plotësisht institucioneve të kulturës dhe të bëhemi pjesë konstruktive e së mirës si dhe e traditës së bashkëjetesës në këtë vend. Objekti është pronë e kulturës së popullit shqiptar dhe kujdesi e mbrojtja e tij u takon institucioneve të shtetit shqiptar”,- përfundon Monsinjor Massafra.” .

Pra Famullija katolike në Shkodër nuk kerkon dhe as nuk pretendon, që të bahet Kishë Monumenti i Kulturës në kalanë Rozafat.

Simbas të Drejtave të Njeriut, të cilat zbatohen në të gjithë Europen, çdo grup shoqnor, çdo komunitet, çdo ent, çdo shoqatë, çdo organizatë etj. ka të drejten e pamohueshme të zhvillojë me nji periodicitet (psh. njivjetor) ceremoni perkujtimore në vendet, o monumentet me të cilat ndjen nji lidhje historike, fetare, shoqnore ose nji ngjarje tragjike ose ngjarje fitoreje, pra nji lidhje shpirtnore. Simbas ligjve të sigurisë qytetare europiane, të cilat zabtohen edhe në Shqipëri, këto grupe shoqnore per zhvillimin e kësaj perkujtimoreje janë të detyrueme të marrin ma parë lejen nga organi perkatës që administron keto vende dhe kështu atyne u sigurohet nga organet e sigurisë publike zhvillimi paqësor i ceremonisë.

Per këtë arsye Famullija e Shën Shtjefnit në Shkodër, mbasi të ketë marrë lejen nga organet kompetente, ka të drejtë ligjore të zhvillojë qetësisht dhe rregullisht çdo 26 dhjetor meshen perkujtimore të Shën Shtjefnit në kalanë Rozafat në Shkodër. Un i sugjeroj Famullisë së Shkodres, që me atë rast të perkujtojë edhe të 1000 (njimijë) shkodranët, që humben jeten heroikisht në mbrojtjen e Kalasë së Shkodrës nga pushtuesi turk-osman dhe kështu ky perkujtim i martirëve shkodranë të këthehet në nji traditë popullore shkodrane, ku të zhvillohen aktivitete të ndryshme nga shkodrant pa dallim besimi fetar.

Po per të njajten arsye edhe myftinia e Shkodrës mbasi të ketë marrë leje tek organet kompetente ka të drejtë, po ta ndjejë, të zhvillojë ceremoni perkujtimore të fitores së sulltan Mehemtit Fetihut/Pushtuesit mbi shkodrant per çlirimin e Shkodrës nga shkodrant. Kjo mvaret nga si e ndjen vetë myftinia. Në qoftë se myftinia nuk e don, kjo asht puna e tyne.

Por ama ish objekti fetar në kalanë Rozafat të Shkodrës në asnji mënyrë nuk duhet të këthehet në nji kult fetar për shërbime të rregullta fetare të perhershëm, as si kishë e as si xhami.

Krejtësisht kalaja Rozafat me çka perfshinë mbrenda mureve e deri tek rranza e kalasë jashtë mureve asht vendose nga shteti shqiptar të jetë Monument Kulture me vendimin nr.12 të datës 1948 me nr. prot.108 dhe administrohet nga organi i Monumenteve të Kultures ose organi prej ku varet Këshilli Kombëtar i Restaurimeve.

A mund të rastaurohet ish kulti fetar në Rozafat si xhami e sulltan Mehmetit Fetihut/Pushtuesit, ashtu siç kerkon me insistim myftiu Muhamed Sytari?

Asht krejtë absurd një pretendim me i ndertue shkodranve në kalanë e tyne 2500 vjeçare Rozafat një kult fetar me emnin e atij që i rrethoi, që i luftoi, që i pushtoi, që i masakroi, që ua perdhunoi Katedralen e tyne, që i detyroi të ikin nga shtëpitë e tynë me gra pleq e fëmijë, të cilët dhanë jeten per mbrojtjen e kalasë së tyne; që vdiqen rrugëve o në tokë të huej dhe ata që mbeten u nxoren jashtë qytetit dhe shtëpijat e të cilëve ua dhanë shkodranve (ish katolik) të konvertuem në musliman si dhe turqve pushtues të ardhun mbas pushtimit.

Pra ky pretendim absurd nuk asht asgja tjeter veçse një qendrim fetarisht i pamoralshem si çdo formë tjetër dhune; ky pretendim asht antikombëtar dhe ofendues i ndjenjave të gjithë shkodranve dhe të gjithë shqiptarve të ndershëm pa dallim besimi nga ana e myftiut të Shkodrës imamit Muhamed Sytari, i cili permatepër i ofendon të gjithë shkodrant me stemen e kalifatit islamik turk-osman, të cilen vazhdon ta mbajë në fasaden e xhamisë së Parrucës në Shkodër. Mbajtja publike e stemes së pushtuesit nuk ka kurrëfarë lidhje me besimin hyjnor fetar, por me politiken të cilen myftiu i Shkodrës zhvillon në mënyrë të kundra ligjëshme dhe të denueshme nga Kodi Penal i Republikes së Shqiperisë.

Njihet nostalgjia e myftiut ndaj sulltanve. Ai arrinë deri në atë pikë sa i thotë besimtarve musliman “… minarja pa ezan e Xhamisë së Sulltanit të Bekuar…” . (Sulltani masakrues na qenka i bekuar!!!!)

Po ashtu ai u ban thirrje publike besimtarve “Të ngrihemi të gjithë, për ta shpëtuar njeriun e hutuar të kësaj kohe nga sëmundjet e trashëguara, nga urrejtja e akumuluar dhe overdozat mediatike të drogimit kolektiv me islamofobi, hixhabofobi, osmanofobi, humanofobi, por jo vetëm! Është amanet fetar, është borxh kombëtar!”.

(Na qenka amanet fetar dhe borxh kombëtar i muslimanve mbrojtja nga osmanofobia!)

Këtë tragjedi të trishtueshme dhe të paharrueshme të shkodranve e ka pershkrue shumë mirë intelektuali i ndershem i mirëfilltë shkodranë “Mësuesi i Popullit” Hamdi Bushati në librin e tij me vlerë të madhe historike “SHKODRA DHE MOTȄT” – “TRADITȄ, NGJARJE, NJERȄZ” . Në kapitullin e VI “Familjet shkodrane me prejardhje të huej” (faqe 283-312) të volumit të dytë, studjuesi i njohtun shkodran Hamdi Bushati shkruen si ma poshtë vijon:

Siç dihet historikisht, kur Sulltan Mehmeti II e pushtoi Shkodrën, shumë familje kristjane e lane vendin dhe u larguan nga qyteti. Shtëpitë që lanë kristjant ua dhanë myslimanve. Nga kjo kuptohet mirë se ata mysliman, të cilve iu dorëzuan shtëpitë e kristjanve të ikur nuk ishin të gjithë shqiptarë të konvertuar në islam, nder ato vitet e okupacionit, ata ishin turq ose me kombësi të tjera jo shqiptare. Instalime myslimansh me prejardhje të huaj kanë vazhduar të vertetohen deri në kohët e fundit të pushtimit osman të Shkodres…”.

Ma poshtë ai vijon me pershkrimin e shumë familjeve shkodrane të sjelluna në Shkodër gjatë pushtimit truk nga: Turqia/Anadolli, Egjypti, Arabia, Dardanelet, Maroku, Tunizia, Algjeria, Siria, Dagistani, Sudani etj.

Në këto pak rreshta Hamdi Bushati (Hamdia e jo un) na thotë këto gjana:
1. Turqia osmane e ka pushtue Shkodrën, pra sulltani Mehmeti II-të Fetihu/Pushtuesi ka qenë pushtues i Shkodrës dhe i gjithë shqiptarve dhe jo çlirues,
2. Në Shkodër janë muslimant shkodranë ish katolikë të konvertuem në muslimanë,
3. Në Shkodër janë muslimantë jo shkodranë të sjellun nga turku nga vendet afro-aziatike (njilloj si në Prizren, që turqit dhe ashkelitë formojnë nji komunitet të tyne).
4. Shtëpiat e kristjanve të ikun dhe kristjanve te debuem nga qyteti, ua dhanë muslimanve të sjellun nga vendet afro-aziatike dhe ish-katolikve të konvertuem në musliman.

Në mes shkodranve katolikë dhe shkodranve ishkatolikë të konvertuem në musliman, per shkak të të njajtit gjak dhe të traditës së miqësisë nderfaterë, që trashigojmë nga prindrit tonë, ka një harmoni të plotë shembullore, per të cilën të gjithë shkodranët kanë te drejtë të krenohen. Këtë gja e ka vertetue jeta e jonë perbashkët e miqësisë shkodrane, pa dallim besimi në shkolla, punë dhe raste gëzimi dhe jo gëzimi, që i jep nji lezet të veçantë Shkodërloces sonë.

Ata që “fusin sherr n’sheriatë” tek neve në Shkodër janë pasardhësit e turqve të sjellun, të cilët sulltanin e quejnë çlirues të Kostantinopolit dhe të Shkodrës dhe mohojnë publikisht se Gjergj Kastrioti-Skenderbeu asht Heroi i tyne. Këto dy pika janë vija e demarkacionit në mes shkodranve vertetë, shkodranë pa dallim besimi dhe shkodranve nostaligjikë të Turqisë Osmane.

Prandej debati mbi MONUMENTIN E KULTURES kishë-xhami në kalanë Rozafat të Shkodrës, nuk asht një debat FETAR, siç paraqitet gabimisht nepër gazeta, por asht një debat HISTORIK me KARAKTER PATRIOTIK, në mes shkodranve anti turq-osman, pa dallim besimi dhe shkodranve pro turq-osman; asht debati në mes shkodranve anti sulltan Mehmet i II (Fetihu – pushtuesi i Shkodres) dhe shkodranve pro sulltan Mehmeti II (Fetihu – pushtuesi i Shkodres).

Prandej un tham JO! Xhamia e sulltan Mehmet Fetihut/Pushtuesit në kalanë Rozafat të Shkodrës.

Paul Tedeschini, me 27.01.2017