Në sheshin “Avni Rustemi”

0
1968

Dionis Xhafa

Sot është e martë dhe thonë se është një ditë tersi. Në fakt, dola nga shtëpia dhe se ndër të tjera, në udhëtimin tim, shkova diku te sheshi sot që mban emrin e heroit të popullit, Avni Rustemi. Ai shesh në fakt duhej të ishte dritë, sepse pikërisht një njeri i dritës është ai që ndodhet mu në mes të sheshit, në atë vend ku u vra nga një dorë e padiktuar, gjakatare, sa duket nga ana e forcave që ishin kundërshtare me të majtën përparimtare të udhëhequr nga ana e Fan Nolit, në atë kohë. Avniu, sa na mëson historia, ishte mjaft i ashpër ndoshta disi, por se kjo e lidhur fort me faktin se ai ishte i drejtë si një shigjetë dhe nuk duronte padrejtësitë.

Ai ishte vetëm student, atëherë kur në Paris iku dhe atje kreu vrasjen e shekullit ndoshta, për shqiptarët, duke vrarë tradhtarin e kombit, Esat Pashë Toptanit. Ky i fundit e meritonte atë plumb dhe vrasjen, jo vetëm për faktin se ka qenë tradhtar, por më së shumti për faktin se agallarët dhe të pasurit prej tokave në atë kohë, nuk mund të bënin politikë në emër të një popullit të vuajtur dhe të varfër. Rustemi, parë në sytë e mi përfaqëson ndër historinë më të ndritura ndër personalitet politike që ka nxjerrë Shqipëria. Biri libohovas ekzekutoi tradhtarin dhe se edhe pas kësaj kishte mllef e urrejtje ndaj atyre që punonin kundër interesave të popullit.

Ai arriti që të dalë nga burgu në Paris, pasi qëndroi 6 muaj në paraburgim, edhe për shkak se gjyqi vlerësoi se ka kryer një akt, që justifikohet deri diku, për shkak se Toptani rrezikonte seriozisht territorialitetin e Shqipërisë. Fill pasi del nga burgu dhe i liruar nga akuzat, Rustemi bëhet deputet me krahun përparimtar, udhëhequr nga një njeri, dijet e të cilit ishin të rralla, Noli. Por se si deputet ai nuk qëndroi shumë, pasi u vra pabesisht pikërisht në këtë vend, ku sot qëndron statuja e tij stoike, përballë një realiteti të ashpër e migjenian. Po po, migjenian. Aty gjen lloj-lloj njerëzish, të lodhur, të këputur, të sakatuar disi, që ecin çalë ngjan dhe se shëmtia urbanistike është haptazi e dukshme.

Aty, njëri kërkon në mbeturina, njëri ecën me ca rroba të vjetra, sikur kanë dalë nga pre-historia dhe se pazari është një tmerr më vete. Aty llumi, aty llomi, aty një rreth-rrotullim skandaloz dhe se njëri madje kishte krijuar një lloj “makine”, që e kishte “përgatitur” vetë, me ca rrotulla që një Zot e di se ku i kishte gjetur, kurse kishte vendosur edhe disa kolltukë të marrë nga shtëpia, në mënyrë bajate e krejt pa estetikë. Njëra shiste llamba apo sende të çmuara prej metali, e të dukej sikur ishe tamam në ndonjë Bagdad dhe se prej atyre llambave mos dilte ndonjë Aladin apo më saktë gruaja ngjante si shitësi i llambave të Aladinit.

Aty edhe një kioskë, që shet gazeta dhe revista, disa syresh edhe të dala boje. Sheshi i sotëm “Avni Rustemi”, që e mban këtë emër për shkak se këtu është vrarë djali nga Libohova, pabesisht, ka edhe qofte dhe birrari e se njerëzit dynden duke ngrënë të tilla dhe duke pirë pije alkoolike. Ndërkaq, që peizazhin e rrethojnë edhe disa pallate të kohës së Enver Hoxhës, që rrinë ashtu të vjetruara dhe ngjan se edhe koha ka ngelur disi, si në atë kohë, varfëri e skajshme ngjan në shumë anë. Në këtë shesh, sigurisht që jo vetëm gjithçka është zi, por se ka edhe ngjyrime të modernes, diku kopjuese e Evropës dhe diku alla-shqiptarçe. Ja për shembull, aty ndodhet një hotel, sipas parametrave evropianë, sikundër gjendet edhe një berber që është shtrenjtë dhe ka pastërti të konsiderueshme, në raport me atë që sheh përreth. Por, çfarë më bëri më shumë përshtypje?

Aty, pranë berberit, ku dhe jam qethur, ishte një burrë, i shkurtër dhe se kishte libra për të shitur, në tokë kuptohet, pasi librari nuk kishte. Po kishte libra shumë të mirë, ndër të tjera edhe akademikun nga Kosova, Rexhep Qosja, kryeveprën e tij, së paku kështu mbahet: “Vdekja më vjen prej syve të tillë”. Unë bleva në fakt një libër të vjetër, por shumë të vyer që ndër të tjera e kishte redaktuar edhe një profesor imi, Bashkim Gjergji. Libri në fjalë titullohej: “Mafia dhe politika” dhe se fliste për Vilalbën, kryeqendër të mafies siciliane, e cila bashkëpunonte me pushtetet në Itali, qoftë me fashistët, qoftë me komunistët.

E lexova dhe më pëlqeu shumë, një libër që dëshmonte jetën e mafies në jugun e Italisë, një zonë disi e prapambetur dhe se ngjante shumë me Shqipërinë, e djeshme dhe të sotme. Ndërsa, burri më tha se kishte qenë mësues i letërsisë dhe i gjuhës, por se nuk ishte më, duke e mbyllur me shprehjen e bukur: “regjimet nuk kanë nevojë për mendje të zgjuar”. Dhe, kështu e bleva atë libër, në atë vend, mbuluar disi nga balta dhe pluhuri diku. Ajo që mendova ishte se a e vuri jetën në rrezik Avni Rustemi për këtë lloj realiteti sot, ku edhe pak më tutje se sheshi që mban emrin e tij, ka lokale moderne, ku rinia dhe pleqëria kalojnë bukur e mirë dhe ku janë shtuar madje edhe ndër shqiptaret, ata të cilt rrinë kafeneve dhe bëjnë veç qejfe?

Pa përjashtuar faktin se dikush mund të bëjë jetë të bukure me qejf, por duke pasur disa prime bazë e jo kaq larg parimeve kryesore të jetës, e moralshmja. Avni Rustemi e donte shumë popullin e tij, shqiptar, atë të besës, të fjalës, të nderit, të besnikërisë dhe që e do atdheun e vet dhe se tërë veprimtarinë e vet e pati në mbrojtje të këtyre idealeve? Po sot, si është gjendja, do të ishte pyetja, afërisht siç e ka bërë Vasho Pasha në poezinë e tij të famshme “O moj Shqipni”. Sot është një popull që vështirë se është në majat që pandehte Rustemi, në mos tepër ulët. Një popull i tërë dyndur në Tiranë dhe se shumica ecën si gjelat pa kokë. Po a këtë realitet kishte ëndërruar Avni Rustemi dhe të tjerë, që luftuan drejt për lirinë e popullit dhe të kombit shqiptar? Jo, ta thotë mendja.

Sot, përpara fytyrës me beton të Avniut, është një popull që pi birra, ecën vërdallë për të kërkuar diçka për ta ngrënë, është një vuajtje e madhe, që vështirë se do të marrë fund ndonjëherë.

D.Xh