SHQIPTARË APO TURQ NË SHQIPËRI

1
1590
Xhabir Zejnuni

SQARIM PËR OLSI YAZEZIUN.

INTERPRETIM JURIDIK DHE GJUHËSOR I NJË NORME JURIDIKE.

STATUSI ORGANIK I SHQIPËRISË (10.04.1914). (KAPITULLI III. POPULLSIA.)
NENI 22. “Janë shtetas shqiptarë të gjithë ata që kanë lindur ose që janë vendosur në Shqipëri përpara 28 nëntorit të 1912-s dhe që, nën qeverinë osmane kanë pasur nënshtetësinë osmane”.

Ja pse shqiptaret, para se të ishin shqiptarë ishin osmanë. (OLSI YAZEJI).


Ja pse shqiptarët, kanë qenë, janë dhe do jenë gjithmonë shqiptarë me KOMBËSI. Pavarësisht ndonjë “nuance kalimtare osmane 500 vjeçare”! Do shtoja dhe të sotme. (XHABIR ZEJNUNI).

SQARIM.

Për të zbatuar një normë juridike, duhet që në radhë të parë, të kuptohet qëllimi që kësaj norme ka pasur në mend (dhe dashur) t’i japë legjislatori.
Interpretimi i një norme juridike, në bazë të kontekstit të saj, mund të jetë i “ngushtë” ose i “zgjeruar”. Po ashtu, ky interpretim, mund të jetë autentik (i legjislatorit), gjyqësor (i gjykatësit) dhe doktrinor (i studjuesit të drejtësisë).

INTERPRETIMI JURIDIK.

1. Varianti turk. Nuk ka interpretim juridik, pasi pranohet ashtu siç lexohet! Jo vetëm në këtë rast (…..)!
Disa variante juridike shqiptare

2. Neni 22 i referohet:
a. Shqiptarëve “që kanë lindur në Shqipëri” (muslimanë synitë, katolikë apo ortodoksë). Nuk besoj se ndonjë shqiptar katolik (përfshirë dukagjinsit dhe mirditorët katolikë) do preferonte që të konsiderohej dhe të trajtohej si turk me kombësi;

b. Ata (pa përcaktim, pasi në rast të kundërt, lista do dilte shumë e gjatë) “që janë vendosur në Shqipëri”, të cilët mund të ishin turq, armenë, uzbekë, taxhikë, gjeorgjianë, kinezë ujgurë, arixhinj, gabelë, etj. Data KUFI është 28 nëntori. Pra, këtë datë KUFI detyrohet prej hallit që ta pranojë edhe vetë Turqia. Neni 22, kur thotë “të gjithë ata”, i referohet një pjese dhe jo së tërës. Ndryshe, do thonte “të gjithë pa përjashtim”.

3. Të gjithë ata shqiptarë, që kanë pasur nënshtetësinë osmane (jotë gjithë me dëshirën e tyre!) para vitit 1912, bëhen shtetas shqiptarë, pra marrin nënshtetësinë e Shtetit të ri shqiptar. Që do të thotë, se turku e njihte dhe se duhej të “mësohej” me realitetin e ri: Shtetin e Ri Shqiptar.
4. Janë shqiptarë. Gjendje faktike, e cila pranohet. KUSH?

– “Të gjithë ata që kanë lindur në Shqipëri”. Që do të thotë, se kush lindte në Shqipëri, pavarësisht nëse kishte prindër shqiptarë, apo të huaj, si serb, grek, maqedon, turq, armen, taxhik, kinez ujgur, arab, arixhi, gabel, etj., është shqiptar me nënshtetësi. Por, që përveç nënshtetësisë shqiptare mund të ketë edhe nënshtetësinë turke. Normal. Në këtë rast, nënshtetësia shqiptare, lihet më shumë të kuptohet indirekt, kurse ajo turke shprehet qartësisht. Pasi nuk mund të jesh shtetas shqiptar, pa pasur më parë nënshtetësinë shqiptare. Pra, kemi dy nënshtetësi.

– “Të gjithë ata që janë vendosur në Shqipëri”. Që do të thotë se nëse një serb, grek, maqedon, turq, armen, taxhik, kinez ujgur, arab, arixhi, gabel, etj. është vendosur në Shqipëri, atëherë ai merr automatikisht nënshtetësinë shqiptare. Përveç asaj turke, që e kishte të garantuar paraprakisht kur vendosej në Shqipëri. Është një lloj shpërbimi në këtë rast. Jo vetëm si nënshtetësi, por edhe si pasuri apo ofiçe të ndryshme!

Pasi pak kush do pranonte që të humbiste nënshtetësinë serbe, greke, maqedonase, turke, armene, taxhike, kinezo ujgure, arabe, gabele(!), për të sakrifikuar, duke lënë vendin e tij të begatë, për t’u vendosur në Shqipëri, pa pasur më parë nënshtetësinë e madhërishme osmane. Përveç asaj shqiptare, edhe në shenjë “solidariteti” me banorët autoktonë mijevjeçarë. Përsëri dy nënshtetësi.

– “DHE”. Cili është kuptimi i lidhëzes DHE? Janë shqiptarë ata persona që plotësojnë kushtet më lart – pra lindjen dhe vendosjen në Shqipëri –, por DHE që “nën qeverinë osmane kanë pasur nënshtetësinë osmane”. Sigurisht, pasi nën qeverinë osmane, nuk mund të mos e kishe nënshtetësinë osmane. Edhe njëherë dy nënshtetësi.

INTERPRETIM GJUHËSOR.

Të shpallësh sikur ke zbuluar diçka të rrallë, duke thënë “Ja pse shqiptarët, para se të ishin shqiptarë ishin osmanë”, do të thotë se shqiptarët ishin më parë osmanë dhe pas vitit 1912 (si me magji ata u bënë shqiptarë!). Por, nëse do ishte kështu, atëherë neni 22 duhej shkruar: “BËHEN shtetas shqiptarë të gjithë ata, etj.”. Dhe nëse do shkruhej “bëhen”, atëherë natyrisht kuptohet se pa u bërë shqiptarë ata (PAS 28 nëntorit 1912), kanë qenë osmanë (PARA 28 nëntorit 1912). Por, neni 22 thotë se: “JANË shtetas shqiptarë të gjithë ata, etj.”.

Dallimi mes foljes “JANË” dhe “BËHEN”.

– Në rastin e foljes “JANË”, verifikohet një situatë, ose një vazhdimësi formale e thelbësore, duke përdorur kohën e tashme, vetën e tretë shumës të foljes ndihmëse JAM.

– Në rastin e fojes “BËHEN”, ndodhemi para një ndryshimi formal e thelbësor dhe përdoret koha e tashme e diatezës pësore të foljes BËJ.

PËRFUNDIM.

Norma më lart që u analizua, është një normë PERCEPTIVE, pra normë që perceptohet dhe merret ashtu siç është shkruar. Që do të thotë se njihet (edhe) një realitet paraekzistues dhe jo pasekzistues. Dhe kjo, falë foljes ndihmëse JAM.

Por, kjo normë mund të ishte programatike, pra do të jepte një orientim apo detyrim për të ndryshuar diçka, vetëm po të kishte foljen me diatezë pësore BËHEM, ose foljen ndihmëse DUHET (DO TË).

Edhe norma programatike nga ana e saj, mund të jetë perceptive, pasi ajo i drejtohet organeve shtetërore për zbatim, duke i përcaktuar qëndrimet që duhen mbajtur më pas. Dhe kjo gjë bëhet me daljen e akteve ligjore dhe nënligjore përkatëse për zbatimin e saj.
Nga kjo analizë modeste dhe e shkurtër juridike dhe gjuhësore, rrjedh se norma ligjore më lart, tregon një vazhdimësi (të “cunguar”!), por jo një ndryshim apo transformim – formal, apo thelbësor – të identitetit të kombit shqiptar.

Jo vëtëm se nga ky moment e tutje, ATA (shqiptarët XH. Z.) do të emërtohen si shqiptarë në dokumentet e tyre zyrtare, por edhe para këtij momenti, po ATA ishin shqiptarë. Dhe do jenë në vazhdim.

Vetëm nëse norma në fjalë do shkruhej “BËHEN shtetas shqiptarë të gjithë ata që kanë lindur ose që janë vendosur në Shqipëri përpara 28 nëntorit të 1912-s dhe që, nën qeverinë osmane kanë pasur KOMBËSINË osmane”, atëherë diskutimi do ishte i një natyre tjetër. Që për momentin nuk po e shtjelloj këtu. Pasi duhet edhe shumë kohë (…).

Identitetin e një populli, nuk e përcakton nënshtetësia, por KOMBËSIA.
Ja pse shqiptarët, kanë qenë, janë dhe do jenë gjithmonë shqiptarë me KOMBËSI. Pavarësisht ndonjë “nuance kalimtare osmane 500 vjeçare”! Do shtoja dhe të sotme.

(XHABIR ZEJNUNI).

Komentet janë mbyllur.