COPËZA BIOGRAFIKE DHE KUJTIME PËR IBRAHIM RUGOVËN

0
923
Ibrahim Rugova, portret

Shkruan: IDRIZ ZEQIRAJ

Familja Rugova, pas shumë lufëtrash e përgjakjesh me cubat e Malit të Zi, braktisi fshatin bregor Malaj të Rugovës, për t´u vendosur, fillimisht në Gllaviçicë të Pejës, me ndihmën e gjyshit të akademik Mark Krasniqit, prej andej në Bajicë të Istogut dhe më 1910, me ndihmën e Haxhi Zekës, janë ngulitur në fshatin Cerrcë të Istogut. Rugova thotë se “unë vi nga një familje e madhe dhe mund të them se familja jonë ka qenë një “shtet i vogël”, ku janë ruajtur dhe kultivuar traditat tona të lashta: puna, besnikëria, mbrojtja e atdheut”.

Më 2 dhjetor 1944 çiftit Ukë dhe Sofë Rugova, do t`ju lindte fëmija i parë dhe i fundit, Ibrahimi. Ndërkohë, Rrustë dhe Ukë Rugova arrestohen, burgosën në “Kullën e Popit” në Istog dhe ekzekutohen, madje, pa gjyq fare dhe varret e tyre as sot nuk dihen.

Nëna -nuse Sofë, e një viti martesë, vendosi të qendrojë në Familjen Rugova, si e vejë e përjetshme, për ta rritur djalin bonjak, jetim – Ibrahimin, por duke e ndihmuar edhe kunatën Shahë, për t`i rritur fëmijtë e shumtë. Këtë ma ka thënë dada Shahë, nëna e Naser Rugovës.

Edhepse fëmija arriti moshën për ta filluar shkollën, Gjyshja nuk bindej: “Shkjau i vret burrat me shkollë”,- arsyetonte ajo. Dhe, nisej nga Uka, i cili ishte më i shkolluar, për kohën, në atë mjedis. U deshën dy vjet pritjeje, deri sa nipi tjetër, Rrustemi, të bënte 7 vjet, për ta filluar klasën e parë fillore Ibrahimi, tashmë, 9 vjeçar.

Përgjatë shkollës 8-vjeçare, nxënësi Ibrahim ra në sy për dashurinë që kishte për librin, për hartimet e bukra që bënte dhe poezitë që thurte. Arsimtari i letërsisë shqipe, Izet Jakupi ishte edhe korrespodent i gazetës “Rilindja”, për komunën e Istogut dhe hartimet e Ibrahimit ia dërgonte Radio-Prishtinës, emisioni për fëmijë, nga ku edhe lexoheshin. Një poezi e Ibrahimit u botua në njërën nga edicionet e “Abetares”. Ishte rast i parë ky botim, sepse në faqet e Abetares zinin vend vetëm poezitë, më saktë, vjershat e poetëve të afirmuar.

Në mbarim të shkollës 8-vjeçare, Ndërmarrja Botuese “Rilindja” i akordoi bursë nxënësit shëmbullor Ibrahim Rugova, për ta vazhduar Shkollën Normale në Prishtinë, duke e llogaritur kuadër të vetin në të ardhmen. Por, një relacion biografik, i bërë nga i pari i Partisë Komuniste në Istog, për Këshillin Krahinor të Kosovës, se “Rilindja” “shkollon armiq të rinj”, brenda javës së parë, e kthen nxënësin Ibrahim Rugova në Gjimnazin “Vëllezërit Ribar” në Istog.

Ibrahim Rugovën e njoha në vitin e parë të Shkollës Normale, siç njihej Gjimnazi i Istogut. Fjalë-matur dhe gjithnjë buzagaz, si e bija Teutë sot. Në rrugëtimin Cerrcë-Istog, Ai ishte në shoqëri me shkollarët e familjes: Rrustemin, Kumrijen, Sanijen, Dritën, Ismailin dhe fëmijtë e tjerë rugovas. Me ata ishte edhe Ibish Hasanaj nga Belica e Rakoshit, vëllai i xhaxheshës së tij, përndryshe, daja i Naser Rugovës, i cili banonte në atë familje. Në të shumtën e rasteve, këtij grupi i bashkoheshim edhe ne, shokët e klasës.

Në fillim të vitit të dytë Gjimnazi organizoi, për 40 nxënës dhe 4 mësues, një eskursion, shetitje nëpër Jugosllavi. Pagesa e kombinuar, nxënësi plus komuna. Si nxënës të provincës, u rregulluam, disi, me veshmbathje.

Familja Rugova kishte një tufë kalamajsh, “dinari ishte sa rrota e kerrit”. Andaj, Ibrahimi huazoi kostumin e arsimtarit të letërsisë Izet Jakupi. Por, Ibrahimi nuk i pranoi këpucët dhe mbathi opinga të “Batës”, llastiçe të buta, me një rryp lidhës sipër, si mbathje masive e fshatarësisë të Kosovës. Nga opingat e Ibrahimit në Beograd na njohën “sa Kosovo” (nga Kosova), ndërsa në Lubjanë si “Juzhnja Serbija (Serbia e Jugut).

Në Kosovën e asaj kohe, në 8-vjeçare mësonim gjuhën frenge, ndërsa në gjimnaz atë ruse. Një absurditet balkkanik, për të mos i mësuar kurrë asnjërën. Por, Ibrahimi nuk priti të mësonte ato çfarë i servirej nga programi mësimor.

Ai kishte lindur në dhomën e gjumit të çiftit Ukë dhe Sofë Rugova, ku ishte edhe një mini-bibliotekë, prej disa dhjetra librash, kryesisht, në gjuhë gjermane dhe italiane, ngaqë babai, Uka, lexonte në këto dy gjuhë. Meqë para për të blerë libra nuk kishte, Ibrahimi ruante revistat si: “Pionieri”, “Zëri i rinisë” dhe më vonë edhe “Jeta e re”.

Përgjatë Shkollës së Mesme, Ibrahim Rugova lexonte literaturë në frengjisht dhe rusisht. Ishte anëtari më i rregulltë i Bibliotekës të Qytetit.

Për purizëm, për të folmen e pastër shqipe, mund të krahasohet me Eqrem Çabejn. Edhe gjatë të folmes të zakonshme, Ibrahimi na ndërhynte qetas, për të zëvendësuar fjalën e huaj me atë shqipe. Pikërisht, fjalori i tij i veçantë, më një rast, në vitin e 3-të të Shkollës Normale, do të na përballte me arsimtarin e gjeiografisë, sepse ai fliste turqishten e Pejës në familje dhe nuk arrinte ta kuptonte shqipen letrare të Ibrahimit.

Gjimnazi i Pejës ka qenë më numeriku në tërë Kosovën. 14 paralele ishin vetëm në vitin e parë dhe diç më pak në vitet tjera. Dalloheshin Ibrahim Rugova dhe Jusuf Gërvalla, i pari për gjuhët e huaia dhe letërsi, ndërsa i dyti në art, muzikë, poezi. Ata ishin pjesë e klubit letrar të Gjimnazit të zëshëm të Pejës.

Veç tjerëve, kishin edhe një shok të përbashkët, Daut Berishën, djali i një burgaxhiut politik në ishullin Goli Otokut. Që të tre vinin nga familje të damkosura politikisht dhe ishin nën përgjimin e gjithëmoshëm.

Përgjatë studimeve dy-vjerçare specializuese në Paris, Ibrahim Rugova ka ndarë dhomën me Daut Berishën, sot piktor i njohur ndërkombëtar dhe njëri nga 12 intelektualët e shquar, që përfaqësojnë Francën në Organizatën e Intelektualëve Botërorë dhe se çdo president i Francës e konsulton, të paktën, dy herë në vit.

Ciklin e parë me poezi, Ibrahimi e botoi në gazetën “Flaka e vëllazërimit”. Titulli “Sa rëndë qenka me derdhë varg e lot”, do të hasej në shumë letra të dashurisë të rinisë së atëhershme. Këtë titull e përdora edhe unë në një shkrim, të bërë në emër të shokëve të gjeneratës tonë, botuar vetëm 10 ditë para shuarjes fizike të Presidentit Rugova.

Ibrahim Rugova ishte trim i mençur. Në vitin 1964, brenda javës qenë arrestuar 640 vetë, por që do të seleksionoheshin, duke mbetur për hetim të mëtejmë vetëm disa dhjetra. Me disa shokë që bisedonim, në mirëbesim dhe që mendonin se jam më afër Ibrahimit, më sugjëruan ta konsultoja atë, duke mos përmendur emra.

Nisur nga biografia familjare, Ai ishte i përcjellur në çdo hap. Ishte i pjekur për moshën, por edhe besnik i madh. Dhe, ai më tha se “nuk është koha, kush mbeti pa u zbuluar, ja, të shkojmë në burg, çfarë zgjidhëm?”

Vetëm tre vjet më vonë, tani Ibrahim Rugova student, i qasëm, më i shpenguar, duke e pyetur – a ka ardhur koha e pritur? “Po, ka ardhur koha të dalim nga çubat”,- tha Ai, pa atë ndrojtjen e hershme. Unë i fola për një projekt-ide tonën.

Ibrahimi aprovoi nismën publike për lirimin e Adem Demaçit me shokë, pafajësinë e tyre dhe ndëshkimin e atyre që i kishin dënuar. Mirëkuptim miratues pati edhe për një serë kërkesash, të cilat ilegalja jonë po i studjonte, nëse mund të lansoheshin publikisht.

Ai e donte Demaçin shumë dhe emri i tij e përlotte Ibrahimin. Ai parashikonte edhe goditjen tonë, “por kjo goditje do të jetë më e kontrolluar, sepse Plenumi i Brioneve ka sjellur disa ndryshime, por edhe retushime ose edhe mashtrime”, – tha Ibrahimi.