Ish-këshilltari për media i Berishës: politikanët të shkojnë në burg

0
934
Grid Rroji

Gazeta Dita, 23.01.2017

Në emisionin Dritare me Rudinën në Vizion Plus, Grid Rroji u shpreh: “U është thënë njerëzve se mund të vjedhin, të plaçkitin sepse kjo është rruga e kapitalizmit, kështu kanë bërë të gjithë, kështu ka bërë edhe Amerika që të vijë në këtë ditë.

Këta thonë që e keqja është e mirë ndaj edhe ju duhet të bëni të keqen, por brenda kontrollit tonë. Ajo që ka ndodhur është një proces shumë interesant për t’u studiuar, por shumë i dhimbshëm për shqiptarët. Këta që janë poshtë dhe janë pjesë e veglave të parisë së Tiranës, tani kanë fituar autonomi dhe po kërkojnë edhe pavarësi.

Kjo shpjegon një nga fenomenet që është diskutuar kaq shumë, por që nuk ka ligj që e zgjidh, siç është dekriminalizimi. Këta janë përfaqësues të disa parive kriminale lokale, të cilët tani e mbajnë peng parinë. Deri dje kanë qenë shërbëtorë të bindur, tani kanë fituar një autonomi financiare dhe kriminale, që ky sistem nuk mund të funksionojë pa ta. Ata mbajnë peng parinë, siç mban peng paria shqiptarët.

Tani jemi peng i dy parive, që duhet të ishin në burg, mund t’i them edhe me emra: Sali Berisha, Edi Rama, Ilir Meta, Fatos Nano, Skënder Gjinushi, Fatmir Mediu, Lulzim Basha, të gjithë kryetarë partish të vogla që janë bërë vegla të tyre. Nëse kam lënë ndonjë jashtë, le t’i plotësojnë vetë qytetarët e ndershëm të këtij vendi. Të gjithë meritojnë burgun, për këtë krim monstruoz me vetëdije që kanë bërë, pra që kanë krijuar një shoqëri të kriminalizuar.” /dritare.net