Nga Osmanë në Shqiptarë!

0
1325
Xhabir Zejnuni

Nga Xhabir Zejnuni

Olsi Yazeji, 20.01.2017shkruan:
Ja pse shqiptaret, para se të ishin shqiptarë ishin osmanë.
Sipas Kushtetutës së Parë të Shqipërisë, të njohur si Statuti Organik i Shqipërisë – the Organic Statute for Albania – të aprovuar në vitin 1914 nga Fuqitë e Mëdha të Evropës – në paragrafin POPULLI thuhet:
Qytetarë shqiptarë janë të gjithë ata njerëz që janë lindur apo kanë jetuar në Shqipëri përpara datës 28 nëntor dhe ishin qytetarë osmanë nën qeverinë osmane. Gjuha zyrtare e Shqipërisë do jetë shqipja dhe shteti nuk do ketë fe shtetërore
Pra sipas Kushtetutës së Parë të Shqipërisë, zyrtarisht, shtetasit osman të Shqipërisë, pas aprovimit të saj, u shpallën shqiptarë. Ky është momenti i parë në historinë e botës, që legalisht, banorët e Shqipërisë nga osmanë, u shpallën shqiptarë. Nga ky moment e tutje ata do të emërohen si shqiptarë në dokumentat e tyre zyrtare.
Kush ka paqartesi në intervistën time, le të lexojë këtë që shkrova me lart dhe të rrijë urtë.


Zoti Olsi Jazexhi (Yazeji!).
Lexova një status Tuajin, në profilin Tuaj FB të “hapur”, të cilit për fat shumë të keq, nuk munda që t’i përgjigjem, pasi nuk kam miqësi me Ju në FB.
Për momentin, nuk e ndjej të arsyeshme që t’ju kërkoj miqësinë Juve në FB, vetëm për të pasur “fatin e madh” të replikës miqësore me Ju.
Uroj, që të më mjaftojë deri në fund MEREQEPI për t’ju shkruar Juve.
Atëherë.
Ju shkruani se “Qytetarët shqiptarë janë të gjithë ata njerëz që janë lindur apo kanë jetuar në Shqipëri përpara datës 28 nëntor dhe ishin qytetarë osmanë nën qeverinë osmane. Gjuha zyrtare e Shqipërisë do jetë shqipja dhe shteti nuk do ketë fe shtetërore“.
Ndërsa teksti ORIGJINAL i Statutit Organik të Shqipërisë, në nenin 22, disponon se: “Janë shtetas shqiptarë të gjithë ata që kanë lindur ose që janë vendosur në Shqipëri përpara 28 nëntorit të 1912-s dhe që, nën qeverinë osmane kanë pasur nënshtetësinë osmane”.
Pak më kujdes ju lutem, kur bëni “copy paste”.
Duhet të shtoj se normën ligjore më lart, unë e mora nga varianti shqip. Mbase Ju e keni marrë për më lehtësi nga osmanishtja dhe i keni bërë përkthimin simultan në shqip!
Po ju dërgoj edhe linkun sa për korrektesë.

http://shtetiweb.org/wp-content/uploads/2012/10/STATUTI-ORGANIK-I-SHQIP%C3%8BRIS%C3%8B.pdf

Zotëri.
Më duhet t’ju kujtoj Juve se normat ligjore, nuk duhen pranuar vetëm ashtu siç janë shkruar, por edhe në lidhje me faktin se çfarë ato nënkuptojnë, duke pasur parasysh edhe kontekstin historik se kur janë shkruar, kush i ka imponuar, kush i ka shkruar, kush i ka firmosur, etj. Por, normat juridike, EDHE ndryshohen po ashtu. Ndonjë akoma jo! Eh.
Norma juridike në fjalë, së cilës Ju po i mëshoni kaq shumë, është më shumë një normë “GARANTISTE” për Turqinë dhe nuk ka të bëjë aspak me prejardhjen e popullit shqiptar. Edhe për vetë faktin se populli shqiptar ishte (dhe është akoma) autokton në trojet e veta dhe jo i ardhur në Europë si turqit.
Duhet ta dini Ju se normat juridike përbëjnë një bashkësi rregullash, që bashkëveprojnë dhe disiplinojnë jetën e një komuniteti në një territor të caktuar. Pra, kemi një territor, që është Shqipëria dhe një komunitet, që për hir të së vërtetës në atë kohë (1914) ishte shumë heterogjen. Dhe ky heterogjenitet, kishte nevojë për një disiplinim juridik, për të siguruar harmoninë e nevojshme të po këtij komuniteti.
Nuk po hyj këtu që të rendis karakteristikat e një norme juridike, pasi ky nuk është objekti i komentit tim.
Por, po mundohem që normën ligjore në fjalë ta “PËRKTHEJ” nga shqipja në shqip. Për komoditetin Tuaj më shumë, që nuk e kuptoni këtë normë ligjore. Dhe jo se Ju bëni sikur nuk e kuptoni atë. Pasi Ju nuk jeni i atij niveli, që të bëni sikur nuk kuptoni! Larg qoftë. Sepse të bësh sikur nuk kupton diçka, do të thotë që atë gjë e kupton shumë mirë paraprakisht. Pra, duhet një nivel i konsiderueshëm inteligjence në këtë rast, që Juve për fat të keq (jo vetëm Tuajin) ju mungon. Por, nuk ju mungon atyre, që fshihen pas Jush dhe që ju paguajnë (edhe) aty ku jetoni (…). Që të sqarohemi më mirë, Ju nuk flisni me titull personal, por jeni thjeshtë një zëdhënës i dikujt tjetër. Dihet se kush (…).
Pak histori të shkurtër më parë. Dihet se Shqipëria u pushtua në vitin 1479 nga Turqia dhe fitoi pavarësinë e saj me 28 nëntor 1912. Shqipëria para pushtimit turk, njihej si një shtet mijëra vjeçar autokton, ndërsa Turqinë nuk e njihte askush akoma. Dihet po ashtu se turqit e kanë prejardhjen nga Turkestani dhe “ngulën rrënjë” (horizontalisht!) në Europë, në vitin 1453 vetëm kur pushtuan Kostandinopojën ortodokse (ose Stambollin e sotëm).
Pushtimi i solli rrënim të madh popullit tonë (që po e vuajmë akoma edhe sot), ku më i tmerrshmi, ishte KONVERTIMI (shndërrimi ose kthimi) me DHUNË i popullsisë autoktone kristiane në muslimanë. Shumë persona u larguan me dhimbje nga Shqipëria, duke mos dashur që të konvertoheshin. Duhet shtuar, se për fat të mirë, Turqia nuk arriti të hynte në zonat e thella malore të Shqipërisë, të cilat arritën kështu, që të ruajnë trashëgiminë e tyre etnike, kulturore dhe fetare. Nuk imagjinoj nëse Ju do guxonit që një dukagjinas apo një mirditor ta quanit turk, ose me prejardhje turke. Pasi do më duhej të imagjinoja edhe pasojat si rrjedhojë. Viti 1912 e gjeti Shqipërinë me gati 85% (në mos gaboj) të popullsisë të besimit musliman. Këta muslimanë, sipas Turqisë duhej të konsideroheshin si turq dhe si rrjedhojë të trajtoheshin si të tillë, por edhe të mbroheshin nga ndonjë “raprezalje” e mundshme.
Kur u hartua Statuti Organik i Shqipërisë nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit (10 prill 1914), dihej se Shqipërisë i takoi pjesa me e “lehtë” (e qengjit!), që ishte vetëm ajo e BASHKËfirmës(!), pasi atë Status e kishin hartuar më parë 6 Fuqitë e Mëdha. Ashtu siç u bë edhe Kushtetuta e Kosovës (2008) nga Fuqitë e Mëdha (dhe të fuqishme), ku ndër të tjera aty parashikohet “Mos bashkimi i saj (Kosovës) me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti. Në këtë rast, me Shqipërinë. Neni 1, par. 3 (!)” dhe “Mos diskriminimi për arsye orientimi seksual. Neni 24, par. 2 (!)”. Mjafton që Ju ta lexoni Kushtetutën e Kosovës për të më besuar. Për lehtësinë Tuaj, e keni edhe në turqisht. Që ta dini Ju, Fuqive të Mëdha atë kohë nuk i interesonte fare një Shqipëri e pastër etnike, por një “shtet kushinetë musliman” – jo i pastër, por me pak(sa) “nuanca kristiane” – në kundërshtim të krijimit të një “shteti kushinetë ortodoks të pastër”, i cili do përbënte më vonë një rrezik shumë më të madh për Europën. Mos harroni Ju se atë kohë po përgatitej Lufta e Parë Botërore, e cila u vendos që të fillonte me 28 korrik 1914! Nuk po zgjatem më shumë këtu, për të shpjeguar arsyet, për të mos dalur përsëri nga tema e objektit, që po diskutoj.
Turqia edhe pse ishte “përzënë” nga Shqipëria, e kërkonte me ngulm një “mbrojtje” të muslimanëve (të saj!) që jetonin në Shqipëri. Dhe për këtë arsye, u arrit një “KOMPROMIS”, i cili ishte NENI 22 (që Ju e keni aq shumë për zemër) i KAPITULLIT III me titull POPULLSIA.
Ky nen disponon se “Janë shtetas shqiptarë të gjithë ata që kanë lindur ose që janë vendosur në Shqipëri përpara 28 nëntorit të 1912-s dhe që, nën qeverinë osmane kanë pasur nënshtetësinë osmane”. Fantastike.
Atëherë. Nëse sipas Jush “Shqiptarët, para se të ishin shqiptare, ishin osmane” – pra të GJITHË pa përjashtim (bashkë me dukagjinasit dhe mirditorët!) me sa kuptoj unë -, atëherë neni 22 do duhej të shkruhej kështu: “Bëhen shtetas shqiptarë të gjithë shqiptarët pa përjashtim, përfshirë edhe ata që jo vetëm kanë lindur, por edhe që janë vendosur në Shqipëri përpara 28 nëntorit të 1912-s dhe që, nën qeverinë osmane kanë pasur nënshtetësinë osmane”.
Në këtë rast, do shihej më qartë prejardhja osmane e shqiptarëve. Theksoj jo e të gjithëve, duke qenë se Turqia nuk arriti që të pushtojë të gjithë Shqipërinë, veçanërisht zonat malore. Për fat të keq (të Turqisë!), atë kohë nuk ishin shpikur akoma avionët luftarakë, për të bombarduar zonat rebele.
Por, neni 22 i referohet:
1. Shqiptarëve “që kanë lindur në Shqipëri” (muslimanë synitë, katolikë apo ortodoksë). Pasi nuk besoj se ndonjë shqiptar katolik (përfshirë dukagjinasit dhe mirditorët katolikë) do preferonte që të konsiderohej dhe të trajtohej si turk;
2. Ata (pa përcaktim, pasi në rast të kundërt, lista do dilte shumë e gjatë) “që janë vendosur në Shqipëri”, që mund të ishin turq, armenë, uzbekë, taxhikë, arixhinj, gabelë, etj. Data KUFI është 28 nëntori. Pra, këtë datë KUFI detyrohet prej hallit që ta pranojë edhe vetë Turqia.
Kur thotë “të gjithë ata” në rastin në fjalë, i referohet një pjese dhe jo së tërës. Ndryshe do thoshte “të gjithë pa përjashtim”.
Kur thotë se “Janë shtetas shqiptarë”, nuk kërkon shumë mend që të nënkuptojë se i referohet edhe KOMBËSISË shqiptare, pavarësisht nënshtetësisë. Pasi shtet shqiptar akoma nuk kishte atë kohë, sepse atë shtet e kishte “zëvendësuar” pushtuesi turk.
Por, shtetësi dhe kombësi kanë edhe ndonjë dallim mes tyre.
Shtetësia është një kusht juridik, së cilës Shteti i jep të drejta politike dhe civile, ose më saktë: tërësia e të drejtave (elektorat pasiv dhe aktiv) dhe tërësia e detyrave (respektimi i normave ligjore).
Kombësia lidhet me përkatësinë e një komuniteti për histori, kulturë, besim fetar, etj.
Çfarë do thotë fraza “Dhe që, nën qeverinë osmane kanë pasur nënshtetësinë osmane”? Do të thotë që një pjesë e shqiptarëve kishin nënshtetësinë turke atë kohë dhe kaq. Më se normale për atë kohë, pasi nëse turku i konvertoi me dhunë të krishterët, arriti që t’i japë po me dhunë, jo vetëm besimin musliman, por edhe nënshtetësinë turke. Pastaj. Si mund të kishin shqiptarët nënshtetësinë shqiptare, kur dihet se për 500 vite Shteti shqiptar nuk ekzistonte, si pasojë e pushtimit turk?! Ata nuk mund të mos e kishin një nënshtetësi dhe “fati i madh” e solli që të kishin nënshtetësinë e pushtuesit turk (ose osmane), të imponuar me dhunë. Por, dihet se dhuna dhe dëshira janë dy terma të ndryshme në formë e në thelb dhe si rrjedhojë nuk përkojnë mes tyre. Shumë e thjeshtë.
I Nderuar Zotëri. Ju duhet ta dini po ashtu se nënshtetësia NUK BARAZOHET KURRË me kombësinë. Pasi ata janë nocione të ndryshme juridike. Mund të kesh tjetër kombësi dhe tjetër nënshtetësi, ose edhe të dyja bashkë. Ja për shembull, Ju keni nënshtetësinë kanadeze, por Ju kurrë nuk do pranonit që të ishit kanadez. Larg qoftë, sepse për Ju ka shumë rëndësi vetëm PASAPORTA KANADEZE. Tashmë dihet se Ju jeni TURK (i sforcuar), edhe pse keni lindur në Shqipëri (nëse nuk gaboj). Nuk kam asgjë kundër në këtë pikë. Ndërsa unë kam lindur në Shqipëri dhe kam nënshtetësinë shqiptare. Saktë. Në këtë rast, përkojnë kombësia me nënshtetësinë.
Por…
Ja ku na del një POR tani. Unë kam edhe nënshtetësinë italiane more Zotëri. Por, ky fakt nuk do të thotë se unë jam italian. As edhe fëmijët e mi, që kanë lindur në Itali, edhe pse kanë pasaportë italiane, nuk janë italianë me kombësi. Ata janë italianë me nënshtetësi, por shqiptarë me kombësi.
Studiojeni më shumë historinë ju lutem, kur thoni se “Ky është momenti i parë në historinë e botës, që legalisht, banorët e Shqipërisë nga osmanë, u shpallën shqiptare”. Se po na merr edhe gazi pastaj. Pasi historia nuk bëhet vetëm me Kur’An në dorë sot. Mos mendoni Ju, se të keni PRIVILEGJIN, që të dilni në intervista në TV, apo të shkruani diçka nëpër gazeta (edhe të paguara ato) apo rrjete sociale, se dini gjithçka. Ashtu siç deklaruat njëherë në një intervistë tek Zululandi i gazetarit ZULU Mustafa Nano se “Nuk ka pasur asnjëherë ndonjë femër që të ketë qenë PAPË”. Dhe gazetari ZULU Mustafa Nano e miratoi gafën Tuaj me një OK. Sa për dijeni, ka qenë një femër, e cila ja arriti në “mënyrë magjike” që të bëhej Papë dhe të ketë madje edhe një fëmijë (por, jo me frymën e shenjtë, që të konsiderohej si një mrekulli). Ajo quhej Giovana dhe kur u bë Papë (nga viti 853 deri në vitin 855), u quajt Papa Giovani VIII. Ndodh(i)
Do ju këshilloja shumë (falas po e keni) që të rrini Ju URTË dhe jo NE, pasi do evitonit në të ardhmen të thoni GAFA të tjera. Heshtja në raste të tilla është me se e këshillueshme. Por, edhe e domosdoshme. Për Ju.
Shtoj se është FATKEQËSI KOMBËTARE fakti se ku ndodhet niveli i gazetarisë tonë sot. Pasi një gazetar, që bën vetëm pyetje, por që nuk din të komentojë apo edhe të replikojë, nuk është gazetar, por është vetëm një PALAÇO. Dhe duhet pohuar se palaçot e kanë pushtuar gazetarinë tonë sot.
Po më vjen në mend tani një thënie e Jezu (ISAIT tek Kur’Ani) Krishtit të pavdekshëm: “Fali o Ati im ata, sepse nuk dinë se çfarë bëjnë”. Unë do shtoja: “Dhe thonë”. Amen
Uroj që Ju të keni lexuar edhe nenin 23, i cili disponon se: “Personat, për të cilët bëhet fjalë në artikujt e mëparshëm, do të kenë mundësinë që brenda një afati prej gjashtë muajsh pas promulgimit të këtij statuti, të optojnë për një shtetësi të huaj, por me kusht që të emigrojnë”. Në fakt, emigrimet e mëvonshme – ose më saktë DËBIMET – në Turqi me dijeninë dhe miratimin e saj, u bënë edhe pa qenë nevoja e kërkesës së nënshtetësisë turke (…)!.
Neni “Janë shtetas shqiptarë të gjithë ata që kanë lindur ose që janë vendosur në Shqipëri përpara 28 nëntorit të 1912-s dhe që, nën qeverinë osmane kanë pasur nënshtetësinë osmane”, mund të interpretohet për LEHTËSI përsëri ndryshe dhe akoma më thjeshtë, edhe pse mund te duket në kundërshtim përsa shkrova më lart.
Të gjithë ata shqiptarë që kanë pasur nënshtetësinë osmane (jo me dëshirën e tyre, duke qenë se nuk mund të kishin nënshtetësinë shqiptare!) para vitit 1912, bëhen shtetas shqiptarë, pra marrin nënshtetësinë e Shtetit të ri shqiptar. Që do të thotë se turku e njihte dhe se duhej të mësohej me realitetin e ri: Shtetin e Ri Shqiptar. Helbete.
Por, unë i rashë më gjatë më sipër.
Tani zgjidhni Ju.
Më mbaroi mereqepi.
Respekte.