Nga Frank Shkreli
Të premten që kaloi me datë 12 shkurt 2021 u shënua 90-vjetori i themelimit të radio Vatikanit. 90-vjet më parë, Papa Piu i XI kishte përshëndetur punonjësit e kësaj radioje duke i falenderuar ata për, “Punën tuaj që arrin deri në vendet më të humbura. Ecni përpara me guxim dhe krijimtari kur i flisni botës.” Ndërsa të premten, sipas radio Vatikanit, Papa aktual Françesku, duke përshëndetur në këtë përvjetor radio gazetarët, redaktorët dhe punonjësit e tjerë të kësaj radioje botërore, duke pasqyruar pikëpamjet e tija në lidhje me lirinë e medias dhe të fjalës së lirë, u bëri thirrje atyre që me punën e tyre të raportojnë të vërtetën dhe të ndërtojnë “të ardhmen me krijimtari”.
“Faleminderit për punën tuaj. Faleminderit për dashurinë që keni për të. Radio ka këtë gjë të bukur, që e çon fjalën edhe në vendet më të largëta. E sot e ndërthur edhe me pamje e me shkrime. Ecni përpara me guxim dhe krijimtari, duke i folur botës e duke ndërtuar kështu, një komunikim të aftë, që të na bëjë të shohim të vërtetën e gjërave”, është shprehur Papa Françesku në 90-vjetorin e radio Vatikanit, që njihet botërisht edhe si Zëri i Papës dhe i Kishës Katolike.
Më kujtohej kur isha pranë Zërit të Amerikës në vitet e luftës së ftohtë dhe më vonë, se ekspertët e audiencave të radiove ndërkombëtare e konsideronin radio Vatikanin si njërën prej 5-6 radiove më me influencë dhe ndër më të dëgjuarat, sidomos në vendet ish-komuniste të Evropës Lindore dhe Qendrore e që transmetonte në dyzina gjuhësh të huaja. Si të tillë, e konsideronim edhe si konkurrente me programet tona të Zërit të Amerikës, veçanërisht për programet drejtuar disa vendeve ish-komuniste me popullsi dërrmuese katolike, siç ishte Polonia.
Radio Vatikani ka një staf prej rreth 350 punonjësish të cilët transmetojnë në 41 gjuhët më të njohura të botës dhe jo aq të njohura, përfshirë gjuhën shqipe. Transmetimi i parë i radio Vatikanit në gjuhën shqipe shënon datën 3 tetor, 1951. Për drejtimin e programit të ri u thirr meshtari shqiptar në mërgim, Monsinjor, Zef Shestani. Zëri i tij u dëgjua në valët e Radios së Papës më 3 tetor 1951, në orën 21, kur nisi transmetimi i parë i programit. Më vonë, Don Shestani thirri pranë tij si bashkëpunëtorë, Zef Palin, Andrea Shulin, motrën engjëllore, Luçia Laca dhe, si bashkëpunëtorë të jashtëm, Atë Danjel Gjeçajn, emëruar nga Selia e Shenjtë “Përfaqësues shpirtëror i shqiptarëve katolikë të mërguar”.
Pesë vjetë më parë, me rastin e 55-vjetorit të transmetimeve shqip të radio Vatikanit, si një prej programeve më të vogla për nga transmetimet dhe për nga stafi, thuhej se “Duke qenë përherë një nga gjymtyrët më të ligështa të Radios së Papës, e kemi ndjerë veten të rrethuar më shumë se të gjitha programet e tjera me atë kujdes që tregojnë prindërit për fëmijën e vogël. Kemi pasur e kemi gjithnjë pranë, Atin e Shenjtë, që nuk ka munguar ta mobilizojë Kishën universale në ndihmë të Shqipërisë si dhe të ndërmjetësojë vazhdimisht pranë bashkësisë ndërkombëtare për fatet e vendit të shqiponjave kemi ndjerë përherë praninë e Selisë së Shenjtë.”
Emisioni i parë në gjuhën shqipe i Radio Vatikanit drejtohej nga Don Zef Shestani
Thuhej gjithashtu se Shqipëria, Kosova e të gjitha trevat Shqiptare kanë qenë gjithnjë në zemrën e vëmendjen e papëve të Romës, ndërkohë që ne e kemi dhënë dëshminë tonë përmes fjalëve të transmetuara ditë për ditë me mjetin e brishtë, por të fuqishëm, të valëve të radios, i vetmi që as regjimi më i ashpër komunist nuk mundi t’a bllokonte plotësisht. Natyrisht, radio Vatikani në gjuhën shqipe shprehet krenare që mundi ta bëjë këtë shërbim në vitet më të errëta të historisë së Shqipërisë, kur vendi qe deklaruar zyrtarisht si i vetmi “shtet ateist” në botë. Por e njëjta radio dëshiron të vijojë ta shoqërojë ecjen e shqiptarëve në këtë epokë të re, në të cilën e vetmja paqe në liri, paqja politike e brëndshme e ndërkombëtare, paqja shoqërore e mbi të gjitha paqësimi i zemrave është ende detyrë që qëndron para nesh, thuhej në deklaratën e emisionit shqip të radio Vatikanit me rastin e 85-vjetorit të saj, pesë vite më pare.
Radio Vatikani e realizoi këtë mision edhe gjatë krizës së Kosovës dhe angazhohen se do të bëjnë një gjë të tillë çdo ditë, duke u frymëzuar nga mësimet e Papës, në bashkim të thellë shpirtëror me Kishën katolike të pranishme në viset e gjuhës shqipe e me të gjithë burrat e gratë, veprimtarë e ndërtuesë të paqes. Në kohën kur regjimi komunist Enver Hoxhës bëri çmos të mbyllte çdo gojë që fliste në emër të Zotit, kur u rrokullisën kumbonët nga kumbonaret e heshtën uratët në Kishat e shkallmuara, zëri i radio Vatikanit vijonte të niste mesazhe përtej perdes së hekurt, përtej Adriatikut anë e mbanë trojeve shqiptare. U çonte shqiptarëve mesazhet e Atit të Shenjtë, mesazhe ngushëllimi e durimi, qëndrueshmërie e ngrohtësie vëllazërore, shprese e paqeje.
Kardinali shqiptar Ernest Simon Troshani me Don David Gjugjën,
përgjegjës i radio Vatikanit në gjuhën shqipe
Telat me gjemba që ndanin Shqipërinë nga bota, nuk munden ta ndalonin këtë zë shprese të hynte në shtëpitë e atyre që besonin e shpresonin në Zot. Selia e Shenjtë nuk i kishte harruar bijtë e vet të masakruar. Në fillimet e veta, programi i radio Vatikanit në gjuhën shqipe transmetonte tri herë në javë. Pastaj transmetimi u bë i përditshëm.Fillimisht, tematika ishte vetëm liturgjiko-kishtare, por më më vonë u pasurua, duke përfshirë dokumentet më të rëndësishme të papës, veprimtaritë dhe vizitat e Atit Shenjtë, për të vijuar me veprimtaritë e Kishës katolike në trevat Shqiptare e në botë, problemet e rëndësishme të etikës, të shoqërisë, të kulturës, letërsisë e artit, parë gjithnjë në këndvështrimin ungjillor. Në fillim rrethi i bashkëpunëtorëve vijonte të ishte tepër i ngushtë. Radioja fliste. Por ishte një monolog i gjatë. Një monolog i dhimbshëm, më se 40 vjeçar. Asnjë përgjigje nga dëgjuesit. Asnjë zë nuk dëgjohej përtej telave me gjemba.
Zërat shqiptarë të radio Vatikanit flisnin me maturi, me kujdes të madh. Një fjalë e papeshuar mirë, përtej perdes së hekurt mund të shkaktonte një valë të re martirizimi. Po, lavdi Zotit, erdhi dita e ëndërruar. Diktatura u shemb dhe filloi bashkëbisedimi me dëgjuesit. Deri në vitin 1988 programin në hjuhën shqipe e drejtoi Monsinjor Zef Shestani.
Pas këtij viti ai u largua nga mikrofoni për arsye moshe e sëmundjeje, duke e lënë drejtimin në duart e Gjon Gjomarkajt. Gjomarkaj vijoi ta drejtonte programin shqip deri në daljen e tij në pension, në vjeshtën e vitit 1992. Që nga kjo kohë, programi i gjuhës shqipe pranë radio Vatikanit e drejton aktualisht prifti nga Kosova, don David Gjugja. Në redaksi punojnë Katerina Nushi nga Prizreni, Ana Luka nga Shkodra dhe Klaudia Bumçi nga Tirana dhe një numër i konsiderueshëm bashkpuntorësh nga të gjitha trevat shqiptare në Ballkanin Perëndimor.
* Bazuar kryesisht në burime të radio Vatikanit