VOA PËR SHQIPTARËT
Nga Frank Shkreli*
13 Maji i këtij viti shënon 75-vjetorin e themelimit të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe, ndonëse Zëri i Amerikës si ent i qeverisë amerikane për transmetime ndërkombëtare në anglisht dhe në shumë gjuhë të tjera botërore kishte filluar transmetimet për herë të parë me një program prej 15-minutash në gjermanisht – me 1 shkurt, 1942, nga një studio në qytetin e Nju Jorkut — vetëm shtatë javë pasi Shtetet e Bashkuara hynë zytarisht në Luftën e dytë Botërore. Programi i parë i VOA-s filloi me fjalët e folësit Uilliam Hejl: “Po ju sjellim zërat nga Amerika. Sot dhe çdo ditë prej sodit, ne do t’ju flasim për Amerikën dhe për luftën. Lajmet mund të jenë të mira për ne. Ose lajmet mund të jenë të këqia. Por ne do t’ju themi të vërtetën.”
Ndërkaq, ç’prej vitit 1976, këto fjalë janë mishëruar në Kartën e Zërit të Amerikës, në dokumentin që detyron me ligj Zërin e Amerikës që të “Shërbejë si burim i besueshëm dhe i mirë-informuar lajmesh”. Për më tepër, ky ligj detyron VOA-n që trasmetimet e sajë të jenë, “Të sakta, objektive dhe gjithpërfshirëse”. Në këtë frymë saktësie, objektiviteti dhe gjithpërfshirjeje ka vepruar edhe Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe, për çdo ditë dhe për çdo program që ka transmetuar për 75-vjetë tani, gjithmonë në mbështetje të lirisë dhe demokracisë së vërtetë në Shqipëri dhe në Kosovë si dhe në mbrojtje të të drejtave të shiqiptarëve anë e mbanë trojeve të tyre autoktone.
Ashtu si gjatë 75-viteve të ekzistencës së tij, me të njëjtin përkushtim ndaj së vërtetës dhe besueshmërisë në emisionet e tij dhe angazhimit për liri e demokraci, Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe edhe sot vazhdon të komunikojë me botën shqiptare kryesisht nepërmjet programit televiziv “Ditari”, por edhe nepërmjet materialeve “online”, si edhe platformave të tjera siç është “facebook”, duke furnizuar shikuesin dhe lexuesin shqiptar në vendlindje por edhe e anë e mbanë botës, me lajme, analiza dhe intervista nga Amerika, nga bota por edhe nga korrespondentët e Zërit të Amerikës anë e mbanë trojeve shqiptare, mbi ngjarjet në rajon.
Zëri i Amerikës në shqip — si njëri prej dyzina gjuhësh të huaja që enti i përgjithëshëm i Zërit të Amerikës ka transmetuar gjatë 7-8 dekadave të kaluara, pothuaj pa ndërprerje – vazhdon të jetë edhe në këtë përvjetor, pjesë e kësaj historie krenare lajmesh dhe informacioni të sakt, objektiv dhe gjithëpërfshirës.
Ndonëse gjatë gjithë historisë së tij 75-vjeçare, Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe ka qenë – administrativisht — një ndër transmetimet e entit Evropian të VOA-s, sot është pjesë e Drejtorisë së VOA-s për Euro-Azinë, nën drejtimin e Dr. Elez Biberajt, ish Shefit të Seksionit shqip të Zërit të Amerikës, gjatë njerës prej periudhave më të arta të këtij enti por edhe më të rëndësishme për fatin e lirisë dhe të demokracisë në Shqipëri dhe sidomos në përpjekjet për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Në kapacitetin e tij si Drejtor i VOA-s për Euroazinë, ku bën pjesë edhe seksioni shqip, Dr Elez Biberaj u drejtojë kolegëve aktualë dhe ish-kolegëve të tij të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe këtë mesazh, me rastin e 75-vjetorit të themelimit të tij.
“Urime të përzemërta Shërbimit Shqip të Zërit të Amerikës me rastin e 75 vjetorit të transmetimeve në gjuhen shqipe. Programi i parë në shqip ka fillluar me datën 13 maj 1943, një kohë kur Zëri i Amerikës transmetonte në shumë pak gjuhë. Kjo dëshmon rëndësinë që Shtetet e Bashkuara u jepnin aspiratave të kombit shqiptar për pavarësi dhe demokraci. Transmetimet në shqip u ndërprenë në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1945, dhe rifilluan më 13 maj 1951.
Zëri i Amerikës ka qenë dëshmitar i ngjarjeve më të rëndësishme të historisë së kombit shqiptar dhe ka shërbyer vazhdimisht si një burim i besueshëm lajmesh dhe informacioni. Është e vështirë të gjesh një mjet tjetër shtypi që të ketë mbuluar dhe që vazhdon t’i mbulojë zhvillimet në Ballkan në një mënyrë të tillë gjithëpërfshirëse dhe gjithë-shqiptare si Zëri i Amerikës. Shërbimi Shqip vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm dhe gëzon një ndër audiencat më të mëdha mes shërbimeve në të gjitha gjuhët e tjera të Zërit të Amerikës.
Mirënjohje kolegëve të Shërbimit Shqip dhe të gjithë gazetarëve që kanë pasur fatin dhe nderin të punojnë për Zërin e Amerikës dhe të japin ndihmësen e tyre modeste për lirinë dhe demokracinë e kombit shqiptar!”, përfundon urimin e tij Dr. Elez Biberaj drejtuar kolegëve aktualë dhe ish-kolegëve që kanë punuar për 75-vjetë në Zërin e Amerikës në gjuhën shqipe.
Dr. Elez Biberaj, Drejtor i Zërit të Amerikës për Euroazinë
Ashtu siç thotë edhe Dr. Biberaj në urimin e tij më lartë, drejtuar Shërbimit shqip të Zërit të Amerikës, madje edhe 75-vjet pas themelimit të tij, “Shërbimi Shqip vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm dhe gëzon një ndër audiencat më të mëdha mes shërbimeve në të gjitha gjuhët e tjera të Zërit të Amerikës”. Në raportin e fundit të Drejtorisë të Zërit të Amerikës për Euro-Azinë, thuhet se programet e Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe, “Tërheqin dhe influencojnë më shumë njerëz se çdo transmetues tjetër ndërkombëtar lajmesh në Shqipëri, në Kosovë dhe në trojet shqiptare në Maqedoni, Serbi e Mal të Zi.”
Ky fakt është vërtetuar edhe edhe nga raporte të tjera anketimesh ndërkombëtare, sipas të cilave VOA-shqip llogaritet të ketë në Shqipëri një audiencë prej 60.5% në radhët e të rriturve dhe 64% e të rriturve në Republikën e Kosovës në javë, duke theksuar se 4 nga 5 shikues në Shqipëri të programit televiziv të VOA-s shqip, e vlerësojnë këtë emision si “shumë të besueshëm”.
Në të vërtetë, ky fenomen është tepër i rrallë në fushën e transmetimeve ndërkombëtare – ndoshta i pa precedencë — kur një program lajmesh e informacioni nga jashtë, siç është Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe, të tërheqë një përqindje kaq të madhe të shikuesve, në të gjitha trojet shqiptare.
Foto marrë 5 vjet më parë, me rastin e 70-vjetorit të VOA-s shqip
të stafit aktual dhe disa ish-pjesëtarve të seksionit shqip.
Për aq sa ky fakt është një vlerësim i meritueshëm i punës që Shërbimi Shqip i VOA-s ka bërë gjatë këtyre 75-viteve për mirë-informimin e shqiptarëve kudo — shpesh herë nën rrethana të vështira – aq më tepër kam drojë se është një tregues i dhimbshëm i gjëndjes dhe i mjedisit jo të mirë politiko-mediatik, në të cilin vepron media sot, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Ente që merren me mbrojtjen e lirisë së shtypit në botë, siç është organizata “Freedom House”, e kanë karakterizuar median në Shqipëri dhe në Kosovë si, “gjysëm të lirë” dhe subjekt kontrolli dhe influence nga partitë politike dhe nga interesa të tjera biznesi. Sipas ekspertëve, mungesa e një medias vërtetë të lirë, objektive dhe të besueshme, sipas standardeve ndërkombëtare në Shqipëri dhe në Kosovë, pasqyron edhe arsyet e vështirësive të këtij tranzicioni të lodhur dhe të stërgjatur politik, me të cilin po përballet shoqëria shqiptare — nga komunizmi gjysëm shekullor, në një demokraci vërtetë funksionale.
Fatkeqsisht, me prirjet autoritare politike që vihen re në radhët e udhëheqësve aktualë politikë shqiptarë, qoftë në Shqipëri qoftë edhe në Kosovë, ka gjasë që Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe të festojë edhe 150-vjetorin e themelimit të tij, megjithse disa media të caktuara shqiptare ia kanë ndjedhur dhe dëshiruar mbylljen, me kohë. Besoj se tendencat autoritare alla erdoganiste dhe putiniste në proceset politike shqiptare, madje edhe gati 30-vjetë post-komunizëm, do ia zgjasin jetën VOA-s shqip edhe për 75-vjetë të tjera dhe janë arsyeja kryesore që Zëri i Amerikës, edhe sot në 75-vjetorin e themelimit të tij, vazhdon të jetë kaq popullor dhe të luaj gjithnjë një rol kryesor në hapësirën mediatike shqiptare, 28-vjetë pas shëmbjes së komunizmit.
*Autori ka shërbyer në detyra të ndryshme të Zërit të Amerikës gjatë një karriere 30-vjeçare, përfshirë shef i Shërbimit Shqip dhe drejtor i VOA-s për Europën.
Kënga më poshtë është nga rapsodi Sadik Qeriqi kushtuar Zërit të Amerikës. Kjo këngë është kënduar fillimisht nga rapsodi i ndjerë Sali Mani me rastin e 50-vjetorit të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe.