F. HALITI, PORTRET: VIZ. S. KAMBERI
PIKTOR I POPULLIT
Faslli Haliti
1. BORA
Bora
Thau Veriun,
Ngriu malësorët, malet,
Ngriu gurrat,
Thau lulet.
Naimi shkroi
Lulet e reja të verës
Mbi bardhësinë e ftohtë.
Lulet ngrohën luginat, bjeshkët, malet
Me prushin e rimave, metaforave, petaleve,
Naimi
Shkriu akujt,
Borërat e maleve.
Migjeni
Zuri të kollitet.
Filloi të pështyjë gjak.
Plagosi dëborën me gjak tuberkular.
Pastaj
Qëlloi…
I ra me grusht
Bardhësisë së zezë.
Vrau bardhësinë vrasëse.
Si mund të heshte Migjeni,
Si mund të rrinte indiferent, i qetë
Përballë një bardhësie vrasëse
Që vret,
Që vret,
Që
Vret…
Shkurt, 2012
2. KUAJT E FYER
Kali im i kuq,
Kali im
I zi,
Kali im i bardhë.
Ti kishe një shqetësim.
Të duhej të kaloje lumin,
Të hidhje lumin shoku im,
Lumin që vërshonte trembshëm
Turbull, turbull me galop.
Unë të dhashë kalin e zi.
Si mund të mos të ta jepja
Kalin unë ty!
Ti hodhe lumin,
Ti hodhe
Hallin
Dhe më the,
Të dhjefsha kalin.
Të doli përpara një tjetër lumë,
(Jeta s’ka, pra, vetëm një lumë),
Për të hedhur lumin,
T’u desh prapë
Kali im,
Për një hall të zi,
Për një hall, pikëllim…
S’prita
Të më luteshe,
Të më bije në gjunjë…
Ta dhashë kalin dhe kuq.
Ti hodhe lumin,
Hodhe
Hallin.
Dhe më the,
Të dhjefsha kalin…!
Më kërkove kalin për të tretë herë
S’e di për çfarë
S’di përse
Për
Dasmë,
Për
Zi
Por unë
S’ta dhashë kalin këtë radhë
S’desha të ma ndotje
Kalin e bardhë…!
Shkurt, 2012
3. BILBILI I DASMAVE
Këndoi Zak Bilbili,
Bilbili i dasmave,
Këndoi
Me zë bilbili
Në dasmën e Laureshës,
(Kot s’e ka mbiemrin bilbil, ai).
Dasmorët hapën veshët,
Mbyllën sytë,
Rritën
Përfytyrimin.
Të lumtë goja,
Të lumtë,
Të këndoftë shpirti,
Tha zoti i dasmës
Me shpirt.
Të lumtë goja, të lumtë,
Thanë dasmorët të gjithë.
Këndova
Dhe unë,
(Me zë sorre),
Më dëgjoi dhe i zoti i dasmës,
Të këndoftë zemra, më tha me kënaqësi
Të këndoftë shpirti, thanë dasmorët të gjithë.
Edhe pse me zë sorre,
Unë këndova me gjithë zemër, me gjithë shpirt…
Shkurt, 2012
4. S’KËRKOJA
Si nxënës
Protestoja,
Kur mësuesi
U vinte nota të larta
Nota maksimale, boshe
Fëmijëve të shokëve partiakë,
Fëmijëve të shokëv të komitetit.
Ai
Më quante ambicioz,
Ziliqar smirëzi…
Xheloz
Kur unë kërkoja veç drejtësi.
Si punëtor
Protestoja gjithashtu,
Kur brigadieri
Paguante
Më tepër
Mikeshat
Dhe miqtë e tij.
Brigadieri tërbohej
Më quante ambicioz
Ziliqar
Xheloz
Dhe smirëzi…
Kur unë s’kërkoja
Veçse drejtësi, vetëm drejtësi.
Kështu
Për
Çdo revoltë,
Për çdo protestë,
S’m’u ndanë fjalët:
Xheloz,
Kritizer
Ambicioz,
Dhe smirëzi.
Kur unë s’kërkoja
Veçse drejtësi, drejtësi.
Shkurt, 2012
5. ME PARA
Me para
Ha
Dhe të hanë
Vret
Dhe të vrasin
Blen
Dhe të blejnë
Tradhton
Dhe të tradhtojnë…
Shemb
Dhe të shembin
Ther
Dhe të therin
Shkul
Dhe të shkulin
Nxin
Dhe të nxijnë
Rrjep
Dhe të rrjepin
Djeg
Dhe të djegin
Shkurt, 2012
6. PO IKIN SHOKËT
Po ikin shokët çdo vit
Shokët e fillores
Liceut
Artistik
Shokët e ushtrisë.
Po ikin
Ata
Që i çmoja
Dhe s’më çmonin
Ata
Që më çmonin
Dhe s’i çmoja
Ata
Që njihja
Dhe s’më njihnin
Ata
Që më njihnin
Dhe s’i njihja
Ata
Që doja
dhe s’më donin
Ata
Që më donin
Dhe s’i doja
Ata
Që adhuroja
E s’më adhuronin
Ata
Që më adhuronin
Dhe s’i adhuroja.
Po ikin shokët që çmoja
Dhe s’më çmonin
Shokët që doja
Dhe
S’më donin…
Shkurt, 2012