Nga Moikom Zeqo – Dita, 11 dhjetor 2017
Në vitin 1967, 50 vjet më parë, në moshën 18 vjeçare, unë shkrova dhe botova një cikël poetik për Gjergj Kastriot Skënderbeun.
Një vit më pas, në 1968, u festua viti jubilar i 500 vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar të shqiptarëve.
Në paradhomën kohore të këtij 500 vjetori unë i konceptova pesë motive për heroizmin e Skënderbeiadës së shekullit XV.
Në 2018 është jubileu i 550 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut.
* * *
Po i jap për botim poezitë e mia të para gjysmë shekulli
Poezia e parë “Skënderbeu” është botuar tek gazeta “Adriatiku” e Durrësit në 13 qershor 1967.
Nuk e kam përfshirë në asnjë nga librat e mi.
Poezitë e tjera „Gurëhedhësit e Skënderbeut“, „Kronikë, shekulli XV“ ,”Dhitë e perkrenares“ si dhe “Kështjella” janë në librin tim poetik „Vegime të vendëlindjes“, botuar në 1968.
1. SKENDERBEU
Si bardët këndoj me lirën epike
Lavdinë e kombit, që si Diell ndrit,
Ku klith shqiponja mbi pllaja e brigje
Dhe pendët e moçme me sqep shpupurit.
I shenjtë është ky vend, ky troll shqiptar,
Me mish dhe me shpirt jam i lidhur me të,
Këtu forcën e jetës un’ e gjej dhe e marr,
Si një dru me rrënjët e shtrira në dhe.
* * *
Këtu çdo gojëdhënë dhe epope madhështore
Imagjinatën time ma ndez plot me vrull,
Këndoj trimëritë e kreshnikëve, heronjve,
Se gjakun e tyre ma kujton çdo muzg.
O shekuj të shkuar, përtëritmini pamjet!
Si një yll, që më tepër se të tjerët ndriçon,
Heroin Skënderbe mbi kalin e bardhë,
Mbi një shkëmb të lartë, mes mjegullave e shoh.
* * *
Vështrimin krenar hedh në male ai
Dhe ngre mburojën e madhe, të rëndë,
Nga supet pelerina i valon me furi
Dhe kali i shpejtë tund krifën në erë.
Shqyti i trimit dhe parzmorja e praruar,
Vetëtijnë të përflakura në largësi,
Mburoja kumbon, -gjithmonë ka kumbuar,
Si çangë kjo mburojë në luftë për liri.
* * *
Vegimi i Skënderbeut kudo valëvitet,
Si zjarr, që s’shuhet gjer në amshim,
Atje pishtari i heroizmave ndizet,
Zemra e popullit të bashkuar dhe trim.
Në shekuj në shkëmbin plot myshk e gdhendur,
Në kujtesën e popullit në këngët kreshnike,
Gjurma e kalit të tij ka mbetur,
Si fosil i lavdisë mes jehonave të viteve,
* * *
Si dëshmi e fitoreve, që fiset e lira
Korrën në betejat plot klithma dhe tmerr.
* * *
Me gjurma të tilla plot heroizma
Ka ecur tek ne historia e tërë.
“Adriatiku” 13 qershor1967
2. GURËHEDHËSIT E SKËNDERBEUT
Sinjale zjarresh
lajmërojnë
për armikun.
Dallgë të gurta malesh ngrihen në pritje.
Vijnë hordhitë,
(honet hapin varret e tyre)
Daulle.
Pishtarë.
Kavaleri e sulmit.
Topa.
Pushkë stralli.
Shpata.
Heshta.
Kështu sulen hordhitë
për të zhdukur
Atdheun e shqiptarëve!
Po mbi çallmat e tyre
rrinte
vetë Vdekja,
si mbi vezët e disfatave të ardhme.
1967
3. KRONIKË, SHEKULLI XV
I shkëmbtë, i rëndë u hodh përmbi turqit,
Fshatari i rreptë me gjoks
Dhe sëpatë.
Kur pa përmes flakëve kasollen dhe grurin
Dhe gruan dhe djalin
Të therur në prag.
Një gjë të tillë se kish parë
As në ëndërr:
Familjen të vrarë dhe bukën të djegur.
Urrejtja i dha
Njëqind sopata në eshtër,
Sa turqit me çallma i korri sa mundi,
Pastaj i përgjakur u shtri,
Për të vdekur,
Pranë gruas së tij, pranë djalit dhe grurit.
1967
4. DHITE E PERKRENARES
Se ç’hov plot liri e ngjit mbi humnera
Kopenë e shkathët të dhive,
Mbi pllajat dhe shpatet me bar,
Manaferra,
Në shkurret plot gaz të lajthive.
Dhe ngjiten ato në shtigjet e pjerrëta
Atje ku s’ngjitet njeri,
Me brirët e kthyer tehe të mprehta,
Me tinguj kumborash
Në gji.
Dhe cjapi ogiç tund mjekrën e bardhë
Kopesë në kullota i prin,
Në pellgjet plot ujë të kulluar,
Kristal,
Gazmor dhe krenar blegërin.
Çamarrokët kecër
Kërcejnë majë çukave,
Në gërxhet alpine të dehur,
Nën fletët e thanës me kokrra të kuqe,
Mbi barin e njomë dhe të gjelbër.
Se ç‘vrull plot liri i ngjit sipër honesh,
Dhitë me trup të zhdërvjellët,
Ndaj hidhen
Të shpejta, shkuma përrojesh,
Mbi strall të shkëmbejve dhe gërxhet.
Dhe mbetën ato në kujtesë të kombit,
Në vetë përkrenaren e Gjergj Kastriotit.
1967
5. KËSHTJELLA
Me kulla, mure edhe pirgje,
Plot pluhura, myshqe dhe lavdi,
Hesht kjo kështjellë kaq antike-
Shtrëngatë e ngrirë në ajri !
Në porta hekuri me ndryshk,
Në shtylla, harqe, në kube,
Shqota e gjakut me vertik
Si muzg i mpiksur ra përdhe!
S’dëgjohen më hordhitë e egra,
Tek kjo kështjellë si trambundanë,
Mbi to në shekuj ngrihet heshtja,
Si zbrabësirë pa fund dhe anë…
1967