5 poezi nga Pajtim Xhelo

0
472
Pajtim Xhelo

POPULL FATKEQ

Askush nuk mbeti nën yjet,
As vrasësit, as viktimat.
Nuk mbeti askush në diell,
As të ç’burrëruarit, as trimat.
Në hije nuk mbeti askush!
Nën një çati, në një gërmadhë nxitimi,
Që quhet Parlament,
U mblodhën të gjithë…
Në shtëpinë e zhgënjimit,
Epiqendër tërmetesh, pabesisht,
Pallati i gënjeshtrave historike….
Atje shkuan të gjithë :
Te paturpë, hajdutë, kriminelë.
Përfaqësues të një populli mendjemjegulluar,
Që më tepër se njeriut stuhisë i ngjet…
Kur të rrëmben në krahë,
Kur të përplas në shkëmbinj!
Një popull që ka në gen përrenj emocionesh,
Male me dhëmbje,
Univeres mundimesh, oqean mërzie,
Vullkan hakmarrjesh, melodi mëshire,
Pafundësi dashurie dhe dijesh…
Vec një popull që s’po di
Në krye kë të ketë!!!

Pajtim Xhelo, Vlorë, shtator 1997


Më prit

Deri dimrin tjetër nuk do zbardhem më,
As të ftohtët polar dot nuk do më ngri,
Dhe vdekjen do ta vdes, s’do më step asgjë,
Më prit si zjarr, si më prisje në rini.

Dhe në harresë të jetë mjegulluar,
Xixëllimi yjor i syve të mi,
Me mallin që nuk vdiq, do të sjell shaluar,
Yllin e mëngjesit në shkëlqim të ri.

Nëse jeta të ka lodhur, të ka plakur,
Do shoh te ti vajzën që ishte dikur,
Për inat të dimrit, më prit edhe vakur,
Do ndez unë zjarrin, qoftë dhe mbi gur.

Sikur jet’ e djallit rrufe e gjëmime,
Të ketë rrëzuar përmbi ty papre,
Do t’i ndjek me diellin e botës sime,
Do të sjell në duar një qiell pa re.

Kur të fry e të bjerë, më prit se erdha,
Je e pambrojtur, pa mure, pa çati?
Përvëlim, si diell Sahare t’u derdha,
Pastaj rërës do ndërtoj oaz të ri.

Nëse ke mbetur akacie e vetmuar,
Të shajnë, mallkojnë, të tjerat karshi,
Më prit gjer dimrin tjetër o ag i truar,
Mbi supe do të sjell mal me dashuri.

E nëse pritja do të duket e gjatë,
Dhe dimrin tjetër do ta shohësh ca larg,
Madje, edhe dita do të duket natë,
Foli shpirtit tim, do jet’ aty, përqark.

Deri dimrin tjetër, o mike më prit,
I lamë që na ikën vitet e mjerë,
Kur të shohësh thinjat ti mos u mërzit,
Thinja të reja dëbora le të bjerë.

Do vi te ti, sikur dhe vdekjen ta vdes,
Ndarjen e gjatë ta harrojmë të dy,
Pa , si këngën e vesës në çdo mëngjes,
Ta kemi edhe dimrin tjetër aty.

Pajtim Xhelo, 18 shkurt 2020


V E T J A

Ç’varferi!
Kjo jete e obliguar gjer ne fund!
Asnje kujdes per veten,
Asnje mendim per shpirtin.
Vetja na qenka harrese e trishtuar,
Egoizem,
Egocentrizem,
Sakrilegj!
Vafte ne djall,
Vafte ne dreq!
Mos do denuar edhe me BURG?!

Pajtim Xhelo


SI PUTHJE RITAKIMI

Tek rrija anë detit, magjepsur nga nata,
Më kish hedhur gjumi pluhur amëshimi,
Dhe ashtu në dehje, porsi në përralla
Nga valët dole ti, si zanë mallëngjimi.
Nuse e drojtur, e lehtë si Neraida
Porsi Afërdita, argjendi i agimit
Sytë si nat’ e ndezur, veshur me të bardha,
Shpirt i qetësuar, nur i perëndimit.
Kë kisha përpara, yjet apo dritën?
Mos nga lashtësia vinte Athinaja?
Të gjitha para teje u tretën, u venitën,
Si kreshtat e maleve nga mjegullnaja.
Më dehe si verë e vjetër Narte,
Më ndeze gjakun si mjaltë Delvine,
E bukur si ëndër, si vajzë vlonjate
E brishtë, e ëmbël si puhizë Kanine.
Sec u deha keq, sec u përvëlova
Zjarr’ i dashurisë ndezur rri gjithnjë!
Për një cast, i mjeri, desh harrova
Që ti në ketë botë s’ishe më !
Dhe guxova një cast un’i ziu
Të isha, pse jo, njëzetë vjeç,
Po nata njehësore kudo shtriu
Errësirën tinzare, të pabesë.
Eh, ç’ma rrëmbyen ëndrën e trillit!
Se ç’ma thanë burimin e dashurisë!
Kush ma trembi mbrëmjen e prillit
Mbuluar me vello e nusërisë?
Tek rrija anëdetit, nanuritur nga vala,
Gjumi më kish hedhur pluhur amëshimi
Dhe ashtu, si ëngjëll në përralla
Mbete tek unë si puthje ritakimi

Pajtim Xhelo, Himarë


NË PRILL

Në prill, kur lulëzon dhe qershia,
Mbrëmjet vakët trokasin në harrim
Si fllad mëngjezor fjalët e mia
Mbi supet do të hedhin një kujtim.
I largët, i ëmbël, si qershia,
Si një natë hënore ky kujtim,
Do na kthejë pas te pragrinia,
Do zbres yllësive dashurinë.
Pa në prill, kur këndon dashuria
Dhe shpirti ndizet me flakë të re,
Me çap të drojtur vjen dhe rinia,
Na sjell edhe ndjenjën që lamë atje.
Në prill na bekon dhe Perëndia,
Dhe ajo dashuron në pranverë,
Ngre dallgë si në det nga stuhia,
Që hepohen kur nata të bjerë.
Ëndrës do hedhë lule qershia,
Ndjenjës hyjnore që shumë zgjati,
Mbrëmjes zjarrin do shuaj freskia,
Që do zbresë malit monopati.
Në prill, kur të ketë dhe rënkime,
Nga ato që s’i njohëm në rini,
Do të pres shpirtndezur mikja ime,
Harruar moshë, vite, pleqëri.
Kur të shohësh lulet te qershia,,
Do kenë çelur të gjitha për ty,
Në prill, kur këndon dhe dashuria,
Këtu do ta dëgjojmë ne të dy.
Dhe mos më thuaj koha na iku,
As se është vonë për në altar,
Po dhe dimri zjarrin dot s’e fiku,
Vet prilli s’ka nevojë as për zjarr.

Pajtim Xhelo, 10 shkurt 2019