5 POEZI NGA LIBRI “DIELLFTOHTI”

0
700

FASLLI HALITI

ZGJATA DORËN

Zgjata dorën te gonxhja e trëndafilit,
Trëndafili
Më tregoi gjembat…
Gishtat m’u mbushën me gonxhe të kuqe gjaku !

Zgjata dorën te hoja e mjaltit,
Bleta
Më tregoi thumbin me egërsi

Dhe kulloti në gonxhet e gishtave të mi !

LICEISTES

Liceiste e viteve liceiste,
E dashura
Ime

E dashur,
E dashura ime
Më e çuditshme,
E dashura ime e vetme
E vërtetë,
E dashura ime
Që kurrë s’më deshe,
Oponentja më egër e dashurisë sime në jetë…

Mos eja netëve në shtratin tim fshehtas burrit,
Mos bëj dashuri në ëndërr me mua!
Gjersa ti s’më deshe
Ditën
Zgjuar,
As unë nuk dua
Të bësh dashuri ti netëve
Nëpër ëndërra përgjumi me mua…

MOS U TREGO BESNIK

Qen
Të lutem,
Mos lih sonte,
Mos u trego besnik sonte me tëtzot,
Na lërë të puthemi nën këto hije erë limoni!
I pushove të lehurat?
S’po leh më?
Okej,
Besniku im Qen!
Kush përkrah dashurinë,
S’tregohet i pabesë me të zotin e vet
Edhe pse të zotin e gënjen…

Falemnderit për mirëkuptimin, zoti Qen !

KUJT T’I BESOJ

Kujt t’i besoj,
Kujt?
Asaj që më the,
Kësaj që po më thua,
Asaj që do të më thuash?

Kujt t’i besoj unë e kush t’më besojë mua, kush ?

2005

TUFA E ZOGJVE

Një tufë zogjsh ulërimshëm,
E ndjekur nga një skifter terrorist,
Erdhi tek unë e trembur,
E tmerruar
Tmerrësisht.

Duke u dridhur
Zogjtë
M’u ulën bë të dyja pëllëmbët,
Si në dy fole të ngrohta, komode.
I mbajta në të dyja pëllëmbët e mia.
Zogjtë nuk po dridheshin më.
Pasi iu doli frika,
Pasi u ngrohën, u qetësuan…
Më bënë glasën në të dyja pëllëmbët

Dhe ikën qiejve gjithë cicërima, fluturuan…

_______________________________
Këto 5 poezi u shkëputën nga libri “Diellftohti”