ALDO PALACESKI
( Aldo Palazeschi )
1885 – 1974
Lindi në Firence. Më 1909 futet në lëvizjen futuriste, më 1914 shkëputet prej saj. Poezia e tij është e afërt edhe me atë të poetëve « të muzgut », një e qeshur e trishtuar me jetën; prandaj një manifest tipik i kësaj poezie është, «Lërmëni të zbavitem » ku poeti shihet si pehlivan i shpirtit të vet». Është një poet plot fantazi që nën vellon e mendjelehtësisë dhe ironisë fsheh një shpirt bujar dhe plot dhembshuri. Më vonë Palaceski do të kalonte te romani dhe do të njihte disa suksese ( më i njohuri ndër romanet : « Motrat Materasi », 1934.) Krijimtaria e tij poetike nis nga fillimi i shekullit ( «Kuajt e bardhë», « Llamba », «Poezi», « Zjarrvënësi » ) dhe, pas një ndërprerje të gjatë, rifillon më 1968 me «Zemra ime », dhe « Rruga e njëqind yjeve » ( 1972 ).
KUSH JAM ?
A jam vallë poet ?
Jo, sigurisht.
Pena e shpirtit tim
nuk shkruan, veçse një fjalë të çuditshme,
«çmenduri»
A jam, pra, piktor?
S’ bëhet fjalë.
S’ka veçse një ngjyrë
tavoloca e shpirtit tim:
«melankolinë».
Muzikant, atëherë?
Aspak.
S’ka veçse një notë
në tastierën e shpirtit tim:
«nostalgjia».
Jam pra… ç’jam ?
Unë vë një lente
para zemrës sime
për ta parë njerëzit.
Kush jam ?
Akrobat i shpirtit tim.
ARA MARA AMARA
Në fund të rrëpirës,
midis qiparisave të gjatë,
ndodhet një lëndinë,
Qëndrojnë në atë hije
tri plaka
dhe luajnë me zare.
s’e ngrenë kokën as edhe çast,
s’e këmbejnë vendin as edhe një ditë.
Qëndrojnë në gjunjë mbi bar
qëndrojnë në atë hije dhe luajnë.
ORO DORO ODORO DODORO
Në fund të rrugës në thellësi është qoshja gjigante
që rrethohet nga qiparisa të lartë.
Statuja hequr në kohëra të largëta.
Hëna shkëlqen mbi bardhësinë e shndritshme të mermerit
që duket se mbështetet mbi të zezën e thellë
të qiparisave të lartë.
Janë aty në bazë
katër njerëz të mbështjellë me pelerina të zeza.
Shohi njeri – tjetrin në heshtje,
s’lëvizin as gishtin.
PAPAGALLI
Shtaza ka pupla shumëngjyrshme
që shkëlqejnë në diell duke ndryshuar.
Në atë dritare ai qëndron që prej njëqind vitesh
duke parë njerëzit të kalojnë.
Nuk flet e nuk këndon.
Njerëzit duke kaluar ndalen për ta parë,
ndalen duke folur duke fishkëllyer e duke kënduar,
ai i sheh duke heshtur.
Njerëzit e thërrasin,
ai sheh duke heshtur.
PARKU I LAGËSHT
Parku është i mbyllur i mbyllur i mbyllur,
i mbyllur nga një mur
që është milje milje milje i gjatë;
nga një mur i mbuluar me myk,
i mbuluar me likene të gjelbra,
që kullon baltëra të dendura.
As një kalim nuk tejduket në park
as një fener s’duket në të.
Vetëm myket që bien mund të shohësh,
vetëm baltovinat e dendura që kullojnë.
Kedrat shumë të lartë e kalojnë murin,
pishat me trungjet e trashë zgjatin përjashta tij ombrellën;
dhe shelgjet, shelgjet e shumtë
që përziejnë lotët me likenet e gjelbra,
me baltovina gri që kullojnë
mbi murin në shembje.
Nga jashtë ja parku i mbyllur i mbyllur i mbyllur
nga një mur
që është milje milje milje i gjatë.
Midis hijeve, midis hijeve të fuqishme,
në dendësinë e pemëve të mëdha,
vetëm tri gra vërtiten ngadalë
gra shumë të bukura: mbretëresha farefis.
Vërtiten lehtë, në heshtje,
në hijen e parkut të mbyllur,
gratë tërheqin rëndë manton e zisë,
mbuluar prej një tyli
që mezi zbulon zbehtësinë e fytyrës.
Përktheu: Faslli Haliti