Rreth përmbledhjes poetike të Zef Zorbës “Buzë të ngrira në gaz”
“Përmbledhja poetike e Zef Zorbës”
1) “Buzë të ngrira në gaz”, e shkruar brenda skajeve të një jete të tërë, nga viti 1945 deri në vitin 1980, u botua një vit mbas vdekjes së poetit, nën kujdesin e Stefan Çapalikut. Më pas u botuan edhe disa poezi të tjera në revistat “Phoenix” dhe “Hylli i Dritës”; çka la të kuptohet se nuk qe përfshirë në vëllim e gjithë krijimtaria poetike e tij. 2).”
Nga Anton Çefa, New York
“Buzë të ngrira në gaz” është shqiptim poetik i lartë, fryt i asaj kohe absurde që ngriu në buzë fjalën e pathënë, po aq edhe ironinë tragjike për bëmat e çoroditura të një shteti të çmendur, të një shoqërie të ndaluar në vend, dhe të një populli të shkëputur nga bota. Fillimisht, kritika letrare, me dashje a padashje, a sepse, si duket, nuk qe e përgatitur për ta bluar artin e tij, nuk iu afrua poezisë së Zorbës. Befasues qe një vlerësim i lartë nga jashtë.
Në vitin 1996, një komision sui generis, i përbërë nga albanologu Hans Joachim Lanksch, prof. dr. Walter Breu (Universiteti i Kostancës), prof. dr. Elvira Glaser (Universiteti i Zurihut), dhe prof. dr. Wilfrich Fiedler (Universiteti i Munihut), i dha Zorbës çmimin “Martin Camaj”. Në arsyetimin e jurisë thuhet “Zorba i takon një qarku të vogël shkrimtarësh në Shqipni që, artistikisht dhe moralisht, e rimerrshin fillin e këputun të vazhdimësisë së letërsisë shqiptare dhe e rimkambëshin lidhjen me rangun e saj të naltë, që kishte fitue me autorë si Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Ernest Koliqi.”
Dhe më poshtë: “Vjershat e Zorbës janë art autonom i fjalës, art që ushqehet nga substanca fizike e shpirtërore e fjalës” dhe “Zorba asht modernisti i parë genuin dhe njiherit hermetiku i parë i poezisë së re shqiptare, me sa asht fjala për atë të shkrueme në Shqipni” 3).
Falë buzëve të ngrira në gaz, këtij njëmendësimi psikologjik dhe filozofik, poezia e Zorbës sot është një realitet poetik gjithëkohor i letërsisë shqipe; realitet poetik buzësh “të ngrira në gaz”, një gaz që shkëlqen ndër ngrica të akullta ironie. Në “Pasthënien”, me të cilën poeti ka dhënë sqarime për poezinë e tij, thuhet: “Ku më pak e ku më shumë këto punime janë mbarsur nga ironia, madje edhe nga autoironia, por që mjerisht, pa dëshirën time, ka shkarë ndonjëhërë në sarkazëm. S’kam pasë fare të bëj: ashtu ka ardhë. Por dua që këto tipare të mos interpretohen si pesimizëm: nëse duken si të tilla fajin e ka aftësia ime e kufizuar e jo vetëdija”4). Ashtu është.
Ai e ka ditur e njohur veten dhe botën, jetën dhe artin, dhe i ka dashur:
“O jetë!
Edhe në zgrip,
Shtegëtarët e tu,
Gjithnjë të dashurojnë.”
Që në moshë fare të re, ai krijoi për vete një realitet të dytë që nuk kishte të bëjë me përditshmërinë. Dhe që është: “më i bukur se jeta vetë”. Çfarë joshjeje mund të kishte jeta e asaj kohe të vrazhdë, kur poetin e yshtnin horizonte të kaltra poezie, muzike, filozofie, estetike! Përmes këtyre filtrave kalonte në shpirtin e tij zymtia e ditëve, që u pasqyrua aq bukur ndër vargje.
Në nëntitullin e poezisë “Qokthi”, poeti ka vënë dy vargje të Salvatore Quasimodo-s: “… il mio cuore, / sospeso nel buio, una voce” (“… zemra ime, / e varur në errësirë, një zë”), që ngërthejnë kuptimin e jetës së tij në terrin e diktaturës, kuptim që ai e sheh tek zëri, fjala, poezia, me të cilën ai ka përjetuar dhëmbjen dhe ka krijuar e shijuar bukurinë; bukurinë e jetës dhe bukurinë e fjalës, që sendërton jetën dhe është më e bukur se ajo:
“Fjala Vetëtimë.
E zbret fulikare
Fjala që vret mu në shpirt.
Më e bukur se jeta vetë
Oh…”
Zorba ka një vlerësim të veçantë për poezinë. Ajo ka origjinë hyjnore: është vetëtimë që zbret shumë shpejt (fulikare) në shpirtin e poetit dhe vrujon dhimbje. Të njëtën konsideratë e gjejmë të De Rada, Fishta dhe poetë dhe estetë të tjerë të traditës. Lasgushi e ka pohuar me gojë: “Poezia është divine (hyjnore). Prandaj, kur shkruan poezi, duhet ta kesh shpirtin të shenjtëruar. Çdo poezi duhet të jetë një xhevahir dhe xhevahir duhet të jetë çdo varg i saj dhe çdo fjalë e saj duhet të jetë xhevahir.” 5) dhe e ka poetizuar:
“Sbret një yll prej lartësije,
Një të ndritur shkrepëtime,
Posi flakë e posi hije,
Ajo ryn në zemër time.
E kuptoj me shpirt të sosur
Si kullon dale-nga-dale,
E si fjalës së palosur
M’i hap kindin e një pale…
(“Ri mbështetur mbi tryezë”)
* * *
“Buzë të ngrira në gaz”përbëhet nga pesë tubëza lirike, të titulluara: “Elemente”, “Blerime tjera e zalle”, “Pasqyra të cfilitura”, “Fugat e fundit”, “Në zgrip” dhe poemën “Mbresat e rrugëve”. Në ciklet poetike mbizotërojnë vëzhgimet meditative për jetën, vdekjen, fatin e njeriut, gjendjen nën diktaturë, por nuk mungojnë edhe ato të thjeshta. Në një pjesë të mirë të poezive janë trajtuar tablo nga jeta e përditshme. Ndonjëherë, shqiptimet mishërojnë një theks të dukshëm ironik. Një jeh të veçantë kanë mesazhet nga bota metafizike.
Zorba cilësohet me një forcë poetike të veçantë; ai e gjen frymëzimin kudo, në objekte a situata, ku nuk të shkon mendja se lind frymmëzimi, atje, ai krijon një perlë. Si poet hermetik, Zorba ka dalloja të theksuara, kemi të bëjmë me një intelektual që gjithë jetën e ka kaluar jo vetëm me hermetikët e mëdhenj italianë, por edhe me poetët e mëdhenj modernë europianë dhe amerikanë. Ai ishte tejet i familjarizuar me filozofinë dhe estetikën moderne dhe, sidomos, kishte një kulturë të gjerë muzikore, faktorë që kanë ndikuar në veçoritë e hermetizmit të tij.
Mungesa e njohjes në nivelin e duhur të këtyre përbërësve, që përcaktojnë në një masë të madhe poezinë e tij, nuk mund të lidhet vetëm në një gremç të vetmuar hermetizmi, por për t’u interpretuar kërkojnë një formim të ngritur. Jeta e rëndomtë, ai realitet i zymtë që poeti e ka soditur gjithnjë me dhimbje të thellë, herëherë me mospërfillje dhe ironi, lexohet pa ndonjë vështirësi në pjesën më të madhe të vargjeve. Ky realitet jo vetëm që ka qenë i pranishëm, po edhe i ka ndihmuar poetit të krijojë një vizion jete përtej tij; jo të bazuar në filozofinë e prioritetit të materies, por mbi bazën e filozofisë së ndërgjegjes përcaktuese, “të koshientit e të subkoshientit”, po të shprehemi me fjalët e tij.
Ky avantazh filozofik i ka dhënë frymën motiveve, tablove, figuracionit, stilit, çdo elementi të poezisë, dhe kryekrejet mesazheve. Përtej errësirës, absurditetit të pafund, kohës së ndalur, poeti në dritën e këtij vizioni i sheh qartë tri dimensionet e kohës, të djeshmin, të tashmin dhe të nesërmin. Një nga simbolet që paraqet zymtinë e rëndë, errësirën, mjerimin e jetës nën diktaturë, peshën e zezë të politikës është shiu.
Shiu është kryefjala e fjalëve më kyçe të poezisë. Gati-gati, pjesa më e madhe e vargjeve janë të lagura, bile të qullura. Edhe një xhevahir poetik ku himnizohet madhështia e njeriut që, edhe pse në kushte të vështitra jetese, në rrethana të papërshtatshme, ka synuar të dritshmën, të mirën, të bukurën, i ka endërruar dhe është përpjekur për t’i realizuar ato, dhe me mund, sakrifica, flijime, e ka lënë botën më të mirë se e ka gjetur, titullohet “Natën, kur bie shi…”.
Përvijohen këtu, në strofë të veçanta: Njeriu i Nedertalit, Diogjeni, Kolombi, Betoveni, Ainshtajni, dhe në strofën e fundit poetët Ungareti, Kuazimodo dhe Montale. Çdo strofë fillon dhe mbaron me dy vargjet që simbolizojnë vështirësitë e jetës. Ja strofa e parë:
“Natën,
Kur bie shi me rrëshekë
E n’errësirë
Radioja transmeton
-ritmuar me shkreptëtira-
Mazurkat e Shopenit,
Kujto trogloditin:
Njeriu i Nedertalit,
Me trurin plot përbindësha viganë
E zvaranikë tinzarë e të neveritshëm,
Në skutën me qullë të shpellës
– I ngrysur, i uritur
Mendime yjesh përçapë,
Botën e ndritur me flakë,
Që akujt e kobit, shtijakë
T’mos e shporojnë.
Rëndomët një gazmend e vokë,
Në sfera përmbi sfera
E flakëron i lehtë,
Në ëndrrën që nis e bëhet jetë…
Natën, Kur bie shi me rrëshekë.”