4 veprime të rëndësishme të Presidentit Hashim Thaçi

0
535

Uk Lushi

4 veprime të rëndësishme të Presidentit Hashim Thaçi, të cilat duhet t’i bëjë para se të fillojë faza më e vështirë dhe, le të shpresojmë, e përmbylljes së dialogut Serbi-Kosovë në vitin 2019

Si kreu i shtetit dhe si udhëheqës i popullit të Kosovës, bazuar në traditën zakonore të përpjekjeve historike të Kosovës për subjektivizim kolektiv dhe bazuar në Kushtetutën aktuale, Hashim Thaçi ka obligime të pashmangshme që t’u raportoj dhe të këshillohet me të gjitha institucionet dhe faktorët më të rëndësishëm për çfarë di ose çfarë ka bërë lidhur me dialogun Serbi-Kosovë prej shkurtit 2017 deri tash dhe natyrisht çfarë planifikon të bëjë si President 5-6 muajt e ardhshëm të vitit 2019.

Si personi kryesor që përfaqëson unitetin e popullit të Republikë së Kosovës, Hashim Thaçi, nuk mund lahet nga detyrimet kushtetuese, zakonore dhe morale duke biseduar veç me bashkëkryesuesit dhe/apo anëtarët e Ekipit Shtetëror Dialogues.

Hashim Thaçi duhet t’i bëjë më së pakut këto 4 veprime më e largëta deri më 31 janar 2019:

1) Presidenti Thaçi, siç obligon nocioni i përfaqësuesit të unitetit dhe Neni 83 i Kushtetutës së Kosovës, duhet të takohet, t’i informoj për rrjedhat e procesit dialogues Kosovë-Serbi dhe të dëgjoj mendimet dhe planet e dy partive opozitare LDK dhe VV, pavarësisht faktit që nuk janë në Ekipin Shtetëror. Presidenti i Kosovës, zyrtarisht dhe publikisht, duhet t’i ftoj këto parti të ulen me të në Presidencë ose të ofrojë të shkojë vetë në selitë e tyre për të biseduar shtetërisht me krerët e këtyre partive. Që t’mos u jepet mundësia që njëra apo të dy partitë të luajnë politikë ditore, Presidenti duhet të caktojë një afat kohor disa javor të arsyeshëm brenda të cilit LDK dhe VV duhet të përgjigjen. Nëse thirrja e Presidentit refuzohet ose nuk merr përgjigje Presidenti duhet të vazhdoj me hapat e mëposhtëm.

2) Presidenti Thaçi, siç dëfton tradita historike e respektit dhe përfshierjes së të gjithëve në punët e Kosovës dhe si sanksionon Neni 60 i Kushtetutës, duhet të mbledh Këshillin Konsultativ për Komunitete, për të vënë ata në dijeni për angazhimet presidenciale dhe për të kërkuar që pikëpamjet e tyre të përfshihen në projektet dhe platformën e Kosovës vis-a-vis Serbisë.

3) Presidenti Thaçi, si burim fillor dhe parësor i kontributit për harmoni dhe bashkim popullor, duhet të pikëpjeket edhe me disa nyje tjera të rëndësishme të shoqërisë së Kosovës në kuvendime me dërgata speciale të organizatave më të mëdha të shoqërisë civile, të ASHAK-ut, të Universiteteve të Kosovës (punonjësve dhe studentëve), të OVL të UÇK-së, të Medieve dhe të OEK-ut.

Dhe

4) Nëse ndonjëri apo asnjë nga këto veprime nuk rezultojnë në suksese, atëherë, Presidenti Thaçi, duke shfrytëzuar fuqinë që ja japin nenet 68 the 69 të Kushtetutës, mund dhe duhet të kërkojë Seancë të Jashtëzakonshme të Mbyllur në Kuvendin e Kosovës dhe në të të ekzekutojë dy veprimet e para duke përçuar përgjegjësitë e plotësuara nga ai te përfaqësuesit e popullit.

Presidenti Hashim Thaçi, si politikan dhe si lider, duhet të largojë sa më shumë peshë prej shpatullave dhe sa më shumë kompleksitet prej mendjes së tij sepse shpatullat dhe mendjet individuale kurrë nuk mund ta kenë fuqinë e shpatullave dhe mendjeve të shumicës më të fortë dhe aftë të një shoqërie. Presidenti Thaçi duhet medeomos të shkarkojë nga vetja ngarkesat kushtetuese gjegjësisht prej lideri të mugët dhe jontransparent. As Hashim Thaçi dhe as Kosova nuk mund i lejojnë vetes rreziqe të paarsyeshme dhe të panevojshme për dështime. Bashkë gjasat janë maksimale që Kosova dhe ne të gjithë do t’ja dalim mbarë– si deri më tash.