Nga Mira Kazhani – TemA
Që nga dita e enjte, 1 shkurt 2018, kanë ndodhur plot gjëra në Shqipëri. Disa të mira, disa të këqija. Lënia në burg e dy drejtorëve të Rrugëve, zgjedhjet në KLGJ e KLP, emërimi, sot, i drejtorit të ri të Policisë së Shtetit.
Presidenti grek na bën presion për çështjen çame, duke na lidhur litarin për fyti me BE-në. Nesër Juncker prezanton strategjinë për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE.
Erjon Veliaj ka publikuar 7 punët e javës, qëparë, në Instagram. Blendi Klosi e ka me shumë zero numrin e pemëve. Erjon Braçe flet me Dritëro Agollin në distancë, se s’di ku ta hedhë vrerin për gabimet e së majtës. I dhembin bujqit, fermerët, të varfrit.
Ditmir Bushati del para studentëve ekselentë, se helbete do njeriu t’i përgjigjet dikujt e japë llogari kur është në pushtet. Ja, pra, pak a shumë jeta ka vazhduar me halle shqiptarësh dhe intriga politike, emërime dhe arrestime, por vetëm Lulzim Basha nuk duket gjëkundi, që prej ditës së enjte, tek Eni Vasili.
Kush e gjen një lider opozite në botë që zhduket 4 ditë? Asnjë postim në adresën e tij në Facebook! Asnjë reagim për një nga ngjarjet më lart. Ka dhe shumë më shumë sesa kaq, madje ka aq shumë sa edhe vetë Edi Rama është i zhgënjyer nga qeverisja e vet.
E acarojnë drejtorë abuzues dhe i pushon e lajmëron publikisht se në këtë vend gjërat nuk shkojnë mirë, aq sa të dhimbset që një njeri me ‘apetit’ opozitar ta lësh në Kryeministri, në atë vend të lodhshëm deri në mërzi.
Të paktën për Andi Tomën, i dashur Lul, ta bëje një reagim të thatë me dy fjali. Jo siç bën LSI-ja, se aq mbase nuk ta ka kap mendja e ndërgjegjja. Ish-bashkëpunëtorët mbahen deri në fund. Të paktën për politikë, një lider opozitar mund të reagojë e të thotë pse nuk arreston ministrat e ish-ministrat e tu?
Lulzim Basha është në fazën që përton edhe të gënjejë. I pafuqishëm, i fshehur pas një mbledhjeje grupi të lodhur, sot. Si gjithmonë pa ritëm, pa energji, pa motivim, pa statuse nga ato që, kur je në opozitë, seç kanë një fuqi, edhe pse gjysmë patetike, janë frymëzues dhe të bëjnë për vete.
Si është e mundur që sot opozita e vetme ishte shkrimi i Agron Agjemarkajt për lali Erin, por që me siguri nuk e ka lexuar Luli.
Më e shumta ndonjë këshilltar a këshilltare, që s’e përdor për punë institucionale. Ja kështu do bëhet ky vend, me kryeministrin që sillet sikur është në opozitë dhe Lul Bashën që përton të bëjë opozitë, se ndoshta do t’ia ketë thënë shoku i tij, Edi: kryeministër është një punë kaq e mërzitshme në Shqipëri!(Tiranapost.al)