Zëri i unit – poezi nga Fatmire Duraku

0
1123

Fatmire Duraku

Zëri i unit Sprovë për një antologji të poezisë së femrës shqiptare në Kosovë
Botoi Shtëpia Botuese, “Fad” Prishtinë, 2012. Në librin “Zëri i unit” – sprovë për një antologji të poezisë së femrës shqiptare në Kosovë, desha në radhë të parë dhe në mënyrën më të thjeshtë të shpreh guximin e herës së parë – të paraqitjes së pamjes sime të shkrimit poetik të femrës, gjë që deri më tash një vështrim të tillë te ne e kanë bërë vetëm meshkujt.

Paraqitja e një pamje të poezisë nga ana e tyre do të mund të kuptohej dhe ndoshta është pikërisht ashtu – zgjatje e dorës të na nxisnin, të na jepnin kurajë, të na nxirrnin nga ngecja e tërësishme në këtë sferë. Nuk qe asnjëherë ajo që e përpiluan ata me ndonjë kriter të fortë – prezantim kulmor i krijimit poetik të femrës, duke përcaktuar paraprakisht udhët nga do të ecej, vlerat, që do të respektoheshin deri në fund, ritmet, ngjyrat, muzika dhe mendimi i poezisë që do të ndërtohej brenda një krijimi antologjik.

As unë ndoshta nuk do t’ia dalë një gjëje të tillë, sado që do ta pretendoj atë, sado që do të bëj përpjekje jo të vogël, që ajo të ndodhë, që nga këndi i një vështrimi të një femre-letrare të zërë shkrimin letrar, të folurit diskret, frymëmarrjet paqësore dhe të shqetësuara, dhembjet dhe ngashërimet e shpirtit të nënës, të vashës, të gruas, të shtyllës jetësore të një populli, të kariadides kyçe, mbi të cilën sillen dhe zhvillohen datat, rrjedhat, ngjarjet, me të gjitha vlimit e tyre brenda vetes… Natyrisht, nuk është aspak e lehtë të realizohet në plotëni një gjë e tillë.

Aq më shumë, ngaqë hija e së kaluarës brenda secilës nesh – me të gjitha dridhjet, ende ndihet, qoftë dhe vetëm si një hije e largët apo dhe e paqenë. Ajo hija, e njëjta-e ikur, me të cilën burri e gruaja e ecnin një udhë, me një qëllim të njëjtë, veçse prapë secili e bënte udhën e vet, shumë të dallueshme nga tjetri. Arrinin të dy në të njëjtin cak-të fitores apo të humbjes, por meritat në cilindo rast nuk ishin të njëjta. Gruaja qe kurrizi i lakuar pa dyshim në të gjitha unazat e kohës. Kështu, as tash – tërësisht, nuk kanë “vdekur” ngurrimet, nuk kanë përfunduar gjurmët me ankthe…

E kjo, deshëm apo jo, ende shfaqet gjatë shpalosjes së vetes në të folur të figurshëm, artistik, ngaqë – nuk fshihet, as harrohet çdo gjë, me vetëm një “hokus-pokus”, sado që tashmë kjo ka filluar rrënjësisht të ndryshojë në të gjitha sferat dhe gjithnjë e më shumë gjatë udhëtimit në kohë e hapësirë femra është zot i vetes, e thotë deri në fund atë që e ndien. Do të thotë se shpirti i femrës tashmë çilet më lirshëm se kurrë, i shpreh valëzimet më të thella, më intime. Dhe, në këtë rrjedhë, krijimi letrar i femrës – në një vështrim tërësor, njëjtë apo së paku në masë të madhe, është kaq i fortë sa i gjinisë tjetër, është kaq lirik, me vibracione shpirtërore të thella për të gjitha fushat dhe pa asnjë temë tabu! Në këtë ecje, bashkë me shkëlqimin e vlerës së shfaqur në poezi, prozë apo dramë, gërshetohet edhe tematika e shtjelluar, filozofia, harmonia, i tërë ndërtimi i rrjedhës së përgjithshme. Në një panoramë të tillë të arritjeve letrare, me figura, imazhe, vegime mbi të paprekshmen dhe të prekshmen, përfundimisht shfaqet e njënjëshme femra letrare me rrezatimin e brendshëm, me ritmin, filozofinë, ngjyrën dhe tematikën e vet, që e bën shumë më të begatë kopshtin me lule të letërsisë sot dhe këtu, në përgjithësi.

Ende, megjithatë, ka tundje të thella shpirtërore, dilema, ka mjegull. Sidomos në këtë pjesë të letërsisë, të ndarë nga trungu, të krijuar në rrethana robërie të rëndë, të dyfishtë. Ja, pse nuk është aspak lehtë të preket me pak rreshta fillimi dhe rrjedha e më pastajme e shkrimit letrar shqip të femrës. Ky shkrim, dihet – te ne, është i vonë. Filloi me ndonjë zë të vetmuar aty – këtu me ndonjë vjershë të ndonjë vajze, e cila e ndrydhte dashurinë e vet në gji, e ndrydhte ndjenjën e vet brenda vetes, duke e pasur të vështirë ta nxjerrë jashtë atë që e mundonte, që e lente pa gjumë …e kështu ngjashëm, me durim, me kohë, duke shkelur nëpër gjemba, nëpër vuajtje e gjak, nga ajo drita e vetmuar – e humbur larg në natë, të vagëllonte pak nga pak drita e agut, e cila do të përflakte kohën – qiellin e vetëdijes kosovare dhe nga pika e vetme e shkëputur nga kroi dhe e rënë në gur, të fillojë të formohej rrjedha, pastaj lumi i pandalshëm.

Gjatë gjithë kohës, sa përpëlitesha si ta përshkruaj këtë udhë të krijimit letrar-poetik të femrës shqiptare në Kosovë, brenda meje kumbonte fuqishëm zëri “Ec, mos u ndal! Pa u nisur nuk mund të arrish!” E nisa kështu, këtë sprovë për antologji, këtë punë aspak të lehtë, por e bindur se në bashkëpunim me penat e njohura të shkrimit letrar, me femrat tashmë me emër, do t’ia dalë mbanë. Natyrisht, kjo duhet të shikohet në radhë të parë si përpjekje e parë, si dëshirë, si udhë që nis të trasohet jo pa vështirësi, jo pa të meta dhe gabimet-të pashmangshme, të mos kërkohen me pinceta, por të shihen si zbërthim i thënies ” kush punon gabon!”

Ndryshe, çdo gjë do të bart në vete qëllimin e rrënimit të një përpjekjeje të një krijueseje femër, të dalë nga zinxhirët e robërisë, nga ëndrra dhe fuqia e ndrydhur e saj një kohë të gjatë të zënë në merimangë, nën zgjedhën e pamëshirshme të pushtuesit, të hijes së rëndë të burrit, nën drynin e heshtjes, në të cilën ajo nuk qe e pa shpirt, e pa sy, e pa ndjenja, e pa etje, por – gjithnjë e parë e tillë – lodër, robot, vetëm të dëgjojë dhe zbatojë urdhra, të shërbejë vetëm për të lindur fëmijë dhe për të zhvilluar filozofinë nam keqe “a pe – nuk pashë, a dëgjove – nuk dëgjova…” Kjo e bëri të veten dhe gruaja shqiptare për kohë të gjatë qe e verbër, pa lirinë dhe dritën që i takonte dhe natyrisht i takon!

Siç e theksova dhe më parë, krijimi letrar i femrës shqiptare kosovare fillon vonë, pas Luftës së Dytë Botërore, diku në vitet e `50-ta me ndonjë krijim – poezi, kryesisht, të botuar aty-këtu në shtypin e pakët të kohës… Pasojat e një vonese të tillë, të mungesës së lirisë së ballafaqimit të drejtpërdrejt me dritën e ditës, të kohës, të mësimit të shkrim-leximit, në radhë të parë, e më pastaj të sprovës së shpalimit të shkrimit letrar, të shpalimit të dëshirës së vet, të ëndrrës dhe të shfaqjes së fshehtësisë së ndryrë në shpirt me qindra vjet, natyrisht e këputi ecjen e natyrshme të gruas në të gjitha sferat e punës – të krijimtarisë, apo në rastin më të butë – e ngadalësoi shumë dhe rëndë ritmin e përjetimit të jetës dhe të natyrshmërisë së zhvillimit intelektual, kreativ.

Megjithatë, secili tunel, sado i mbytur në errësirë të dendur, diku e ka daljen, diku e çel dritën. Njëjtë, siç secilës udhë, secilës vuajtje, secilës dhembje, diku i gjendet fundi… Kështu, në fillim të viteve të `70-ta ndodhi ajo, që kohë më parë vetëm mund ta shihnim ëndërr, kurrë të realizuar. Në botën letrare shqiptare të Kosovës botohen librat e parë me poezi. Disa kaq të suksesshëm sa e përballuan kohë, madje edhe sot e gjithë ditën e ruajnë atë që e sollën, vlerën e përhershme letrare, siç është rasti me librin e mrekullueshëm poetik të Edi Shukriut “Sonte zemra ime feston”!

Me këtë shënohej edhe një datë tjetër, edhe një ngjarje tjetër, edhe një mrekulli – femra shqiptare në këtë krah të atdheut, tashmë e kishte prekur ëndrrën e vet, e kishte arritur pjekurinë e duhur që ta nxirrte pa drojë jashtë shpirtit të vet me vite të ndrydhur atë që e mundonte, gjithë atë që e barte në vete, qoftë ngashërim apo pikëllim! Librin e parë me poezi në këtë periudhë (viti 1972) e botoi Sadete Emërllahu, atëherë studente në Prishtinë, më pastaj vjen libri i Edi Shukrit “Sonte zemra ime feston”, një vit më vonë Flora Brovina boton librin me poezi “Vërma emrin tim” e kështu me radhë zë dhe merr hov rrjedha e shkrimit letrar, që sot krijimtaria letrare e femrës shqiptare kosovare të ecën krah më krah me krijimtarinë më cilësore të gjinisë tjetër dhe kjo në të gjitha gjinitë për të rritur dhe për fëmijë – në poezi, tregim, në vështrim – studim, në roman e – në kohë të fundit, edhe në dramë. Krijimtarinë e femrës sot dhe këtu e karakterizon e përditshmja në gërshet të përhershëm me të kaluarën, frymëmarrja e bashkë udhëtimi me datat që shënojnë ndodhitë, dhembjet e pikëllimet, ritmet e jetës me rëniet e ngritjet e individit në kohë dhe hapësirë. Dhembja dhe ngashërimi qëndrojnë afër e afër, shqetësimi, dridhjet dhe valëzimet e shpirtit e ndjekin vetveten dhe krijimi shndërrohet në diçka magjike, që të pushton dhe në të njëjtën kohë të liron nga pesha e barrës së ditës.

Kjo krijimtari – e them pa hamendje, i jep kuptim dhe ritëm jetës, gjithë ëndrrës së bukur, që natyrisht nuk shfaqet gjithherë pa mallin dhe dhembjen për gjërat dhe për ata që nuk janë më. Një mallëngjim. Gjethe gjithherë të gjelbra shpirtërore. Kjo është risia e poezisë, që do të zërë vend në këtë sprovë për antologji, kjo është cilësia, që në secilën peshore heq kaq rëndë sa krijimtaria e gjinisë tjetër. Kjo vetvetiu e thotë hapin gjigand, të cilin me guximin e jashtëzakonshëm e bëri femra në lëmin e krijimtarisë letrare dhe këtë ecje po e bën nga dita në ditë edhe më të veçantë, me ritmin, filozofinë, ngjyrën dhe muzikën e shpirtit dhe të gjakut. Kjo është kënaqësia e madhe, emocioni tepër i thellë, ndjenja e papërshkrueshme -e derdhur nga pjekuria dhe mjeshtëria e realizimit të vargut të femrës krijuese kosovare.

Një gjë të tillë lexuesi e përjeton në secilin ballafaqim me vargjet plot muzikë dhe mendim ” Hapat ngurrues më shpien/ rrjedhës së Drinit/, jehonat grishin të panjohurën/ mbi qetësinë e Hasit…”, me vargjet “Në qepalla e ruaj hirin/ E kujtimit/ Për ty/ Bukuri e zgjuar…”, apo me vargjet plot jetë – shikim në të ardhmen e ndritshme “Laj flokët në ujëvarë/ laj duart plot bimë/ laj shikimet e mia…” Flokët… Bimët… Shikimet… Sepse, tashmë çdo gjë e ka tiktakun e femrës, që u flijua për Urën që do t`i lidhë brigjet, kohët që do t`i lidhë, brezat që do t`i lidhë me fijet e shpirtit të pavdekshëm. Ja, ndoshta, edhe tash, duke e lexuar këtë shkrim e dëgjoni kumbimin e fortë dhe njëkohësisht jehonën e zërit të unit të femrës, e cila e shpalos me guxim veten, – sonte zemra ime feston! Apo – Bimë e zë, apo Drithërimë ngjyrash, apo Kam mall për erën tënde Kosovë, apo Shpirti i luleve… e – kështu, pafundësisht, njëzet e pesë botëra, njëzet e pesë rrjedha, njëzet e pesë stile, njëzet e pesë veçanti… secila në mënyrën e vet, duke e ndier dhe shprehur fjalën poetike, këtë mbretëreshë të artit!