300 – vjetori i çetës së profetëve të Imzot Pjeter Bogdanit

0
1058

Dr. At Zef Oroshi, BotaSot.Info

Me 6 qershor 1965 ishte 280-vjetori i dërgimit në shtyp të veprës së parë monumentale të prozës shipe”Cuneus Prephetarum Christo Salvatore Mundi e Ejus Evangelica Veritate”(Vargu i Profetëve përmbi Krishtin Shelbues i Botës dhe të vërtetën Ungjillzore të tijen).
Botimi u ba në dy vëllime, me objekt Dhajatën e Vjetër e të Re të Biblës.

Ky libër qe shkrue nga Imzot Pjetër Bogdani, i cili qe për njizet e nji vjetë Ipeshkëv i Shkodrës (dhe Administrator i Tivarit, si na thotë ai vetë) dhe mandej, me urdhën të Papës Inocenci XI, me 8 nanduer, 1677, qe transferue si Argjipeshkëv i Shkupit, dhe në të njëjtën kohë si Administrator i Serbisë.

Me kete rasë Imzot Pjetër Bogdani merrte në dorëzim selinë e Ungjit të tij, Argjipeshkëv Andre Bogdani, që vdiq tri vjetë më para në moshën 80-vjecare.

Pjetri në pararthanjen e veprës na tregon se Andrea para se të bahej Argjipeshkëv i Shkupit, kishte qenë Argjipeshkëv i Ohrit (këtu na del qartë se ky qytet ishte padiskutim shqiptar në kohnat e vjetra, dhe kishte ritin latin).
Vepra asht e shkrueme, nga vetë auktori, në dy gjuhë, në shtylla paralele, shqip-italisht.

Nga letrat e aprovimit kishtar të veprës, që Bogdani boton në hymjen e librit, nxjerrim tërthorasi, datën e dergimit në shtyp të librit.

Për pjesën shqipe qe censor Abat Gjon Bogdani, Vikar i Pergjithtë i kishës Metropolitane të Shkupit. Ky si nen titull shënon: ”Missionario commune (sic) della S. Congregacione de Propaganda Fide”.

Këtu del në shesh se Shkupi qe m’atë kohë ishte vend misjonarësh për Selinë e Shejte. Dokumenti mban datën 1 tetuer 1684.
I dyti censor asht Nikollë Andrea Bratich edhe ky për gjuhën shqipe. Me gjithse emni i tij asht sllav, asgjamangut thotë se vepra e Bogdanit (shqip)asht në ..mia lingua natia(në gjuhën time amtare). “Thotë se asht nga Prizreni”, porse gjindej në Venedik. Censura e tii mban datën 1 prill 1685. Censori për pjesën italishte qe “Franciscus Burlinus, notariu Episcopalis” (i Padues), i cili qe autorizue për
kete censurim me nji dekret të posacëm nga Kardinal Barbarigu.

Ky dokument i u lëshue Bogdanit me datën 6 qershuer 1685. Derisa libri u shtyp me ndihmat bujare të Kardinal Barbarigo-s, kemi arsye të besojmë se, mbas këtij aprovimi libri i Imzot Bogdanit vojt edhe në shtyp po në të njajtin muej.
Bogdani i bani studimet theologjike në Romë, në Kolegjin “De Propaganda Fide”. Prandej italishten e zotnonte.
Me gjithatë nuk qe kjo arsyeja për të cilen ai e përkthei vepren në italisht, tue vue në shtyp njiheri të dy pjesët e bashkangjituna, si u tha.

Në parathanje na thotë qartë pse e bani dhe italisht: Mbasi kjo për hir Tinezot mbaruem vepra e n’kryem (krye) gjithë Arbenisht, m’urdhenoj Selia (Shejte) kuvend (Kongregacjoni De Propaganda Fide-shënimi i shkruesit) qi ende Italjanisht ta kthenje ashtu qi te mundeshin, jo vec t’Arbenisht me xan Italjanishten, por ende këta Arbenishten (rasti asht për misjonarët ktholikë të Huej-shenim i Shk.) tue u sherbyem posi t’ish nji Kalepi (Calepinus asht auktori i nji, ndër ma të parët fjalor Latin në gjasht gjuhë të ndryshme:prandaj Bogdani për të shënue fjalën fjalor, e shënon me fjalën Kalepi-shenim i shk.)

Mu desht pra me djerse të madhe, me qitun mbe dritte shume fjale plaka e te harrueme …perse per te sherbyem dheut (Atdheut-shenim i shk.), deshirova mire filli quish po flasme Italjanisht, bukure të Kumbon (kumbojë) e të kallezone kallxojë Arbenisht… Andaj ende asht dale vepra pakeze e holle, ma tepere nde punete Theologjisë, për ta marre vesht: ende po drue se jo gjithe kuj e pelqyeshime, tue vote une mbas disa fjalkesh plaka te mos harroheje te dvarje(humbte) gjuha.

Tue dashtune i lumi Zot qi kjo vepre me te delte mbe drite, zu Nazeri (këtu fjala asht sundimtarin Turk i Skupse fort me më perzane(ndjeke), nde per ata veshteri te perzjarshime.

Bogdani e përmbyllë parathanjen me këta rreshta shum të mallengjyeshëm: “Te lutem pra letterari em i Urti, te me ndejeish, nde gjec fjalede qi te trazon veshefe..Pi vene roe se kusha na ka pushtuem e nde te kujet dhe jemi, ani me zemere aneki…(!)
Pjetër Bogdani leu në “Guri lexi; zhuri ) nde Hast’ , Sanxhakijet se Dukagjinit, Djecezit se Prezerendit” ne vjetin 1630. Sudjoi ma para në “Collegium Illyricum”të Loret-it, mandej në “Collegium Propaganda Fide’, Romë, ku mori doktoratën e theologjise.

Me gjiha ndjekjet që pat nga sundimi turk, e me cka duket ma tepër për ndienjat e tija kombetare e të gjuhës amtare, se fjeshtë për cashtjen e fesë, Bogdani nuk u nda nga librat e lavrimi i gjuhës shqipe.

Qe si e pershkruan situatën e vështirë në të cilën gjindej…ky zot fort i urte (Andre Bogdani) me dha fort zemrat me vote paret (me vojtë para) nde kete vepere, ende tue me ndimuem pa kuer (pa masë) fort ne shume fjale t’Arbnesha, te si (j) lat i kishte udob e per duer, tue pasune bam ende aj (Andre Bogdani) nji grammatike fort te godicime Latin e S(h)qip.

Ma (per) mbasi dviq (vdiq), 13 dit nde Decembre 1683 mu desh mue deper pune te ushtrise e ndene Bec (Vjena), marrë nga serbo-kroatishtja që edhe sot kështu e quen kete qytet), shume here me n’grehun e cgkrehune (me ngrehë e me zhgrehë) Librarine teme, tgue jau porositune kjorevet (caranikevet ku fshatarët ndejnë qumshtin), gozhduem Arkavet e lidhun thasevet, e vete tue ikune Malevet; aqa, sa Gramatika nde kete te perzieme n’tretti si kryp nd’ujet.

Kohnat në të cilat jetoi Bogdani ishin shume të vështira, sidomos për ata në zemrat e të cilëve nuk ishin shue ndienjat kombetare.
E këtu po shenoj nji notë të nxjerrun e përkthye shqip nga At Mark Harapi (vallu i Antonit) prej “Illyricum Sacrum” i Ferlat-it, vllimi VIII, fq21, shtypë në “Lajmtari i Zemrës së Krishtit”, vjetë 50, Nr. 5 Majë, 1940. “Pjetri (Bogdan) me urdhen t’Inocencit Papë, dhanë me datë 8 nanduer 1677, prej djocezit të Shkodrës vojt me marrë nen sundim djocezin e Shkupit …Vlote gjithnji lufta e Turkut kundra Leopoldit (I).

Peranduer, e republika e Venedikut ishte edhe ajo me drojë të kercenimeve të mënishme e rrenimqare të barbarevet prandje nji salvim (Peresekutim) i rrebët shperthej kundra katolikëve të djocezit të Shkupit, kështu që Pjetri s’mujti me i u vu me qeti detyrës e zyrës së vet”. Në fakt, fillë vjetin në të cilin vdiq Andrea Bogdani, Vjena qe rrethue nga Turqit, të cilët ishin në kulmin e fitorevet kundra Perendimit.

Botimi i Parë i veprës së Bogdanit qe ba në Padua, në shtypshkrojen e Seminarit. Në fakt mbasi Pjetri pat pregatit e mbarue, si u tha ma nalt duket se puna i ra në vesh, sundimtarit Turk në Shkup, kështu që ky kishte nderment të arrestojë Pjetrin.
Por Pjetri u arratisë nder male dhe ma vonë arrijti në Venedik e qe pritë me dashuni atnore nga i famshmi Kardinal Gregur Barbarigu të cilin qysh atëherë Bogdani e përshkruan si njeri shejt (dhe në fakt Papë Gjoni XXIII e bani shejt në vjetin 1958).

Qe si e përshkruan Bogdani: ”M’avitti ky zot fort i dashtun, tue me leshuem nde Padovet, shtepi, Trimeni (djem roje) Kual e Koci (Karrocës), sidoe une tue pasune mal(1) n’e shtampese (malli i shtampës), gjithe atyne u ketheva faqen(shpienen, vece ju lutshe te me shtampohej libri”.

E qe si e përshkruan dhe Farlati (o.et.1.c) ketë pritje dhe përmbylljes e jetës së Bogdanit: ”Madje kah kje përzanë, iku n’Itali e u shmangë në Padovë. Ipeshkëvi Kardinal i atij qyteti, L. Greguer Barbariga e priti me dashtni të madhe në pallatin e vet, ku edhe ndej deri ne vitin 1685; mandej kthej në Shkup. Pjetrit si mungoj deshiri i flakët me ju gjete ndihmë grigjës se vet e me ja lecue travajet që e kishin mbulue: por mbas nja tri vjetësh,shkri prej së këqijash e prej mundit, u da kso jete. Shkroi “LIBRIN PUNë E MADHE”-“EGREGUM LIBRUM”që ka për titull”Cuneus Prophetarum”.

Imzot Pjetër Bogdani,pos qe mbetet nji nder fytyrat ma të bukurat e sympathilse të racës shqiptare gjate vjetëve t’okupimit Turk, ai qe edhe prijsi i prozës së lavrueme shqipe.

Në pikëpamje teologjike koha e ka kapërcye dhe deri diku e kishte kapërcye edhe kur shkroi;por në pikëpamje të gjuhës sot për ne asht nji minjerë e pacmueshme,aq ma tepër se levizjet tija të shumta,dashtë e padashtë, e shtynë me udhëtue nder shumë krahina të Veriut të Shqipnisë, kështu me na lanë nji dokumentim të pasun të gjuhës shqipe t’asaj kohe. (Fjalori i Bashkimit për shum fjalë i detyrohet Bogdanit)

Pjetër Bogdani krahas me cështjet e fesë ka për zemer cështjen e gjuhës shqipe, të cilën tri herë e permendë në parathanjen e librit, dhe na tregon se kishte shkue tue mbledhë fjalët e rralla (plaka)që ishin tue humbë.
Pergatitja e tij humanistike asht nder ma të mirat e kohës, si shifet nga prumja e shumë frazavet gëdhenëse nga poetët e shkrimtarët latin në vepren e vet.

Ribotimi i vepres në vjetin 1702, sigurisht ma tepër për të huejtë se për Shqiptarë,mbasi në Shqipni me shumë zori mund të hynte ndonji kopje e rrallë,tregon qartas se Bogdani mbahej në nderim nga shkrimtarët bashkohorë të Veriu t’ Italisë.
Përsa i përket gjuhës shqipe vepra e tij mbetet nji ndër burimet ma të pasuna të prozës së vjetër shqipe.

Imzot Pjeter Bogdani vdiq si Arqipeshkëv i Shkupit në vjetin 1689, në moshën 59-vjecare.
Nji biografi e dokumentume e Imzot Bogdanit do të lëshonte dritë të pamasë n’atë periudhë të Historisë sonë Kombetare, sidomos përsa i përket relatavet të Shqiptarëvet e Shqipnisë me fqijtë e Veriut.

Tue u gjetë në situate aq të veshtira në zhvillimin e misjonit të tij si Ipeshkëve, Pjeter Bogdani gjatë jetës së tij i dërgoj nji shumicë të madhe relatash Kongregacijonit Shejt te Propaganda Fide që janë me të vertetë nji minjerë pershkrimesh të situatës s’atëherëshme (e ketë i nënshkruemi mund ta vërtetojë nga eksperjenca,masi pat nisë me ba kërkime mbi keta dokumenta).
Akademija e Zagrebit ka ba disa kerkime të përcipta nga këta dokumenta në botimet e vëllimeve Historike (që mjerisht i nënshkruemi nuk i ka këtu para) tue dhane numrin e arkivuer të dokumentevet, me nji përmbledhje të shkurtë të përmbajtjes së tyre.

Por mbasi hulumtuesëve Kroat duket se nuk u pëlqen gjithaq ky dokumentim ose doshta nuk përkon me interest e cështjeve kufitare në mes dy shteteve fqinë, e kualifikojnë Bogdanin vetem “si agjent të Vatikanit”.

Por në të vertetë Bogdani si fetar, difton të njejten simpathi si për katholikët Shqiptarë si pë rata “serb”kuer asht puna per ndjekjet Turke kundra kristjanevet.

N’anen tjeter, tue pas Turkun si shqipe mbi krye, shovenizmi interballkanik nuk besohet që ekzistonte ende në ato kohna aq i theksuem.
Bogdani në fakt tregon se qe i ndjekun dhe i persekutuem nga Turqit e nuk shprehë kurrgja të tillë kundra Serbvet që kishte ndonji farë arsyeje me shkrue kundra tyne.

Por ndoshta shprehja kritikuese e shkenctarëvet Zagrebas mund të jetë ma tepër në përputhje me ideoligjinë komuniste të tashme se me të verteten, objektive të Bogdanit.

Permbledhja dhe botimi i këtyne dokumentavet, nga dora e nji intelektuali shqiptar, edhe në gjuhën origjinale sikuer janë do t’i sherbente pamatshmenisht Historisë Kombetare dhe në të njejtën kohë historisë kishtare të Shqipnisë.

Vepra e Bogdanit u ribotue edhe dy herë mbas vdekjes se autorit nga të huejtë, por mjerisht nuk kemi mujtë me ribotue as pjesen shqipe të kësaje vepre.

Ketë punë me randësi e pat nndermarrë, me pergatitje të plotë, At. Mark Harapi, por mjerisht Lufta e punë të tjera që erdhën mbas saj e nderprenë.

______________________________
Shënim: Studimi i plotë i mons. dr. Zef Oroshit (1912-1989) është shkruar në vitin 1965, në New York, në 280 vjetorin e botimit të parë të veprës së famshme historike “Çeta e Profetëve” nga imzot Pjetër Bogdani Arqipeshkëv. Autori dr. Oroshi, në shenj respekti, ia ka lënë si kujtim dorëshkrimin original (sikurse dhe shumë të tjera) studiuesit dhe publicistit Tomë Mrijaj, të cilin e ka pasur njëkohsisht edhe kumbarë të familjes dhe 4 të mijëve të tij.

Dërgoi për publikim, Klajd Kapinova, gazetar