30-VJETORI I MASAKRËS NË SHESHIN TIANANMEN TË PEKINIT

0
605

“The Tank Man” Një moment historik rezistence. Copyright Stuart Franklin
(Nga portali Amnesty International)

Frank Shkreli Nga Frank Shkreli

4 qershori 2019 shënon 30-vjetorin e protestave dhe të masakrës që pasoi në Sheshin Tiananman me 4 qershor 1989. Në vigjilje të këtij përvjetori, ishin Shtetet e Bashkuara ndër të parat që komentuan, zyrtarisht, me këtë rast, nepërmjet një deklarate të lëshuar nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo. Në këtë 30-vjetor të masakrës, Kryediplomati amerikan kritikon ashpër shkeljen e të drejtave të njeriut në Kinë, duke i bërë njëkohësisht thirrje Pekinit që t’u jap fund shtypjeve kundër myslimanëve Uighur dhe grupeve të tjera në atë vend.

“Me 4 qershor ne nderojmë lëvizjen e protestave heroike të popullit kinez, e cila mori fund me 4 qershor, 1989, kur udhëheqja e Partisë Komuniste të Kinës urdhëroi dërgimin e tankseve në Sheshin Tiananman për të shtypur brutalisht demonstratat paqësore, me të cilat bëhej thirrje për demokraci, për të drejta të njeriut dhe për t’i dhënë fund korrupsionit në vend. Qindra mijëra protestues të mbledhur në Pekin dhe në qytete të tjera anë e mbanë Kinës e pësuan keq me atë rast, ndërkohë që kërkonin një të ardhme më të mirë për vendin e tyre”, u shpreh Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo. “Ngjarjet e 30-viteve më parë trazojnë gjithnnjë ndërgjegjen tonë, si dhe ndërgjegjen e popujve liridashës në mbarë botën”, ka thënë zyrtari i lartë amerikan në vigjilje të 30-vjetorit të kësaj masakre.

Sekretari Pompeo u shpreh në deklaratën e tij në këtë përvjetor, se Shtetet e Bashkuara shpresonin se integrimi i Kinës në ekonominë botërore do të çonte në një shoqëri më të hapur dhe më tolerante. Këto shpresa, nënvijoi ai, janë zhdukur, sepse “shteti një partiak i Kinës nuk toleron kundërshtarët dhe abuzon me të drejtat e njeriut kurdoherë që një gjë e tillë i shërben interesave të partisë”.

Në lidhje me shtypjet e shtetit kinez ndaj myslimanëve të grupit etnik Uighur në atë vend, Kryediplomati amerikan akuzoi udhëheqjen komuniste të Pekinit se, “Po përpiqet, në mënyrë metodike të zhdukë kulturën e popullit Uighur dhe të shfaros fenë islame – nepërmjet masave të ndryshme — përfshirë arrestimin e më shumë se 1 milion antarëve të grupeve të ndryshme minoritare myslimane”, sidomos në krahinën Xinjiang, ka nënvijuar Mike Pompeo.

Në deklaratën e tij, dipomati i lartë amerikan përshëndeti heronjtë e popullit kinez, të cilët 30-vjetë më parë, me guxim e trimëri me protesta e tyre paqësore, kërkuan të drejtat e tyre. “Guximi i tyre shembullor ka shërbyer si frymëzim për brezat e ardhëshëm të cilët kanë luftuar për sigurimin e lirisë dhe të demokracisë anë e mbanë botës, duke filluar me shembjen e Murit të Berlinit dhe me mbarimin e komunizmit në Evropën Lindore, disa muaj më vonë” — pas protestave të mëdha në Pekin, qershorin e vitit 1989.

Në fund të deklaratës, me rastin e 30-vjetorit të masakrës më Sheshin Tiananman të Pekinit, Sekretari Amerikan i Shtetit i bën thirrje qeverisë kineze që të publikojë numrin e plotë të vrarërve dhe të zhdukurve gjatë asaj masakre – numri i të cilëve ende nuk dihet — për hir dhe ngushëllim të viktimave të shumta të këtij kapitulli të errët të historisë. Një hap i tillë do të demonstronte gatishmërinë e Partisë Komuniste Kineze për të respektuar të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, ka thënë zyrtari amerikan. “I bëjmë thirrje Kinës që të lirojë të gjithë ata që ushtrojnë këto të drejta dhe liri…Historia ka treguar se kombet janë më të forta atëherë kur qeveritë u përgjigjen nevojave të qytetarëve të vet, atëherë kur ato respektojnë shtetin ligjor, zbatimin e të drejtave të njeriut dhe liritë bazë të njeriut”, ka përfunduar mesazhin e tij, Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, me rastin e 30-vjetorit të masakrës në Sheshin Tiananman të Pekinit.

Ndërkaq, Drejtoresha për Azinë në Organizatës e të drejtave të njeriut Amnesty International, Roseann Rife, i bëri thirrje, me këtë rast, qeverisë kineze që të lejojë popullin të kujtojë masakrën e vitit 1989 dhe të lejojë njëkohësisht edhe hetime të hapura dhe të pavarura për atë ngjarje. “Prindërit, fëmijtë e të cilëve janë masakruar me atë rast po plakën dhe po u kalon koha pa mësuar të vërtetën dhe pa parë drejtësi për fëmijtë e tyre” të vrarë e të zhdukur, është shprehur ajo.

Organizata e të drejtave të njeriut në botë, Amnesty International, e cilëson këtë fotografi si një moment historik, në luftën për liri e demokraci të kohërave moderne. Një njeri i vetëm qëndron pa iu trembur syri para një kolone tanksash të fuqishme ushtarake afër Sheshit Tiananman. Ndërkohë që kamerat televizive botërore ishin përqëndruar tek kjo pamje, ai ngre dorën e djathtë sikur donte tu thonte tankseve të ndalonin. Dhe për një moment ato ndaluan, shkruan Amnesty International në përkujtimin e 30-vjetorit të masakrës. Por ajo që e bëri veprimin e këtij guximtari edhe më të veçantë, ishte fakti se një ditë më parë kishte ndodhur një masakër e vërtetë, kur mbrëmjen e 3-4 qershorit, tankset e ushtrisë kineze kishin shtypur brutalisht një lëvizje të jashtzakonshme për demokraci në atë vend. Qindra, ndoshta mijëra veta janë vrarë kur trupat ushtarake kineze kanë hapur zjarr kundër studentëve dhe punëtorëve, të cilët për disa javë para masakrës, në mënyrë paqësore, po kërkonin bërjen e reformave politike në atë vend, shkruan Amnesty International.

Megjithë thirrjet e kryediplomatit amerikan dhe të tjerëve, për reflektim në këtë përvjetor nga ana e Pekinit zyrtar, media të ndryshme botërore po raportojnë nga kryeqyteti kinez dhe gjetiu se në përpjekje për të mënjanuar çdo kujtesë të këtij përvjetori, autoritetet kineze kanë ndërmarrë masa të forta dhe të shumta për arrestimin e dyzina aktivistëve kinezë të drejtave të njeriut dhe kanë marrë masa për cenzurimin e rrjetëve shoqërore, para ditës së 30-vjetorit të masakrës në Sheshin Tiananam. Grupe të ndryshme kineze të drejtave të njeriut janë shprehur për mediat se ashtu si edhe në të kaluarën, edhe në këtë 30-vjetor, autoritetet kineze po bëjnë ç’mosin që të mos lejojnë kujtimin e kësaj masakre, në përpjekje për ta fshirë krejtësisht nga kujtesa dhe nga historia, shtypjen brutale ushtarake të kësaj proteste paqësore të banorëve protestues të pa-armatosur kinez në Pekin dhe në qytete të tjera të Kinës 30-vjet të kaluara, më 3dhe 4 qershor, 1989.

Ekspertë dhe organizata të ndryshme që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut si dhe përfaqsues të qeverive demokratike mendojnë se as në këtë 30-vjetor të masakrës në Sheshin Tiananman të Pekinit, qeveria e Kinës nuk po tregon asnjë shenjë se ka zubutur sadopak qëndrimin e saj ndaj masakrës, masakër që ata nënvijojnë se tani — 30-vjet më pas– pothuaj është shlyer fare nga historia zyrtare e atij vendi.