30 VITE TË REFERENDUMIT PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS, NË SHTATORIN E VITIT 1991 NË PODUJEVË

0
118
Shtëpia e Bajram Bejtës

Shtëpia e Bajram Bejtës që e para shërbeu për shkollë, ambulancë e Referendum në vitet e 90-ta.

Gani I. Mehmeti

Në përkujtim të historisë

Viti 1989, kur dhunshëm iu hoq Kushtetuta e Kosovës dhe kur u bë pushtimi klasik i saj nga Serbia, ishte nisma kur Kosova kishte filluar ndarjen e rrugëve me Serbinë.

Shtëpia e Referendumit, siç e kemi quajtur vite më parë dhe e shkollës shqipe

Këtë vit u bë edhe regjistrimi i partisë së parë në ish Jugosllavi, Lidhjes Demokratike të Kosovës, me kryetar Dr. Ibrahim Rugovën, që mund të themi se ishte nisma e shkatërrimit të Federatës së Jugosllavisë. Ishte një epokë kur Kosova kishte kuadro të përgatitura në përgjigje Serbisë në luftë për të drejtat e shqiptarëve që bëri të mundur edhe aktivitetet e gjithmbarshme për çlirimin nga Serbia shoveniste, e cila po kërkonte luftëra të njëpasnjëshme, nisur nga Sllovenia, nga e cila e pësoi shumë shpejt, pastaj nga Kroacia, Bosnja e Hercegovina e deri tek Kosova.

Pa luftë shpëtuan vetëm Maqedonia që u kursye nga SHBA e NATO, dhe Mali i Zi, që ishte bashkë me Serbinë deri në vitin 2006, kur u nda me referendum, të mbajtur më 21 maj 2006.

Kosovës iu imponua lufta, nisur nga viti 1989. Iu hoq Kushtetuta e vitit 1974, u suspendua policia e Kosovës, u bënë helmimet e nxënësve në Kosovë në mars të vitit 1990, u shua Rediotelevizioni i Kosovës, u ndal së shtypuri e vetmja gazetë ditore “Rilindja”, u bë largimi i punëtorëve shqiptarë nga puna, në dhjetor të vitit 1990 u larguan edhe nxënësit e shkollave të mesme nga objektet shkollore, me të vetmin qëllim: që shqiptarët të dorëzoheshin dhe ta pranonin sundimin nga Serbia!

Reagimi ndaj të gjitha këtyre ishte i madh falë gjithë aktivistëve dhe popullit shqiptar në Kosovë që ishin vënë në ballë kundër të gjitha masave serbe. Krejt këto kishin çuar te vetorganizimi i shqiptarëve si popull për ekzistencë dhe kundërvënie Serbisë, ani pse me masa paqësore. U organizua mësimi i nxënësve nëpër shtëpitë-shkolla e në Shtator 1991 u mbajt edhe Referendumi për Kosovën Republikë në kuadër të Jugosllavisë, nëse ajo nuk do të shpërbëhej. Ndërsa, po u shpërbë Jugosllavia, Referendumi ishte për Kosovën e Pavarur.

Kjo shtëpi ka shërbyer edhe për ambulance, barëra e pajisje tjera shëndetësore i kishin sjellë nga Shtëpia e Shëndetit në Podujevë mjekët si, Doktor Muharrem Avdiu, Doktor Selman Hoxha, Doktor Ali Lahu, Doktor Bahri Thaçi, Doktor Shaqir Shaqiri, Doktoresha Selvete Hoti e të tjerë, kishin grumbulluar këtu barëra e gjithë materialin tjetër shëndetësor nga Shtëpia e Shëndetit në Podujevës. Tani, kjo shtëpi ishte bërë Qendra Mjekësore në Podujevë.

Bajram Bejta, i helmuar në spital!

Po në këtë shtëpi ishin mbajtur edhe kurse të ndryshme se si të ndihmoheshin të plagosurit gjatë luftës. Tre muaj ishin bërë ushtrime të tilla me njerëz që po përgatiteshin për luftë, sepse nuk i dihej…

Me largimin e nxënësve shqiptarë nga objektet shkollore, ndër të parët në ndihmë me shtëpitë shkolla u gjetën këtu, tek Blakçorët e Podujevës, sidomos këtu, kjo shtëpia e Bajram Bejtës dhe ajo e Avdi Bekteshit.

– Di, se vetëm një injeksion ka kuahtuar një mijë marka aso kohe që është marrë në Shtëpinë e Shëndetit në Podujevë, janë marrë lese e gjithçka që ka qenë e mundur për t’u pajisur me to për çdo rast. Ka qenë shkollë për tri javë. Mbas tri javësh, nxënësit shkuan në shktëpi tjera, fillimisht në atë të Avdi Bekteshit e më vonë edhe në shtëpi tjera në Podujevë dhe në fshatra në vitin e parë, natyrisht, jashtë qytetit, kanë shkaur nëpër shkolla fillore. – flet Bajram Bejta me nostalgji për atë kohë të vështirë, por që shpresat dhe vullneti ishin të pasosur.

Edhe Referendumi ishte mbajtur këtu, pikërisht në shtëpinë shkollë të Avdi Bekteshit, por në shtëpinë e Bajram Bejtës ishte grumbulluar i gjithë materiali zgjedhor për gjithë trevën e Llapit.

Siç shihet, pronari i kësaj shtëpie, ka qenë edhe i helmuar më 22 mars 1990, kur u helmuan nxënësit shqiptarë në Podujevë.

– Këtu janë vulosur fletvotimet. Këtu ka qenë krejt materiali zgjedhor. Nga këtu është shpërndarë në të gjitha vendvotimet në Llap. Këtu kanë punuar shumë persona, por tani më kujtohen vetëm disa: Hetem Bejta, Gani Mehmeti, Bajram, Zijadin, Selvete, Sabrie, Dashurie Bejta, Ismail, Safet, Hanife Hajdari në përgatitjen e materialit. Është punuar nga ora shtatë deri të nesërmen në mëngjes. Në vulosje dhe në shumë punë e aktivitete tjera ka marrë pjesë edhe Nebih Balaj. Bajram Bejta e Feud Hoxha kanë qenë në informim.

– Ne kemi 36 kaseta të inçizuara, Fanol Hoxha i ka lënë në Belgjikë! – flet Bajram Bejta. – I kam thënë t’i sjellë në Kosovë, por nuk i ka sjellë. Vetëm herë pas here lëshon ndonjë insert inçizimesh. Ato do të ishin me interes të madh të ishin këtu dhe të shiheshin, se na pasqyrohet ajo kohë shumë e vështirë, – vazhdon Bajram Bejta.
Kjo ishte vetëm një përkujtim i shkurtër i asaj kohe.