28 VJET NGA DALJA E GAZETËS “EGNATIA” NË ATHINË

0
202
Egnatia - Greqi

10 prill 1993 – 10 prill 2021

Aristidh Kola dhe Kolec Traboini, Athinë, 1995 Nga KOLEC P. TRABOINI
Themelues i “Egnatias”, e para gazetë në gjuhën shqipe në Greqi

E shpërndamë atë pasdite në sheshin “Omonia” të Athinës, atje ku mblidheshin shqiptarët. Nuk po i besonin syve. Gazetë në gjuhën shqipe. Shtypur në Athinë. Gazeta jonë, e emigrantëve shqiptarë. Ato fytyra të argasura, ato shpirta të tunduar e munduar, të djegur nga malli për pak Shqipëri, u gëzoheshin gërmave shqipe.

Një prej çasteve më emocionante të jetës sime në emigracion.

Ne ishim këtu. Ne nuk kishim humbur. Nuk ishim siç na cilësonin me urrejtje në lajmet, vrasës e hajdutë. Ne kishim një pamje tjetër, atë që i pavdekshmi Aristidh P. Kola do ta citonte në një shkrim në revistën e vet “Arvanon”, “Ana tjetër e medaljes së emigrantëve shqiptarë.” E kjo ishte kultura, dija, vetëdija dhe krenaria kombëtare.

Ne ishim këtu, larg Atdheut, por nuk kishim humbur.

Dalja e një gazete në shqip, në Greqi, dhe shpërndarja e saj ishte një ngjarje kaq befasuese dhe e papritur në rradhët ë emigracionit shqiptar, saqë shumëkush nuk e besonte se ishte botuar nga vetë emigrantët, dhe aq më tepër, se ishte shtypur në Athinë.

Emigrantët, në faqet e saj lexonin për hallet dhe problemet e tyre dhe e kuptuan se në kushtet e një indiference totale, si të shtetit shqiptar, ashtu dhe të shtetit ku punonin si argatë me gjysëm pagese, tashmë do të kishte një organ që do të fliste në emër të tyre, që do t’u qante hallet, e ku do të lexonin lajme dhe informacione nga Atdheu në gjuhën amtare.

Gazeta “Egnatia” nuk i gënjeu kurrë shpresat e lexuesve të vet, se ajo do të bënte një luftë të jashtëzakonshme për të mbrojtur dinjitetin e emigrantit shqiptar, fytyra e të cilit, nën influencën e propagandës së shfrenuar të masmendias, ishte kthyer në një sinonim të së keqes, dhunës, egërsisë, veseve të liga, pabesisë dhe krimit.

Mjafton të kujtoj se, në të parën natë të Vitit të Ri (1992), që festonim jashtë Atdheut, shqiptarët emigrantë anë e mbanë Greqisë, në vend që të gëzonin që jetonin në një botë të lirë, do të përjetonin një tmerr të padëgjuar kurrë në jetën e tyre. Programet e Televizioneve greke e kishin ndërprerë programin e argëtimit, dhe për pothuajse një orë, do të merreshin me një aksion blic policie në disa fshatra e në lagje të Athinës për të kapur shqiptarët. Kronika jepej direkt nga terreni, madje here pas here shkëputej programi e kthehej sërish, pasi komentatori thoshte “pa të shohim ç’të reja kemi nga aksioni për kapjen e emigrantëve të paligjshëm shqiptare – alvanos metanastis“.

Dukej që çdo gjë ishte e para-përgatitur për një gjueti spektakolare raciste antishqiptare. Ishte tronditëse dhe e paimagjinueshme. Ky refren do të vazhdonte, jo me ditë, por me vite, deri në absurditete te të tilla me ngjyra shqiptarofobie e të shpikura nga klika Micotaqi, (të aplikuara me oreks edhe nga Papandreistët pasokxhi), si famëkeqet aksione çnjerëzore në rang kombëtar dhe me emër fyes e përbuzës “Skupa ja ton alvanus” – fshesë për shqiptarët. Këtu duhet gjetur shkaku se përse u prit me aq dashuri e shpresë gazeta “Emigranti – Egnatia“.

Ajo gazetë e vogël modeste me emrin “Emigranti”, që në fillimet e veta u prit me urrejtje nga disa renegatët shqiptarë, që ishin inkuadruar në shoqata antishqiptare vorioepirote, veçmas një shoqatë famëkeqe voriopepirote e himariotëve, e cila arriti deri atje sa, kur e panë që nuk po arrinin ta fusnin nën kontroll gazetën, gjetën rrugën e tradhëtisë, duke e spiunuar botuesin në policinë greke, e cila nuk vonoi të trokasë në shtëpinë, ku ai banonte duke sjelle frikë tek fëmijët e tij të vegjël, që ishin vetëm në shtëpi. Por, pavarësisht nga vështirësitë dhe pengesat, gazeta arriti që me një forcë të jashtëzakonshme shprehëse të jepte kontribut për të thyer konceptet antishqiptare të masmedias greke, të televizionit dhe gazetave.

Gazeta arriti të rrokë vëmendjen dhe kureshtjen e vëllezërve tanë të një gjaku, arvanitasve anë e mbanë Greqisë, të cilët nisën ta blejnë gazetën me dëshirën që të mësonin e të lexonin shqip. I paharruari Aristidh Kola, studiues e personalitet imadh, ish president i Arvanitasve të Greqisë, gëzohej për çdo përparim apo sukses i emigrantëve shqiptarë, që i quante hapur vellezër. Ngrohtësia e përkrahjae tij ishte një stimul i jashtëkonshëm që të mos hiqeshim nga udha që kishim nisur. Gazeta arriti të ketë influencë pozitive edhe në rradhët e shkrimtarëve dhe artistëve greke, shkrimtari Kosta Valeta, aktorja Mimi Dennisi, shkrimtari G. Jiakumis, poetja Leta Kucohera, e plot të tjerë, të cilët e përshëndetën ngrohtësisht veprimtarinë intelektualedhe krijuese të emigrantëve shqiptarë.

“Egnatia” mbrojti me këmbëngulje interesat e emigrantëve shqiptarë, që hiqnin të zitë e ullirit nëpër tërë hapësirën greke. Në faqet e saj gjen ngjarje rrënqethëse dhe të rënda që pësonin emigrantët, duke u bërë kështu një kronikë e gjallë e fateve njerëzore. Ajo ushqeu tek bashkatdhetarët në mërgim dashurinë për Atdheun, nëpërmjet lajmeve e shkrimeve të ndryshme, ajo paraqiste gjendjen në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi.

Gazeta botonte në faqet e saj edhe materiale në gjuhën greke mbi zhvillimet demokratike në Shqipëri dhe analiza e statistika nga zhvillimet ekonomike në Bashkimin Europian, ndaj të cilit Shqipëria mbante një qëndrim inspirues me dëshirën për t’u inkuadruar në radhët e saj. Në faqen e parë, gazeta kishte të vendosur flamurin e Bashkimit Europian me shprehjen “Drejt Europës“.

Mirënjohje për shkrimtarin që nuk jeton më, Spiro Xhai, qe edhe pse qe minoritar dhe kishte shtetësi greke, na dha një ndihmë të pakursyer për daljen e numrit të parë.

Gazeta “Egnatia” – Wikipedia