28 Nëntori, Dita e Flamurit, si vlerë e veçantë e kombit tonë festohet edhe në Gjenevë

0
3769

Ky akt madhor u nderua nga mërgimtarët tanë edhe me organizimin e Manifestimit Qendror në “Salle des Fetes Avanchets” të komunës Vernier, që është komuna më e madhe e kantonit të Gjenevës dhe shquhet me numrin e madh të shqiptarëve

Arif Ejupi, albinfo.ch, 27 Nëntor 2017

Komuniteti Shqiptar i Gjenevës prioritet ndër vite ka organizimin sa më të mirë të përvjetorëve të Pavarësisë Kombëtare, dhe Ditës së Flamurit gjithëshqiptar.

Në mënyrë që çdo gjë të rrjedh sipas parashikimeve me kohë filluan edhe parapërgatitjet, për këtë datë të veçantë, që në të katër anët e botës nga të mërguarit shqiptarë kremtohet me pietet e dashuri.

Javë më parë shoqata, klube dhe shoqëri muzikore të kantonit të Gjenevës mbajtën takim të përbashkët me ç’rast ndanë detyrat dhe ranë në ujdi, që hartimi i programit festiv t’i besohet këngëtares dhe regjisores Mira Bregu.

Kurse enkas për fëmijët tanë të lindur jashtë atdheut më 5 nëntor të këtij muaji në “Cinema Theatre d’Onex” të Gjenevës u shfaq filmi i metrazhit të gjatë “Nëntori i dytë” i regjisorit Viktor Gjika.

Nëpërmjet këtij filmi të rinjtë tanë të lindur në mërgim, u njoftuan me sfidat dhe sakrificat e paraardhësve të tyre.

Nga ky film ata mësuan që pas shumë luftërash dhe përpjekjesh Ismail Qemaili i shoqëruar nga dyzet burra trima të trevave tona më 28-Nëntor 1912 në Vlorë, shpalosi flamurin kombëtar dhe shpalli Shqipërinë e pavarur.

Ky akt madhor u nderua nga mërgimtarët tanë edhe me organizimin e Manifestimit Qendror në “Salle des Fetes Avanchets” të komunës Vernier, që është komuna më e madhe e kantonit të Gjenevës dhe shquhet me numrin e madh të shqiptarëve.

Dekorimi me shije i sallës dhe valëvitja e flamujve kuq e zi me shtatoren e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në ballë, paralajmëroi festë të dinjitetshme.

Himni kombëtar i kënduar nga kori i nxënësve të Shkollës Shqipe në Gjenevë, ngriti në këmbë të gjithë.

Me qëndrimin gatitu u përkujtuan dhe u nderuan mijëra burra dhe gra të rënë nëpër shekuj për liri dhe mëvetësi të trojeve tona.

Drejtueset e këtij programi festiv Kristela Tepelena dhe Pranvera Svarqa, veçuan data e ngjarje të shumta nga historia e lavdishme popullit tonë.

Ato me krenari folën për kryeheroin e kombit tonë Gjergj-Kastrioti-Skënderbeu, i cili nën betimin e flamurit kuq e zi me shqiponjën dykrerëshe, jo vetëm që vuri bazat e shtetit shqiptar por mbrojti civilizimin dhe kulturën evropiane.

Fjalë miradije dhe mirënjohje u thanë edhe për pjesëmarrësit e Kongresit të Manastirit, të cilët më 1908 na bënë me Alfabet të përbashkët të Gjuhës Shqipe.

Rol të veçantë në këtë ngjarje të rëndësishme luajti dhe Homeri shqiptar At Gjergj-Fishta, të cilin sistemi i egër komunist, jo vetëm që e anatemoi dhe denigroi, por i mëveshi edhe lloj-lloj epitetesh fyese.

Nëpërmjet vargjeve dhe këngëve u kujtuan edhe heronjtë e historisë sonë më të re si Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, Fehmi e Xhevë Lladrovci, e shumë e shumë të tjerë, që me qëndresën e tyre heroike e shkëputën njëherë e përgjithmonë Kosovën nga sundimi një shekullor i Serbisë.

Pastaj nxënësit e Mësimit Plotësues të Gjuhës Shqipe të kantonit të Gjenevës deklamuan vargje kushtuar Atdheut dhe figurave më të shquara të kombit tonë.

E bukur dhe për t’u mbajtur gjatë në mend

Mërgimtarët tanë në Gjenevë e më gjerë i njohin me interpretimet e këngëve tona popullore dhe të atyre qytetare bashkëshortët Shpejtim dhe Afërditë Krasniqi, me prejardhje nga Prizreni i lashtë i Kosovës.

Mirëpo sonte ishte pak më ndryshe sepse përkrah Shpejtimit u shfaq i biri Elioni 19 vjeç.

Babë e djalë në duet kënduan këngën “S’të harroj Kosovë”, të kompozuar nga Hekuran Krasniqi me të cilën jo vetëm që lanë mbresa të pashlyeshme por edhe krijuan atmosferë të njëmendtë festive.

Pastaj zonja Afërditë Krasniqi, kryetare e Komunitetit Shqiptar të Gjenevës, e ftoi në foltore inxh. Ali Sh. Mehmeti, themelues të këtij komuniteti, që t’i thotë disa fjalë për jetën dhe veprën e atdhetarit dhe veprimtarit të devotshëm prof. Astrit Rakip Leka, i cili më 1 Nëntor të vitit 1997 na nderoi me vendosjen e bustit të kryeheroit tonë Gjergj Kastrioti-Skënderbeu m’u në zemër të Gjenevës.

Në inaugurimin e shtatores së SKËNDERBEUT, pati marrë pjesë edhe ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë, prof. dr. Rexhep Meidani, si dhe penda e artë letërsisë sonë Dritëro Agolli, tashmë i ndjerë, por i paharruar për asnjë çast.

Për këtë vepër të jashtëzakonshme të z. Astrit Rakip Leka, nga Komuniteti Shqiptar i Gjenevës ishte përgatitur edhe një mirënjohje në shenjë nderi punës dhe veprës e tij të çmuar.

Mirëpo ajo do t’i dorëzohet në një rast tjetër, ngase z. Leka që po mbush gati një shekull jete, ka udhëtuar në Tiranë, si i nominuar i Presidentit Ilir Meta për marrjen e çmimit ”Nderi i kombit”.

Me të përfunduar disa të dhëna mbi jetën dhe veprën e z. Leka, skena u lirua për valltarët e Ansamblit “Gëzuar” të Gjenevës, të cilët luajtën “Shotën” si një nga vallet më të preferuara të popullit tonë.

Nderohen edhe njëzetedy studentë shqiptarë të porsa diplomuar në Universitetin e Gjenevës

Tanimë është bërë traditë, që në çdo përvjetor të themelimit të shtetit shqiptar dhe Ditës së Flamurit nga Komuniteti Shqiptar i Gjenevës, të nderohen me mirënjohje të diplomuarit shqiptarë të Fakulteteve të ndryshme të Universitetit të Gjenevës.

Momente gëzimi me këta të rinj e të reja që kanë marrë titullin MASTER, apo DOKTOR SHKENCE, ka ndarë Ambasadori Fuqiplotë i Shqipërisë në Bernë të Zvicrës z. Ilir Gjoni.

Ai duke përgëzuar secilin veç e veç për suksesin e arritur ka thënë vetëm në këtë mënyrë i bëjmë shërbim vetvetes, vendit të origjinës dhe Zvicrës, e cila në ditët më të vështira na mirëpriti dhe ofroi mundësinë për studim dhe jetë të dinjitetshme.

Me rezultatet e saj të arritura, ra në sy Anita Nebi Hiseni, me origjinë nga Medvegja e Kosovës Lindore.

Ajo të dyja nivelet e studimeve si atë Bachelor dhe atë Master i ka përfunduar me notë maksimale.

Suksesi i kësaj të reje duhet të inkurajojë dhe gëzojë të gjithë, kur dihet se EPFL i Lozanës, në të cilin ajo u diplomua radhitet në listën e Universiteteve më prestigjioze të botës.

Anita me gradën Inxhiniere e Kimisë, punën e saj hulumtuese dhe shkencore e ka kurorëzuar me inkuadrim në punë në gjigandin me famë botërore ”Firmenich” të Gjenevës, që së shpejti feston edhe 124 vjetorin e themelimit të tij.

Nga numri i gjithëmbarshëm i të diplomuarve njëzet veta ishin femra e vetëm dy meshkuj.

Të porsa diplomuarit njëzëshëm kanë falënderuar organizatorin për vlerësimin e punës së tyre.

Kjo ceremoni është përcjellur me një këngë kushtuar legjendarit Adem Jashari, të cilën e ka kënduar Afërditë Krasniqi.

Ajo jo vetëm që e ka përsosur këtë këngë, por e ka bërë edhe këngë zemre për të gjithë.

Solistë e valltarë të ansamblit “Rinia Contact” të Gjenevës, e kanë pasuruar programin me disa valle burimore të trevave tona gjegjësisht këngë trimërie kushtuar heronjve tanë Hasan Prishtina, Isa Boletini, Bajram Curri, Luigj Gurakuqi etj.

Ndërkaq i ftuari special i këtij manifestimi Nimon Mushkolaj, autor i disa albumeve me zërin e tij të ëmbël e ka futur në valle edhe z. Therry Apohteloz, nënkryetar të komunës Vernier të Gjenevës, i cili tejet i disponuar ka festuar bashkërisht me mërgimtarët tanë deri në mbyllje të manifestimit.

Këtë përvjetor të Shqipërisë me praninë e saj e ka nderuar edhe zonja Carole Anne Kast, kryetare e Bashkisë Onex, njëkohësisht edhe drejtuese e Partisë Socialiste të Gjenevës.

Në këtë jubile të rëndësishëm ishin edhe z. Xhafer Shatri, veprimtar i çështjes sonë kombëtare dhe ish-Ministër i Informatave i Qeverisë së Kosovës në ekzil, si dhe z. Ramadan Avdiu, konsull aktual i Republikës së Kosovës në Gjenevë të Zvicrës.

Manifestimi i 105- Vjetorit të Shqipërisë dhe Ditës së Flamurit ka përfunduar në orët e vona të natës qetë dhe pa eksesin më të vogël. Manifestime të ngjashme janë mbajtur edhe në qendra të tjera të Zvicrës.