27 ushtarë të vdekur gjermanë për lirinë e Kosovës dhe shishet me verë të Hashim Th. dhe «sekretaricës» së tij Behgjet P.

0
687

DialogPlus.chEnver Robelli

Që nga viti 1999 lirinë e Kosovës e kanë siguruar 130 mijë ushtarë gjermanë. 27 ushtarë gjermanë kanë vdekur në misionin paqësor të KFOR-it. Angazhimi i Gjermanisë në kuadër të trupave paqeruajtëse ka kushtuar 3,4 miliardë euro. Çfarë kanë investuar Hashim Th. dhe «poslovna sekretarica» e tij Behgjet P. për Kosovën pas vitit 1999? Disa shishe verë, peshk dhe gjallesa të tjera deti të paguara me paratë e popullit më të varfër dhe më të izoluar në Europë. Mos harroni: rroga minimale në Kosovë për punëtorët nën moshën 35-vjeçare është 130 euro. Sa dy shishe verë për pushtetarët e Kosovës.

Në vitin 1999 kancelari gjerman Gerhard Schröder dhe ministri i Jashtëm Joschka Fischer iu bashkuan aleancës veriatlantike për çlirimin e Kosovës. Në Gjermani një pjesë e opinionit kundërshtoi hapur intervenimin, por Schröder dhe Fischer nuk u dorëzuan, ndonëse i përkisnin partive tradicionalisht pacifiste – socialdemokratëve dhe të gjelbërve. Në Kongresin e partisë Fischer u godit me një konservë me ngjyrë nga militantët e gjelbër, të cilët kundërshtonin intervenimin në Kosovë. Pas kapitullimit të Serbisë, trupat gjermane hynë në Prizren, prej nga do të kontrollonin sektorin jugor të Kosovës në kuadër të trupave të KFOR-it.

Ndoshta disa shqiptarëve u kujtohet ajo skena kur dy paramilitarë serbë po kalonin nëpër qendër të Prizrenit me një veturë Lada dhe nuk po i bindeshin urdhrave të ushtarëve gjermanë për t’u ndalur. Ata i ndali breshëria e plumbave. Njëri vdiq. Tjetri u tërhoq nga ushtarët gjermanë, të cilët i ofruan ndihmë. Kjo ishte një ushtri tjetër, që të plagosurin, qoftë ai edhe armik, e trajtonte me respekt. Pas largimit nga pushteti të Schröderit dhe Fischerit më 2005 kancelarja Angela Merkel e ka vazhduar angazhimin e Bundeswehrit në Kosovë.

Kanë kaluar gati 20 vjet që nga vendosja e trupave gjermane në Kosovë. Në fund të këtij viti gjermanët do të braktisin Prizrenin. Kampi i tyre do të mbyllet. Pritet të shndërrohet në park teknologjik. Është koha për bilanc: që nga viti 1999 lirinë e Kosovës e kanë siguruar 130 mijë ushtarë gjermanë. 27 ushtarë gjermanë kanë vdekur në misionin paqësor të KFOR-it. Angazhimi i Gjermanisë në kuadër të trupave paqeruajtëse ka kushtuar 3,4 miliardë euro. Joschka Fischeri kur e arsyetoi intervenimin në Kosovë tha: «Kurrë më Auschwitz». Domethënë: Gjermania paqësore nuk duhet të jetë paqësore kur bëhet fjalë për mbrojtjen e të shtypurve. Më 1999 të shtypurit ishin shqiptarët e Kosovës. Diktatori quhej: Sllobodan Millosheviq.

3,4 miliardë euro, 27 ushtarë të vdekur gjermanë, 130 mijë ushtarë të Bundeswehrit që shërbyen në Kosovë: Gjermania nuk është e gatshme që këtë investim ta hedh në bërllok, andaj kancelarja Angela Merkel këto ditë tha se Berlini nuk do të lejojë varrosjen e Kosovës së pavarur për interesa të Aleksandar Vuçiqit dhe Hashim Thaçit.

Negociatori i fundit për pavarësinë e Kosovë, diplomati gjerman Wolfgang Ischinger tha po ashtu këto ditë se ashpër kundërshton hedhjen në ajër të Kosovës së pavarur. Po, bash ai Ischingeri, i cili erdhi në Kosovë dhe ndërtoi një shkollë me kursimet e të birit të tij, i cili vdiq tragjikisht. Gjatë vizitës në Beograd në vitin 2010, ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Guido Westerwelle, kishte nënvizuar tri fakte: «pavarësia e Kosovës është realitet»; «kufijtë në Europën Juglindore janë caktuar»; «pajtimi arrihet vetëm nëse ballafaqoheni me realitetin».

Përballë këtij angazhim e investimi gjerman për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, shtrohet pyetja: çfarë kanë investuar Hashim Th. dhe «poslovna sekretarica» e tij Behgjet P. për Kosovën pas vitit 1999? Disa shishe verë, peshk dhe gjallesa të tjera deti të paguara me paratë e popullit më të varfër dhe më të izoluar në Europë. Portali kallxo.com këto ditë është duke botuar një seri shkrimesh me të dhëna që tregojnë grykësinë e llupësve kosovarë që me lloj-lloj manipulimesh e kurthesh kanë zaptuar pushtetin. Grykësia e tyre nuk paraqet ndonjë befasi për qytetarët e Kosovës. Atraktive mund të jetë vetëm numërimi i llojeve të menyve, verërave, rakisë dhe pijeve të tjera që këta zullumqarë kanë gllabëruar nëpër kafehanet e restorantet e Kosovës.

Sa herë që lexoni tituj si: «Dreka e Hashim Thaçit ku piu 10 litra verë italiane me vlerë 500 euro», «Behgjet Pacolli paguan drekë në hotelin e tij, nga kuleta e shtetit», «Hashim Thaçi pi verë që kushton 120 euro», «Dreka e Hajredin Kuçit me verëra italiane e spanjolle e shoqëruar me karkaleca deti», kujtoni 130 mijë ushtarë gjermanë që shërbyen në Kosovë, kujtoni 27 ushtarë gjermanë që vdiqën në misionin paqësor të KFOR-it, kujtoni se ky mision ka kushtuar 3,4 miliardë euro – para të taksapaguesve gjermanë. Atëherë e kuptoni përse pavarësia e Kosovës për Gjermaninë ka vlerë dhe duhet të mbrohet, ndërsa për Thaçin, Pacollin, Kuçin dhe të tjerët Kosova është vetëm një arenë për të shuar lakminë e tyre të pashuar.

Çfarë keni pritur tjetër? Që vjen Pacolli nga Zvicra në Kosovë me qëllime altruiste? Që Thaçi e merr pushtetin dhe tregohet pak modest në harxhimin e parave të qytetarëve? Ambicia e tyre është e vogël: një shishe verë, dy shishe verë, tri shishe verë, një gotë raki, dy gota raki, tri gota raki, një peshk, një hotel, dy hotele, një gurthyes, disa banesa, disa vila. Ky është, sipas tyre, kuptimi i pavarësisë së Kosovës. Prej tyre kanë ikur mbi 100 mijë qytetarë vetëm në 5 vitet e fundit. Dhe sipas disa parashikimeve ndërkombëtare gati 50 për qind e qytetarëve të Kosovës mendojnë të mërgojnë nëse liberalizohen vizat. Atëherë Thaçi, Pacolli dhe zhvatësit e tyre do ta kenë edhe më të lehtë të «qeverisin» Kosovën. Mos harroni: rroga minimale në Kosovë për punëtorët nën moshën 35-vjeçare është 130 euro. Sa dy shishe verë për pushtetarët e Kosovës.