Sarë Gjergji – një intelektual rigoroz dhe i palodhshëm

0
2411

Eshte kenaqesi kur miqesohesh me intelektual siç eshte z. Sare Gjergji, nji pene brilante, poet dhe shkrimtar, njeri perkushtuar per letrat shqipe.
Por lexuesit e Fjales së lirë, duan te dine se kush eshte Sarë Gjergji, une kame kenaqesin qe t’jua prezantoj, poetin dhe shkrimtarin Sarë Gjergji.
Gjin Musa, gazetar.

U lind më 15.12.1965, Stubëll e Epërme, Viti, Kosovë.
Studimet bazë dhe ato pasuniversitare për letërsi i ndoqi në Universitetin e Prishtinës, ndërkaq temën e magjistraturës e mbrojti në Universitetin Shtetëror të Tetovës, me mentor Prof. Dr. Luljeta Isaku.
Është para mbrojtjes së temës së doktoratës: Teksti biblik në letërsinë shqipe: prej letërsisë së vjetër tek realizmi, me mentor akademik Ali Aliun, pranë Universitetit “Shën Çirili e Metodi” në Shkup, me mentor akademik Ali Aliun.
Është anëtar aktiv i Akademisë Evropiane të Arteve, Paris (Academie Europeenne des Artes), i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, i Klubit të Shkrimtarëve “Beqir Musliu” dhe i shumë asociacioneve kulturore.

Botimet:
1. Golgotë, Drita, Ferizaj, 1994 (poezi);
2. Kontrast ngjyrash, Prometheus, Graz & Prishtinë, 1996 (poezi);
3. Terapia e vdekjes – requiem për Kosovën?, Ura & Martin Segoni, Gjilan, 2000 (poezi);
4. Peizazh toke, Eurorilindja, Tiranë, 2004 (poezi);
5. Foc nestnis (Zjarr i pashuar, në gjuhën rumune), Bukuresht, 2007 (poezi);
6. Dashuri e pambarim, T-Kom, Shkup, 2007 (financuar nga Ministria e Kulturës e Maqedonisë) (poezi);
7. Vitia 2009, udhërrëfyes”, Zyra për Informim Publik e Komunës së Vitisë, 2009 (financuar nga Zyra e OSBE-së në Gjilan. E botuar në gjuhën shqipe, serbokroate dhe një pjesë në gjuhën angleze) (udhërrëfyes-guidë për komunën e Vitisë);
8. Të tjerët për veprën letrare të Isak Ahmetit ose letërsia ndryshe e tij, (bashkautor me Zef Ahmetin), Albanisches Institut, St.Gallen, Zvicër, 2011 (kritikë letrare);
9. Legjenda e tërfilit, MediaPlusArt, Prishtinë, 2012 (poezi);
10. Stublla me shkollën e parë shqipe, 1584-1905, Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës, qershor 2014 (monografi);
11. Stublla, monografi, 2005 (grup autorësh).

Ka dhe dy libra në shtyp dhe disa të tjerë në dorëshkrim. Ka botuar punime shkencore edhe në revista shkencore ndërkombëtare me impakt faktor.
Ka botuar edhe shumë artikuj mbi: Karl Poperin, Ismail Kadarenë, Platonin, Horacin, Buzukun, De Radën, Konicën, Migjenin, Nolin, A. Harapin e shumë autorë të tjerë; për praninë e Biblës në letërsinë evropiane dhe atë shqipe, si dhe një numër të konsiderueshëm shkrimesh të tjera nga publicistika, arti e kultura (të përfshira në libra, gazeta e revista të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit).

Çmimet letrare (disa syresh):
Çmimin vjetor për krijimtari, 1992 (nga Shoqata e Letrarëve të Rinj të Kosovës);
Çmimin kombëtar: Imazhi Shqiptar në Arsim (nga Forumi Imazh&Media), Tiranë, 2014 (për monografinë shkencore: Stublla me shkollën e parë shqipe 1584-1905);
“Agim Ramadani”, 2003, 2005;
“Flaka e Janarit”, 2003, 2007, 2009, 2015 etj.;
”Muza e Agimit”, 2012, 2014;
“Esad Mekuli”, 2012 (LSHK);
“Akil Koci”, 2007 (për vëllimin poetik Peizazh toke);
”Shën Jeronimi Ilir”, 2012;
“Valët e Llapit”, 2013;
“Takimet poetike të Karadakut”, 2010, 2012 (Kumanovë) etj.

Poezia e Sarë Gjergjit, është e përfshirë në shumë antologji, ndër të tjera, në gjuhën shqipe (Fjala – Antologji e poezisë shqipe në Kosovë, Ballkan Free Press / Jalifat Publishing, 2013 dhe Antologji e poezisë moderne shqipe, http://www.sa-kra.ch/, 2015), në gjuhën rumune (Vullkani i durimit / Vulcanul rabdarii, Editura Do-Minor, Bukuresht, 2008), në gjuhën gjermane (Ferdinand Laholli, Antohologie der modernen albanischen Lyrik, Doruntina Verlag, Buckeburg, 2003). Në vitin e kaluar u përfshi edhe në një antologji të poezisë shqipe të përkthyer në gjuhën turke.

Vepra e tij është bërë objekt studimi i studiuesve të shumtë, duke u vlerësuar lart nga kritika letrare. Vlerësime për veprën e Sarë Gjergjit kanë dhënë: Akademik Kolec Topalli, Prof. dr. Isak Shema, Prof. dr. Faik Shkodra, Prof.dr. Hysen Matoshi, Prod. Dr. Astrit Memia, studiuesit: Marius Chelaru, Mihai Antonescu, Isak Ahmeti, Prend Buzhala, Ramadan Musliu, Baki Ymeri, Fehmi Ajvazi, Nuhi Ismajli, Mehmetali Rexhepi, Nexhat Rexha e dhjetëra autorë të tjerë.

Si krijues u përfshi edhe në Leksikoni i shkrimtarëve shqiptarë 1501-2001, të autorit Hasan Hasani, Prishtinë, 2003, në numrin jubilar të 50 vjetorit të botimit të revistës letrare për fëmijë “Pionieri”, nr.1, Prishtinë, 1998, në: Psherëtimë për tokën, panoramë letrare e krijuesve të Kosovës Juglindore (1939-2003) I, të autorit Hysen Këqiku, Kurora, Gjilan, 2004 etj.
Me kumtesa shkencore është paraqitur në disa konferenca shkencore, në Tiranë, Prishtinë, Tetovë.

Aktualisht është redaktor (për Kulturë, Letërsi, Arte) i revistës shkencore Fakti shkencor, që botohet në Prishtinë Ish kryeredaktor i revistës Identiteti (Prishtinë), i revistës Lajmëtari (Graz) dhe redaktor përgjegjës i revistës Kalendari letrar (Prishtinë).

Është ndër organizatorët e manifestimit letrar, kulturor e shkencor “Takimet e Dom Mikelit” si dhe botues i buletinit të manifestimit me të njëjtin emër.

Ka kryer punë të ndryshme: në arsim, këshilltar në asamblenë komunale të Vitisë (10 vite), zyrtar për informim i kësaj komune, udhëheqës i Caritasit Çek në Gjilan, nënkryetar i Kolpingut për Kosovë etj.

Sidomos në vitin 1989, ishte i angazhuar në organizimet e studentëve (protesta, greva) të UP-së, në Këshillin për Pajtimin e gjaqeve (për rajonin e Anamoravës), bashkë me veprimtarin e çështjes kombëtare, Halil Alidemën, Prof. Hasan Mekulin, Prof.dr. Isak Shemën etj.

Është i martuar dhe ka dy fëmijë.

ARS POETICA
Varianti I. (Poezi)

1.
Mos hiq dorë prej meje
shpirti im për ty ka etje!
Për mëkatar mos më merr
mos më përbuz për herezi
kur pa dashje shpërfill kërkesat e tua!
Pa frymën tënde
ndihem varr i gjallë
Poezi.

2.
Mal metaforash është libri i poezisë
grackë simbolesh
ku gjallojnë herë-herë
spermë politikanësh e popuj në agoni
toka shtatzëna – të vranëta, hi e plojë
lavire të virgjëra e psalme shenjtorësh
stuhi vullkanesh, fantazma, urti e Solomonit.
Sa profeci fsheh brenda vetes
Poezia –
lufta për dinjitet!

Varianti II. (Poet)
Eja dhe shih të zverdhur në palcë
tokën e premtuar të artit në këmishë nate
dhëmbët e bardhë në copëra mishi kudo në horizont
lotin e botës në sytë e mi
në dhimbjen që fshihet në çdo qelizë të qenies
fytyrën reale të botës shih, fitimtare në asgjë.
Midis poezisë dhe poetit një univers ndan, Poet
këtu kemi harruar se në fillim ishte Fjala
të çorientuar në rrugët tona
sinorin mes hirit e artit ngatërrojmë
një dëshmi më shumë për fytyrën engjëllore të ligësisë.
Eja sërish, të lutem,
se poshtë ka rënë fjala këtu
tokës së tharë të mendjes sonë
muzën dhuroja!

Varianti III. (Revoltë e heshtur)
Hesht Shpirti im
kur velin gri mbi qytet pushtetarët shtrijnë
e turma shurdhmemece i këndon robërisë.
Hesht se revoltën e poetit nuk e duan
as atë mal simbolesh që ngreh Ai
për hënën nusërore dhe madhështinë e zjarrit.
E ç’rëndësi ka në ishte Fjala në fillim
nëse vargu yt sfidohet
nga kuaj të harlisur a nepërka me syze.
Shpirti im,
për verbimin e diellit dhe gjithçka rreth teje,
hesht po munde!
Sërish do ketë një të Premte të Madhe…

GJUHA SHQIPE

Burrërisht nëpër trajta lakohet e s’thyhet dot
plot finesë, e butë si grua
Gjuha Shqipe
kur gjini të kundërta flasin
bëhet frutë

ORKIDE
Ëndrrën zgjon e rrit – erëmira
magjishëm,
në atë petale mesi
buzët e mishta kur hap
sa shumë yje qiellit tim ndizen

sensuale e plot pasion
ti hijeshi e rafinuar
Orkide

prek malin në mua
tek rritet çdo kërcell imi në termosin tënd
njëmijenjë drithërima shpirtin tim vërshojnë

kur flutur nate bëhem
aromë e jote më deh mistershëm
pafund ngjyra n’trupin tim çelin
Orkide,
Orkide!

GINKGO BILOBA
Ajo,
e vetmja e familjes është
nga lashtësia veshur mitesh
me shkëlqim drite vjen
në kopshtin tim rrënjë lëshon

në dysh i ndarë gjeth i saj,
-si vargu im dhe unë,
një frymë…

qiellin trup i saj pushton
degë e saj ajrin
me hapin sigurt, si një zonjë e rëndë
këmbë e saj shkel në t’zemrës sime tokë

unë vdeksha po s’të mora erë
çdo fije gjethi n’çdo stinë po s’të putha
po s’hëngra frytin tënd përrallor

në tempull të Shën Mirit, në mua
përherë e shenjtë
ngjyra drite derdh

e vetme,
sjell shpirtin, gjakun e lashtë sjell
Ajo,
harresën braktis,
hyjnueshëm
në kopshtin tim gjelbëron

Ginkgo Biloba
ëmbël ushqen jetën.
Ah!, kjo Ginkgo Biloba

MACJA MESDHETARE
Në sfond dëshirash të pafundme fle
fisnike në ecje
egërsisht e butë
me atë timbër zëri qiellor
njësoj si hyjnitë
epshore kur mjaullinë
fushat prej rëre jetë i mbush

miqësore dhe magjike
kurrë s’dorëzohet
aq përzjarrshëm trupit ngjitet
aq mistershëm këmbë e kokë
me njeriun fle…

QENUSHJA E SHARRIT

Në gjoks më hidhet,
më nuhat,
dhe, kur bindet se jam unë,
m’përshkon fytyrën me atë gjuhë qullace.

E shoh tek i ndrisin sytë
e zemra sa nuk i shkulet gjoksit,
aq shumë dashuri tek fal.

Tek e mbaj në krah,
në gjoks tek e mbaj,
me atë nuhatje e gjuhë qullace,
ndjej tek më deh.

Është besnike
e kurrë nuk më braktisë.
Qenushja,
vetminë nuk e do.