2 poezi nga Nexhat Halimi

0
719
Nexhat Halimi

Nexhat Halimi

1 (ndërsa ti fle)

‘i yll papritur bie mbi pemë
dikush do të vdes ndoshta

era e jugut prek gemat lehtë
ndërsa ti fle larg çdo gjëje të vërtetë
‘i qen leh çuditshëm
e askush nuk e dëgjon

veç unë e kaloj kodrën e vij
me udhë të gjatë në shpinë
e lule venitur të pranverës në gji
e silueta jote lëviz për në kënetë
me shtambë uji në dorë

ndërsa ti ende fle e qetë

2 (trëndafili i bardhë)

ec pandërprerë hije pa emër
vij dhe ditën tjetër me zemër

pres në urë buzë uji të vdes
vetëm thellë në natë me ‘i thes
e ‘i trëndafil të bardhë
të pikturuar fund qiellit

peshqit vijnë dhe ikin lehtë
ndërsa ti fle e vërtetë

qan e buzëqesh në gjumë
kaq e mërdhezur kaq e ndezur
në siluetën e hënës në lumë

unë kotem në stol nën lot
ndjek alenë ndër yje kaq kot