19-vjet më parë në burgun e Prishtinës, inspektorët serbë mbytën në tortura, Besnik Restelicën bashkëluftëtar i Zahir Pajazitit

0
3078
Milazim Kadriu

Milazim F. KADRIU

U mbushën 19-vjet, qyshkur në burgun e Prishtinës, inspektorët serbë mbytën në tortura, veprimtarin dhe idealistin, Besnik Restelica, pjesëtar i grupit të luftëtarëve të UÇK-së në krye me Zahir Pajazitin. Besniku me disa bashkëveprimtarë ishte arrestuar nga policia serbe pas rënies së Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhës dhe Hakif Zejnullahut më 31 janar të vitit 1997. Në varrimin e Besnik Restelicës 19-vjet më parë kanë marrë pjesë dhjetëra mijëra qytetarë nga gjithë vendi. Në përkujtim të dëshmorit, familjarët, të afërmit dhe bashkëluftëtarët vendosën kurora lulesh te pllaka përkujtimore e dëshmorit.

Besnik Restelica (18.4.1967 – 24.2.1997)

Në familjen të njohur patriotike Restelica të Besianës u lind i biri i Muharremit e Xhezides, të cilët kishin gjashtë fëmijë: vajzat, Magbulen e Shpresën dhe djemtë Enverin, Besnikun, Bedriun dhe Fahriun. Shkollën fillore “Shaban Shala” dhe të Shkollën e Mesme Teknike i kreu në Besianë. Ndërsa Fakultetin e Xehetari – Metalurgjisë e kreu në Mitrovicë. Besniku u lind më 18 prill të vitit 1967. Rrugën patriotike e trashëgoi nga babai, Muharremi, i cili ishte pjesëmarrës i demonstratave të vitit 1968.

Veprimtarinë patriotike, Besniku e zhvilloi gjatë viteve 1989-1990, në demonstratat kundër okupatorit serb në Besianë, Prishtinë e Mitrovicë.

Gjatë studimeve në Mitrovicë, në vitin 1995, kishte rënë në kontakt me organizatorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, së bashku me Asllan Selimin nga Açareva e Skënderajt. Në linjë të kësaj lidhjeje po qëndronte njëri prej organizatorëve të UÇK-së, Rexhep Selimi. Në këtë periudhë, veprimtarinë e tij atdhetare ai e zhvilloi në Zonën Operative të Drenicës, duke marrë pjesë në shumë aksione të zhvilluara në zonën e Drenicës kundër okupatorit serb. Mirëpo veprimtaria e Besnikut nuk i shpëtoi syrit të armikut dhe bashkëpunëtorëve të tij. Ai ishte vënë nën përcjellje të vazhdueshme deri në ditën e arrestimit në shtëpinë e tij në Besianë, e cila edhe më vonë mbeti bazë e luftëtarëve të UÇK-së.

Në kohën kur ishin krijuar kushtet që Besniku t’u bashkohej formacioneve të Zonës së Llapit, e udhëhequr nga komandanti Zahir Pajaziti, sigurimi shtetëror serb arrin ta arrestojë Besnikun, më 30 janar të vitit 1997. Natën e arrestimit, në shtëpinë e Besnikut kishte qëndruar mysafir shoku i tij, Sylejman Jashari, i cili po ashtu u arrestua nga policia serbe. Të arrestuarit u dërguan në Burgun e Prishtinës.

Në hetuesi,, për 25 ditë me radhë, Besniku iu nënshtrua torturave shtazarake. Vetëm një ditë pas këtij arrestimi, në Pestovë të Vushtrrisë, në pritën e policisë kriminale serbe ranë Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu. Me arrestimin e Besnikut, UÇK – së iu shkëput një hallkë shumë e rëndësishme organizative dhe nga gjiri i saj u nda njëri ndër bijtë më të devotshëm. Dhuna mizore e ushtruar mbi trupin e Besnikut arriti t’ia marrë jetën, por jo ta thyejë. Qëndresa e tij i tmerroi kriminelët serbë dhe bashkëpunëtorët e tij, të cilët nuk arritën ta nxjerrin asnjë fjalë dhe sekret nga goja e tij.

Vrasja e Besnikut në hetuesinë e burgut të Prishtinës, në natën mes 23 dhe 34 shkurtit të vitit 1997 u përballua me stoicizëm nga prindërit dhe tërë familja e tij, por ajo e rriti në kulm urrejtjen dhe pezmin e të gjithë shqiptarëve kudo në Kosovë. Me 24 shkurt 1997, në varrezat e Besianës u varros trupi i dëshmorit Besnik Restelica. Për meritat e tij, Besniku shpallet dëshmor i kombit. Rruga e lagjes ku u lind dhe kaloi fëmijërinë Besniku tani mban emrin e tij. Pas përfundimit të luftës, familja e Besnik Restelicës është nderuar me mirënjohje nga Universiteti i Prishtinës, nga SHFD në Besianë, SHP i UÇK-së etj.

AS TORTURAT SE GJUNJËZUAN

(Besnik Restelicës)

Tek varri i Besnikut
Një trëndafil i kuq
Freskinë e flijimit
Për lirinë e Kosovës ia ruan.

Në burgun e Prishtinës
Barbarët e vranë
Gjatë e torturuan
Por shokët idealit s’ia zbuluan.

Trashëgim nga të parët
Qëndresën e fortë si guri
Shokët si zbuloi
Sepse dha besën para flamurit.

S’u tremb nga barbarët
Që e torturuan ditë e natë
U flijua për Kosovën
Që lirinë ta gëzoi sot.