“1747 biznese mbyllën qepenat”, Arben Ahmetaj i përgjigjet Lulzim Bashës: Ekonomia matet me shifra jo me emocione politike

0
975

Ministri i Financave Arben Ahmetaj ka reaguar pas deklaratës së kryedemokratit Lulzim Basha i cili thoshte se Shqipëria është duke përjetuar krizën e mbylljes së bizneseve.

Sipas Ahmetajt, përtej emocioneve politike janë shifrat ato që masin ekonominë dhe këto të fundit tregojnë përmirësim të mëtejshëm të klimës së biznesit.

“Ekonomia matet me shifra dhe shifrat, pertej emocioneve politike, jane lehtesisht te verifikueshme.

Në janar 2018 janë regjistruar ne Qendren Kombetare te Biznesit 2394 biznese të reja dhe janë ç’regjistruar 732. Efekti neto, është 1662 biznese të reja në ekonomi, nga 1425 që ishin në janar 2016, ose thënë ndryshe, një rritje prej 237 biznesesh më shumë se një vit më parë, vetëm për muajin janar.

Përmirësimi i mëtejshëm i terrenit ekonomik dhe klimës se biznesit është sfidë që vazhdon, por koha kur bizneset mbyllnin qepenat për shkak të frikës e pasigurisë, për shkak të gjobave elektorale dhe borxheve kolosale të qeverisë ndaj tyre, është e shkuar e largët për sipërmarrjen shqiptare,” shkruan Ahmetaj.

Ndërkohë më herët kreu i PD-së tha se 1747 biznese mbyllën qepenat për të mos i hapur më.

“Kjo shifër zyrtare, është vetëm për janarin që sapo kaloi, një përkeqësim prej 54 përqind krahasuar me një vit më parë.
1747 biznese që nuk munden më.

Zgjidhni vetë kujt i besoni, dokrrave që predikon Edi Rama për rritje dhe mirëqenie, apo vendimit të dhimbshëm që kanë marrë në janar 1747 biznese për të mos ushtruar aktivitetin, për shkak të taksave të larta, agresionit qeveritar, rënies së konsumit dhe mungesës së perspektivës.

1747 biznese vetëm në janar, që nuk munden më, janë ekonomia reale, janë dëshmia kritike per krizën e rëndë. Janë klithma urgjente për ndryshim të thellë politik dhe ekonomik,” nënvizoi Basha. (TemA)