“17 LIBRAT E BOTUAR, DËSHMOJNË PUNËN TIME SHUMËVJEÇARE E TË PALODHUR, PËRPARA TË VËRTETAVE, QË UNË KAM PËRJETUAR…”

0
802

(Bisedë me poeten dhe shkrimtaren Bajame Hoxha-Çeliku, krijuese e përndjekur nga diktatura dhe tani emigrante, në Belgjikë)

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues

1. Kënaqësi, që po e zhvillojmë bashkë këtë Bisedë, mike Bajame edhe nga fakti, se jemi nga e njëjta krahinë, me origjinë nga Malësia e Gjakovës (Tropoja). Pra, në fillim, dëshirojmë të dimë diçka për vendlindjen, fëmijërinë e shkollimin tënd…

– Profesor Gecaj, ju falënderoj për dëshirën e madhe, që tregoni për të shkruar e treguar, në pak rreshta, historinë e jetës së familjes sime dhe, njëkohësisht, të shkuarën tonë të hidhur! Familja e tim shoqi është nga Malësia e Gjakovës dhe pikërisht janë Hoxhajt e Gashit të Gurit dhe trashëgimtare e denjë e heroit legjendar, Avdulla Hoxha. Atë e varën pushtuesit osmanë në litar, më 1910, si prijës i kryengritjeve kundër pushtimit shekullor të tyre. Kjo ndodhi, pikërisht, dy vjet para shpalljes së Pavarësisë, ku mejteplitë do ta provokonin para litarit: “Hoxhë, sa sharte ka Turqia?” Ndërsa fjala e fundit e tij ishte: “Me takat, lum zotnia… pesë manxerrja… e gjashtë alltia!/ E, t’kisha pasë veç nji me veti…/ do m’kish shku/ zani te mbreti!”. Atëherë, këto vargje, të dala nga zemra burrërore e heroit dhe trimëritë e tij të pashoqe, rapsodët e kohës i ngritën në shtatë këngë, në Kosovë dhe në një përmendore të pavdekshme, për Avdulla Hoxhën e Gashit të Gurit. Pra, edhe pse ishte një nga familjet më në zë të kohës, e trimave të Malësisë së Gjakovës e më gjerë, shpata e hidhur e Enver Hoxhës të godiste e të korrte pa mëshirë, në qoftë se nuk i nënshtroheshe!

Unë, me tim shoq, jemi takuar që fëmijë në internim, në kampin e përqendrimit, i cili ishte në Savër të Lushnjës. Ndërsa, kur u rritëm, ngritëm mbi baza të shëndosha një familje të ndershme. Nga kjo martesë, kemi tre fëmijë të mrekullueshëm, dy vajza e një djalë. Pasi jetuan “Ferrin e Dantes”, në fëmijëri, tani ata janë të diplomuar në Bruksel dhe jetojnë me dinjitet, si qytetarë belgë. Unë, me origjinë prindërore, jam gjysmë nga Mati e gjysmë nga Kukësi, por s’kemi jetuar kurrë atje. Nuk e di saktë, të them nga jam, sepse asnjë rreth nuk më bën ende bijën e tij!? Kjo, sepse fëmijërinë time e kam kaluar në qytetin e Gjirokastrës, ku kam marrë dhe mësimet e viteve të para. Pastaj, në kampin e përqendrimit ma ndërprenë shkollën. Më tej, e vazhdova atë natën e me copa dhe munda ta kryeja e t’i jepja të gjitha provimet, vetëm në ditët e demokracisë.

Ne na i mbyllën dyert e shkollave, por dyert e dijeve nuk na i mbyllën dot! Ato baraka me kashtë, dhomëzat e tyre, u kthyen në shkolla për ne. Në ato baraka, me kallama të hekurta, që ashtu i kthyem ne, mësuam gjuhë të huaja, gjuhën shqipe, letërsi shqipe e të huaj, mësuam muzikën shqiptare dhe muzikën e huaj (të ndaluar për kohën) etj. Prandaj tani, kur më pyesin nga je, u them shpejt: “Nga gjithë Shqipëria”. Dhe, kur kërkojnë hollësira, u them prerazi: “Jam nga Lushnja!”

2. E di që do të shkaktojë sjellje në kujtesë, të një kohe të vështirë të jetës tënde…Megjithatë, a mund të tregosh, sigurisht shkurt, për vitet e gjata të internimit?
– “Kush mbjell erën, korrë furtunën!…” Por, ne e prindërit tanë, mbollëm paqen dhe gjetëm ferrin mbi tokë! Në romanin me 581 faqe, “Vajet e Pranverës Mashtruese”, që botova fundvitin e kaluar, te Shtëpia Botuese”Nacional”, trajtohet pikërisht kjo temë, që përfshin kohën nga viti dyzetë e pesë dhe deri në nëntëdhjetë e njëshin, kur trokiti demokracia dhe ne u lamë të lirë të marrim vetëm rrugët e kurbetit, me rrobat që kishim veshur. Kush është i interesuar për ta njohur atë histori të hidhur, por të vërtetë, mund ta lexoj këtë libër, ku personazhet janë me emra të vërtetë. Megjithatë, besoj se nuk i ka nxënë dot ai libër, prej qindra faqesh, të tëra ato drama, që ne i përjetuam. Një jetë-në skëterrë, do ta quaja!

3. Kur të lindi dëshira për të krijuar e shkruar dhe cila ishte periudha e shpërthimeve të vrullshme, në këtë fushë?

– Mua nuk më lindi dëshira, i nderuar, por shkrova instinktivisht, kur policët po na shoqëronin. Ishim duke udhëtuar me makinë, drejt kampit të përqendrimit, me policë mbi krye. Udhëtimi zgjati gjithë natën. Atë mëngjes të bukur vjeshte nuk do ta harroj kurrë! Duke hyrë në qytetin e Lushnjës, nxora nga çanta, e cila më kishte mbetur në dorë ,që nga çasti i nisjes për në internim, lapsin, fletoren dhe shkrova poezinë e parë: “Rri polici, mu mbi buzë!…” Isha fare fëmijë. Pas atij mëngjesi të paharruar, të gjitha padrejtësitë dhe jetën e dhunshme, e hidhja në fletore.

4. Jam informuar, se ke botuar shtatëmbëdhjetë libra…Cila është tematika kryesore e tyre? Po, në çfarë gjinishë ke krijuar?

– Unë shkruaj në të gjitha gjinitë letrare, pasi 17 librat e shkruar dhe të botuar: në prozë, poezi, për të rritur e fëmijë, dëshmojnë qartë punën time këmbëngulëse, shumëvjeçare e të palodhur. Përpara të vërtetave lakuriqe unë nuk kam mundur të hesht. Pasi që unë i kam përjetuar në vitet e diktaturës në Shqipëri. Kam trajtuar edhe tema shoqërore, por në poezi qëndroj më dukshëm, te rima, te vargjet lirikë…

5. Tashmë, ke disa vite në emigracion, në Belgjikë…Cilat janë përshtypjet e tua, nga kjo jetë, larg Atdheut?

– Jo më larg se disa ditë më parë, shkrova brenda romanit tim të ardhshëm, nga libri ”S’e besoj Parajsën tënde”, të poetit shqiptar nga Maqedonia, Shazim Mehmeti: “Vasha, vërtet, ku humbi?/ Ku iku?/ Ku treti?/ Treti për të m’u shfaqur/ rishtas në valë deti?!” Më tej, ky poet shkruan këto radhë, kaq domethënëse: “Jap gjithë jetën time endacake,/ për dy metra varr n’atdheun tim!” A s’e ka dhënë shpirtin ky poet, brenda vargjeve? A s’ka folur dhe për mua, ky poet ? Kam më se 16 vjet, që e kam lexuar këtë libër dhe s’i kam harruar kurrë vargjet e tij!

6. Përsëri, disi lidhur me pyetjen e mësipërme: Sa ke ndihmuar ti në shkollimin e fëmijëve të emigrantëve shqiptarë?

– Kur arrita në Belgjikë, kërkova strehim politik dhe u pranova, si e tillë. Ndërkohë, intelektualët e Kosovës, me drejtor shkolle Muhamet Shabanin, më bënë thirrje për të ndihmuar në mësimdhënien e gjuhës amtare, pra, fëmijët shqiptarë në Bruksel. Kërkesës së tyre iu përgjigja pozitivisht. Kështu, kam dhënë mësim njëmbëdhjetë vjet, falas dhe kjo më bën krenare, ishte kënaqësi për mua. Nxënësit e mi, tani ndjekin universitetet e Brukselit. Ata e flasin dhe e shkruajnë shqipen, njëlloj me fëmijët, që janë rritur e shkolluar në Atdhe.

Do të flisja pak, si në veçanti, për një nxënës të shkëlqyer. Quhet Flamur Hamiti dhe këtë vit ndjek vitin e parë për mjekësi. Ai e flet dhe e shkruan aq bukur gjuhën shqipe letrare, kur me origjinë, që nga gjyshërit, është shqiptar nga Kosova.

7. Po me veprimtari tjera shoqërore, a je marrë?

– Sigurisht, po! Pas vendosjes së demokracisë, në qytetin e Lushnjës kam qenë zëvendëskryetare e Forumit të gruas demokratike dhe kryetare e Shoqatës së të përndjekurve politikë. Ndihmat, që më vinin për këtë shtresë shoqërore, jam kujdesur që të ndahen në mënyrë të barabartë, si për më të varfërit e qytetit dhe për të verbërit. Ndihmat, me veshmbathje e ushqime, ua kam çuar vetë nëpër shtëpitë e tyre. Ndërkohë, kam qenë dhe sekretare e Shoqatës së të Verbërve. Kur shkoj në qytetin e Lushnjës, sa e marrin vesh gratë, që unë kam arritur, vrapon secila prej tyre, të më marrë në shtëpinë e saj, duke më quajtur me dashamirësi, respekt e mirënjohje: “Nënë Tereza”! Sigurisht, sjellja e tyre më emocionon shumë…

8. Cili ka qenë vlerësimi i krijimtarisë tënde të botuar, me çmime ose “Mirënjohje” etj.?

– Vonë, shumë vonë, janë kujtuar edhe për mua! Në vitin 2012, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, në Lushnjë, në qytetin e vuajtjeve, në qytetin e plagëve të mia, më janë dhënë dy çmime:“Libri më i bukur i vitit”, me titullin ”Diku, aty…” dhe“Çmimi i Karrierës”. Pastaj, në vitin 2016, më është dhënë çmimi letrar, “Vath Koreshi”. Në Bruksel, po kështu, më janë dhënë 6 Mirënjohje “Naim Frashëri”, për ndihmesën e çmuar, vullnetarisht e me ndjenja të larta atdhetare, në mësimdhënien e gjuhës shqipe për fëmijët shqiptarë, për 11 vjet radhazi. Plus kësaj, jam shpërblyer me “Mirënjohje” nga Ministria e Diasporës e Republikës së Kosovës, si dhe “Deklarata e Pavarësisë së Kosovës”, në vitin 2014.

9. A është shkruar, në gazeta e revista ose a është folur në ndonjë emision të radiove a TV-ve, për librat tu? Po përurime të tyre, a janë bërë?

– Po, përurime librash kam bërë disa herë. Së shpejti, në Bruksel do të bëj përurimin e 6 librave më të rinj. Në “Radio-Tirana” jam ftuar tri herë. Së pari, në një intervistë nga gazetarja, Valdete Antoni, Demir Gjergji dhe dy herë nga gazetari Jaho Margjeka, në emisionin për dëgjuesit jashtë Atdheut. Po kështu, çdo TV shqiptar, që më ka ftuar, kam shkuar me kënaqësi. Të tjerët janë “me klane”. Unë nuk jam tip i ngjitur, fals! Mos, vallë, duhet të vrapoj pas tyre, për t’u bërë e njohur e për të marrë dekorata, pas 17 librave ,që kam botuar!? Jo, jo, nuk e shoh të arsyeshme dhe s’është në natyrën time, nënshtrimi dhe servilizmi, të cilat i kam quajtur vese të ulëta. Nuk i kam pranuar dhe i kam urryer edhe në diktaturë, ku më është shtrydhur shpirti! Janë të tjerë ata, që duhet të flasin, t’u flasë pena!

Si kritikës, të cilës i është mbyllur zëri, gjithashtu letrarëve, nuk u lejohet të heshtin, ata duhet ta thonë fjalën e tyre, me ndershmëri! Ju e dini shumë mirë: Kanë marrë çmime, ata “poetë” e “shkrimtarë”, që kanë shkruar një libër ose dy dhe që nuk i kanë shkruar vetë, por që kanë paguar për të marrë autorësinë! Ç’fatkeqësi! Është për të vënë duart në kokë! Sepse media, për fat të keq, shkrimtarët, poetët dhe, pothuajse, të gjithë në Shqipëri blihen me para…A s’është e vërtetë?! Kështu, blihen dhe çmimet e dekoratat, që nga Presidenti dhe këta “krijues” të rremë, janë bërë të njohur, sa Kadareja…

10. Nëse dëshiron, a mund të tregosh diçka për jetën tënde familjare e shoqërore? Po me vendlindjen e Shqipërinë, si i mban lidhjet?

– Unë tani jetoj, ndërmjet Brukselit dhe Tiranës, megjithëse në Atdhe s’kam ende një copëz shtëpi?!…Jo më kot, përgjigjen e kësaj pyetjeje, besoj se e kam dhënë më lart, ndërmjet vargjeve të poetit Shazim Mehmeti…

11. A ke dorëshkrime, në poezi ose prozë, që presin radhën e botimit?

– Sigurisht që kam! Në vazhdim, kam një roman, që mendoj ta shoh dritën e botimit këtë vit. Ndërsa një roman tjetër, vepër Autobiografike, e kam lënë përgjysmë, për tjetër herë. Kam një libër me poezi, që më mbeti vitin e kaluar pabotuar, sepse ishin shumë 7 libra, dhe… Dua të them, nuk u botua dot, për mungesë buxheti e do të botohet këtë vit. Kam dhe një tjetër me poezi, të mbaruar këtë vit. Pra, janë katër libra, që po presin ditën e botimit, përveç dy libra të tjerë për fëmijë.

12. Duke të falënderuar përzemërsisht për përgjigjet, gjatë kësaj Bisede, a mos dëshiron të shtosh diçka tjetër?

– Po, dua të shtoj: Unë, me familje, nuk u larguam dot nga Atdheu menjëherë dhe, fatkeqësisht, mbetëm në kampin e Savrës edhe tre vjet të tjera, pas demokracisë, pa asnjë të ardhur. Në vitin 1993, e humbëm durimin e pritjes dhe shpresat, se shteti do të merrte masa për të na dhënë nga një apartament, si gjithë qytetarëve, që ua dha, po me ato çmime. Dhe, kur heshtja e shtetit ndaj nesh vazhdonte të heshtëte, vuajtjet e familjes sime po shtoheshin aq shumë, sa na mungonte dhe thesi i miellit, pa le për të tjera, nuk bëhej fjalë.

Në atë periudhë, isha nënë e tre fëmijëve të mitur, kur vajza e madhe vetëm 11 vjeçe dhe bënte çdo ditë, në këmbë, 8 kilometra rrugë, shkuarje e kthim në kamp, për ta vazhduar shkollën, në qytetin e Lushnjës. Ndërsa, privatisht, merrte mësime frëngjisht, të mësuesja e mrekullueshme, e cila nuk është më, e bukura Monika Gjini. Të gjithë të internuarit po largoheshin, një nga një e në heshtje. Shumica kapën anijet për në Itali, por im shoq nuk e pranoi një zgjidhje të tillë, që pas gjithë atyre vuajtjeve e peripecive, për të kërkuar një jetë të re, mund të humbnim dhe fëmijët. Një mëngjes, kur në kamp kishin mbetur një numër i vogël i familjeve të internuara dhe vetja po më dukej askush, shpërtheva para tim shoqi, me lotë në sy:

– Bëj ç’të duash, na largo nga kampi! Po shtrydhemi nga varfëria e fëmijët po treten dite-ditës! Unë vetë po marr malet, po çmendem, nuk mundem më të duroj, mjaftë më! Na hiq nga kampi! Na hiq! Ti, pret nga shteti? Nga cili shtet? Kaluan tre vjet dhe për ne s’po pyet askush! Shiko realitetin në sy, burri im, mos shpreso “qiqra në hell”! Dhe bukën thatë s’po ua sigurojmë dot fëmijëve, pa le të tjerat!…Në qytet do dal të shes në rrugë dhe fëmijëve do t’ua siguroj jetesën, të paktën, minimale!

Gjatë tërë përplasjes sime të pakontrolluar, im shoq nuk e hapi gojën fare, po më vështronte me lotë në sy. Ndërsa, kur unë heshta, më përqafoi fort, si për t’më dhënë guxim dhe, pastaj, hapi derën e u largua. Pasdite, u kthye dhe, me ëmbëlsi, më foli:

– Zemër, lajmëro familjen e Azem Nezës, se kam biseduar me Lin Kontin, që është dhe ai pa shtëpi, (djalë me dy fëmijë, i internuar, por tani oficer policie), që për gjithë natën ta përshtatim kopshtin Nr.4, në lagjen “Gafur Muço”, në Lushnjë, i cili kishte vetëm 4 fëmijë, deri në drekë…

Në mesnatë, u gjendëm brenda kopshtit, i cili ishte sulmuar e grabitur, deri te dyert e dritaret. Në mëngjes, oborri i kopshtit u mbush me makina policie dhe, me sjellje prej harbutësh, na kthyen përsëri në kamp. Pas dy ditësh, përsëri u gjendëm në kopësht, po mëngjesi erdhi prapë i hidhur, duke na thyer ç’kishim dhe na kthyen përsëri në kamp, me policë. Pasi kjo histori u përsërit ditë me radhë, një mëngjes përgatita një bidon me benzinë. Kur policia tentoi ta thyente portën, prej thuprash hekuri, e vetmja që kishte mbetur, unë e derdha bidonin me benzinë dhe ajo u shpërnda, deri te këmbët e policëve.

Mora tre fëmijët dhe i vura në mes të benzinës dhe shkrepësen e bëra gati ta ndizja! Në ato sekonda, policia u largua nga frika dhe, nga larg, më bënte apel për dialog. Këtë herë, isha unë ajo, që nuk u besoja dhe do të pranoja të hapja derën e hekurt, të mbyllur me 5 çelësa, vetëm në besën e Myftar Bërhamës, shok fëmijërie ky, ish i internuar dhe tani i veshur në polici. Por dhe në besën e gazetarit të ndershëm Dalip Greca, i cili shkroi artikullin: ”Një grua, që paralajmëron!”.

Nga e gjithë kjo ndeshje me policinë, me urdhër që lart, na lanë të banonim në kopësht, deri sa të na stabilizonin me shtëpi. Sepse, ligjërisht, shkruhej: Kush ka kryer 25 vjet internim dëbim, i përkiste një apartament falas,.. Kurse unë, me tim shoq, kishim gjithsej 67 vjet, internim dëbim, pa marrë parasysh burgjet e prindërve dhe pushkatimet.

Ne nuk mundëm ose nuk na erdhi radha për të marrë një banesë, si të gjithë qytetarët. Si rrjedhojë, mbetëm në atë kopësht-banesë, pa dyer e dritare, të cilat i zumë me plastmase. Me sakrifica të mëdha, më vonë, i blemë vetë dhe ndërtuam shkallët prej betoni, sepse ishim në katin e dytë dhe familja e papersekutuar fare, në katin e parë të ndërtesës, na e bllokoi kalimin! E mbuluam tarracën lart, se pikonte e tëra. Si përfundim, tani na e ka zënë një femër me ngjyrë dhe m’i ka humbur të gjitha dorëshkrimet e pikturat etj., etj., që ka një shtëpi e varfër. Ajo, me shtëpinë, që kishte përfituar nga sistemi i diktaturës, bëri allishverishe. Edhe pse ka blerë një apartament të ri, çelësin ajo nuk na e dorëzon, por thotë: “Aty do vendosi djalin, që kam në Gjermai, me letra!” Kjo është që të vësh duart në kokë!

…Kthehemi përsëri tek e kaluara: Në atë periudhë, unë vazhdoja studimet për mësuesi dhe, në vitin 1995, fillova punë në arsim, me ndihmën e Sherif Kaloshit, që ishte përgjegjës kuadri në Ministrinë e Arsimit dhe të përgjegjëses në Lushnjë, Mozës. Unë, me dy fëmijët nën moshë, u largova nga Shqipëria, në Janar të vitit 2001. Kurse vajza e madhe kreu studimet e larta në Tiranë, në Akademinë e Lartë të Arteve të Bukura, dega pikturë. E lamë Shqipërinë, bashkë me tim shoq, në vitin 2003. Kështu, babë e bijë, fituan azil politik në Bruksel…

Të më falni, por jeta ime nuk mund të mbështillet në këto pak faqe, sepse është sa e hidhur dhe e ndërlikuar, duke u torturuar nëpër kampet më famëkeqe të internimit. Duhen faqe librash…po, po faqe librash: “Rrjedha lumenjsh s’e mbartën dot,/ lotin tonë, që s’u derdh kot!/ Por, më mirë, dhimbjen e gjatë,/ ta durojë, ky shpirt’ i ngratë!…”

Në mbyllje, dua t’u përshëndes nga zemra, prof. Murat Gecaj, për këtë Bisedë në largësi, që përsëri më dhatë edhe ju mundësinë, të shprehja disa nga mendimet e mia! Faleminderit!

Tiranë-Bruksel, qershor 2017