Aktualitet – Opinion.al – 09/04/20
Në kuadër të masave për parandalimin e përhapjes së kronavirusit, ditën e djeshme kryeministri Edi Rama paralajmëroi ndryshime në Kodin Penal.
Sipas ndryshimeve të propozuara, mosbindja ndaj rregullave, vendimeve dhe urdhrave të nxjerra nga organet kompetente shtetërore për masat e marra gjatë gjendjes së jashtëzakonshme apo gjendjes së fatkeqësisë natyrore, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj.
Nëse shkelja e masave është në mënyrë të përsëritur, atëherë shkelësi dënohet me burgim nga tridhjetë ditë deri në një vit. Por nëse nga kjo shkelje, shkohet në vdekjen e personit tjetër, dënimi është me burg nga 5 deri në 15 vjet.
Pra, nëse hetimi epidemiologjik zbulon që personi i infektuar me koronavirus që ka humbur jetën (hipotetikisht), ka pasur kontakt me personin që ka thyer karantinën, ku i fundit rrezikon burgun deri në 15 vite. Këto propozime priten të miratohen në Kuvend në seancën e 16 prillit.
“Neni 242/2
Shkelja e rregullave të karantinës për parandalimin e përhapjes së sëmundjeve infektive
Moszbatimi i urdhrit të karantinës apo shkelja e rregullave të karantinës nga personi mbartës ose jo i sëmundjes infektive ngjitëse, përbën vepër penale dhe dënohet me gjobë dhe me burgim deri në dhjetë vjet.
Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për shëndetin ose jetën e njerëzve dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.
Kur nga vepra ka ardhur ose ka mundësi të vijë vdekja e personit, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet.”.