140 – të (…)!

0
806

AV. XHABIR ZEJNUNI

Pasi opozita “dogji” mandatet, u supozua (dhe u urua!) se vendet bosh në Parlament nuk do plotësoheshin nga kandidatët e listës pritëse! Por, si për çudi(!) pak e nga pak po plotësohen vendet bosh nga kandidatët e listës pritëse! Por, akoma nuk dihet nëse do arrihet apo jo kuorumi i 140 vendeve në Parlament. Por, edhe mund të arrihet ky kuorum nëse merret parasysh fakti se PD-ja futi 194 kandidatë në listën e saj, kur numri i vendeve në Parlament është vetëm 140!

Nëse nuk arrihet kuorumi i 140 vendeve, atëherë shtrohet problemi nëse është i ligjshëm apo jo Parlamenti me më pak se 140 deputetë, duke sjellë që ky fakt të përbëjë një shkak të arsyeshëm për zgjedhje të parakohëshme!

Kundërshtarët, i referohen nenit 64, par. 1 të Kushtetutës, i cili disponon se “Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur me sistem proporcional me zona zgjedhore shumemërore”. Ja vlen që të merret në konsideratë vetëm pjesa e parë e par. 1, që disponon se “Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë”.

Në këtë rast, numri 140 i referohet vendeve maksimale për deputetë që mund të ketë Parlamenti dhe nuk është një kusht i domosdoshëm që Parlamenti të ketë patjetër 140 deputetë për të funksionuar rregullisht. Mjafton që të verifikohen prezencat e deputetëve në seancat dhe grupet parlamentere! Pasi nëse është i domosdoshëm dhe i detyrueshëm kushtetutshmërisht numri 140, atëherë norma kushtetuese do duhej të ishte kështu: “Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë dhe funksionon vetëm me 140 deputetë”.

Problemi i (de)legjitimitetit të Parlamentit, u shtrua vetëm tani me rastin e “djegjes” së mandateve dhe nuk u shtrua kohë më parë kur Parlamenti është bojkotuar disa herë nga 6 muaj (pa disa ditë!). Pasi në rastin e bojkotit, partitë kanë hequr dorë nga ky bojkot për “hir të popullit sovran” vetëm pak ditë para plotësimit të afatit kushtetues 6 mujor. Përndryshe, ky fakt do sillte si rrjedhojë pavlefshmërinë e mandateve në respekt të nenit 71, par. 2, germa d), i cili parashikon se “Mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm, sipas rastit: d) kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend”.

Duke qenë se ligjet për nga rëndësia e tyre votohen në Parlament me shumicë të cilësuar prej 2/3 dhe 3/5, ose me shumicë të thjeshtë (70+1) të votave, sjell që numri prej 140 deputetësh shërben vetëm për t’i dhënë sa më shumë “hapësirë” dhe “larmi” diskutimeve dhe votimeve.

Në Kushtetutë, nuk është parashikuar votimi 100% që të imponojë patjetër prezencën e 140 deputetëve. Por, ka edhe raste që për “hir të interesave të larta të popullit”, ndonjë ligj të votohet edhe me 100% të votave (ashtu si dikur!), siç ishte rasti i votimit të ndryshimeve kushtetuese me 22 korrik 2016(…)!!

Të pretendosh që Parlamenti duhet të ketë patjetër 140 deputetë, do thotë të pretendosh që përveç kuorumit fiktiv prej 140 deputetësh, që po ashtu asnjë deputet të mos mungojë në asnjë seancë të Parlamentit dhe të komisioneve parlamentare.
E pamundur.