12 QËRSHORI – DATË E VETME E ÇLIRIMIT TË KOSOVËS

0
504
Forcat e NATO-s, 12 qershor 1999, Kosovë

IDRIZ ZEQIRAJ

Festimi i 12 Qërshorit të sivjem, ishte i veçantë dhe mbresëlënës. Sharm festiv, bukurie e dinjiteti i dha kësaj date historike kryetarja e Parlamentit të Kosovës, Vjosë Osmani. Fjala e saj emocionale dhe përmbajtësore, në seancën festive kuvendore; lulet e mbjella në kujtim të fëmijëve jetëkëputur mizorisht, ngjallën emocione skajore, në zemrat e shqiptarëve të kudondodhur, por, edhe tek të tjerët, që panë këtë plojë makabre, në mbyllje të shekullit 20-të!

Çlirimi i Kosovës ka veçantinë e vet, që ndryshon nga rastet tjera, nga vendet tjera. Është çlirim në tavolinë, pas 78 ditëve të bombardimit nga pakti NATO, mbi caqet armike. Tanket marshojnë drejtë Kosovës, pa krisma armësh. Dhe, kjo mrekulli ndodhi më 12 Qërshor 1999. Andaj, Kosova, anëpërtej, ka vetëm një datë çlirimi – 12 Qërshorin.

Çuditërisht, përjashto Presidentin Rugova, i cili e ka pagëzuar 12 Qërshorin datë të vetme të çlirimit të Republikës të Kosovës, “komandantët”, tashmë, të etur me pushtet, kanë hezituar, ngurruar ta thonë këtë, madje, ndër vite. Ata donin ta relativizonin çlirimin faktik të Kosovës, nga NATO-pakti, më 12 Qërshor, për ta zëvendësuar me të “bëmat” e tyre “luftarake”, por, me një datim tjetër. Në mungesë të ndonjë beteje, ata e shpërndanë 12 Qërshorin, në datime kohore nga 9 qershori, deri më 21 qërshor! Fiktivisht, rrejshëm, kalkuluan ditët e çlirimit nëpër komuna.

Ajo që bie në sy, është paturpësia cinike në festimet “çliruese”, jashtë datës të 12 Qërshorit, se mungojnë luftëtarët faktikë, të cilët e pranojnë dhe festojnë vetëm 12 Qërshorin. Këta luftëtarë, edhe pse qenë pjesë e luftës aktive, janë modestë, madje, luftën për Atdhe, nuk e konsidetojnë sakrificë, por, detyrë. Andaj, nuk mburrën me luftën e bërë, por, gjithësesi, ndjehen krenarë të heshtur dhe dinjitozë.

Këta luftëtarë nuk janë pjesë e disa “biçim” shoqatash, kinse, “të dala nga lufta”, të cilat, të instrumentalizuara nga shefat e tyre pushtetarë, rrast të inkriminuar, për dy dekada radhazi, kanë provokuar, shantazhuar, kërcënuar dhe përgjakur popullin e Kosovës. Me sjelljet e tyre të vrazdëta, banditeske, rrugaçërore e kriminale, ua ngrinë shqiptarëve buzëqeshjen e lirisë. Ngjarjet e mars-prillit 2004, janë vepër ekskluzive të PAN-it të sotëm, me skenar e regji të Beogradit. Që aty kanë lindur decentralizimi dhe, më pas, “Zajednica”.

Është poshtëruese, kur në sheshet e disa komunave, në këto festime të sajuara e fiktive, të organizuara nga “komandantët” të rrejshëm, bëhen bisht i tyre edhe kuadro të LDK-së. Festime të tilla të rrejshme, zbehin edhe festën e madhe të çlirimit – 12 Qërshorin. Festimet jashtë kësaj date, janë të rrejshme dhe, si të tilla, duhet shmangur nga datimet festive “çliruese” lokale. Është detyrë e kryekomunarëve, me stafet e tyre komunale, ta përgadisin festën e çlirimit të Republikës të Kosovës, më 12 Qërshor. Datimet paralele të kësaj ngjarje të shpallën të paligjshme, duke i konsideruar si promovime individuale të “komandantëve”, për ta kompensuar atë që nuk e bënë në kohë lufte!

Dyzimi i 12 Qërshorit, në duzinë datimësh, hezitimi, ngurrimi, për ta pranuar si datë të vetme të çlirimit të Kosovës, nga ana e “komandantëve”, të pasluftës, se ata nuk duan ta pranojnë të vërtetën, ngaqë ishin jashtë funksionit luftarak, përjashto heroikët e Kosharës.

Rrjedhimisht, Lëvizja Vetëvendosje, që minimizon rolin vendimtar ndërkombëtar të çlirimit të Kosovës, nuk është e vetme. Të një mendje janë edhe krerët PAN-istë, të cilët, pa përjashtim, janë majtistë të mykur edhe sot, ashtu siç ishin edhe dje, brenda LPK-së, stalinistë të neveritshëm. Dhe, në këtë rrjedhë, ata devalvojnë, zvetnojnë datën e çlirimit – 12 Qërshorin, duke e shpërndarë atë, në mënyrë fiktive, të rrejshme, në disa datime se, gjoja, UÇK-ja, e prirë nga “komandantët heroikë të UÇK-së çliruan Kosovën!” Ky falsifikim grotesk, është qartësisht i lexueshëm. Është një sforcim i skajshëm, për t`u imponuar si faktorë “çlirues” ekskluziv!

Përçudnues është fakti se në Gjyqin e Hagës, të akuzuarit dhe dëshmitarët e kërkuar nga ata, kryesisht, ata që thirrën në luftën, mohonin të këtë pasur ushtri (UÇK-e) të organizuar. Përkundër asaj që kishin bërë edhe libra, për “betejat heroike të UÇK-së”, para trupit gjykues të Hagës, UÇK-në e reduktonin në disa grupe anarkiste, veçsa nuk thonin banda kriminale, “pa komandë të centralizuar hierarkike!” Bëlbëzimet e tyre ishin qyqare dhe turpëruese – njëherësh!

Mërgata shqiptare përcjell me shqetësim shumësinë e datimeve “çliruese” të Kosovës dhe qëllimet djallëzore të ekstremit të majtë PAN-istë, robër të ideologjisë sllaviste. Për dy dekada radhazi, i bien teneqes së shpuar, për ta përvehtësuar luftën e pabërë. Gjenerali freng Napoleon, i urrente mosmirënjohësit, më shumë se sa edhe tradhtarët. Shqiptarët të shquar, ndër shekuj, për ndjenjën e mirënjohjes, karshi miqëve, batakçinjtë e PAN-it po e thyejnë traditën, duke u bërë bukëshkalë, mosmirënjohës karshi çlirimtarëve faktik, ndërkombëtarët e bashkuar në Aleancën NATO.

Shqiptarët e mërgatës, qëllimshëm, e shënojnë, madje, përvitshëm, 12 Qershorin, si datë e dyfishtë: të çlirimit të Kosovës dhe të mirënjohjes për miqtë ndërkombëtarë, të cilët na e bënë dhuratën më të çmuar dhe më madhore – Lirinë!

Përjetësisht mirënjohës për dëshmorët e kombit, luftëtarët për liri dhe çlirimtarët ndërkombëtarë!