11 MINUTA

0
2206

KOLEC TRABOINI

11 MINUTA

Klea, studentja 20 vjeçare me shpirt
të brishtë e thellësisht të ndjeshëm,
nuk e përballoi dot humbjen e dashurisë
dhe kreu vetvrasje në Tiranë
më 24 dhjetor 2015.

________________________
Njëzetvjeçare, e bukur, e brishtë
si tulipanët e parë të pranverës
Klea vendosi t’i ngjisë shkallët një e nga një.
Nuk e mori ashensorin kësaj here
nuk e dëshironte praninë e njerëzve
në njëmbëdhjetë minutat e fundit në jetë
të udhëtimit të saj për në qiell.
Në katin e parë të ngjitjes
e përshëndetën dy njerëz
një grua e një burrë, të lumtur
dukja është gjithçka kur nuk njihesh
si lulja kjo vajzë e bukur
e shoqëruan me një shikim përkëdhelës.
Klea u ngjit në katin e dytë
minutën e dytë
një gjyshe që fshinte pragun i tha:
“Moj bijë, më qofsh e lumtur!”
Pastaj në katin e tretë e minutën e tretë
një djalosh me sy e përpiu
sikur i thoshte mos shko më lart
lëri engjëjt në qiell
bëhu dashnore në tokë e njeriut
kam një dhomë e një krevat këtu
në këtë dimër të ftohtë
a po kthehesh të bëjmë dashuri.
Po minuta e tretë kishte ikur
ajo s’mund të ndalonte
duhej ngjitur në katin e katërt
ku një vogëlushe e priste.
Klea mendoi për një çast se ishte vetja
që i thoshte: “Si më harrove
mos ik, më lart mos u ngjit
eja të luash me kukullën time!”
Po Klea ishte rritur e fëminia e saj
qe larg, njëzet vjet larg
asgjë s’mund ta kthente
se jeta e njeriut nuk ishte një film
që mund ta shohësh pafundësisht.
Në katin e pestë dy vajza prostituta
e ndollën, i thanë të bëhemi shoqe
ikim në Europë nëpër semaforë.
Klea s’u ndal, por ngjiti shkallët
babain e nënën iu duk sikur pa.
“Eja Klea, pse po vonohesh?”
U ngjit dhe më lart
në katin e shtatë në minutën e shtatë
aty qielli mund të shihej
por e ndalonte pallati përballë
ndoshta në katin e tetë do të shihte
ca re puplore ëndrrash që iknin
për t’u tretur e kthyer në pika shiu.
“Më lart, më lart,- i tha vetes –
atje ku mund ta prek qiellin.”
U gjend në katin e nëntë
minutat iknin
aty nuk pipëtinte frymë njeriu
ajri sikur qe ngrirë.
Ecte mes e përmes akujsh
u gjend në katin e dhjetë
nisi të shfaqej qyteti në mjegull
e njerëzit në ikje si miza lëvrinin
në panikun e ditëve të dimrit.
Donte veç një ditë për të ardhur Krishtlindja
mrekullia që pritej të ndodhte
një qiri shprese ndezur nga pleqtë
një pemëz, ca dritëza si yje
blegërima e një qengji, zëri i vogëlushit
që ende flinte brenda njeriut.
Të gjitha këto ishin në ardhje
duhej veç një ditë, 1440 minuta
por asaj veç një minutë i kish mbetur
sa për t’u ngjitur në katin e njëmbëdhjetë
atje ku frynte erë
atje ku me siguri ca engjëj e prisnin
me flatrat e tyre si diell.
Gjeti aty veç një zog të mardhur
që trembur rrahu krahët në qiell
sikur t’i thoshte eja dhe ti
ta shohësh botën nga lart, botën gri.
Duhej fare pak mundim
veç pak, të hidhej
engjëjt nuk do ta linin të binte.
Klea hapi krahët, i dha vetes lart
ajri si xham akulli u thye
zemra përpëlitej në erë
ku po shkoj tani, ku ndodhem
pse engjëjt s’po vijnë
ndoshta erdhën e morën shpirtin tim
e trupin e lanë të përplasej
në trotuar, pa frymë, mes njerëzve.
Ndërsa sirenat e urgjencës
e mbushnin qytetin me pikëllim
u deshën njëmbëdhjetë minuta
për t‘u ngjitur në katin e njëmbëdhjetë
pa llogaritur kohën e rënies
e kohën kur njeriu jep shpirt.
__________
Nga Libri “ODEON – për gjëra që ngjasin”
Kolec Traboini, Pantheon Books Edition 2016
__________
Vidio: 11 MINUTA – recituar nga autori K.Traboini: