10 VJET KOSOVË E PAVARUR -KOSOVA 10 VJET SHTET

0
631

Gjin Musa, gazetar

10 VJET KOSOVË E PAVARUR
– Kosova 10 vjet shtet.
Diplomacia tregon seriozitetin e një shteti.

Në mjediset e Galerisë “Doria Pamphilj” në qendër të Romës, Ambasada e Republikës së Kosovës organizoi një pritje-koktejl me rastin e 10 -vjetorit të shpalljes së pavarësisë dhe formimit të shtetit më të ri në Europë. Me këtë rast ishin të pranishëm përfaqësues të shumtë të trupit diplomatik, të institucioneve italiane, të parlamentit italian, të mediave, të bizneseve, të artit e të kulturës, si dhe miq të shumtë nga shoqëria civile, komuniteti arbëresh, bashkatdhetarë dhe studentë kosovarë.

Festa u hap me ekzekutimin e himit kosovar dhe atij italian nga pianisti maestro Davide Santi dhe kënduar sopranoja Ana Lushi. Në fjalën e saj përshëndetëse, ambasadorja e Republikës së Kosovës në Itali, shkëlqesia e saj Alma Lama, duke iu uruar mirëseardhjen të pranishmëve, kujtoi 17 shkurtin e vitit 2008, atë ditë kur rreth dy milion persona dolën nëpër rrugë për të festuar realizimin e një ëndrre shekullore dhe të një fitoreje historike. Rruga për të arritur deri më këtë moment historik ishte një proces i gjatë dhe i vështirë, e i koordinuar me vendet e botës demokratike. Populli shqiptar i Kosovës që historikisht ka luftuar për liri e pavarësi bëri sakrifica të panumërta, luftoi me armë në dorë dhe dha gjakun e sa e sa dëshmorëve për lirinë e pavarësinë e vet.

Ambasadorja Lama tha se, bashkë me ditën e pavarësisë Kosova feston edhe 10 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike me Italinë, e cila edhe këtë herë ishte ndër vendet e para që përkrahu dhe njohu pavarësinë e Kosovës. Në vazhdim të fjalës së saj, ambasadorja Lama kujtoi të gjithë ata që kanë ndihmuar për të mbërritur deri tek dita e çlirimit të Kosovës, duke thënë se “pa angazhimin e figurave politike, ushtarëve, gazetarëve dhe aktivistëve të ndryshëm italanë, jemi të gjithë të vetëdijshëm se sot nuk do të ishim këtu.

Dhe kjo përkrahje fillon nga figura me peshë politike si presidenti Matarella, ish-ministër i mbrojtjes në kohën e krizës në Kosovë, ish-kryeministri dhe qeveria D’Alema, qeveria Letta, senatorja edhe ish-ministrja e jashtme Emma Bonino dhe i ndjeri Marko Panella i Partisë Radikale, e shumë e shumë të tjerë”.

Ambasadorja Lama kujtoi dhe i falënderoi, gjithashtu, për punën e tyre të çmuar në vetëdijësimin e opinionit publik dhe zbardhjen e të vërtetës mbi krimet që po ndodhnin gjatë luftës në Kosovë, gazetarët dhe autorët e librave të ndryshëm, duke e veçuar gazetarin e Radio Radikale, të ndjerin Antonio Russo, që ishte i fundit që qëndroi në Kosovë pasi filluan bombardimet e NATOs, për të dëshmuar spastrimin etnik. Ajo, po ashtu veçoi artistët italianë me në krye me Pavarotin për kocertin humanitar në ndihmë të fëmijëve të Kosovës.

“Dua të falënderoi për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm organizatat humanitare italiane si Kryqi i Kuq, Karitasi, Intersosi, etj. Por mbi të gjitha dua të falënderoi në këtë përvjetor gjithë popullin italian për zemërgjerësinë e tij, për ndihmat e donacionet, për hapjen e dyerve për refugjatët e luftës. Dhe falënderimi nuk është i plotë nëse nuk do të përmendja punën e mjekëve dhe solidaritetin e spitaleve italiane”, tha ambasadorja Lama. Ajo me këtë rast foli edhe për kontributin e komunitetit arbëresh dhe të atij shqiptar që ishin zëri i Kosovës në Itali, ndërsa shfrytëzoi rastin që të falënderojë edhe diasporën kosovare, duke i ftuar ata që t’ia kthejnë të mirën Italisë, duke dhënë kontributin e tyre kudo që janë.

Pas fjalës së Ambasadores, të pranishmëve në festë iu drejtua edhe kryeatari i Komisionit për Politikë të Jashtme në Dhomën e Deputetëve z. Fabrizio Cicchitto, i cili uroi Kosovën për arritjet e deritanishme dhe kërkoi që të vazhdohet me punën dhe përkushtimin drejt integrimit të shtetit të ri kosovar në familjen evropiane dhe më gjërë. Festa vazhdoi me interpretimin mjeshtëror të dy këngëve të artistes së famshme kosovare Nexhmije Pagarusha. Mbrëmja u përmbyll me koktejlin e rastit.

Mysafirëve iu shërbye edhe verë kosovare dhuruar për këtë rast nga Stone Castle dhe Bodrumi i Vjetër. Të pranishmit, në atmosferën e bukur të krijuar, uruan sëbashku:- Gëzuar Pavarësinë, Kosovë!