Shkruan: Florim Zeqa, 12.01.2021
Për dallim nga fushatat e mëparshme maratonike një mujore, kësaj radhe do të mjaftojnë 10 ditët e shkurta të fushatës zgjedhore, ku qytetarët e vendit do të “kënaqen” me të gjitha mrekullitë e kësaj bote pa e shijuar asnjërën prej tyre!
Sikurse edhe më parë, qytetarët do t’i kenë afër krerët e të gjitha partive politike, të cilët do ta “hapin” shpirtin e zemrën para tyre.
Si çdo herë më zemërhapur dhe më dorëlirë do të jenë partitë e mëdha, duke ju ofruar gjithçka dhe çdo gjë votuesve të “respektuar”.
Do të shpenzohen shumë para të buxhetit të Kosovës, do të shtjerrën në maksimum edhe buxhetet e partive në pushtet dhe opozitë, …donatorët do t’i hapin llogaritë e veta për më të fortit e politikës!
Premtimet e partive politike do të jenë të shumta dhe të shummllojshme, duke filluar nga premtimet për hapje të vendeve të reja të punës, rritje të pagave, rritje të subvencioneve për bujqit dhe fermerët, premtimet për ndërtim shkollash, ujësjellësish, kanalizimesh, premtim të ripërseritur për liberalizim vizash, por pa ndonjë datë të caktuar se kur do të ndodhë lëizja e lirë për qytetarët kosovarë.
Sa shumë premtime, gënjeshtra dhe mashtrime do t’u servohen qytetarëve brenda 10 ditëve të “bereqetit”, …me të korrurat e të cilit do të ushqehen pushtetarët e rinjë në maujt e ndoshta dhe vitet e ardhshme.
Kosova është vendi i vetem në rajon e ndoshta edhe në botë, ku politikanët milionerë i blejnë më së liri votat dhe shesin më së shtrenjti premtimet (mastrimet) e tyre.
Si zakonisht çmimin e mashtrimeve të tyre e paguan popullata e varfër, e cila do të mbetët duke pritur deri në zgjedhjet tjera pa shijuar aromën e mrekullisë së premtuar gjatë 10 ditëve të fushatës zgjedhore.
Mirëpo, bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetues për mospërfshirje në listat e subjekteve politike të kandidatëve të dënuar për vepra penale, pritet të krijohet një standard i ri politik në Kosovë, ku më asnjëra parti nuk do ta ketë guximin të fusë në listën e saj kandidat që kanë pasur problem me ligjin përgjatë tre vjetëve të fundit.
Mbase kjo do të jetë gjëja më pozitive e këtij procesi zgjedhor, e ardhur si produkt i një procesi gjyqësorë, shkaku i një deputeti të dënuar që kishte votuar formimin e qeverisë paraprake.
Ketë shkrim të shkurtër e bëra për t’i thirrur ndërgjegjës qytetare në prag të fillimit të fushatës zgjedhore që të mos bien pre e premtimeve boshe, që t’i vënë gishtin kokës e të mendojnë para se të votojnë, për arsye se vota e juaj vlenë shumë më shumë së 50 apo 100 euro, por është votë që përcakton të ardhmën e fëmijëve tuaj nesër.
Sikurse herave tjera, në mungesë të një vendimi në Kuvendin e Republikës së Kosovës, edhe në këto zgjedhje Diaspora u privua nga e drejta për të votuar nëpër ambasada dhe konsullata të Republikës së Kosovës në shtetet perëndimore dhe jo vetëm. Me vendimin e fundit diskriminuese dhe linçues të KQZ-së për mërgatën, “Mërgimtarët të cilët nuk i përgjigjen thirrjes telefonike, e humbin të drejtën e votimit”, mërgata e humbi edhe të drejtën e votimit online dhe përmes postës.
Mos e harroni për asnjë çast thirrjen time të vazhdueshme për mobilizim të përgjithshëm, për largimin përfundimtarë të kësaj klase politike, si kusht i vetëm dhe i domosdoshëm për ndryshimin e sistemit qeverisës në vendin tonë.
Në fund, një gjë mos e harroni qytetarë të dashur të vendit tim dhe bashkatdhetarë të shpërndarë gjithandej globit, ata që ju harruan dje, do t’ju harrojnë nesër e përgjithmonë, ata që ju mashtruan për dy dekada rresht do t’ju mashtrojnë përseri dhe në pafundësi!